Ish-kryetari i Bashkisë, Albert Brojka, vlerëson kandidaturën e Lulzim Bashës dhe projektin e tij: “Rama po shfrytëzon bashkinë për të mbajtur partinë”
Ish-kryetari i Bashkisë për periudhën 1996-2000, Albert Brojka, në një intervistë në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, ka analizuar diferencën mes kandidatëve për kryeqytetin. Brojka theksoi se administrata e bashkisë ka nevojë për njerëz profesionistë. “...E ka përdorur për politikë Edi Rama bashkinë më shumë se askush tjetër. I bëri të gjithë drejtuesit e bashkisë deputetë”, - tha Brojka. I pyetur se cili është gjykimi i tij mbi projektin e bërë publik nga Lulzim Basha, dhe a është shkëputur ai nga interesat politike, Brojka u përgjigj: ”Nuk mund ta them me 100%, sepse akoma z.Basha është kandidat dhe është në fazën e premtimeve, nuk e di sa do të mund të mbajë premtimet që ai po bën. Por mënyra sesi ka dalë në elektorat, d.m.th i përket qytetarëve, do t’u shërbejë qytetarëve, nuk do që politikën ta fusë në Bashkinë e Tiranës, nuk do që politikën ta fusë në drejtimin e Tiranës, tregon se ai, në një farë mënyre, po zhvishet nga politika. Po përpiqet t’i ndahet politikës dhe t’u qëndrojë afër qytetarëve...” E kundërta, sipas Brojkës, po ndodh me Edi Ramën. “Ai ka kapur fort partinë dhe nuk e lëshon. Është mandati i katërt që po kërkon, dhe unë them që ai nuk ka më aq shumë interes për bashkinë sesa ka për partinë. Po e përdor bashkinë që të mos i marrin partinë...”, - tha Brojka. Ish-kryetari i bashkisë foli edhe për takimin që ka pasur me Bashën pikërisht për Tiranën. “Unë një herë e kam takuar Bashën... E tregoi veten shumë modest dhe të përkushtuar. Ndërsa nga ana tjetër, kam 11 vjet që nuk e kam takuar ndonjëherë Ramën, as nuk më ka ftuar si ish-kryetar bashkie. Natyra e tij është e tillë, është megaloman, njeri që nuk para dëgjon, është nga ata që thotë: do bëhet si them unë...”, tha ai. Brojka tha gjithashtu se, pavarësisht konfliktit Topi-Berisha, votat e djathta për Topin shkojnë për Bashën. “Pavarësisht se mund të jetë elektorat që mund t’i besojë shumë z.Topi, por përsëri ata duan që z.Topi të kthejë fytyrën nga PD-ja, ta lidhin PD-në me zotin Topi dhe interesat e përbashkëta. Zoti Basha i merr këto vota, edhe pa dëshirën e z.Topi”, - tha ai.
No comments:
Post a Comment