Garda: Nuk ka server-memorie për komunikimet. Prokuroria: Është fshehur. Server të tillë ka patur që në 1997-n
TIRANË- Garda e Republikës “refuzon” të japë serverin e qendrës operative të ndërlidhjes së grupit hetimor të 21 janarit, madje pretendon që ky server nuk ekziston! Serveri në fjalë përmban të gjithë urdhrat e dhënë në 21 janar, nga të cilat do zbuloheshin përgjegjësitë konkrete për vrasjen e 4 protestuesve dhe plagosjen e 6 të tjerëve nga Garda e Republikës
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Madje Garda e ka mohuar fare që qendra operative e ndërlidhjes që ndodhet në bazën e Gardës së Republikës të ketë server që ruan komunikimet me radio-lidhje, gjë kjo, praktikisht e pamundur.
“Që mbrëmjen e datës 21 janar është kërkuar nga drejtuesit e Gardës së Republikës (akoma pa lëshuar urdhër-ndalimet ndaj tyre) që të vënë në dispozicion të hetuesve të prokurorisë serverin qendror të ndërlidhjes që përdorin efektivët e Gardës. Kemi marrë përgjigje nga Komandanti i Gardës gjeneral Ndrea Prendi se qendra operative nuk ka server të memories”,- thuhet nga burimet e organit qendror të akuzës, të cilët ngrenë dyshime për këtë përgjigje të komandantit Prendi, ligjërisht person në kërkim.
Realisht nuk ka mundësi që Garda e Republikës të mos ketë teknologjinë e re të komunikimit. “Që nga ajo ditë, kur u mohua nga Garda, se qendra operative e ndërlidhjes nuk ka server, kemi ngritur dyshime për mos-bashkëpunimin me prokurorinë të drejtuesve të Gardës. Ata nuk dëshirojnë të identifikojnë urdhër-dhënësit dhe/ose personat e dyshuar në mesin e gardistëve të cilët kanë qëlluar drejt turmës me armë zjarri dhe fishekë luftarakë”-thuhet nga burimet e akuzës.
Sipas tyre, serveri qendror që ruan komunikimet, identifikon personin që ka urdhëruar gardistët të qëllojnë me armë zjarri në ajër apo edhe në drejtim të turmës. Hierarkia e Gardës përcakton mbi Komandantin e Gardës vetëm 2 zyrtarë të lartë, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin e vendit.
“Mos dorëzimi i këtij serveri qendror të sallës operative të ndërlidhjes, ka vështirësuar punën e hetuesve”-thuhet nga burimet. Hetuesit dyshojnë se serveri është fshehur. Është paradoksal fakti që qysh në vitin 1997 salla operative e ndërlidhjes kishte server qendror, ndërsa në vitin 2011 Garda e Republikës thotë që nuk e disponon një të tillë.
Po këto burime saktësuan se një gjë të tillë është mohuar edhe nga Policia e Shtetit, të cilët po të njëjtën përgjigje i kanë dhënë hetuesve të çështjes, kur kanë kërkuar sekuestrimin e serverit qendror të sallës operative të komunikimeve me radio-lidhjeje.
“Edhe në polici është kërkuar serveri qendror për të verifikuar dhe kontrolluar urdhrat që janë dhënë nga eprorët në radio-lidhje për forcat e policisë, të cilët përveç hedhjes së gazit lotsjellës e plumbave të gomës drejt turmës, kanë goditur e ushtruar dhunë edhe mbi gazetarë që po raportonin për situatën dhe kalimtarë të rastit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë kryeministrisë’- thuhet nga organi qendror i akuzës. Sekuestrimi i këtyre serverëve qendrorë do të ndihmonte hetuesit për komunikimet që janë kryer ditën e demonstratës mes urdhër-dhënësve dhe urdhër-zbatuesve në terren
No comments:
Post a Comment