Ylli i muzikës popullore Svetlana Razhnjatoviq e pranoi se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme para nga transferimi i lojtarëve të klubit futbollistik "Obiliq" në klubet e huaja. Ajo për këtë u dënua me një vit burg shtëpiak. Megjithatë ajo në arrest shtëpiak do të kalojë vetëm tetë muajt e ardhshëm, sepse katër muaj ajo i ka kaluar tashmë në paraburgim. Përveç burgut shtëpiak "ikona e luftërave të viteve nëntëdhjetë" në Serbi dhe e veja e komandantit të njësive paramilitare serbe Zhelko Razhnjatoviq - Arkan do të duhet të paguajë edhe një milionë euro dënim.
Mesazh i keq për publikun
Drejtori i Komitetit për të drejtat e njeriut, Milan Antonijeviq vlerëson për Deutsche Wellen se ujdia e arritur për qytetarët është shumë e butë por nuk është as në interes të publikut që të ketë një gjykim maratonik. "Mendoj se shteti ka një pozitë shumë më të mirë negociuese kështu që nuk duhet të pranoj ofertën e parë që i ofrohet. Në këtë mënyrë dërgohet një mesazh i keq nëse pas kryerjes së veprave të tilla keni mundësinë e arritjes së një ujdie e cila sipas mendimit tim është shumë e butë", vlerëson Antonijeviq.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Ylli i muzikës popullore serbe akuzohet për mashtrim
Sociologu Ratko Bozhoviq thotë se megjithatë ujdia e arritur mes Razhnjatoviqit dhe Prokurorisë është një zgjidhje e mirë. "Është gjetur një formë që të mos injorohet as ligji e as faji, por edhe të mos injorohet një personalitet, i cili ka rëndësi për një pjesë të publikut", thotë Bozhoviq. Ai shton se rasti i Ceca Razhhnjatoviqit nuk është rasti më i rëndësishëm dhe më problematik për drejtësinë serbe pasi edhe shumë "peshq të mëdhenj" të tjerë i janë shmangur dorës së drejtësisë posaçërisht njerëzit, të cilët kanë përvetësuar paranë publike.
Katër milionë marka dhe tre milionë dollarë
Marrëveshja përfshin edhe motrën e Svetlana Razhnjatoviqit, Lidija Ocokojliqin, e cila e ka pranuar se ka ndihmuar motrën e saj në mashtrimet rreth transferimit të futbollistëve. Ajo është dënuar me gjashtë muaj burg shtëpiak, të cilin do ta mbaj me familjen në banesën e saj. Marrëveshja nuk përfshin dy të akuzarit e tjerë Dragisha Biniqin dhe Jovan Dimitrijeviqin, të cilët aktakuza i ngarkon me transferimin e paligjshëm të vetëm një lojtari.
Nëse Gjykata e Lartë e miraton marrëveshjen, atëherë Ceca dhe motra e saj nuk do të gjykohen, por do të vlejnë dënimet, për të cilat është rënë dakord me Prokurorinë. Razhnjatoviq dhe motra e saj do të jenë të detyruara pastaj që gjatë kohës së burgimit shtëpiak të mbajnë në këmbë nga një prangë elektronike përmes së cilës drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve penale do të ketë mundësinë të vëzhgojë lëvizjet e tyre.
Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Ceca në koncert
Aktakuza kundër Svetlana Razhnjatoviq është ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme në Beograd në fund të muajit mars dhe atë pas një procesi hetimor, i cili zgjati mbi tetë vjet. Përmes saj Svetlana Razhnjatoviq dhe bashkëpunëtorët e saj akuzoheshin se nga transferimi i lojëtarëve të "Obliqit" në klubet e huaja kishin vjedhur rreth katër milion marka gjermane dhe më shumë se tre milion dollarë.
Pa u pyetur për origjinën e pasurisë
Hetimi kundër këngëtares së muzikës popullore ka nisur në prill të vitit 2003 për shkak të posedimit ilegal të armëve. Ajo u arrestua atëherë në operacionin policor "Shpata", ndërsa në vilën ku ajo jetonte, u gjetën shumë armë zjarri. Paralelisht me ngritjen e aktakuzës, prokuroria kërkoi fillimin e hetimeve financiare për të zbuluar se çfarë pasurie posedon Razhnjatoviq. Megjithatë, në qoftë se ujdia pranohet edhe nga Gjykata e Lartë në Beograd atëherë ajo nuk do të pyetet për origjinën e pasurisë së saj, thekson për Deutsche Wellen zëdhënësi i Prokurorisë Tomo Zoriq.
Miqësia me politikanët
Ivica Daciq, ministër i Punëve të Brendshme nga radhët e SPS-it i cili siç e ka thënë edhe vet në disa raste se është mik që nga fëmijëria me Svetlana Razhnjatoviqin dhe shpesh mysafir në festat e saj familjare i hodhi poshtë pohimet se e ka mbrojtur Svetlanën. "Fakti që unë jam shok me dikë nuk do të thotë që organet shtetërore nuk duhet të kryejnë punën e tyre. Se a kanë të drejtë organet shtetërore apo njerëzitë e tjerë, për këtë vendos në fund gjykata", tha Daciq.
Svetlana Razhnjatoviq, e njohur me emrin e estradës Ceca ka kënduar në vitin 2007 në mitingun e organizuar gjatë fushatës zgjedhore dhe në pauzë kishte falendëruar "kryeministrin e dashur i cili e ka bashkuar Serbinë" Vojisllav Koshtunicën. Koshtunica është parë atëherë për herë të parë dhe të fundit duke kënduar në publik.
Simbol i viteve 90-të
Këngëtarja Ceca para 20 vitesh ka qenë e martuar me Zhelkjo Razhnjatoviqin – Arkanin, komandantin e njësive të atëhershme paramilitare serbe të "Gardës vullnetare serbe". Ai ka qenë i akuzuar për krime lufte në ish-Jugosllavi. Arkani është vrarë në vitin 2000 në rrethana ende të pasqaruara. Ceca i ka kushtuar atij disa nga këngët më të popullarizuara të saj.
Autor: Vesna Rajkoviq / Esat Ahmeti
Redaktoi: Lindita Arapi
No comments:
Post a Comment