Tuesday, April 19, 2011

Rrëfimi i Nanos për presidentët Moisiu e Meidani

Kushtetuta nuk sheh më figurën e kryetarit të Këshillit të Ministrave, por atë të Kryeministrit si institucion, krahas qeverisë me kompetencat dhe mekanizmat e kontrollit të ushtrimit të pushtetit prej tij. Sheh dhe figurën e Presidentit si Kryetari i Shtetit, përfaqësuesi i interesave unitare të kombit, drejtues i forcave të armatosura në kohë konfliktesh ndërkombëtare pra në kohë të rëndësishme shtetërore që nga mbrojtja deri tek drejtësia. Presidenti shihet sidomos si kreu i piramidës së pavarur të Gjyqësorit në korrelacion me trupa të tjera vendimmarrëse që nga qeveria dhe sidomos Parlamenti. Kjo është bërthama e të gjithë vendimmarrjes dhe e respektit të kushtetutshmërisë së një republike demokratike.
Por natyrisht ka shumë impakt sjellja, karakteri, filozofia dhe eksperienca e njeriut që merr mandatin, për të respektuar jo thjesht Kushtetutën, por edhe ndarjen e pushteteve që ajo imponon. “Këtu është loja, këtu është sfida”, thoshin latinët. Loja nuk është kurrë e njëanshme, sepse ashtu si dashuria edhe lufta nuk bëhet me një palë, duhen dy palë.
Për të mos qenë më vulnerabël nga marrëdhëniet personale ndërmjet njeriut-president dhe njeriut-kryeministër apo njeriut kryetar-parlamenti në një Republikë Parlamentare, ne pas krizës së 1997-s ia vumë të gjitha forcat hartimit të një Kushtetute standarde të nivelit europian në Shqipëri. Kushtetuta hyri në fuqi në festën e Pavarësisë, në 28 Nëntor të 1998-s. Midis konsolidimit të këtyre rregullave dhe standardeve demokratike kushtetuese dhe fitimit të eksperiencës në ushtrimin e tyre, natyrisht ka dallime midis presidencës Berisha, presidencës Mejdani, Moisiu apo Topi.
Meidani ishte një President që u karakterizua nga futja e një fryme të buonsensit akademik në marrëdhëniet midis institucioneve dhe që në një pjesë dominuese të ushtrimit të mandatit të tij, arriti ta mbrojë autoritetin dhe mandatin e Presidentit nga interferencat negative të konflikteve politike midis palëve. Jo në të gjithë kohën, sepse duke jetuar edhe Presidenti në një mjedis të politizuar dhe ballkanas si Shqipëria, edhe ai nuk mundi të ruajë Presidentin si institucion, jo veten se nuk është problemi të ruash veten nga lobingje apo grupime transitore politike që reflektonin ndryshimet në qeveria apo në debatin politik midis palëve. Natyrisht, nuk arriti dot të bëhet President i të gjitha palëve. Për shkak edhe se opozita e Berishës nuk e favorizonte këtë gjë.
Presidenti Moisiu ishte produkt i një konsensusi mbi partiak, i të gjitha palëve dhe paradoksalisht nuk funksionoi dot si i tillë. Jo më shumë për arsye politike, se sa për arsye të pamundësisë, ndoshta edhe të pamundësisë së tij personale, për të thithur dhe për të kthyer me vlerë të shtuar tek performanca e tij, gjithë eksperiencën e politikës, e institucioneve të reja, të vetë Kushtetutës, apo të historisë politike të Shqipërisë në pluralizëm. Në shumë raste Moisiu kishte koncepte personale për institucionet, dhe jo vetëm për institucionin e tij. Për shembull, më kujtohet që kërkonte që Garda e Republikës të ishte në kontrollin e Presidentit, si xhandarmëria në kohën e Zogut. Kjo lidhej me një eksperiencë apo njohuritë e tij politike nga e kaluara e babait apo kohës kur ishte formuar. Gjithashtu kërkonte të thërriste në raport dhe të mbante qëndrim ndaj ministrave, pavarësisht nga norma kushtetuese e detyrimit për të mbajtur raporte informimi reciprok me Presidentin për anëtarët e Ekzekutivit përfshi edhe Kryeministrin. Gjë që në periudhën kur isha unë Kryeministër nuk çoi në konflikte, për shkak të natyrës sime të njohur, pra edhe të anashkalimit të konflikteve me humor dhe me buonsens. Madje bashkëpunëtorët e mi të ngushtë në staf, kur Moisiu u shtronte kërkesa edhe jashtë ritmikës së axhendës së Kryeministrit, edhe jashtë sensit të rregullimit të gjërave nga pikëpamja kushtetuese, më thoshin:
-Evitoje konfliktin dhe shko takoje, përfytyro në një moment sikur do të shkosh të takosh babanë tënd. Gjë që jo gjithmonë përfundonte me të njëjtën ndjenjë kënaqësie, që unë kisha kur takoja babanë tim. Jam i detyruar t’i them këto, sepse në “Kujtimet..” që ka botuar Moisiu, kam frikë se shumë gjëra nga ato që kanë shkruar, as nuk i ka lexuar vetë ende. Sidomos në periudhën kur ai u detyrua të qeveriste me kryeministrin Berisha, hyri në konflikte me të, shumë marrëdhënie normale komunikimi dhe bashkëpunimi u ndërprenë dhe kjo e radikalizoi dhe e politizoi vetë Moisiun gjë që e ka bërë t’i paraqesë në dritë të shtrembër mjaft nga zhvillimet. Pra edhe ta quajë Presidencën e tij si një anije që kushedi në ç’planet paska lëvizur, midis Nanos dhe Berishës, pra midis Shilës dhe Karibdës.
Tani jemi në Presidencën Topi. Është ende herët ose më mirë kurrë nuk është vonë për t’u kristalizuar në një eksperiencë që do të na çonte në rekord në krahasim me gjithë periudhat që kanë kaluar, por edhe në rekordet që imponon Kushtetuta për bashkëjetesën midis titullarëve të institucioneve. Por përsëri ka një klimë të çuditshme, edhe kur Presidenti del nga i njëjti kamp, përsëri konflikti i komunikimit me të vetët çalon ashtu si kur del në mënyrë konsensuale nga të dyja kampet. Në qoftë se personi e politizon institucionin, komunikimi çalon dhe mungesa e komunikimit midis krerëve të institucioneve sjell probleme në funksionimin e vetë institucioneve. Tani me presidencën Topi vërehen shumë nga sëmundjet foshnjore të politikës, të funksionimit të institucioneve, që kanë karakterizuar zhvillimin e Shqipërisë në vitet e pluralizimit dhe nuk mund të them që jemi afër kapërcimit të tyre, apo nuk mund të them dot akoma nëse sëmundjet kanë progresuar apo janë stagnante, janë inflamative ose jo. Por, fakt është që situata institucionale dhe e marrëdhënieve midis titullarëve nuk është shumë e shëndetshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe dinamik të vendit për epokën e integrimit.
Sipas Fatos Nanos, tre herë Kryeministër në 1991, 1997, 2002, duhet të dish të largohesh nga maja kur je në kulmin e suksesit
Fatos Nano: Kam qenë Kryeministër në tre periudha shumë të ndryshme, në fillimet e pluralizmit në 1991, në prag të anëtarësimit në NATO në 2005, apo pas paqtimit të rajonit dhe zgjidhjes së shumë krizave në 1997-n. Të jesh Kryeministri i Shqipërisë, jo vetëm historikisht, por edhe aktualisht, do të thotë të respektosh eksperiencën e paraardhësve, të njohësh eksperiencat negative dhe anët pozitive të historisë politike të vendit tënd, të dish të zgjedhësh partnerë brenda grupimit politik që fiton pushtetin, por edhe në kampin kundërshtar, me të cilët duhet të ndërtosh një bashkëjetesë dhe një bashkëpunim jo vetëm institucional, por edhe programor, që i shërben interesave të vendit, të cilat janë prioritare dhe më të larta se sa interesat e pushtetit tënd si Kryeministër apo të miqve të tu politikë apo personalë. Të mos harrosh se shkollë më të mirë se një qeverisje transparente dhe e ushtruar në dobi të zgjerimit të hapësirave të kontrollit të publikut dhe të zgjedhësve mbi punët e Kryeministrit, nuk ka. Një qeverisje e mbyllur, një qeverisje jo transparente, një qeverisje e politizuar, pa partneritet me kundërshtarët politikë, me shoqërinë civile, me grupet e interesit, një qeverisje pa krahasim me standardet e qeverisjes së vendeve të tjera të zhvilluara dhe demokratike, është një qeverisje jo e mirë, është një qeverisje e dështuar.
Të ushtrosh me përgjegjësi detyrën e Kryeministrit do të thotë të dish të interpretosh drejt jo vetëm aspiratat e popullit që të ka zgjedhur dhe të cilin përfaqëson, të dish t’u shërbesh të gjithëve, pavarësisht nëse të kanë votuar ose jo, por edhe imperativët dhe sfidat e kohës dhe të mjedisit në të cilat vendi zhvillohet.
Të dish të punosh për të ardhmen me një ekuilibër që nuk rrezikon administrimin e burimeve të ditës për nevojat e ditës, të dush të krijosh dhe të shpërndash tek bashkëpunëtorët dhe tek kundërshtarët kulturën dhe burimet që sigurojnë një zhvillim akoma më të mbarë, mbasi të lësh detyrën. Përfundimisht të dish të largohesh në momentin e duhur kur rrethanat që kanë mundësuar një shërbim të ndershëm dhe rezultativ deri atëherë nuk ekzistojnë më, të dish të largohesh në kulmin e suksesit, dhe jo kur dështon dhe të marrin zvarrë. Përgjithësisht, kjo është filozofia ime.
Lideri i PS-së për një kohë të gjatë, Fatos Nano e sheh politikën si një simbiozë të profesioneve. Ndërsa njeriu politik duhet të ketë lëkurë të trashë e kontroll të vetvetes.
Fatos Nano: Qeveria është i vetmi institucion që ofron shërbime publike shtetërore për qytetarët, për shoqërinë, për njerëzit. Politika është arti i kthimit të burimeve të vendit në programe të administrimit publik, sidomos të burimeve njerëzore. Jo vetëm burimet që sjellin zhvillim, por edhe aspiratat dhe interesat e shoqërisë që e kërkojnë, e mbështesin dhe e stimulojnë këtë zhvillim. Një zhvillim që duhet të jetë i barasvlershëm në mos kompetitiv me zhvillimin e vendeve në kufi me ty, ose pak më larg se vendi yt dhe sigurisht kompetitiv me parametrat e zhvillimit global dhe të qëndrueshëm, në një botë që është gjithnjë e më shumë e globalizuar. Zhvillim që nuk duhet të kënaqë vetëm interesat e grupit politik që i përket, por duhet të krijojë mundësi dhe shanse të barabarta për plotësimin e interesave të të gjithëve, pavarësisht se kë votojnë. Politika është arti dhe beteja për të marrë pushtet, për të fituar pushtet. Politika për mua është një interface quasi-perfekte e lëvizjes dhe e shkëmbimit, pra gjithashtu e shumëfishimit nëpërmjet kontaktit, të vlerës së shtuar që sjellin të gjitha kombet dhe të gjitha grupet shoqërore të kohës apo edhe shumë larg në histori, që prodhon njerëzimi si i tërë. Politikë kompetitive do të thotë edhe të dish, të njohësh, të administrosh dhe të nxjerrësh efekte nacionale nga pabarazia dhe diversiteti i zhvillimit kombëtar të vendeve të ndryshme. Ose të dish të kthesh në artin e qeverisjes korrente atë aksiomë që një vend i zhvilluar i tregon një vendi më pak të zhvilluar, pasqyrën e të ardhmes së tij dhe ta afrosh atë.
Politika më në fund është për mua një sintezë, një simbiozë e shumë profesioneve, e të gjitha profesioneve që zhvillohen, gëlojnë në shoqërinë ku e ushtron politikën lideri, duke presupozuar që është një shoqëri e lirë që jep mundësi për ushtrimin e profesionit dhe flas për profesione të suksesshme, flas për profesione legjitime dhe kompetitive.
Njeriu politik, ose ‘kafsha politike’ siç i thonë francezët, duhet të ketë lëkurë të trashë, nuk e di cila është kafsha me lëkurë më rezistente, elefanti? Në rastin e liderëve të mëdhenj nuk çalon krahasimi. Duhet një zemër që është në gjendje të mbajë gjallë një shpirt shumë njerëzor, që është në gjendje të frenojë defektet e organizmit tënd, të cilat mund t’ju bëjnë dëm atyre të cilëve duhet t’ju shërbesh. Mund të jesh kolerik ose inatçi, por duhet të kesh një zemër dhe një tru që të mos i kthesh defektet në instrument të ushtrimit të pushtetit. Sepse nuk ke lindur i pushtetshëm, je bërë i tillë dhe nuk duhet të zhbëhesh si njeri nga pushteti; duhet mbi të gjitha të ndërtosh amalgamën e duhur midis dashurisë për të mirën dhe urrejtjes për gjithçka që e pengon mirëqenien e të gjithëve- kjo është filozofia me dy fjalë.
Mbyllja, kyçja në politikë është një burg më vete. Jo vetëm për humbjen e privacy-së, por edhe për detyrimin që të sjell ky lloj zanati publik, ky lloj profesioni në shërbim të publikut, për të kufizuar disa liri të tuat që mund të bien ndesh me liritë e atyre që u shërben. Të frenosh veten që të mund të jesh 100% efikas në ofrimin e shërbimeve të pushtetit ndaj publikut. Nuk mund t’i gëzosh vetë i pari shërbimet që duhet t’u japësh atyre që të kanë zgjedhur, që të kanë vënë t’i drejtosh. Mbasi t’i marrin ata, gëzoji edhe vetë. Shalqi me provë, themi ne shqiptarët.
Fatos Nano ka gjithnjë në vëmendje skenën politike shqiptare. Dhe përshkruan se si largohen disa njerëz pas ikjes nga pushteti.
Fatos Nano: Në 2005 nuk ika nga Partia Socialiste pa kthyer kokën pas, nuk hoqa dorë, por dhashë dorëheqjen. Kam qenë dhe mbetem i vëmendshëm për të gjitha zhvillimet në partinë që unë kam drejtuar për 15 vjet, apo për politikën e vendit tim. Ashtu siç mbetem në kontakt me pjesën më dërrmuese të faktorëve politikë brenda dhe jashtë që ndikojnë në këtë zhvillim. Nuk ika duke thënë “Apres moi le deluge”( pas meje le të bëhet qameti).
Por më vjen keq që me heqjen e çadrës sime, çadrës së mburojës, Partia Socialiste doli në reshje, doli në kontakt me atmosferën e ngarkuar ballkanase dhe shqiptare. Këto janë traumat, nuk janë aspekte tragjike, por trauma që i kalojnë të gjitha formacionet politike kur i largohen liderit historik ose kur largohet babai nga shtëpia, nga timoni. Jam sidoqoftë i zhgënjyer nga disa fenomene, të cilat tashmë, nën ndikimin e atmosferës, pasi u hoq çatia, tregojnë që nuk arrita t’i shëroj të gjitha sëmundjet foshnjore të politikës së majtë apo të politikës shqiptare në tërësi. Nuk është se i jepja vetes ndonjë mision Mesie, apo kisha ndonjë kod të zbritur nga qielli për të arritur shërimin e të gjitha sëmundjeve, por u përpoqa që të ndërtoja institucione, rregulla dhe sjellje të kontrolluara nga zgjedhësit, që këto sëmundje të mos u kërrusnin organizmin vital të së majtës shqiptare pas ristrukturimit të saj dhe hyrjes në Internacionalen Socialiste.
Kur largohesh nga pushteti, ka dy kategori njerëzish. Nëse bëhet fjalë për rrethet e ngushta politike me të cilët të kesh ndarë edhe pushtetin apo që e kanë kërkuar pushtetin në mënyrë të papërmbajtshme, që të mund të kenë qenë bile produkte të filozofisë tënde të delegimit të pushtetit dhe pastaj e kanë përdorur këtë për të të larguar nga pushteti, ata largohen, kanë vetëm këtë sjellje dhe kjo të ndihmon që të mos i takosh më. Por, sa më shumë të shfaqet kjo e një rrethi të ngushtë plaçkitësish politikë pushteti, si edhe plaçkë që vjen me pushtetin, ndodh absolutisht e kundërta, aq më shumë në progresion gjeometrik shtohet dashuria dhe simpatia, ndoshta edhe nostalgjia e masës së madhe të njerëzve të thjeshtë, votues ose jo, si më ndodh mua tani. Në rast se ke shërbyer mirë edhe ata i kanë ndjerë efektet në jetën e tyre.
Burgu mbetet sidoqoftë një vend i mirë ku mund të njohësh karakteret dhe dobësitë e njeriut, ashtu si edhe virtytet.
Mbështetja e familjes është esenciale për politikanin, ndoshta edhe më shumë se për njerëzit e tjerë.
Fatos Nano: Politikani, edhe më shumë se të tjerët, ka nevojë për mbështetjen e familjes, pa atë nuk e bën dot. Një familje e ushqyer me të njëjtat principe të një sjelljeje politike të shëndoshë dhe produkteve jo vetëm për familjen, është mbështetja më e mirë për një karrierë politike të qëndrueshme.
Karrierat politike do t’ua këshilloja fëmijëve të mi, por nuk do t’ua imponoja. Madje ata nuk e kanë preferuar, kanë marrë profesione të tjera. Vajza ime është kërkuese informatike dhe matematikane e lartë, shumë kompetitive në Paris, me një shok jete që gjithashtu po bën doktoratën e shkencave matematike teorike. Djali im ka preferuar një shkollë të lartë administrimi amerikane në rajon. Është afruar me mua, ka qenë një nga këshilltarët dhe ndihmësit e mi të paçmueshëm. Por periudha më e gjatë që punoi me mua ishte gjashtë javë, në zgjedhjet e 2005 dhe kur më dorëzoi inventarin e punëve konfidenciale, jo me profil publik, që shoqëruan fushatën, me tha:
-Shpëtova nga politika, ke zgjedhur një zanat që vetëm për gjashtë javë mua më beri të harroj edhe të dashurën.
I riu nuk di t’i bëjë të gjitha, nuk është regjur… mirëpo kur regjesh pastaj nuk ke më energjitë e të riut. Të kesh trupin dhe forcat e të riut njëkohësisht edhe gjithë eksperiencën, kjo është sfida e jetës.
Ndërsa djali tjetër është ende i ri, 16 vjeç, ai ka rrezik të mos na pyesë fare nëse do t’i hyjë politikës.
Sot ka të rinj që po hyjnë në politikë pa kushte, sepse e shohin si mënyrën më të kollajshme të sigurimit të jetës ose të një vendi pune për një karrierë të qëndrueshme. Kam përshtypjen që nga shembull negativ që është politika për rininë sot, të rinjtë po bëhen edhe më të egër se të vjetrit që ata duan të zëvendësojnë. Por kjo do të kthehet në një stimul që të vijnë ca të rinj të tjerë më mbrapa, që do ta balancojnë prapë situatën. Sepse ata që do t’i hyjnë politikës nesër, do të jenë profesionistë, nuk do të jenë karabushë si sot.
Anekdotat e Fatos Nanos mbi përfaqësitë e huaja
Pas krizës së 1997-s, drejtuesi i misionit të OSBE-së në Tiranë ishte një diplomat holandez. Dan Everts. Është e çuditshme me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve apo organizatave ndërkombëtare në Shqipëri. Nga aq të njohur sa ç’japin mundësi profesionet përkatëse në vende të zhvilluara, kur vijnë këtu bëhen shumë protagonistë dhe shpesh disa syresh nuk kanë hezituar të kërkojnë zëvendësim ministrash apo të bisedojnë pa limit me të gjitha palët, se cili mund të ishte kryeministri i ardhshëm. Gjëra që janë fare jashtë standardit të diplomatit të organizatave të tyre. Nuk po e them këtë për holandezin Dan Everts, i cili jo vetëm nga pasioni i detyrës, por edhe nga natyra, në një moment kur kishte një kontekts politik dhe opozita po kërkonte dorëheqjen e ministrit të Financave, më vjen në zyrë dhe më thotë:
-Ta kam gjetur zëvendësuesin e ministrit të Financave
-Me gjithë mend, i them, dhe e vazhdova lojën për të mos i thënë “Ç’të duhet ty?!”. Sepse ka një mënyrë sjelljeje të politikanit, sidomos kur është drejtues i qeverisë, që duhet ta evitojë konfliktin për “Mustaqet e Çelos”, siç themi.
-Kush është? e pyes.
-Guvernatori i Bankës, më thotë. Ishte Shkëlqim Cani në atë kohë.
-Vëmë bast që nuk bëhet, i them unë.
-Edhe unë vë bast që bëhet, tha.
-Me çfarë?
-Me një darkë, thotë. E premë bastin dhe unë i them: E humbe
-Pse? më thotë.
-Sepse kam biseduar unë me guvernatorin dhe nuk pranon.
-Interesant, mua më tha “Pse jo”, thotë Everts.
-Po Kryeministër jam unë, jo ju.
-Zoti Nano, më thotë, ju jeni një Kryeministër europeis, i parakohshëm për këtë vend dhe do të ishit fantastik për Holandën.
Me humorin e marrëdhënieve edhe informale që krijova, i them:
-Zoti ambasador, si e shpjegoni ju që një holandez i humbur në vendin e vet, vjen dhe pretendon të bëjë detyrën e Kryeministrit në Shqipëri. Kam përshtypjen që s’është e njëjta gjë. Kryeministrat zgjidhen dhe votohen nga populli i tyre dhe nuk mund të negociohen në rrugë diplomatike.

MILENA HARITO

No comments: