Saturday, February 12, 2011

Zbardhet biseda në PE: Ja ç'mendojnë vërtet për krizën në Shqipëri


Ato që nuk thonë kurrë në deklarimet publike. Zbardhet biseda mes Lajçak, Svoboda, Kukan, Boshtinaru etj, pasi i dërguari në Tiranë, u tregon për bisedat konfidenciale me Berishën dhe Ramën

Nuk ka shqiptarë që nuk e ka bërë së paku njëherë me zë të lartë këtë pyetje: "Ore çfarë mendojnë vërtet këta ndërkombëtarët, si e kanë hallin që flasin me arra në gojë?" Dhe një përgjigje mund ta merrni nga zbardhja e kësaj bisede mes zyrtarësh të lartë të BE-së të angazhuar për të zgjidhur krizën në Shqipëri. Në këtë komunikim të lirshëm midis tyre, ata janë shumë më pask "zyrtar" se në deklarimet publike. Biseda zhvillohet ne Parlamentin Europian, pak pasi Lajcak ka raportuar çfare ka biseduar me Berishen e Ramen ne takimet koke me koke ne Tirane


Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues i BE-së për krizat në Ballkan:


"Situata në përgjithësi është më e qetë se përpara, por kriza politike po thellohet. Ata mendojnë se nuk mund ta zgjidhin këtë krizë dhe presin ndihmën tonë. Ndërkohë që ata nuk janë ende gati për të bërë pjesën e tyre të punës. Ata besojnë se Bashkimi Europian do të zgjidhë problemin në vend të Ramës e Berishës, çfarë nuk është normale. U mundova të tregohem i qartë me ta se BE nuk ndërmjetëson. Aty ka disa hapa pozitivë. Së pari, siç e dimë, Z. Berisha hoqi dorë nga protesta dhe u lejua që të merret në pyetje Garda e Republikës. Në anën tjetër, pas demonstratës së parë, të tjerat kanë qenë shumë të qeta e të paqshme, Rama potencialisht i ka kontrolluar ato. Tani, mesazhi im, më i rëndësishëm, ndaj z. Berisha, ishte që të ulej përshkallëzimi i situatës. Pata një diskutim të ashpër mbi faktin pse organi i komisionit hetimor parlamentar nuk është i duhur, pse është i gabuar e se i duhet dhënë fund retorikave. Ai u mundua që ta kuptonte. Kryeministri tha se do të ishte mbështetës e se ai po kërkon që situata të stabilizohet. Ai u demonstrua shumë konstruktiv e me tha: 'Vetëm më thuaj ç'të bëj tani'. Dhe unë i thashë atij, se ishte përgjegjësia e tij që të kujdesej për gjithë këtë histori. Ata kanë shumë frikë se mos humbasin liberalizimin e vizave dhe luten që kjo të mos ndodhë. Ju fola për zgjedhjet lokale e që të ndjekin axhendën europiane, çfarë mbetet ende për t'u bërë në mënyrë që të përmbushet lista e kërkuar. Të dy palët po e konsiderojnë mundësinë e dialogut. Rama nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe qëndrimin e Komisionit se Shqipëria është vend parlamentar funksional. Rama do të donte që ne të shpreheshim për zgjedhjet e parakohshme dhe ai na fajëson pse BE nuk shpreh një mesazh të qartë mbi këtë. Në përgjithësi vizita ishte e dobishme. U shpjegova atyre se, nëse do të duhej që të vinim për të tretën herë, duhet të kishim, përtej qëndrimeve, edhe diçka konkrete. Jam i shqetësuar mbi zgjedhjet lokale, pasi socialistët po bojkotojnë emërimet në komisionet zgjedhore. Rama më tha se ai do të preferonte që të shtynte zgjedhjet lokale, me qëllim që kjo periudhë të përdorej për të punuar mbi ligjin elektoral. Unë jam gati të shkoj atje përsëri dhe mezi pres që të ketë diçka konkrete. U kam thënë se kjo nuk është e mirë për vendin e për popullin".

Pas rrëfimit të Lajçak për atë që kishte parë dhe dëgjuar në Shqipëri, komentet e eurodeputetëve për qëndrimet e Berishës dhe të Ramës kanë shkaktuar të qeshura në sallë, por u kërkua dhe një "plan B" nga ana e BE-së për rrugëdalje nga situata.

Hannes Swoboda, zëvendëskryetar "S&D" në PE:

"Besoj se me të gjithë kolegët biem dakord se atje duhet të mbahen zgjedhjet siç duhen. Nevojitet që zgjedhjet lokale të jenë të ndershme, demokratike dhe transparente".


Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE:

"Kur ju niset të flisnit, u bëra optimist për pak kohë. Ju thatë se Sali Berisha, kryeministri i vendit ju kishte thënë 'na thoni ç'të bëjmë, dhe ne do ta bëjmë'. E pabesueshme, Berisha pranon se ka bërë gabim, kjo më bëri të isha optimist. Por, pastaj, ju më kthyet në realitet. Është e rëndësishme, nëse ata seriozisht duan të bisedojnë me njëri-tjetrin, por ju treguat sesi ata janë skeptik mbi këtë dialog. Duhet të ecim më tutje. Seriozisht, mund të themi ç'të duam për kryeministrin dhe shefin e opozitës, por Rama refuzon legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara, nuk njeh qeverinë si legjitime. Bie dakord me ty se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme. Nëse shtyhen për hir të dialogut mirë, por nuk jam i sigurt, nëse do të arrihej dialogu ndërkohë. Jam skeptik që dy apo tre javë kanë për të sjellë dialogun mes Ramës e Berishës, nëse shtyhen zgjedhjet lokale përtej 8 majit. Ndaj, shko atje prapë e bëj diçka".

Vicktor Bostinaru, zëvendëskryetar i delegacionit për Ballkanin, PE:

"Prape i njëjti muhabet. Janë gati ata për dialog? Nëse është kështu unë do të isha partizan, por në vëzhgimin tim, e me informacionet që të gjithë ne kemi, Parlamenti Europian u propozoi një marrëveshje, një draft me disa pika. Dhe ata erdhën, Berisha tha 'Kurrë!' e askush nuk i tha 'boll veprove kështu' e madje disa prej tyre, përsërisin këngën e Berishës. Së dyti, çështja e korrupsionit mes ish-zëvendëskryeministrit e ish-ministrit të Ekonomisë. A dini ju, nëse qeveria ka marrë ndonjë masë? Është e lehtë të fajësohet veç njëra palë, t'i kërkohen veprime demokratike e kushtetuese. Komisioni Europian përsëriste kërkesën për dialog e ja ku jemi me krizën që, sipas Berishës, ishte puç ndaj shtetit organizuar nga Edi Rama, e papritmas na doli se edhe Presidenti Republikës, Bamir Topi, ishte pjesëmarrës, por edhe Prokurorja e Përgjithshme, Rama, nuk e di si është emri i saj. Edhe shefi i SHISH që nuk paska dhenë informacione mbi këtë grusht shteti. Kush mund të besojë tani për gatishmërinë dhe objektivitetin e z. Berisha për t'i dhënë fund krizës politike me anë të dialogut. Kur ai hedh poshtë edhe njerëzit që i ka emëruar vetë. Asnjë prej këtyre nuk ishte i opozitës, të gjithë u zgjodhën nga partia e tij. Unë nuk besoj për vete. Ndaj pyetja ime është kush është Plani B?"

Jelko Kacin, eurodeputet, grupi liberal:

"Unë mendoj se Rama nuk do që të emërojë njerëzit në komisionet zgjedhore, sepse ka frikë të tregojë emrat e komisionerëve të tij, pasi ata do të ekspozoheshin kështu ndaj korrupsionit e mund të kërcënoheshin".

Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues i BE-së për krizat në Ballkan:

"E rëndësishme është që të nxitet mbajtja e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. Ata nuk duan të paguajnë asnjë çmim për çfarë po bëjnë. Ne nuk mbajmë anë. Rama do të ishte më i besueshëm, nëse do të kritikonte funksionimin e institucioneve nga brenda Parlamentit. Nëse ai nuk beson tek anëtaret e vet se nuk do të korruptohen në komisionet zgjedhore, atëherë nuk ka më shpresë. Për Berishën, nëse atij nuk i pëlqejnë njerëzit, mirë, por nuk duhet kurrë që ai të sulmojë institucionet. Ne duhet të vëzhgojmë mirë zgjedhjet lokale".

No comments: