Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tregoi dje në Komisionin hetimor parlamentar për 21 janarin, se ka komunikuar me presidentin Topi një ditë pas sulmit që iu bë Kryeministrisë nga njerëz të armatosur me hunj, gurë e bomba “molotov”, siç i cilësoi ajo. Topalli zbardhi para kamerave dhe opinionit publik vetëm një pjesë të korrespondencës mes dy krerëve të shtetit. Ajo tha se kishte komunikuar në datën 22 janar me kreun e shtetit, e nxitur nga deklarata e tij e një dite më parë, ku ai e kishte quajtur sulmin e Kryeministrisë si ngjarje në bulevard. “Përgjigjja e tij, që unë për arsye të konfidencialitetit nuk mund ta them para kamerave, ishte në fakt një mospranim i tij për detyrën dhe postin që mban” -tha Topalli para se gazetarët e kamerat të linin mbledhjen e komisionit. Pas kësaj kërkese, kryetari i Komisionit hetimor, Eduart Halimi, ka kërkuar marrjen e pjesës tjetër të dëshmisë pa praninë e mediave. Burime nga mbledhja thanë për “Mapo-n” se përgjigjja e Presidentit ishte e ngjashme me deklaratën e tij për shtyp të datës 21 Janar, ku ai u kërkonte të gjitha palëve të politikës që të gjenin gjuhën e dialogut dhe uljes në tryezë. Sipas të njëjtave burime, Topalli e ka shoqëruar leximin e letrës-përgjigje të kreut të shtetit me intonacion që ka shprehur habi për kuptimin e fjalëve të Presidentit. “Përgjigjja ishte e thatë dhe e shkurtër për ngjarjet në bulevard” - thanë dje pjesëmarrës të mbledhjes me dyer të mbyllura. Sipas tyre, kreu i shtetit në përgjigjen për Topallin nuk dënonte sërish dhunën e ushtruar ndaj Kryeministrisë më 21 janar.
Akuzat
Në nisje të fjalës së saj para 6 deputetëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vazhduar sulmet e ashpra ndaj kreut të shtetit, Bamir Topi, për përfshirjen e tij në atë që ajo e quan “puç i shtetit”. “Bamir Topi ka bërë një marrëveshje me Edi Ramën, ku ky i fundit do të merrte mandatin qeverisës, ndërsa Topi një mandat të dytë në postin e Presidentit. I takon Komisionit të vërtetojë këtë marrëveshje”, – u shpreh Topalli. Më tej, ajo vazhdoi duke deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohe nga ana e Presidentit të Republikës nuk është kërkuar asnjë informacion. “Bamir Topi nuk ka kërkuar asnjë informacion për ngjarjet e 21 Janarit nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, dua të them se nuk kam pasur asnjë kërkesë nga ana e ShISh-it për kryerjen e përgjimeve” - deklaroi Kryetarja e Kuvendit.
Topalli u shpreh se gurët e hunjtë e hedhur ndaj Kryeministrisë nuk ishin parë e ndjerë vetëm nga presidenti Topi. “S’e pa kreu i shtetit dhunën që u ushtrua ndaj Kryeministrisë? S’kishte dëgjuar se është sulmuar selia e Këshillit të Ministrave? Kush ia kishte mbyllur veshët dhe sytë?” – bëri të ditur Topalli. Nga ana tjetër, Jozefina Topalli nuk kurseu as akuzat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, por duke i lidhur dhe ato me mbrojtjen e marrë nga ana e Prokurorisë dhe Presidentit. “Pasojat për Edi Ramën i mbyll Prokuroria. Dua të them që Rama ka mbështetje në shtet dhe se 21 Janari nuk erdhi papritur, por ishte një ngjarje e mirëmenduar”.
No comments:
Post a Comment