Friday, October 15, 2010

Eva Alikaj: Ju rrëfej rikthimin tim në skenën shqiptare .


Intervistoi: Bruna Merko

Intervistë me aktoren Eva Alikaj

“Bota sot”: Jeni për herë të parë në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për përshtypjet tuaja?

Eva: Më vjen keq që kam pasur një kontakt shumë të shkurtër, megjithatë përshtypja ime është shumë e mirë. Por në vitet kur unë isha një vajzë e re ishim të bindur se shqiptarët e Kosovës, janë të kultivuar, artistë dhe me këtë kontakt kaq të shkurtër që pata këtu unë ndjeva pikërisht këtë. Pata mundësinë të takohem qoftë me kritikët, aktorët dhe njerëzit e artit në përgjithësi. Më ka lënë shumë përshtypje dramaturgu Besim Rexhaj, që me aq sa foli më është dukur një kritik i shkëlqyer. Më vjen shumë keq që e preka kaq pak Prishtinën, po me siguri do të ketë vizita të tjera.

“Bota sot”: “Kush ka frikë nga Virginia Woolf””, nuk është shfaqja e parë që ju rikthen në Tiranë. Na flisni diçka më shumë për kthimin tuja në skenën shqiptare.

Eva: Ishte shfaqja “Lola Blau”, e para që u riktheva plotësisht në skenën shqiptare. Është një shfaqje në realizimin e së cilës kam marrë pjesë personalisht, por edhe pse mendjen e kisha që ta shfaqja në Shqipëri, ajo është një performancë në gjuhën gjermane ku këndohet e bërë me një ekip austriak. Kjo pati shumë sukses dhe pikërisht me këtë shfaqje fitova çmimin e “Kult”, në Tiranë.

“Bota sot”: Si ishte reagimi i publikut shqiptar kur ju u ngjitët sërish në skenë pas një periudhe shkëputjeje?

Eva: Edhe mua më befason fakti se pas një shkëputjeje nga skena shqiptare kthimi im u prit shumë mirë nga publiku. Me Lola Blaun ishte një ovacion i papritur nga publiku, të cilët me këtë ritëm më shoqëruan nga fillimi deri në fund të paraqitjes sime në skenë. Ishte një gjë shumë e bukur dhe forcoi tek unë edhe me shumë ndjesinë për tu kthyer.

“Bota sot”: Roli i Martës tek “Kush ka frikë nga Virginia Woolf”, a ishte i vështirë ta “vishje” këtë personazh?

Eva: Ishte shumë i vështirë ndonëse ëndërroja ta luaja atë rol sepse është një nga rolet më të preferuar në gjithë botën. Nuk ka shumë të përbashkëta Marta me Evën, njerëzit ishin mësuar të mendojnë Evën si njeri të dashur dhe ky rol ishte diçka e papritur. Ishte e vështirë që të realizohet një rol i tillë, por mund të them se premiera nuk ka qenë shumë e realizuar kur bëhet fjalë për rolin tim. Kjo erdhi më vonë pas 17 herëve që u ngjitëm në skenë. Edhe tani që morëm pjesë në Prishtinë, prezantoheshim pas tetë muajsh pauzë pasi që shfaqja është dhënë vitin e kaluar në teatrot e Shqipërisë. Por nuk janë të lehta rolet e tilla, nevojitet shumë përkushtim dhe shumë punë.

“Bota sot”: Të interpretosh përkrah ish-pedagogut tuaj dhe ikonës së kinemasë, në këtë rast Viktor Zhusti, si ishte për ju?

Eva: Është hera e parë që luaj në një shfaqje bashkë me Viktorin dhe gjithnjë kam dashur që të interpretoj përkrah tij. Ai është një nga aktorët më të njohur të skenës sonë dhe ishte kënaqësi të jesh pjesë e një projekti të përbashkët si ky i fundit. Punën autoriale si partnerë mendoj që shkojmë shumë si çift dhe përcjellim shumë mirë njëri-tjetrin.

“Bota sot”: Po a ishte e vështirë t’i besonit një regjisori të ri në këtë rast Kushtrim Bekteshit?

Eva: Garanci ishte fillimisht pjesa pastaj mua mu besua roli i Martës dhe unë dëshiroja shumë ta luaja rolin e Martës. Kontakti i parë me Kushtrimin ishte në telefon dhe pastaj kur u takuam përshtypja ime ishte intuitive, një djalë i ri artist dhe dukej që kishte një koncept. Kjo më mjafton mua sepse jam mësuar të punoj edhe vet madje të bëj edhe regjinë kur mungon regjisori. Është një regjisor shumë i talentuar dhe më pëlqen jashtë mase mënyra e tij e të punuarit. Unë kam një projekt në mars të vitit të ardhshëm në Tetarin e Operës dhe Baletit një bashkëpunim, një projekt që është paraqitur në Ministrinë e Kulturës dhe Kushtrimin prapë e kam zgjedhur si regjisor.

“Bota sot”: Megjithatë jeni vlerësuar shumë nga kritika shqiptare për kthimin tuaj të suksesshëm. Kur mund të ju shohim në një film të suksesshëm?

Eva: Është një projekt filmi që është propozuar në Qendrën Kinematografike dhe në fund të tetorit do të marrim përgjigjen nga ky institucion në lidhje me aprovimin e tij. Regjisor do të jetë Ylli Pepo, skenarist Roland Roshi është një film shumë bukur dhe nëse aprovohet do të startojmë me punën në muajin prill të vitit të ardhshëm dhe do të përfundohet brenda dy viteve. Kam shumë dëshirë që të realizohet ky projekt sepse ka kohë që nuk kam luajtur në film dhe do të dëshiroja shumë që sërish të isha pjesë e tij.

No comments: