I dashur Mero!
Së pari të falënderoj se më transmetove një ndjenjë të mirë humori me përshkrimin tënd tek “Antena brenda familjes“. Të jesh një personazh fejtoni, tashmë të njohur dhe të lexuar, është padyshim përkëdhelje e paparë, bile vëmendja jote e posaçme, sepse ndihet o Mero dora jote, e bën edhe më interesante të gjithë fabulën.
Por këto radhë, nuk dua t’ia kushtoj vetes, sepse vërtet ndihem kaq shumë i kudondodhur ndër televizione dhe n’mes t’kartave të shtypura, saqë sikletosem jo rrallë për këtë vëmendje kaq të përhapur. Ja, tek shkruaj këto radhë mëngjesore, përpiqem të mos harroj se duhet të shkoj sa më shpejt te Vizion Plus, të regjistroj diçka në emision të Bushatit, ku mësova se do të jesh edhe ti. Pastaj, në 8 pa një çerek, do të shkoj te “Majtas, jo Djathtas“, siç e përshkruan edhe ti.
Tani të kthehemi te bifteku i muhabetit, kuptohet nëse ky muhabet nuk është thjesht garniturë pa biftek.
Së pari, dua të rrëfej hapur, se kam bërë një zgjedhje të hapur dhe publike, të mbështes Lulzim Bashën, personin dhe programin e tij në këto zgjedhje. Të jesh i angazhuar do të thotë të jesh më i pavarur se pseudo të pavarurit që na rrethojnë, dhe ti o Mero sa e shijshme është kjo liri e di mirë, si gazetar veteran i angazhuar dhe luftarak që je.
Dhe cilat janë, o Mero, pikëpamjet e mia, mendoj se duhet t’i shkoqis me këtë rast. Rama, të cilin ti e ke bërë fërtele më 2007-ën, e kam vlerësuar dhe mbështetur për shumë vite me radhë.
E kam këshilluar sa herë zotin Rama, asokohe mikun Rama, të jetë i kujdesshëm me Ilir Metën, sepse shumë të mira kish parë prej tij dhe meqë kish hyrë në këtë valle të politikës, ishte mirë që ai, Rama, të fuste pak kulturë të re, atë të mirënjohjes dhe të luajalitetit, për mbështetjen spektakolare dhe pothuajse arrogante që kryeministri i atëhershëm Meta i jepte publikisht Yllit të ri Rama.
Mirëpo, Edi kishte plane të tjera, të fshehta dhe afatgjata, të cilat nuk i ka konfiduar kurrë me mua dhe mirë ka bërë; ashtu ka menduar.
E, që thua ti Mero, kur ti luftoje si luan në krah të Doktorit kundër kësaj të majte virane, unë e kam mbështetur Ramën, duke e paqtuar me Fatos Nanon disa herë, duke mos ditur që Edi konspironte natë e ditë në PS kundër tij. Duke mos ditur që lëvizja “Mjaft” ishte një pothuajse krijesë e tij e fshehtë, e cila qëllonte me topa balte Qeverinë e zotit Nano, qeverinë që përkëdhelte zotin Rama me fonde të posaçme dhe me mbështetje politike kundër Berishës. Me sa thonë, “mjaftistët”, merrnin netëve edhe bekime e urime në PD, ku dhurata anti-Nano që ata përfaqësonin ishte një mrekulli më vete.
Se ku janë sot mjaftistët e pavarur dhe lideri i tyre antikonformist kjo dihet, shihet dhe preket. Janë me Edin, ashtu si shumëkush që dje e mallkonte dhe e depilonte rrënjë e degë.
Kur ti, i dashur Mero, erdhe dhe u bëre, me votat e PD-së, anëtar i rreptë i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shtetëror dhe duke shkelur shumë ligje njëherësh organizove, në emër të Berishës, shkarkimin tim, Rama, miku im, heshti dhe u fsheh mbas gishtit.
Po të rrëfej një gjë: Së pari, kur unë vendosa të pranoj të bëhem Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së, kërkova të isha konsensual. Dhe Berisha e dha konsensusin e tij. Prandaj më trishtoi pa masë vendimi i tij i asokohe që të dërgoi ty, për të bërë në pak ditë këtë rotacion të vrazhdë dhe harbut në RTSh. Por trishtimet nuk kanë të krahasuar. Rama, miku im i asaj kohe, heshti. Ti e di që një mik të vret edhe kur të gjuan me trëndafil, të vret edhe kur hesht, në ëndrrën e madhe të shokut të presupozuar.
Por të mos harrojmë, Edi Rama ishte, sikundër është edhe sot, kryetar i Partisë Socialiste. Duke menduar se unë njihesha asokohe si mik i Nanos, dhe Meta apo Blushi më kishin, me dhe pa shkak, halë në sy, Rama heshti dhe nuk konsumoi asnjë akt, qoftë edhe mediokër politik, që Zheji shkarkohej në mënyrë të paligjshme dhe arrogante nga RTSh-ja, politikisht nga mazhoranca e djathtë. Se çfarë është sot RTSh, besoj të gjithë e dinë dhe nuk ka nevojë për koment.
Kur e drejtoja unë, Berisha, asokohe lider i opozitës, braktiste Kuvendin, nëse RTSh nuk transmetonte në mënyrë të drejtpërdrejtë punimet e tij. Dhe, për hir të së vërtetës, të cilën e di edhe ti o Mero, Berisha asnjëherë nuk më ka sulmuar politikisht si Drejtor i Përgjithshëm i RTSh-së dhe mendoj se është një kompliment i paparë që nuk errësohet dot nga asnjë shpifje dhe luftë politike nën brez, që segmente të caktuara të PS-së më bënin asokohe.
Kjo ngjarje ndodhte në vitin tashmë të largët 2006. Megjithatë, asokohe mendoja me të drejtë se pushtetet në Shqipëri duheshin balancuar dhe, pra, Rama nuk duhet ta humbiste Bashkinë e Tiranës, pasiqë Berisha, shumë i fortë asokohe në Parlament, duhet të kishte një kundërpeshë institucionale më të fortë dhe fitorja e Ramës do të ndihmonte në këtë kontekst. Ti asokohe e bëje fërtele Ramën me libër shpie, apo jo?
Ecim më tej. Në vitin 2008, plasi Gërdeci. Ngjarje e rëndë, shumë e rëndë, si tragjedi dhe si qorollepsje e Shtetit dhe e Qeverisë. Qëndrimet e mia kanë qenë publike, të forta dhe të prera dhe ato qëndrime nuk i kam revizionuar asnjë herë, as privatisht edhe as publikisht.
Por mendoj se Rama, padyshim, është ai që e “tradhtoi” Gërdecin dhe krenohej se ambasadori amerikan Withers, asokohe e thërriste, hera-herës, burrë shteti. Jam habitur, jo pak me këtë qëndrim dhe me atë manifestim gojëkyçur të PS-së në vitin 2008, t’komanduar nga Rama, manifestim që i parapriu përfoljes së marrëveshjeve të tij me Doktorin, për ndryshimet kushtetuese, që kishin si synim kryesor shkatërrimin e LSI-së dhe asgjësimin politik të mirëbërësit të tij të madh politik Ilir Meta.
Jo vetëm kaq, por doli në dritë edhe marrëveshja e madhe ndërtimore që do të shndërronte Parkun e Madh të Liqenit në një batërdi të vërtetë shumëkatëshesh, në një betonizim të shfrenuar dhe çnjerëzor. U braktis asokohe në fatin e vet edhe shoqata vlonjate që donte referendum popullor kundër Petroliferës, e të tjera si këto, në frymën e një korporativizmi trasversal politik, që unë e mbiquajta “Kasta e Re” shqiptare që po lind.
Më 2009 Rama nuk kandidoi as edhe Fatos Nanon. Bëri çmos të shfaroste politikisht mikun e vet të dikurshëm Ilir Meta dhe pretendonte të fitonte i vetëm në krye të zarave dhe jo të partnerëve, një pushtet absolut dhe të pakufizuar. Është kjo një ëndërr delirante dhe frikëndjellëse. Frikëndjellëse për demokracinë tonë të brishtë dhe për fatin e vet Ramës, i cili do të pësonte një fund dramatik politik në ndjekje të kësaj ëndrre, pasiqë një ëndërr e tillë është e pamundur të realizohet.
Në këto kushte, Berisha, me të metat dhe të mirat e tij, për absurd, mbetet një kundërbalancë ndaj shpërthimit të pafre të një deliri të tillë. Unë personalisht nuk kam patur as edhe njëherë, as edhe një teserë partie, blu apo rozë. Është e vërtetë, politikanë të dorës së parë në Shqipëri më kanë ftuar gjithmonë si këshilltar, ftesë e cila më nderon dhe e kam kryer me korrektesë, duke u munduar të përçoj një frymë moderatore dhe konstruktive.
Mbështeta hapur Ilir Metën, në fushatën e vitit 2009, sepse “Kasta trasversale” që po lindte kishte nevojë për një “King maker“, një Forcë Politike të Tretë balancuese, të cilën Meta duhet ta kryente, për të mos lejuar që asnjë subjekt i madh politik të kishte numra të tilla në Parlament, që ushqejnë arrogancën e mbipushtetit. Që “Kasta” apo “marrëveshja trasversale” e të mëdhenjve të kishte një kundërpeshë kërcënuese, mbështetur në vota dhe numra, që krijojnë tërmete dhe nuk lejojnë mazhoranca të rehatshme. Dhe ashtu ndodhi: Meta dhe LSI-ja është akoma sot balancues i vërtetë i mazhorancës në vend, dhe nuk jam penduar që kontribuova për këtë. Kryeneçësia e Metës, në të mirë dhe në të keq, është një garanci jo e vogël. Meta, në mënyrën e tij, e “çau” “Kastën” dhe e la për një kohë të gjatë në sirtar, ëndrrën e çartur të Ramës për mbipushtet, apo zotërimin e pakufizuar të të gjitha pushteteve. Këtë lloj berishizmi, që presidenti Berisha e ka ndryrë besoj dhe shpresoj, në vitin ’97 dhe që Rama, adhuruesi i fshehtë më i madh i Berishës, kërkon ta mishërojë në vitin 20011. Një absurd me të cilin nuk pajtohem dot dhe sidomos e më vendosmërisht mbas ngjarjeve të frikshme të 21 Janarit.
Eh, i dashur Mero, boll për sot, se do thonë bota sa shumë i pëlqeka këtij të llafosë kaq gjatë me Meron. Kohë të mbrapshta jetojmë. Mirë do të ishte ta botoje edhe te “Tema” këtë shkrim, por ti e di. Deri në takimin tjetër virtual apo të kartës së shtypur, të uroj shëndet dhe mbarësi!
Flamuri heton shtabin e Lulit
Meqë Basha nuk e pranon Flamurin në shtabin e vet elektoral pasi e identifikojnë me veriorët, Flamuri është nxehur shumë dhe ka vendosur të monitorojë se çfarë thonë komentatorët e sponsorizuar nga Basha për fushatë. Në shënjestër këtë javë kishte vendosur Artur Zhejin. Punësoi dy vajza në zyrat e PD-së dhe u tha “dua të më zbardhni nga mëngjesi në darkë çfarë thotë ky Zheji në të gjitha stacionet”.
Tronditja e parë i ndodhi dje.
Vajzat i kishin lënë mbi tavolinë një dosje me shënimin “Për shefin”.
Flamuri e hapi gjithë kureshtje. Kur, çfarë të shihte…
Ora 7.30. Real TV. Artur Zheji, emision për Gërdecin.
Përshkrimi: Emisioni ishte i tmerrshëm. Artur Zheji kishte bërë një dokumentar 20 minuta me nënën e Zelije Kacës, 20 vjeçrës së vrarë në Gërdec. Nëna e saj fliste gjëra shumë të rënda. E përshkruante vajzën e vrarë si një poete që kishte qejf të studionte dhe të shkruante. Pastaj recitonte dhe ajo vargje të bëra vetë për Zelijen. Kamera fokusohej herë pas here nga Artur Zheji që i iknin lotë. Pasi mbaron dokumentari me nënën e Zelijes, shfaqet Zheji. Me një fytyrë të egërsuar ai mban një fjalë rreth dhjetë minuta për fatkeqësinë që Berisha u ka shkaktuar shqiptarëve. Ka një stil të gjatë dhe të lodhshëm, por në përgjithësi është shumë i egër me Doktorin. Përmend gjithmonë faktin që Zelija nuk do ishte vdekur sikur djali i Doktorit të mos merrej me atë biznes që u mor në Gërdec.
Pastaj e marrin fjalën dy të ftuarit. Ata janë dhe më keq. S’duam tua përmendim as emrin, por ke kasetën e plotë këtu.
Faqja 2. Shtypi i shkruar. Artur Zheji ka bërë një shkrim tek gazeta MAPO kundër atyre që sulmojnë ambasadorin amerikan dhe e cilëson këtë si një sulm të porositur nga agjenturat rajonale që duan të prishin raportet gjeopolitike në rajon. Nuk e kuptuam mirë shef se ca fjalë nuk ua dimë kuptimin. Me sa nuhatëm ne, shkrimi ishte pro nesh.
Faqja 3. UFO TV. Këtu Zheji ishte krejt ndryshe. Në emision me Arjan Çanin dhe Andi Bushatin, Zheji mbronte fort Doktorin dhe sulmonte Ramën. Çani nuk kuptohej nëse kënaqej nga ato që thoshte Zheji apo jo. Kjo na bëri krejt rrëmujë shef. Ne e dëgjuam dy- tri herë kasetën dhe ishte e sigurt që ai po e mbronte doktorin. Po t’i shikosh të dyja kasetat, dhe atë të mëngjesit, dhe atë të mbrëmjes, nuk je në rregull. Diçka ka ndodhur. Na duhet pak më shumë kualifikim ta shpjegojmë.
Flamuri mori shënimet dhe u trondit.
-Çfarë pisi, tha, e kapa. Paradite punoka për Ed Ramën, në darkë punoka për Lulin. Tani e di unë ç’i bëj këtij Lulit, tha. Se nuk na qas ne të PD, thotë që i ka rekomanduar stafi të mos ketë “malokë” në shtab. Tani ja tregoj unë atij me këta që paguan. Gjëja e parë që i shkoi në mendje ishte t’i kërkonte një raport për shpenzimet e fushatës dhe kontributet e mbledhura. Pastaj t’i niste një raport atij Burrit.
Mori Jozin i gëzuar në telefon. Ja tregoi krejt situatën se çfarë kishte thënë paradite dhe çfarë mbasdite Artur Zheji. Ajo u çudit shumë.
-Po jo mar Flamur se mos ashtë noj ngatërresë. Ai ka kohë që nuk thotë gjana për Gërdecin.
-Ka thënë Jozi, ka thënë dje në mëngjes, e kanë regjistruar ato gocat e zyrës sime.
-Po më çudit mar Flamur. Kaq i paftyrë me kenë? Paradite me shku me Ramën e mbasdite me ne? Ku, ku, s’po e besoj.
-Po, po, e kam unë zyrë në kasetë.
-Po në çfarë televizioni mar Flamur.
-Në Real TV në Durrës. Fol pak me atë Endirën e KKRT-së, si e lejon këtë TV të na shajë.
-Po mar, i tash e marr unë, dhe e mbylli ajo.
Pas pesë minutash e merr prapë Jozi.
-A të thashë mar Flamur që ashtë djalë i mirë Zheji. Nuk na ka tradhtu.
-Çfarë thu Jozi, unë e kam kasetën.
-Asht e vjetër Flamur. Të kanë rrejt gocat. Endira mori urdhër dhe shkoj me e mbyll me dry. S’ka ç’ka me i ba. Do t’i fikë antenat. Ajo ja ka hjek licencën TV Real se ka dashtë me e përdor ai Dako dhe ai nga inati transmeton ça ka thënë Artur Zheji e Ilir Meta më 2009 për ne. Puna e madhe fort ça ka thanë. Ajo fushatë ishte, në fushatë thotë njeriu ç’të dojë, s’mban përgjegjësi.TEMA
No comments:
Post a Comment