Saturday, February 12, 2011
Komploti për Edi Ramën, ja përgjimi i SHISH për të akuzuarit
Tiranë Tre personat e dyshuar si përgjegjës për një komplot që mund t’i rrezikonte jetën kreut të opozitës, Edi Rama, kanë mbetur në qeli. Arrestimi i tyre, i cilësuar si i ligjshëm nga gjykata, nuk mundi të siguronte asnjë provë për hetimin, i cili ka nisur prej disa përgjimeve parandaluese, që hedhin dyshime se tre personat po organizonin një sulm kundër kreut të PS. Zanafilla e kësaj historie, nis në datën 21 janar, ku gjatë demonstratës së dhunshme, protestuesit kishin dëmtuar makinën në pronësi të Luan Ramit. I revoltuar, Rami, ish-drejtor i KESH-it në Burrel dhe simpatizant i Partisë Demokratike, i ka dërguar një SMS kreut të PS, Edi Rama, ku i kërkonte dëmshpërblim për makinën. Më pas, ky episod është bërë objekt i disa bisedave të Ramit me miq të tij, disa prej të cilëve, pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, në rrethin e Matit, duke e kthyer në çështje serioze, aq sa në lojë të hynte edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëpërmjet disa përgjimeve parandaluese të SHISH-it, të cilat më pas janë referuar në Prokurori, është mundur të zbulohet se tre të arrestuarit komunikonin mes tyre, duke sharë kreun e opozitës apo paralajmëruar hakmarrje për djegien e makinës, gjatë demonstratës së opozitës. Në përgjime ka edhe biseda mes tyre, për të siguruar një “kitarë” apo një “stilolaps”, për çështje që lidheshin me Edi Ramën. Këto fjalë kyçe, të vendosura në kontekstin e situatës, janë interpretuar si armë që mund të përdoreshin kundër kreut të opozitës nga Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kicja, por pas arrestimit të tyre, nuk është gjetur asgjë kompromentuese. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se fillimisht, Luan Rami ka dërguar një SMS në celularin personal të kreut të PS-së, ku shkruan: “Protestuesit tuaj më kanë dëmtuar makinën, prandaj kërkoj zhdëmtimin e saj. Luan Rami, Burrel”. Nga verifikimet rezultoi se automjeti, tip “Fuoristradë”, ka qenë i parkuar pranë Kullave Binjake, gjatë kohës kur zhvillohej demonstrata e dhunshme e 21 janarit. Gjatë demonstratës, gurët kanë dëmtuar automjetin, duke thyer xhamat e tij. Mesazhi në celularin e kreut të PS-së dhe informacionet e siguruara për makinën e dëmtuar të shtetasit, që kishte dërguar SMS, angazhuan Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Policinë e Shtetit, të cilët kanë mbajtur në përgjim e vëzhgim të dyshuarit. Nga bisedat telefonike të interceptuara nga ato që quhen përgjime parandaluese, rezulton se dy ditë më parë, të dyshuarit kanë komunikuar mes tyre për këtë çështje. Sipas përgjimeve, që tashmë janë pjesë e dosjes së prokurorisë, rezulton se në një nga telefonatat, Fatos Rami i deklaronte Afrimit se, nipi i tij do të vinte në Tiranë me një stilolaps. Po ashtu, të arrestuarit, duke u argëtuar në një nga lokalet e kryeqytetit, kanë kërkuar edhe një “kitarë”, që për organin e akuzës ka qenë emër i koduar. Të gjithë këto elementë janë krahasuar edhe me biseda të mëparshme të të arrestuarve, me mikun e tyre, i cili është pjesë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste në Mat. Sipas prokurorisë, këta persona i kanë deklaruar anëtarit të FRESSH-it, Spartak Palamanit, se kryetari i PS-së duhet të dëmshpërblente automjetin e dëmtuar, në të kundërt ata do të hakmarreshin ndaj tij. Gjithë informacionet e mbledhura pas datës 22 janar për këtë çështje, i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila dje kërkoi në gjykatën masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë” ndaj të arrestuarve. Sipas hetimit rezulton se Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kicja kanë konsumuar elemente të veprës penale të parashikuara nga neni 80 i Kodit Penal, i cili thotë se: “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në pesë vjet”. Por në rastin konkret, policia nuk ka mundur të sekuestrojë asnjë provë, që mund të përdorej nga të arrestuarit për vrasjen e kreut të opozitës. Kjo ka qenë arsyeja, që prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 30 ditë, kohë kjo e cila do të përdoret për gjetjen e provave që mund të impikojnë të arrestuarit në komplotin kundër kryetarit të Partisë Socialiste.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment