Saturday, February 12, 2011

Negociatat për krizën, PE tallet me kërkesat e Berishës dhe Ramës


Drejtori Menaxhues për krizat në Ballkan, Miroslav Lajcak, ka raportuar përballë grupit të punës në Parlamentin Europian, në lidhje me vizitën e tij të dytë në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Lajcak ka bërë të qartë se BE nuk ndërmjetëson dhe se ai nuk do të kthehet më në Shqipëri, nëse vet liderët e vendit nuk ofrojnë hapa konkrete për zgjidhjen e krizës. Siç raporton “Top Channel”, në diskutimin me dyer të mbyllura, Lajcak ka thënë se “situata në përgjithësi është më e qetë se përpara, por kriza politike po thellohet. Ata mendojnë se nuk mund ta zgjidhin këtë krizë dhe presin ndihmën tonë. Ndërkohë që, ata nuk janë ende gati për të bërë pjesën e tyre të punës. Ata besojnë se Bashkimi Europian do zgjidhë problemin në vend të Ramës e Berishës, çfarë nuk është normale”. Duke ju referuar vizitës së fundit, Lajcak thotë se është munduar të tregohet i qartë, se BE nuk ndërmjetëson. Aty ka disa hapa pozitivë, tha Lajcak, pasi së pari siç e dimë z. Berisha hoqi dorë nga protesta dhe u lejua që të merret në pyetje Garda e Republikës. Zyrtari europian thotë se në anën tjetër, pas demonstratës së parë, të tjerat kanë qenë shumë të qeta e të paqshme, Rama potencialisht i ka kontrolluar ato. “Tani, mesazhi im më i rëndësishëm ndaj z.Berisha, ishte që të ulej përshkallëzimi i situatës. Pata një diskutim të ashpër mbi faktin, pse organi i komisionit hetimor parlamentar nuk është i duhur, pse është i gabuar e se i duhet dhënë fund retorikave. Ai u mundua që ta kuptonte. Kryeministri tha se do të ishte mbështetës e se ai po kërkon që situata të stabilizohet. Ai u demonstrua shumë konstruktiv e më tha ‘Vetëm më thuaj ç’të bëj tani’. Dhe unë i thashë atij, se ishte përgjegjësia e tij që të kujdesej për gjithë këtë histori”, këmbënguli Lajcak. Më tutje, gjatë fjalës së tij, ai vë në dukje faktin se në Tiranë kanë frikë mos humbasin liberalizimin e vizave dhe luten që kjo të mos ndodhë. “Ju fola për zgjedhjet lokale e që të ndjekin axhendën europiane, çfarë mbetet ende për t’u bërë në mënyrë që të përmbushet lista e kërkuar. Të dy palët po e konsiderojnë mundësinë e dialogut. Rama nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe qëndrimin e Komisionit se Shqipëria është vend parlamentar funksional. Rama do të donte që ne të shpreheshim për zgjedhjet e parakohshme dhe ai na fajëson pse BE nuk shpreh një mesazh të qartë mbi këtë”, theksoi Lajcak. Në përgjithësi, ai e ka cilësuar vizitën si të suksesshme dhe se u ka shpjeguar që nëse do të duhej që të vinim për të tretën herë, duhet të kishte, përtej qëndrimeve, edhe diçka konkrete. Lajcak shprehu shqetësim sakaq për zgjedhjet lokale, pasi sipas tij socialistët po bojkotojnë emërimet në komisionet zgjedhore. “Rama më tha se ai do të preferonte që të shtynte zgjedhjet lokale, me qëllim që kjo periudhë të përdorej për të punuar mbi ligjin elektoral. Unë jam gati të shkoj atje përsëri, dhe mezi pres që të ketë diçka konkrete. U kam thënë se kjo nuk është e mirë për vendin e për popullin”, u shpreh Lajcak. Pas rrëfimit të tij, komentet e eurodeputetëve për qëndrimet e Berishës dhe të Ramës kanë shkaktuar të qeshura në sallë, por u kërkua dhe një “plan B” nga ana e BE-së për rrugëdalje nga situata. Hannes Swoboda, zv/kryetar i grupit të socialistëve dhe demokratëve theksoi se “besoj se të gjithë kolegët biem dakord se atje duhet të mbahen zgjedhjet siç duhen. Nevojitet që zgjedhjet lokale të jenë të ndershme, demokratike e transparente”. Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE u shpreh se “kur ju niset të flisnit, u bëra optimist për pak kohë (të qeshura në sallë). Ju thatë se Sali Berisha, kryeministri i vendit ju kishte thënë ‘na thoni ç’të bëjmë e ne do ta bëjmë’. E pabesueshme (të qeshura në sallë ) Berisha pranon se ka bërë gabim, kjo më bëri të isha optimist. Por pastaj ju më kthyet në realitet”. Në vlerësimin e Kukan, seriozisht, mund të themi ç’të duam për kryeministrin dhe shefin e opozitës, por Rama refuzon legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara, nuk njeh qeverinë si legjitime. “Bie dakord me ty se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme. Nëse shtyhen për hir të dialogut mirë, por nuk jam i sigurt nëse do të arrihej dialogu ndërkohë. Jam skeptik që 2 apo 3 javë kanë për të sjellë dialogun mes Ramës e Berishës, nëse shtyhen zgjedhjet lokale përtej 8 majit. Ndaj shko atje prapë, e bëj diçka”, insistoi Kukan. Në analizën e tij, Vicktor Bostinaru, zv/kryetar i Delegacionit për Ballkanin, u shpreh “prapë i njëjti muhabet. Ata janë gati për dialog? Nëse është kështu, unë do të isha partizan, por në vëzhgimin tim, e me informacionet që të gjithë ne kemi, Parlamenti Europian u propozoi një marrëveshje, një draft me disa pika. Dhe ata erdhën, Berisha tha ‘kurrë’ e askush nuk i tha ‘boll veprove kështu’, madje disa prej tyre, përsërisin këngën e Berishës”. Një tjetër çështje e prekur nga Bostinaru, ishte ajo e korrupsionit dhe aferës së përfolur mes ish zv/kryeministrit e ish-ministrit të ekonomisë. “A dini ju nëse qeveria ka marrë ndonjë masë? Është e lehtë të fajësohet veç njëra palë, t’i kërkohen veprime demokratike e kushtetuese. Komisioni Europian përsëriste kërkesën për dialog e ja ku jemi me krizën, që sipas Berishës ishte puç ndaj shtetit organizuar nga Edi Rama, e papritmas na doli se edhe President i Republikës Bamir Topi ishte pjesëmarrës, por edhe Prokurorja e Përgjithshme, Rama, nuk e di si është emri i saj. Edhe shefi i SHISH, që nuk paska dhënë informacione mbi këtë grusht shteti... Kush mund të besojë tani për gatishmërinë dhe objektivitetin e z. Berisha, për t’i dhënë fund krizës politike me anë të dialogut. Ai hedh poshtë edhe njerëzit që i ka emëruar vet. Asnjë prej këtyre nuk ishte i opozitës, të gjithë u zgjodhën nga partia e tij. Unë nuk besoj për vete. Ndaj pyetja ime është kush është Plani B?”, insistoi Bostinaru. Eurodeputeti Jelko Kacin, i grupit liberal, nënvizoi se Rama nuk do që të emërojë njerëzit në komisionet zgjedhore sepse ka frikë të tregojë emrat e komisionerëve të tij, pasi ata do të ekspozoheshin kështu ndaj korrupsionit e mund të kërcënoheshin. Në përmbyllje të debatit, Lajcak theksoi se BE mund të përdorë si mjet presioni ndaj të dyja palëve, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me sanksione nëpërmjet fondeve të para-anëtarësimit, të njohura me emërtimin IPA. “E rëndësishme është që të nxitet mbajtja e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. Ata nuk duan të paguajnë asnjë çmim për çfarë po bëjnë. Ne nuk mbajmë anë. Rama do të ishte më i besueshëm nëse do të kritikonte funksionimin e institucioneve nga brenda parlamentit. Nëse ai nuk beson tek anëtarët e vet se do të korruptohen në komisionet zgjedhore, atëherë nuk ka më shpresë. Për Berishën, nëse atij nuk i pëlqejnë njerëzit, mirë, por nuk duhet kurrë që ai të sulmojë institucionet. Ne duhet të vëzhgojmë mirë zgjedhjet lokale”, nënvizoi Lajcak./MAPOONLINE

No comments: