Thursday, February 10, 2011

Kantrimen: Nuk ka puç! Krahasimet me Tunizinë nxitën dhunë


Departamenti Amerikan i Shtetit insiston në faktin se institucionet e pavarura nuk duhet të kontrollohen nga asnjëra palë dhe askush nuk duhet të paragjykojë rezultatin final të hetimit të Prokurorisë. Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen, konstatoi se “më 21 janar, pati tragjedi dhe humbje për Shqipërinë e shqiptarët. Nuk kishte arsye që njerëzit të vriteshin. Nuk ka arsye sot që të turpërohen ata 4 individë me kryeartikuj shtypi mbi atë sesi ata vdiqën. Kjo na turpëron ne, që liderët e partive thonë: e di sesi ka ndodhur, dhe e di se kush e ka fajin. Shqipëria nuk ka nevojë për këtë teatër politik”. Në një intervistë për “Top Channel” zyrtari amerikan thotë se ajo çfarë ndodhi me dy të premtet që pasuan, tregoi se ajo çfarë ndodhi më 21 janar nuk duhet të kishte ndodhur. Sipas Kantrimen-it retorikat krahasuese të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për në BE, me Egjiptin e Tunizinë, ishin jo vetëm të panevojshme, por u duk sikur ishin të qëllimshme për të shkaktuar dhunë, për të shkaktuar të vrarë. “Kjo ishte e panevojshme dhe jo demokratike. Protestat paqësore nuk mund të shtypen me mjete antidemokratike. Demonstratat, veçanërisht ato të dhunshmet, nuk duhet t’i shërbejnë qëllimeve jodemokratike. Opozita ka disa objektiva që mund t’i ndjekë sipas mënyrës demokratike kushtetuese. E kjo mënyrë duhet të ndiqet. Nëse protestat paqësore janë pjesë e kësaj mënyre, është e pranueshme, por nuk duhet që ato të shtypen me mjete jodemokratike”, nënvizoi Kantrimen. I pyetur mbi punën e Prokurorisë, Kantrimen tha se gjashtë efektivët e gardës duhet të merren në pyetje. “Si Prokurorja e përgjithshme, shefi i Shërbimit Sekret, apo Presidenti i Republikës, ata kanë një punë të pavarur, jo politike, për të bërë, e ata duhen lejuar që ta bëjnë atë”. Një tjetër çështje shqetësuese, sipas përfaqësuesit të ShBA-së, ishte korrupsioni në Shqipëri. “Ne duhet të tregohemi të qartë. Korrupsioni ekziston në nivelin e qeverisjes kombëtare, ekziston në qeverisjen lokale, ekziston në partitë politike dhe ekziston në biznese. Në çdo rast është paralizues, merr paratë e shqiptarëve dhe pengon Shqipërinë të arrijë potencialin e saj ekonomik dhe potencialin e saj europian. Ka përhapje të gjerë, dhe askush nuk ka monopol të korrupsionit”, theksoi Kantrimen. Ai bëri thirrje që zgjedhjet e ardhshme të jenë “të pastra e të suksesshme”. Përsa i takon atyre të së kaluarës, përfshirë këtu dhe zgjedhjet parlamentare 2009, ai insistoi se “ne asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje të përkryera në Ballkan, kemi patur një organizim madhështor të OSBE/ODIHR. Ata bënë një raport ku detajuan gjithë problemet zgjedhore dhe është ekstremisht zhgënjyese që në Shqipëri të dyja palët janë ankuar për zgjedhjet, e pasi përqafojnë rezultatin, asnjëra palë nuk ka bërë asgjë, për të lëvizur para me miratimin e kushteve të ODIHR-it”.

Kryeministri i vendit nuk njeh institucionet e tjera, duke akuzuar Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, Shefin e Shërbimit Sekret dhe liderin e opozitës se organizuan puç ndaj shtetit. A besoni ju në këto akuza?

JO!

Për të qenë më të qartë, ju besoni në pretendimet e Kryeministrit, apo mbështesni Prokurorinë dhe institucionet e tjera të pavarura?

Nuk është e pavend që Parlamenti të ngrejë një Komision hetimor. Kjo është normale në shumë demokraci. Por vetëm Prokurori i Përgjithshëm është ai që përcakton ligjërisht nëse ka apo jo persona përgjegjës për dhunën e 21 janarit. Dhe, kjo punë duhet bërë pa ndërhyje politike ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Ne mbështesim institucionet e pavarura. Ne i mbështesim ato dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë teknike. Kjo çështje nuk duhet politizuar nga askush. Siç jam shprehur, të dyja palët duhet të evitojnë paragjykimin e rezultatit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Nëse situata vijon kështu, ju do vazhdonit t'i thoshit JO mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme për kapërcimin e situatës?

Zgjedhjet e parakohshme përbëjnë një vendim të popullit dhe partive shqiptare, sipas përcaktimit kushtetues. Kjo mënyrë kushtetuese për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, mesa di unë, ende nuk është tentuar.

No comments: