Frrok Çupi
Sigurisht, këto janë vetëm duar. Po të ishin koka, dmth. mendje, atëherë kjo nuk do të ndodhte; as mund të mendohej që të shtyheshin zgjedhjet. Pardje dhe dje opozita ka lëshuar në ajër fjalën se “do të shtyhen zgjedhjet”. Që të lëvizeshin nga data e caktuar zgjedhjet e 8 majit, do të duheshin fuqi shumë të mëdha, siç thuhet në popull “do të duheshin shtatë pendë qê”. Në sensin e kundërt të filozofisë së lëvizjes, por në kuptimin e njëjtë me forcën, këta që thanë se “do të shtyhen zgjedhjet”, e bazuan fjalën pikërisht në duart, dmth., në forcën.Çfarë do të ndodhte sikur “shtyrja” të bazohej në arsyen, dmth., në mendjen dhe jo “te duart”?
E para, opozita që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, do të vinte në punë mendjen dhe arsyen duke iu referuar këshillave të institucioneve perëndimore, që nga Shtetet e Bashkuara në Bashkimin Europian. Si nga Uashingtoni edhe nga Brukseli kanë mbërritur mesazhe të qarta politike se “nuk mund të shtyhen zgjedhjet e 8 majit”. A janë zgjedhjet një shkëmb i palëvizshëm?- mund të ketë pyetur dikush. Sigurisht që nuk janë në përgjithësi; por “në rastin e Shqipërisë janë një provë dhe një shans që i jep Europës” për të vazhduar në rrugën e integrimit. Shqipëria kishte dëshmuar një situatë (të paktën dy-vjeçare) trazirash të mëdha me parimet e demokracisë, ku opozita bojkotoi, nuk pranoi rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2009, kërkoi hapjen e kutive të votimit jashtë sistemit legal, organizoi një grevë urie me politikanë dhe me militantë, kërkoi marrjen e pushtetit me forcë, zhvilloi një demonstratë të dhunshme para selisë së Qeverisë, ku kishte katër viktima. Në momentin kur po afroheshin zgjedhjet lokale, institucionet e perëndimit kërkuan që “këto zgjedhje të shërbejnë si test demokracie” dhe të zhvillohen sa më mirë, korrektësisht. Po të mos ishin në datën korrekte, do të thoshte se një gjë do të mungonte në sy të të tjerëve. Ndryshe po të shtyheshin zgjedhjet në Finlandë; por këtu në Shqipëri opozita iu kishte dhënë ngjyra sikur çfarë po ndodhte në këtë vend. Në Europë, mes përfaqësuesve të vendeve të ndryshme do të krijohej përshtypja se “Shqipëria përsëri ka probleme”. Atëherë institucionet perëndimore kërkuan që zgjedhjet që në nisje të jenë korrekte, domethënë të zhvillohen në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës. Gjithë përfitimi shkon në dobi të interesave të vendit, të një imazhi që tashmë është dëmtuar për shkak të jakobizmit të opozitës...
Kjo do të ndodhte sikur opozita do të përdorte mendjen (dhe jo duart) në dilemën “të shtyhen apo të mos shtyhen” zgjedhjet.
Çfarë do të ndodhte sikur të vazhdojnë të përdorin duart për shtyrjen e zgjedhjeve? Domethënë, sikur të vazhdojnë të përdorin mos- arsyen dhe forcën për të krijuar idenë se “nuk ka demokraci” dhe “nuk ka stabilitet”?... Kjo lëvizje ka nisur, dhe, sa më shumë i afrohemi ditës së 8 majit, aq më tepër po shtyhen “urët” si për të dëshmuar se “këtu nuk ia vlen”, “larg Europa dhe NATO”. Lëvizja e parë ka nisur me tensionin. Tensioni, fillimisht, u var në shtylla famujsh, sikur regjisori ta kishte ndërtuar skenën në mënyrën më drithëruese. Sepse shtylla është lart, e shikojnë shumë sy, por edhe pse atje rri flamuri. Flamuri i Partisë, për militantë të prapambetur, është edhe totem edhe tabu. Para totemit secili nga “të verbrit” do të sulej pakuptim... Kjo është dora e shkathët e regjisorit. Pastaj vijnë ndjeshmëri të tjera si psh., ndjeshmëria e të rënëve nga pushteti, ndjeshmëri e të afërmve të vrarë, ndjeshmëria e ish-policëve që janë kthyer në sekretarë partie ose kandidatë për kryetar komunash e bashkish, etj. Domethënë është përsëri forca, ose dora..., por jo mendja. Retorika po e nxit dhunën dhe tensionin, sidomos retorika që paralajmëron “luftë”. “Do të shikoni, të gjithë më këmbë, po të preket vota”, thërret kryetari i partisë Socialiste (ish-komuniste). Në një miting popullor kërkoi që “tua japim në lule të ballit”. Dikush mund të thotë se “ja ku qenka përdorur mendja në një rast”. Jo, sigurisht jo. Edhe në këtë rast, mendja përdoret si forcë, si duar. Zgjedhjet kërkohen të shtyhen me duar dhe me mjete të verbra.
No comments:
Post a Comment