NGA ARMAND MAHO |
07/10/2010 Parlamenti Evropian do të votojë sot heqjen e vizave me vendin tonë, një ëndërr e kahershme e shqiptarëve, të cilët u privuan padrejtësisht nga lëvizja e lirë për rreth 50 vjet diktaturë dhe 20 vjet demokraci. Më pas pritet që ky vendim i Parlamentit Evropian t’i kalojë për miratim Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së, që t’i verë vulën përfundimtare. Kryeministri Berisha dha dje garanci se PE-ja do të votojë në favorin tonë, pavarësisht disa vicklave të Francës, e cila e ka politikë të sajë nxjerrjen e pengesa në këso rastesh. Nisur nga praktika e BE-së, deri në lëvizjen e lirë shqiptarët nuk duhet të presin më shumë se dy muaj. Liberalizmi i vizave përpos lehtësirave që krijon në lëvizje është më së pari dinjitet për qytetarin dhe do të shmangte edhe korrupsionin me vizat, që në pjesën dërrmuese të rasteve zhvillohet nga vetë konsullatat e huaja në Shqipëri Në vigjilje të kësaj ngjarjeje të madhe, opozita shqiptare vazhdon t’i bjerë “gajdes”, tashmë të padurueshme, të kutive të votimit. Një tufë opozitarësh (kështu preferohen të quhen dhe ata që nuk arritën të marrin as votat e farefisit në zgjedhjet e kaluara) vendosën sërish të fillojnë protestat. Edi Rama ka ndërmarrë një “fushatë takimesh” (siç i quan ai) në të gjithë vendin me disa fjalime sa të pamarravesh aq dhe të papërgjegjshme, ku e akuzon qeverinë se është një organizatë kriminale. Nga ana tjetër, dje opozitari Ngjela na doli dhe foli në emër të të gjithëve se i paskemi trokitur atij në derë për të na mbrojtur votën dhe se do të ketë revolta të mëdha popullore. Ah, se mos harroj, doli dhe Gjinushi, por me tone disi më të zbutura dhe tha se kjo do të ishte “e treta e vërteta”. Folën me aq siguri, sa të thoshte mendja se halli i vetëm i shqiptarëve është si e si të sjellin Ramën, Gjinushin, Ngjelën dhe Erion Veliajn në pushtet. Dje doli dhe Vangjel Dule, i cili, sa herë flitet për fatet e Shqipërisë, di vetëm t’i hedhë benzinë zjarrit, dhe deklaroi se protestat do të fillojnë. Më acaruese në tërë këtë histori parazitësh është fakti se asnjë prej këtyre që ngrenë zërin kaq shumë nuk kanë më shumë se një karrocë elektorat, ndaj s’kanë moral të dalin nëpër tribuna për zullume që i dinë vetë ata. Por ja që ka dashur fati që historia në këtë vend të bëhet gjithmonë së prapthi dhe këtë herë fati e do që politikën ta bëjnë ata që tridhen e çtridhen sipas dëshirave të lidershipit të PS-së, duke u jargavitur në pritje të kockës së tij të radhës. Ajo çka kuptova personalisht ishte se në vigjilje të një vendimi të tillë historik do të na duhet të përballemi sërish si majin e kaluar me protesta, zënie rrugësh nga çapaçulë të paguar si kreu i sindikatës, që është aq periferik, sa as emri s’më kujtohet, dhe autobusë radhë-radhë, që me gjasë do të parkohen në parkingjet me pagesë, që na i ka bërë peshqesh Edi Rama. Kjo ndodhi dhe në majin e këtij viti, dhe në tetor të vitit të shkuar dhe për habit në të dyja rastet po merreshin vendime të rëndësishme për Shqipërinë. Koincidencë? S’di ç’tëtë them! Ajo që di është fakti se po bëhet çmos që Shqipëria të duket një vend me demokraci jostabël dhe se këtu mafia dhe krimi na qenka ulur këmbëkryq. Natyrisht, cilido që të ishte, po të shikonte një vend të destabilizuar, me protesta, me deklarata si ato të kreut të opozitës, që thotë se “shqiptarët duan të ikin nga sytë këmbët”, do të mendohej jo dy herë, por 40 herë para se të votonte në favorin tonë. Ajo që dihet nga të gjithë është se askush nga ata bandillët e opozitës s’ka vuajtur ndonjëherë përpara dyerve të ambasadës për të marrë një vizë, qoftë shëndetësore, qoftë turistike. Askush nga ne nuk është aq mediokër sa të thotë se qeverisja s’ka probleme, se shumë nga sektorët e ekonomisë nuk po ecin si duhet dhe se ka ardhur koha e një zëvendësimi vendesh te maxhoranca. Por të nxjerrësh përditë ato çupëlinat që ke bërë deputete me lloj-lloj akuzash, pastaj të dalësh vetë e të thuash se demokracia është cenuar dhe se qeveria është kthyer në një organizatë kriminale, duhet të kesh fakte të pakundërshtueshme dhe përgjegjësi të madhe qytetare dhe historike, cilësi këto që kreu i opozitës ka treguar se i mungojnë. Fjalë në tym vetëm se nuk duron dot faktin se nuk të votuan në zgjedhje është mirëfilli abuzim me të drejtën e fjalës. Të majtët e dinë fare mirë se në zgjedhjet e 28 qershorit nuk fituan, dhe jo se u manipuluan votat, por sepse kanë aq respekt për veten sa të mos i japin besimin qeverisës një tufe manekinësh që kishte zgjedhur kryetari si staf për të drejtuar vendin, por që më së shumti ngjanin si klon i tij. E megjithatë shumëkush mund të thotë se opozita atë të drejtë ka: të ulërijë për padrejtësitë, të akuzojë, të protestojë. E përkrah plotësisht, sepse do të ishte një opozitë ideale, që u dilte vërtet në mbrojtje interesave të qytetarit. Sepse opozita është avokati i saj. Por ç’mund të them unë për një opozitë që politikisht djeg rreth 300 milionë dollarë fonde që do jepeshin nga SHBA-të në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit për drejtësinë me arsyetimin më banal të dëgjuar ndonjëherë? Kjo s’mund të quhet më dritëshkurtësi politike, por ligësi. Ç’mund të them unë për një opozitë që çon emisarët e saj në Bruksel dhe Strasburg për të lobuar kundër interesave kombëtare, siç është liberalizimi i vizave apo dhënia e statusit të vendit kandidat? Ç’mund të them për një opozitë që si interes të saj ka vetëm marrjen e pushtetit me çfarëdo mënyre: me pengim tek integrimit, me blerje deputetësh, dhe që ka rrëzuar akuzën si institucion duke thënë çfarë i vjen për goje? Ç’mund të them për një opozitë që më bllokon rrugën dhe që bën thirrje për mosbindje civile në një vend anëtar të NATO-s? Ç’mund të them për një kryetar opozite që s’e kam parë të shtrojë një herë një alternativë zgjidhjeje kur flet për kriza, apo të dalë një herë në debat me kryeministrin dhe të bëjë avokatin e qytetarëve? Duhet të mendoj se kjo lloj race po i bën ato protesta në funksion të demokracisë dhe lirisë?! Vërtet kaq naivë i kujtojnë shqiptarët zotërinjtë e opozitës? E megjithatë sot sërish mbetet një ditë e madhe dhe interesat e ngushta të Ramës, Gjinushit apo Ngjelës mbeten në plan të fundit. Sot do të votohet që shqiptarët të lëvizin të lirë në Evropë, dhe kjo është liria e vërtetë, e pastër dhe e prekshme. Është ajo liri që duhet të predikohet, dhe jo kultura false anglosaksone e ndonjë opozitari papagall. Sot të paktën do t’i gëzohemi faktit që po i vjen fundi një nëpërkëmbje historike dhe të padrejtë që na është bërë. Sa për protestat e opozitës, besoj se do të kenë të njëjtin fat si ai i majit, që u mbyllën me turp, por mendoj se këtë herë do të përballen dhe me ndjenjën e neverisë. |
Sunday, October 10, 2010
Protesta në vigjilje të liberalizimit të vizave
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment