Friday, October 15, 2010

Raportet e Sigurimit për Mirel Josën dhe Arben Mingën


1988/Si spiunoheshin futbollistët e njohur të “17 Nëntorit”, gjatë qëndrimit të tyre në Maltë

Informatori i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Ariu”, raportonte për futbollistët se kishin marrë 300 dollarë dhe 5 monedha floriri, para nisjes në Maltë. Masat e Degës së Punëve të Brendshme për shmangien e kontrabandës

Një raport rutinë i një bashkëpunëtori të parëndësishëm të Degës së Punëve të Brendshme në Durrës njoftonte se në prag të një ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, që do luhej ato ditë jashtë vendit, dy futbollistët e klubit “17 Nëntori” ishin të interesuar për të marrë me vete valutë dhe flori. Bashkëpunëtori me një pseudonim të frikshëm, e quante për detyrë të informonte për çdo informacion që e gjykonte të arsyeshëm. Ishin vitet kur Shqipëria ishte zhytur në varfëri ekstreme. Në tregun shqiptar, ku socializmi kishte arritur standardin maksimal për keq, mungonte gjithçka. Mungonin mallrat e konsumit të përditshëm, mungonin edhe produktet e tjera, që shërbenin për t’u veshur e për t’u mbathur. Standardi i ulët i jetesës shihej ndër të tjera edhe në vende publike, ku shqiptarët, të ushqyer e veshur keq, nuk dallonin nga njëri– tjetri as nga të ushqyerit, e as nga të veshurit. Veshja e njeriut të ri të socializmit ishte kaq fort e skalitur saqë e bënte unikal dhe të dallueshëm atë në çfarëdo lloj vendi ta vendosje. Të vetmit njerëz që kishin “privilegjin” e të parit botë me sy dhe për të bërë “tregti” deri në 50 dollarë ishin sportistët. Por fama e këtyre njerëzve në futboll, trembte jo pak herë regjimin, për pasojat që mund të sillte penalizmi i tyre. Ishte e kuptueshme, që çdo dënim i futbollistëve do shoqërohej edhe me përhapjen në kohë rekord të fjalëve mbi fatin e tyre. Futbollistët mund të sillnin një orë dore elektronike, një shall ndryshe, këpucë atletike “adidas”, radio të thjeshta, një palë pantallona xhinse, magnetofonë, apo më të papërfytyrueshmit, televizorët me ngjyra. Futbollistët duke pasur “privilegjin” të shikon botë të lirë e tregje që nuk mbaronin, ishin ndër të rrallët që e kuptonin gjendjen e vërtetë në Shqipëri. Por për të mundësuar ato pak gjëra që mund të kalonin e të fusnin në Shqipëri, duhej një “dietë” më e madhe, që në kushtet e Shqipërisë, mungonte tërësisht. Në këto kushte, futbollistët ishin të detyruar të ndërmerrnin hapa të tjerë, në mënyrë që të mund të siguronin blerjen e mallrave të tjera.

“Ariu” kundër Josës dhe Mingës

Në Durrës, më 30 gusht 1988, punëtori operativ Rexhep K., merrte nga bashkëpunëtori informator “Ariu” raportin ku përmendeshin dy lojtarë të njohur të kohës, futbollistët e “17 Nëntorit” Mirel Josa dhe Arben Minga. “Ariu” së bashku me Fabjan A., me shoferin B.D., kanë shkuar në Tiranë ku kanë takuar futbollistët e përmendur. Fabjani u dha 300 dollarë dhe 5 monedha floriri, me qëllim që këta t’i sillnin mallra të ndryshme nga jashtë shtetit. Ishte koha kur dy futbollistët do udhëtonin me ekipin e tyre në Maltë, për të luajtur një ndeshje ndërkombëtare futbolli. Fabjani, si më aktivi i kësaj pune, e la për t’u takuar me dy futbollistët në Tiranë më 31 gusht 1988. Në bisedë dilte se në Tiranë do të diskutohej konkretisht edhe për llojin e mallin që do sillej nga Malta. Në sqarimin e të dhënave thuhej se Fabjan A. banonte në lagjen nr.7 dhe “është element vjedhës dhe kontrabandist”. Po ashtu, shënimi vazhdonte me fjalët se dy futbollistët njiheshin si sportistë, por nuk dihej nëse kishin apo jo aktivitet në drejtim të çështjeve që lidheshin me tregtinë apo nxjerrjen jashtë të floririt. Shënimi cilësohet i vlefshëm, pasi bënte fjalë për “krimin e kontrabandës”.

Porositë për “Ariun”

Punëtori operativ, Rexhep K. pasi ka vlerësuar të dhënën e ka udhëzuar “Ariun” të pyeste Fabjanin në i kishte takuar apo jo Josën dhe Mingën. Po ashtu, kërkohej ta pyeste sesi i kishte siguruar Fabjani dollarët dhe floririn. Menjëherë ka vijuar trajtimi i çështjes për rëndësinë që paraqiste në dy fronte: ku ishin gjetur këto burime financiare dhe së dyti, në çfarë shkalle implikoheshin dy futbollistët e njohur në futbollin shqiptar, të cilët konsideroheshin si pjesë e elitës së kohës. Nga ana tjetër, Sigurimi, duke mos qenë absolutisht i sigurt në thëniet e bashkëpunëtorit, kontrolloi informacion me agjenturë paralele, duke pyetur taksistin B.D. Për Fabjanin do vazhdonte ndjekja me dosje operative të veçantë. Nga ana tjetër, për dy futbollistët do t’i dërgohej informacion Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Porositë e Zylyftar Ramizit për

vëzhgimin e futbollistëve në Maltë

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, i cili në atë kohë ushtronte edhe detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, pasi është njohur me raportin për futbollistët Josa e Minga, ka lënë këtë shënim për Zef Lokën, asokohe Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë:

“Shoku Zef!

1-Skënder N. të njihet me të dhënën.

2-Në doganë të ushtrohet kontroll i rreptë dhe po të gjenden se na nxjerrin dollarë, atëherë të ndalohen.

3-Të mos bëhen ngacmime jashtë, por vetë Skënder N. t’i mbajë afër, të kujdeset të mos bëjnë gjëra të paligjshme.

4-Josa nuk mund të ndalet me këtë të dhënë të pavërtetuar”.

Ishte e kuptueshme se në vitet e fundit të regjimit, zyrtarët më të lartë të tij mendonin dhe efektin negativ që mund të kishte në shoqëri penalizmi i futbollistëve të njohur, që gjithsesi kishin bërë emër të mirë në vend dhe respektoheshin nga e gjithë shoqëria. Kjo ishte edhe një prej arsyeve themelore që nuk çonin dot deri në fund marrjen e masave ndaj futbollistëve, edhe kur i kishin materialet kundër tyre.

No comments: