Pesëdhjetë vjet më parë, kozmonauti sovjetik, Juri Gagarin, u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirë, duke shënuar fitoren e sovjetikëve ndaj amerikanëve në garën e hapësirës. Në vitin 1968 ai vdes gjatë një aksidenti ajror, por vrasja nga KGB-ja është një nga skenarët që vazhdon të qarkullojë.
Një anije kozmike, në bordin e së cilës gjendej një astronaut i ri rus, bëri histori më 12 prill të vitit 1961.
“Le të nisemi!” ishte thirrja e Gagarinit në momentin kur anija u lëshua nga një kozmodrom sovjetik në shkretëtirën e Kazakistanit. Vostok 1 ishte anija kozmike që dërgoi në hapësirë njeriun e parë.
Ishte koha e luftës së ftohtë. Gjithçka bëhej në fshehtësi, ndonëse qarkullonin fjalë se Bashkimi Sovjetik përgatitej për diçka spektakolare. Fluturimi në hapësirë i Gagarinit u mbajt sekret në rast të ndonjë dështimi të mundshëm. Vetëm kur u bë e qartë se ai ishte në hapësirë, agjencia sovjetike e lajmeve Tass publikoi lajmin.
“Më 12 prill, 1961, në Bashkimin Sovjetik, për herë të parë në historinë e njerëzimit, u lëshua një anije kozmike, Vostok, me një njeri në bord, në orbitën rreth Tokës. Piloti-kozmonaut i anijes kozmike Vostok është qytetari sovjetik, majori Gagarin Juri Alekesejeviç”, - njoftoi atëbotë agjencia ruse e lajmeve, Tass.
Fluturimi ishte fitore e sovjetikëve ndaj amerikanëve në garën e hapësirës. Ka fjalë se udhëheqësi sovjetik i kohës, Nikita Hrushovi, kërceu mbi tavolinë nga gëzimi.
Për Gagarinin 27-vjeçar fluturimi ishte rezultat i dy vjet përgatitjesh, çfarë i krijuan atij legjione të tëra mbështetësish në të gjithë botën. Gagarini dëshmoi se njeriu mund të mbijetojë në hapësirë, çfarë u hapi rrugën ekspeditave të mëvonshme.
Pas një fluturimi prej 108 minutash, Gagarini u ul në një fermë në juglindje të Moskës. Gagarinit gjithmonë i pëlqente të kujtonte habinë e pafund të bujkut në momentin e uljes së anijes kozmike.
“Ulja ndodhi në tokën tonë sovjetike e ruse. Personi i parë që takova ishte një punëtore e kolkozit. Fillimisht ishte e trembur nga unë, por më pas u bëmë miq. Vetëm imagjinojeni se si një njeri në kostum të ndritshëm portokalli zbret dhe nis të ecë drejt teje”, - kujtonte vite më pas vetë Gagarini.
Natalia Sviridenko, që dikur ka punuar mësuese në fshatin ku zbriti Gagarini, e kujton shumë mirë edhe sot atë ditë.
“Gruaja e moshuar po mbillte patate me mbesën e saj Rita. Ai e thirri dhe fillimisht ajo ishte e tmerruar. Gagarini kërkoi ndihmën e saj për të hequr kostumin e astronautit, që ishte aq i rëndë sa i krijonte vështirësi në lëvizje. E moshuara e pyeti nëse kishte ardhur me kalë, por Gagarini iu përgjigj se nuk ka udhëtuar më shpejtësinë e kalit”, - kujton Sviridenko.
Udhëtimi i Gagarinit drejt famës është po aq i jashtëzakonshëm sa dhe rrugëtimi i tij në hapësirë.
I lindur në pjesën perëndimore të Rusisë, në një familje bujqish, i riu Gagarin nuk të krijonte përshtypjen se do të ecte drejt triumfit.
Fillimisht ishte shtati i shkurtër që e pengoi karrierën e tij në shkollën teknike, të nisur pas Luftës së Dytë Botërore. Me shumë mundime ai hyri në programin e aviacionit e më pas u zgjodh në mesin e 20 pilotëve kandidatë për të bërë udhëtimin drejt hapësirës. Shpejt ai do të ishte kandidati kryesor në mesin e të përzgjedhurve.
Viktor Gorbatko, mik dhe koleg i Gagarinit, thotë se talenti dhe karizma e bënë atë të përzgjedhurin për misionin në hapësirë.
“Ajo çfarë e dallonte Jurin nga të tjerët ishte se të gjithë e pëlqenin, shefi, shokët dhe çdokush që e takonte. Ai ishte një natyrë që shkonte me të gjithë. Ai ishte shumë inteligjent. Pa dyshim që ishte para nesh dhe ndoshta do të ishte shumë para nesh edhe sot”, - kujton Gorbatko.
Edhe Gregori Greçko beson se ka qenë natyra e Gagarinit që e bëri atë të përzgjedhurin e Sergei Koroliovit, njeriut që drejtonte programin rus të hapësirës.
“Koroliovi ishte i mençur dhe ai e parashikoi se ky person do të bëhej fytyra e vendit dhe popullit tonë. Mendoj se e zgjodhi Gagarinin dhe për buzëqeshjen e tij. Buzëqeshja e tij nuk ishte thjesht një shprehje fytyre, vinte nga shpirti”, - thotë Greçko, një nga inxhinierët që ndërtuan anijen kozmike Vostok.
Duket se fama nuk ndikoi te Gagarini, megjithëse ai i ra botës përreth si një ambasador jozyrtar i Bashkimit Sovjetik. Ai mbeti miku i njëjtë, kujtojnë shokët dhe të afërmit.
Gagarini kurrë nuk e ndërpreu stërvitjen, derisa në një fluturim stërvitor në moshën 34-vjeçare u rrëzua duke humbur jetën. Për ata që e njihnin Gagarinin është një kujtim i dhimbshëm.
Arsyet e aksidentit, sipas burimeve zyrtare, kanë qenë teknike, por ka pasur zëra që thoshin se atë e vrau KGB-ja. Me misterin e vdekjes së tij të pazgjidhur edhe 50 vjet më vonë, admiruesit kërkojnë të vërtetën e rrëzimit të aeroplanit të Gagarinit
No comments:
Post a Comment