Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, priti në takim të ngarkuarin me punë pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Brusa. Ministri Haxhinasto shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga ana e institucioneve evropiane, për arritjet e qeverisë shqiptare në kuadër të plotësimit të kritereve të Udhërrëfyesit, mbi bazën e të cilit u miratua në Parlamentin Evropian vendimi për liberalizimin e vizave, si edhe rikonfirmoi angazhimin dhe vullnetin e qeverisë për të vazhduar më tej në rrugën për plotësimin e standardeve të përcaktuara nga BE.
Brusa vuri në dukje se bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është tepër intensiv dhe kjo shihet qartë nga shkëmbimet e vazhdueshme të vizitave të niveleve të ndryshme në Bruksel dhe Tiranë. Vizita që Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, do të zhvillojë javën e ardhshme në Tiranë, është shenjë e qartë e rëndësisë që BE i kushton Shqipërisë, theksoi ai.
Një tjetër çështje e cila u trajtua gjatë këtij takimi ishte edhe ecuria e projekteve që Komisioni Evropian po realizon në Shqipëri, ku të dy bashkëbiseduesit konstatuan me kënaqësi se ka një bashkëpunim intensiv midis autoriteteve shqiptare dhe Delegacionit të BE-së lidhur me realizimin e këtyre projekteve.
No comments:
Post a Comment