Thursday, February 10, 2011

Dëshmia e komandantit të arrestuar të gardës


Tiranë- Alfred Ahmetcenaj, komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës ka përfunduar në pranga, pas një seance të gjatë pyetjesh në Prokurorinë e Tiranës. Kreu i njësisë, që i gjendet në ndihmë skuadrës që ka si detyrë të ruajë kryeministrin dhe godinën e kryeministrisë, ka dalë me pranga në duar rreth orës 03:00, duke u gdhirë dita e djeshme, pasi prokurorët çmuan se ai duhet të mbahet i izoluar, për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim. Arrestimi i Ahmetcenajt pason atë të vartësit të tij, Agim Llupo, që sipas prokurorisë dyshohet se ka qëlluar në drejtim të demonstruesit Ziver Veizi, i cili humbi jetën vetëm pak metra larg portës hyrëse të kryeministrisë. Duke qenë eprori direkt i Llupos, pyetjet e prokurorëve për Ahmetcenajn janë vërtirur më së shumti rreth dyshimeve për ekzistencën e një urdhri për të hapur zjarr mbi turmën. Por komandanti i Njësisë Speciale është përgjigjur prerazi, se nuk ka pasur asnjë urdhër të tillë. Ai ka shtuar madje se vartësit janë porositur të mos qëllojnë në drejtim të njerëzve, e se në dijeninë e tij,është qëlluar në ajër.Në prani të avokatit të tij, Alfred Ahmetcenaj ka shpjeguar edhe vendosjen e efektivëve të Njësisë Speciale në pjesën anësore të Kryeministrisë, duke ngulmuar se ata kanë zbatuar me përpikmëri planin operacional për ndalimin e sulmit të demonstruesve. Nga ana tjeër, asnjë prej gardistëve të pyetur nuk e ka pranuar këtë hipotezë, duke thënë se askush nuk ka pasur urdhër të qëllojë drejt demonstruesve. Por ekspertiza e armës që vrau Ziver Veizin, e që rezultoi të ishte përdorur nga vartësi i tij penalizoi Ahmetcenajn, i cili tashmë do të përballet me gjykatën për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Në urdhër-ndalimin ndaj kreut të njësisë speciale, Prokuroria ka argumentuar se, Alfred Ahmetcenaj ka pasur si detyrë të drejtonte efektivët e njësisë që kishte nën komandë, njëri prej të cilëve i arrestuar tashmë nën akuzën e vrasjes me dashje, ndaj dy ose më shumë personave. Duke qenë në këto kushte, si dhe në bazë të provave të siguruara ndaj tij, prokurorët, të konsultuar edhe me kolegun amerikan, që po asiston në hetime, kanë vendosur ndalimin e tij, duke e nxjerrë me pranga në duar nga Prokuroria e Tiranës. Ky vendim ka hasur fillimisht në kundërshtimin e gardistëve të tjerë, të cilët ndodheshin pranë prokurorisë. Ata u kanë kërkuar uniformave blu të mos arrestojnë kolegun e tyre, ndërsa incidenti është shuar pas largimit të makinës së policisë bashkë me gardistin e arrestuar. Mësohet se ditën e djeshme, Alfred Ahmetcenaj është paraqitur në prokurori i shoqëruar nga një avokat, i cili e ka asistuar gjatë seancës së pyetjeve klientin e tij.

No comments: