Saturday, February 12, 2011

Komploti për Edi Ramën, ja përgjimi i SHISH për të akuzuarit


Tiranë Tre personat e dyshuar si përgjegjës për një komplot që mund t’i rrezikonte jetën kreut të opozitës, Edi Rama, kanë mbetur në qeli. Arrestimi i tyre, i cilësuar si i ligjshëm nga gjykata, nuk mundi të siguronte asnjë provë për hetimin, i cili ka nisur prej disa përgjimeve parandaluese, që hedhin dyshime se tre personat po organizonin një sulm kundër kreut të PS. Zanafilla e kësaj historie, nis në datën 21 janar, ku gjatë demonstratës së dhunshme, protestuesit kishin dëmtuar makinën në pronësi të Luan Ramit. I revoltuar, Rami, ish-drejtor i KESH-it në Burrel dhe simpatizant i Partisë Demokratike, i ka dërguar një SMS kreut të PS, Edi Rama, ku i kërkonte dëmshpërblim për makinën. Më pas, ky episod është bërë objekt i disa bisedave të Ramit me miq të tij, disa prej të cilëve, pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, në rrethin e Matit, duke e kthyer në çështje serioze, aq sa në lojë të hynte edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Nëpërmjet disa përgjimeve parandaluese të SHISH-it, të cilat më pas janë referuar në Prokurori, është mundur të zbulohet se tre të arrestuarit komunikonin mes tyre, duke sharë kreun e opozitës apo paralajmëruar hakmarrje për djegien e makinës, gjatë demonstratës së opozitës. Në përgjime ka edhe biseda mes tyre, për të siguruar një “kitarë” apo një “stilolaps”, për çështje që lidheshin me Edi Ramën. Këto fjalë kyçe, të vendosura në kontekstin e situatës, janë interpretuar si armë që mund të përdoreshin kundër kreut të opozitës nga Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kicja, por pas arrestimit të tyre, nuk është gjetur asgjë kompromentuese. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se fillimisht, Luan Rami ka dërguar një SMS në celularin personal të kreut të PS-së, ku shkruan: “Protestuesit tuaj më kanë dëmtuar makinën, prandaj kërkoj zhdëmtimin e saj. Luan Rami, Burrel”. Nga verifikimet rezultoi se automjeti, tip “Fuoristradë”, ka qenë i parkuar pranë Kullave Binjake, gjatë kohës kur zhvillohej demonstrata e dhunshme e 21 janarit. Gjatë demonstratës, gurët kanë dëmtuar automjetin, duke thyer xhamat e tij. Mesazhi në celularin e kreut të PS-së dhe informacionet e siguruara për makinën e dëmtuar të shtetasit, që kishte dërguar SMS, angazhuan Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Policinë e Shtetit, të cilët kanë mbajtur në përgjim e vëzhgim të dyshuarit. Nga bisedat telefonike të interceptuara nga ato që quhen përgjime parandaluese, rezulton se dy ditë më parë, të dyshuarit kanë komunikuar mes tyre për këtë çështje. Sipas përgjimeve, që tashmë janë pjesë e dosjes së prokurorisë, rezulton se në një nga telefonatat, Fatos Rami i deklaronte Afrimit se, nipi i tij do të vinte në Tiranë me një stilolaps. Po ashtu, të arrestuarit, duke u argëtuar në një nga lokalet e kryeqytetit, kanë kërkuar edhe një “kitarë”, që për organin e akuzës ka qenë emër i koduar. Të gjithë këto elementë janë krahasuar edhe me biseda të mëparshme të të arrestuarve, me mikun e tyre, i cili është pjesë e Forumit Rinor të Partisë Socialiste në Mat. Sipas prokurorisë, këta persona i kanë deklaruar anëtarit të FRESSH-it, Spartak Palamanit, se kryetari i PS-së duhet të dëmshpërblente automjetin e dëmtuar, në të kundërt ata do të hakmarreshin ndaj tij. Gjithë informacionet e mbledhura pas datës 22 janar për këtë çështje, i janë përcjellë Prokurorisë së Tiranës, e cila dje kërkoi në gjykatën masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë” ndaj të arrestuarve. Sipas hetimit rezulton se Luan Rami, Fatos Rami dhe Afrim Kicja kanë konsumuar elemente të veprës penale të parashikuara nga neni 80 i Kodit Penal, i cili thotë se: “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje dënohet me burgim gjer në pesë vjet”. Por në rastin konkret, policia nuk ka mundur të sekuestrojë asnjë provë, që mund të përdorej nga të arrestuarit për vrasjen e kreut të opozitës. Kjo ka qenë arsyeja, që prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 30 ditë, kohë kjo e cila do të përdoret për gjetjen e provave që mund të impikojnë të arrestuarit në komplotin kundër kryetarit të Partisë Socialiste.

Negociatat për krizën, PE tallet me kërkesat e Berishës dhe Ramës


Drejtori Menaxhues për krizat në Ballkan, Miroslav Lajcak, ka raportuar përballë grupit të punës në Parlamentin Europian, në lidhje me vizitën e tij të dytë në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Lajcak ka bërë të qartë se BE nuk ndërmjetëson dhe se ai nuk do të kthehet më në Shqipëri, nëse vet liderët e vendit nuk ofrojnë hapa konkrete për zgjidhjen e krizës. Siç raporton “Top Channel”, në diskutimin me dyer të mbyllura, Lajcak ka thënë se “situata në përgjithësi është më e qetë se përpara, por kriza politike po thellohet. Ata mendojnë se nuk mund ta zgjidhin këtë krizë dhe presin ndihmën tonë. Ndërkohë që, ata nuk janë ende gati për të bërë pjesën e tyre të punës. Ata besojnë se Bashkimi Europian do zgjidhë problemin në vend të Ramës e Berishës, çfarë nuk është normale”. Duke ju referuar vizitës së fundit, Lajcak thotë se është munduar të tregohet i qartë, se BE nuk ndërmjetëson. Aty ka disa hapa pozitivë, tha Lajcak, pasi së pari siç e dimë z. Berisha hoqi dorë nga protesta dhe u lejua që të merret në pyetje Garda e Republikës. Zyrtari europian thotë se në anën tjetër, pas demonstratës së parë, të tjerat kanë qenë shumë të qeta e të paqshme, Rama potencialisht i ka kontrolluar ato. “Tani, mesazhi im më i rëndësishëm ndaj z.Berisha, ishte që të ulej përshkallëzimi i situatës. Pata një diskutim të ashpër mbi faktin, pse organi i komisionit hetimor parlamentar nuk është i duhur, pse është i gabuar e se i duhet dhënë fund retorikave. Ai u mundua që ta kuptonte. Kryeministri tha se do të ishte mbështetës e se ai po kërkon që situata të stabilizohet. Ai u demonstrua shumë konstruktiv e më tha ‘Vetëm më thuaj ç’të bëj tani’. Dhe unë i thashë atij, se ishte përgjegjësia e tij që të kujdesej për gjithë këtë histori”, këmbënguli Lajcak. Më tutje, gjatë fjalës së tij, ai vë në dukje faktin se në Tiranë kanë frikë mos humbasin liberalizimin e vizave dhe luten që kjo të mos ndodhë. “Ju fola për zgjedhjet lokale e që të ndjekin axhendën europiane, çfarë mbetet ende për t’u bërë në mënyrë që të përmbushet lista e kërkuar. Të dy palët po e konsiderojnë mundësinë e dialogut. Rama nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe qëndrimin e Komisionit se Shqipëria është vend parlamentar funksional. Rama do të donte që ne të shpreheshim për zgjedhjet e parakohshme dhe ai na fajëson pse BE nuk shpreh një mesazh të qartë mbi këtë”, theksoi Lajcak. Në përgjithësi, ai e ka cilësuar vizitën si të suksesshme dhe se u ka shpjeguar që nëse do të duhej që të vinim për të tretën herë, duhet të kishte, përtej qëndrimeve, edhe diçka konkrete. Lajcak shprehu shqetësim sakaq për zgjedhjet lokale, pasi sipas tij socialistët po bojkotojnë emërimet në komisionet zgjedhore. “Rama më tha se ai do të preferonte që të shtynte zgjedhjet lokale, me qëllim që kjo periudhë të përdorej për të punuar mbi ligjin elektoral. Unë jam gati të shkoj atje përsëri, dhe mezi pres që të ketë diçka konkrete. U kam thënë se kjo nuk është e mirë për vendin e për popullin”, u shpreh Lajcak. Pas rrëfimit të tij, komentet e eurodeputetëve për qëndrimet e Berishës dhe të Ramës kanë shkaktuar të qeshura në sallë, por u kërkua dhe një “plan B” nga ana e BE-së për rrugëdalje nga situata. Hannes Swoboda, zv/kryetar i grupit të socialistëve dhe demokratëve theksoi se “besoj se të gjithë kolegët biem dakord se atje duhet të mbahen zgjedhjet siç duhen. Nevojitet që zgjedhjet lokale të jenë të ndershme, demokratike e transparente”. Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE u shpreh se “kur ju niset të flisnit, u bëra optimist për pak kohë (të qeshura në sallë). Ju thatë se Sali Berisha, kryeministri i vendit ju kishte thënë ‘na thoni ç’të bëjmë e ne do ta bëjmë’. E pabesueshme (të qeshura në sallë ) Berisha pranon se ka bërë gabim, kjo më bëri të isha optimist. Por pastaj ju më kthyet në realitet”. Në vlerësimin e Kukan, seriozisht, mund të themi ç’të duam për kryeministrin dhe shefin e opozitës, por Rama refuzon legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara, nuk njeh qeverinë si legjitime. “Bie dakord me ty se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme. Nëse shtyhen për hir të dialogut mirë, por nuk jam i sigurt nëse do të arrihej dialogu ndërkohë. Jam skeptik që 2 apo 3 javë kanë për të sjellë dialogun mes Ramës e Berishës, nëse shtyhen zgjedhjet lokale përtej 8 majit. Ndaj shko atje prapë, e bëj diçka”, insistoi Kukan. Në analizën e tij, Vicktor Bostinaru, zv/kryetar i Delegacionit për Ballkanin, u shpreh “prapë i njëjti muhabet. Ata janë gati për dialog? Nëse është kështu, unë do të isha partizan, por në vëzhgimin tim, e me informacionet që të gjithë ne kemi, Parlamenti Europian u propozoi një marrëveshje, një draft me disa pika. Dhe ata erdhën, Berisha tha ‘kurrë’ e askush nuk i tha ‘boll veprove kështu’, madje disa prej tyre, përsërisin këngën e Berishës”. Një tjetër çështje e prekur nga Bostinaru, ishte ajo e korrupsionit dhe aferës së përfolur mes ish zv/kryeministrit e ish-ministrit të ekonomisë. “A dini ju nëse qeveria ka marrë ndonjë masë? Është e lehtë të fajësohet veç njëra palë, t’i kërkohen veprime demokratike e kushtetuese. Komisioni Europian përsëriste kërkesën për dialog e ja ku jemi me krizën, që sipas Berishës ishte puç ndaj shtetit organizuar nga Edi Rama, e papritmas na doli se edhe President i Republikës Bamir Topi ishte pjesëmarrës, por edhe Prokurorja e Përgjithshme, Rama, nuk e di si është emri i saj. Edhe shefi i SHISH, që nuk paska dhënë informacione mbi këtë grusht shteti... Kush mund të besojë tani për gatishmërinë dhe objektivitetin e z. Berisha, për t’i dhënë fund krizës politike me anë të dialogut. Ai hedh poshtë edhe njerëzit që i ka emëruar vet. Asnjë prej këtyre nuk ishte i opozitës, të gjithë u zgjodhën nga partia e tij. Unë nuk besoj për vete. Ndaj pyetja ime është kush është Plani B?”, insistoi Bostinaru. Eurodeputeti Jelko Kacin, i grupit liberal, nënvizoi se Rama nuk do që të emërojë njerëzit në komisionet zgjedhore sepse ka frikë të tregojë emrat e komisionerëve të tij, pasi ata do të ekspozoheshin kështu ndaj korrupsionit e mund të kërcënoheshin. Në përmbyllje të debatit, Lajcak theksoi se BE mund të përdorë si mjet presioni ndaj të dyja palëve, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, me sanksione nëpërmjet fondeve të para-anëtarësimit, të njohura me emërtimin IPA. “E rëndësishme është që të nxitet mbajtja e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. Ata nuk duan të paguajnë asnjë çmim për çfarë po bëjnë. Ne nuk mbajmë anë. Rama do të ishte më i besueshëm nëse do të kritikonte funksionimin e institucioneve nga brenda parlamentit. Nëse ai nuk beson tek anëtarët e vet se do të korruptohen në komisionet zgjedhore, atëherë nuk ka më shpresë. Për Berishën, nëse atij nuk i pëlqejnë njerëzit, mirë, por nuk duhet kurrë që ai të sulmojë institucionet. Ne duhet të vëzhgojmë mirë zgjedhjet lokale”, nënvizoi Lajcak./MAPOONLINE

Meta: Imuniteti, heqje pa proçedura


Kreu i LSI-se Ilir Meta, ne nje konference per shtyp ka deklaruar se do t`i kërkojë kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, për të hequr imunitetin e tij pa procedura.

“Me qëllim që të çmontohen akuzat televizive ndaj personit tim, në emër të opinionit publik, i kërkoj zonjës Topalli vazhdim të deklarimit tim për dhënien e imunitetit në mënyrë vullnetare, që ta autorizojë atë pa procedurë parlamentare, në mënyrë që prokuroria të mos ketë asnjë justifikim për detyrime ligjore”.

“Sa u përket hetimeve për video-kasetën me Priftin, jam i pari i interesuar për ecurinë e tyre në respekt të moralit tim. E lashë imunitetin me vullnet dhe dëshirë e kam kurajo të përballem me të vërtetën. Jam paraqitur vetë në prokurori për këtë çështje”.
Kjo ishte deklarata, lidhur me shkresën që organi i akuzës i ka dërguar Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj tij dhe ish-ministrit Prifti për të mundësuar ecurinë e hetimeve mbi videon që u transmetua pak javë më parë rreth tyre.

“Jam i bindur që e vërteta do të triumfojë dhe e vërteta është ajo që deklarova në fillim, pas akuzave. Pikërisht, ajo që videoja, ishte një montim televiziv”, tha Meta.

Ish-numri dy i qeverisë e ka vlerësuar videon me Priftin si një sulm politik ndaj tij,duke shtuar ndër të tjera faktin se e vërteta le të dalë me ekspertizë vendase dhe të huaj dhe se këto ekspertiza i kemi realizuar.
“Me teknologjinë e sotme, është e lehtë të manipulosh, por sot gjithashtu është e lehtë që të verifikohen manipulimet”, tha ai.

Prifti: Mirëpres bashkëpunimin me Prokurorinë


Pas kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit ndaj Dritan Priftin, ky i fundit është shprehur i habitur për një hap të tillë.

Ai është njoftuar për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit, duke vizituar ambientet e Kuvendit rreth mesditës së të shtunës.

Dritan Prifti sqaron cdo keqkuptim me ane te nje letre e cila vijon si me poshte:

“Për mua është surprizë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila i kërkoi Kuvendit autorizim për ndjekjen time penale. U njoha me kërkesën e Prokurorisë sot pasdite.

Prokuroria dyshon se është bërë korrupsion, pasi ka parë një video të re të regjistruar nga vetë unë, si video e Ilir Metës.
Kush e beson që unë do filmoja veten duke bërë korrupsion?

Do e kisha sqaruar lehtësisht situatën nëse do më ishte bërë një thirrje e thjeshtë për sqarim. Me imunitet apo pa imuniotet, unë mirëpres bashkëpunimin me Prokurorinë në të ardhmen”.

Nderkaq, pas verifikimit të videos, gati një orëshe, të bisedës mes Metës dhe Priftit, ekspertët kanë konstatuar se poshtë këtij filmimi ka qenë e regjistruar një tjetër bisedë, e cila ishte fshirë por kishte mbetur në memorie. Per kete, Prifti shprehet mjafte hapur duke deklaruar se:

“Në situatën që po kaloj, pas publikimeve dhe denoncimeve të shkuara, meraku i vetëm që unë kam është siguria e jetës sime dhe familjes”./ORANEWS

Thursday, February 10, 2011

21 Janari, letërkëmbimi sekret mes Topit dhe Topallit


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tregoi dje në Komisionin hetimor parlamentar për 21 janarin, se ka komunikuar me presidentin Topi një ditë pas sulmit që iu bë Kryeministrisë nga njerëz të armatosur me hunj, gurë e bomba “molotov”, siç i cilësoi ajo. Topalli zbardhi para kamerave dhe opinionit publik vetëm një pjesë të korrespondencës mes dy krerëve të shtetit. Ajo tha se kishte komunikuar në datën 22 janar me kreun e shtetit, e nxitur nga deklarata e tij e një dite më parë, ku ai e kishte quajtur sulmin e Kryeministrisë si ngjarje në bulevard. “Përgjigjja e tij, që unë për arsye të konfidencialitetit nuk mund ta them para kamerave, ishte në fakt një mospranim i tij për detyrën dhe postin që mban” -tha Topalli para se gazetarët e kamerat të linin mbledhjen e komisionit. Pas kësaj kërkese, kryetari i Komisionit hetimor, Eduart Halimi, ka kërkuar marrjen e pjesës tjetër të dëshmisë pa praninë e mediave. Burime nga mbledhja thanë për “Mapo-n” se përgjigjja e Presidentit ishte e ngjashme me deklaratën e tij për shtyp të datës 21 Janar, ku ai u kërkonte të gjitha palëve të politikës që të gjenin gjuhën e dialogut dhe uljes në tryezë. Sipas të njëjtave burime, Topalli e ka shoqëruar leximin e letrës-përgjigje të kreut të shtetit me intonacion që ka shprehur habi për kuptimin e fjalëve të Presidentit. “Përgjigjja ishte e thatë dhe e shkurtër për ngjarjet në bulevard” - thanë dje pjesëmarrës të mbledhjes me dyer të mbyllura. Sipas tyre, kreu i shtetit në përgjigjen për Topallin nuk dënonte sërish dhunën e ushtruar ndaj Kryeministrisë më 21 janar.

Akuzat

Në nisje të fjalës së saj para 6 deputetëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vazhduar sulmet e ashpra ndaj kreut të shtetit, Bamir Topi, për përfshirjen e tij në atë që ajo e quan “puç i shtetit”. “Bamir Topi ka bërë një marrëveshje me Edi Ramën, ku ky i fundit do të merrte mandatin qeverisës, ndërsa Topi një mandat të dytë në postin e Presidentit. I takon Komisionit të vërtetojë këtë marrëveshje”, – u shpreh Topalli. Më tej, ajo vazhdoi duke deklaruar se gjatë gjithë kësaj kohe nga ana e Presidentit të Republikës nuk është kërkuar asnjë informacion. “Bamir Topi nuk ka kërkuar asnjë informacion për ngjarjet e 21 Janarit nga ana e Kuvendit. Gjithashtu, dua të them se nuk kam pasur asnjë kërkesë nga ana e ShISh-it për kryerjen e përgjimeve” - deklaroi Kryetarja e Kuvendit.

Topalli u shpreh se gurët e hunjtë e hedhur ndaj Kryeministrisë nuk ishin parë e ndjerë vetëm nga presidenti Topi. “S’e pa kreu i shtetit dhunën që u ushtrua ndaj Kryeministrisë? S’kishte dëgjuar se është sulmuar selia e Këshillit të Ministrave? Kush ia kishte mbyllur veshët dhe sytë?” – bëri të ditur Topalli. Nga ana tjetër, Jozefina Topalli nuk kurseu as akuzat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, por duke i lidhur dhe ato me mbrojtjen e marrë nga ana e Prokurorisë dhe Presidentit. “Pasojat për Edi Ramën i mbyll Prokuroria. Dua të them që Rama ka mbështetje në shtet dhe se 21 Janari nuk erdhi papritur, por ishte një ngjarje e mirëmenduar”.

Dëshmia e komandantit të arrestuar të gardës


Tiranë- Alfred Ahmetcenaj, komandanti i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës ka përfunduar në pranga, pas një seance të gjatë pyetjesh në Prokurorinë e Tiranës. Kreu i njësisë, që i gjendet në ndihmë skuadrës që ka si detyrë të ruajë kryeministrin dhe godinën e kryeministrisë, ka dalë me pranga në duar rreth orës 03:00, duke u gdhirë dita e djeshme, pasi prokurorët çmuan se ai duhet të mbahet i izoluar, për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim. Arrestimi i Ahmetcenajt pason atë të vartësit të tij, Agim Llupo, që sipas prokurorisë dyshohet se ka qëlluar në drejtim të demonstruesit Ziver Veizi, i cili humbi jetën vetëm pak metra larg portës hyrëse të kryeministrisë. Duke qenë eprori direkt i Llupos, pyetjet e prokurorëve për Ahmetcenajn janë vërtirur më së shumti rreth dyshimeve për ekzistencën e një urdhri për të hapur zjarr mbi turmën. Por komandanti i Njësisë Speciale është përgjigjur prerazi, se nuk ka pasur asnjë urdhër të tillë. Ai ka shtuar madje se vartësit janë porositur të mos qëllojnë në drejtim të njerëzve, e se në dijeninë e tij,është qëlluar në ajër.Në prani të avokatit të tij, Alfred Ahmetcenaj ka shpjeguar edhe vendosjen e efektivëve të Njësisë Speciale në pjesën anësore të Kryeministrisë, duke ngulmuar se ata kanë zbatuar me përpikmëri planin operacional për ndalimin e sulmit të demonstruesve. Nga ana tjeër, asnjë prej gardistëve të pyetur nuk e ka pranuar këtë hipotezë, duke thënë se askush nuk ka pasur urdhër të qëllojë drejt demonstruesve. Por ekspertiza e armës që vrau Ziver Veizin, e që rezultoi të ishte përdorur nga vartësi i tij penalizoi Ahmetcenajn, i cili tashmë do të përballet me gjykatën për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Në urdhër-ndalimin ndaj kreut të njësisë speciale, Prokuroria ka argumentuar se, Alfred Ahmetcenaj ka pasur si detyrë të drejtonte efektivët e njësisë që kishte nën komandë, njëri prej të cilëve i arrestuar tashmë nën akuzën e vrasjes me dashje, ndaj dy ose më shumë personave. Duke qenë në këto kushte, si dhe në bazë të provave të siguruara ndaj tij, prokurorët, të konsultuar edhe me kolegun amerikan, që po asiston në hetime, kanë vendosur ndalimin e tij, duke e nxjerrë me pranga në duar nga Prokuroria e Tiranës. Ky vendim ka hasur fillimisht në kundërshtimin e gardistëve të tjerë, të cilët ndodheshin pranë prokurorisë. Ata u kanë kërkuar uniformave blu të mos arrestojnë kolegun e tyre, ndërsa incidenti është shuar pas largimit të makinës së policisë bashkë me gardistin e arrestuar. Mësohet se ditën e djeshme, Alfred Ahmetcenaj është paraqitur në prokurori i shoqëruar nga një avokat, i cili e ka asistuar gjatë seancës së pyetjeve klientin e tij.

Kantrimen: Nuk ka puç! Krahasimet me Tunizinë nxitën dhunë


Departamenti Amerikan i Shtetit insiston në faktin se institucionet e pavarura nuk duhet të kontrollohen nga asnjëra palë dhe askush nuk duhet të paragjykojë rezultatin final të hetimit të Prokurorisë. Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen, konstatoi se “më 21 janar, pati tragjedi dhe humbje për Shqipërinë e shqiptarët. Nuk kishte arsye që njerëzit të vriteshin. Nuk ka arsye sot që të turpërohen ata 4 individë me kryeartikuj shtypi mbi atë sesi ata vdiqën. Kjo na turpëron ne, që liderët e partive thonë: e di sesi ka ndodhur, dhe e di se kush e ka fajin. Shqipëria nuk ka nevojë për këtë teatër politik”. Në një intervistë për “Top Channel” zyrtari amerikan thotë se ajo çfarë ndodhi me dy të premtet që pasuan, tregoi se ajo çfarë ndodhi më 21 janar nuk duhet të kishte ndodhur. Sipas Kantrimen-it retorikat krahasuese të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për në BE, me Egjiptin e Tunizinë, ishin jo vetëm të panevojshme, por u duk sikur ishin të qëllimshme për të shkaktuar dhunë, për të shkaktuar të vrarë. “Kjo ishte e panevojshme dhe jo demokratike. Protestat paqësore nuk mund të shtypen me mjete antidemokratike. Demonstratat, veçanërisht ato të dhunshmet, nuk duhet t’i shërbejnë qëllimeve jodemokratike. Opozita ka disa objektiva që mund t’i ndjekë sipas mënyrës demokratike kushtetuese. E kjo mënyrë duhet të ndiqet. Nëse protestat paqësore janë pjesë e kësaj mënyre, është e pranueshme, por nuk duhet që ato të shtypen me mjete jodemokratike”, nënvizoi Kantrimen. I pyetur mbi punën e Prokurorisë, Kantrimen tha se gjashtë efektivët e gardës duhet të merren në pyetje. “Si Prokurorja e përgjithshme, shefi i Shërbimit Sekret, apo Presidenti i Republikës, ata kanë një punë të pavarur, jo politike, për të bërë, e ata duhen lejuar që ta bëjnë atë”. Një tjetër çështje shqetësuese, sipas përfaqësuesit të ShBA-së, ishte korrupsioni në Shqipëri. “Ne duhet të tregohemi të qartë. Korrupsioni ekziston në nivelin e qeverisjes kombëtare, ekziston në qeverisjen lokale, ekziston në partitë politike dhe ekziston në biznese. Në çdo rast është paralizues, merr paratë e shqiptarëve dhe pengon Shqipërinë të arrijë potencialin e saj ekonomik dhe potencialin e saj europian. Ka përhapje të gjerë, dhe askush nuk ka monopol të korrupsionit”, theksoi Kantrimen. Ai bëri thirrje që zgjedhjet e ardhshme të jenë “të pastra e të suksesshme”. Përsa i takon atyre të së kaluarës, përfshirë këtu dhe zgjedhjet parlamentare 2009, ai insistoi se “ne asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje të përkryera në Ballkan, kemi patur një organizim madhështor të OSBE/ODIHR. Ata bënë një raport ku detajuan gjithë problemet zgjedhore dhe është ekstremisht zhgënjyese që në Shqipëri të dyja palët janë ankuar për zgjedhjet, e pasi përqafojnë rezultatin, asnjëra palë nuk ka bërë asgjë, për të lëvizur para me miratimin e kushteve të ODIHR-it”.

Kryeministri i vendit nuk njeh institucionet e tjera, duke akuzuar Presidentin e Republikës, Prokuroren e Përgjithshme, Shefin e Shërbimit Sekret dhe liderin e opozitës se organizuan puç ndaj shtetit. A besoni ju në këto akuza?

JO!

Për të qenë më të qartë, ju besoni në pretendimet e Kryeministrit, apo mbështesni Prokurorinë dhe institucionet e tjera të pavarura?

Nuk është e pavend që Parlamenti të ngrejë një Komision hetimor. Kjo është normale në shumë demokraci. Por vetëm Prokurori i Përgjithshëm është ai që përcakton ligjërisht nëse ka apo jo persona përgjegjës për dhunën e 21 janarit. Dhe, kjo punë duhet bërë pa ndërhyje politike ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Ne mbështesim institucionet e pavarura. Ne i mbështesim ato dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë teknike. Kjo çështje nuk duhet politizuar nga askush. Siç jam shprehur, të dyja palët duhet të evitojnë paragjykimin e rezultatit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Nëse situata vijon kështu, ju do vazhdonit t'i thoshit JO mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme për kapërcimin e situatës?

Zgjedhjet e parakohshme përbëjnë një vendim të popullit dhe partive shqiptare, sipas përcaktimit kushtetues. Kjo mënyrë kushtetuese për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, mesa di unë, ende nuk është tentuar.

Tuesday, February 8, 2011

Huffington Post kalon në pronësi të AOL

Huffington Post kalon në pronësi të AOL
Një nga portalet më të lexuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Huffington Post, ka kaluar në pronësi të grupit mediatik America Online (AOL).
Krijuesja e këtij portali, Arianna Huffington, do të jetë përgjegjëse në të ardhmen për të gjitha editorialet e grupit mediatik AOL. Për të marrë pronësinë e Huffington Post, AOL ka paguar plot 315 milionë dollarë.

Në grupin mediat të AOL-it përfshihen portale të njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si MapQuest, MovieFone, TechCrunch, apo Engadget, të cilëve iu bashkëngjitet edhe Huffington Post për të qenë sa më gjithëpërfshirës.

Krijuesja e Huffington Post, Arianna, është një nga femrat më të njohura në ekranet amerikane, si prezantuese televizive dhe si shkrimtare. Në vitin 2005 ajo hapi një blog personal dhe më vonë shpenzoi një milion dollarë për të përfshirë në të emra të njohur të penës amerikane.

Në ditët e sotme, ky portal ka mesatarisht rreth 25 milionë vizitorë cdo muaj, dhe më shumë se 100 analistë aktivë. Veç lajmeve të bollshme dhe analizave të shumta, ky portal ka të ardhura të mëdha nga reklamat. Për vitin 2010, Huffington Post ka arritur të përfitojë rreth 61 milionë dollarë nga reklamat. /R. Dunga - Start/
http://www.huffingtonpost.com/

Sunday, February 6, 2011

Garda: Nuk ka server-memorie për komunikimet.

Garda: Nuk ka server-memorie për komunikimet. Prokuroria: Është fshehur. Server të tillë ka patur që në 1997-n

TIRANË- Garda e Republikës “refuzon” të japë serverin e qendrës operative të ndërlidhjes së grupit hetimor të 21 janarit, madje pretendon që ky server nuk ekziston! Serveri në fjalë përmban të gjithë urdhrat e dhënë në 21 janar, nga të cilat do zbuloheshin përgjegjësitë konkrete për vrasjen e 4 protestuesve dhe plagosjen e 6 të tjerëve nga Garda e Republikës

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Madje Garda e ka mohuar fare që qendra operative e ndërlidhjes që ndodhet në bazën e Gardës së Republikës të ketë server që ruan komunikimet me radio-lidhje, gjë kjo, praktikisht e pamundur.

“Që mbrëmjen e datës 21 janar është kërkuar nga drejtuesit e Gardës së Republikës (akoma pa lëshuar urdhër-ndalimet ndaj tyre) që të vënë në dispozicion të hetuesve të prokurorisë serverin qendror të ndërlidhjes që përdorin efektivët e Gardës. Kemi marrë përgjigje nga Komandanti i Gardës gjeneral Ndrea Prendi se qendra operative nuk ka server të memories”,- thuhet nga burimet e organit qendror të akuzës, të cilët ngrenë dyshime për këtë përgjigje të komandantit Prendi, ligjërisht person në kërkim.
Realisht nuk ka mundësi që Garda e Republikës të mos ketë teknologjinë e re të komunikimit. “Që nga ajo ditë, kur u mohua nga Garda, se qendra operative e ndërlidhjes nuk ka server, kemi ngritur dyshime për mos-bashkëpunimin me prokurorinë të drejtuesve të Gardës. Ata nuk dëshirojnë të identifikojnë urdhër-dhënësit dhe/ose personat e dyshuar në mesin e gardistëve të cilët kanë qëlluar drejt turmës me armë zjarri dhe fishekë luftarakë”-thuhet nga burimet e akuzës.

Sipas tyre, serveri qendror që ruan komunikimet, identifikon personin që ka urdhëruar gardistët të qëllojnë me armë zjarri në ajër apo edhe në drejtim të turmës. Hierarkia e Gardës përcakton mbi Komandantin e Gardës vetëm 2 zyrtarë të lartë, ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin e vendit.

“Mos dorëzimi i këtij serveri qendror të sallës operative të ndërlidhjes, ka vështirësuar punën e hetuesve”-thuhet nga burimet. Hetuesit dyshojnë se serveri është fshehur. Është paradoksal fakti që qysh në vitin 1997 salla operative e ndërlidhjes kishte server qendror, ndërsa në vitin 2011 Garda e Republikës thotë që nuk e disponon një të tillë.
Po këto burime saktësuan se një gjë të tillë është mohuar edhe nga Policia e Shtetit, të cilët po të njëjtën përgjigje i kanë dhënë hetuesve të çështjes, kur kanë kërkuar sekuestrimin e serverit qendror të sallës operative të komunikimeve me radio-lidhjeje.
“Edhe në polici është kërkuar serveri qendror për të verifikuar dhe kontrolluar urdhrat që janë dhënë nga eprorët në radio-lidhje për forcat e policisë, të cilët përveç hedhjes së gazit lotsjellës e plumbave të gomës drejt turmës, kanë goditur e ushtruar dhunë edhe mbi gazetarë që po raportonin për situatën dhe kalimtarë të rastit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë kryeministrisë’- thuhet nga organi qendror i akuzës. Sekuestrimi i këtyre serverëve qendrorë do të ndihmonte hetuesit për komunikimet që janë kryer ditën e demonstratës mes urdhër-dhënësve dhe urdhër-zbatuesve në terren

Saturday, February 5, 2011

Fahri Balliu interviste

Arvizu: Qeveritë ndryshohen me zgjedhje jo protesta (VIDEO…)


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se përfaqësuesit e zgjedhur dhe qeveritë nuk ndryshohen me protesta në rrugë, por përmes procesit elektoral. Duke shprehur mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë, zoti Arvizu thotë se sistemi politik i Shqipërisë duhet të funksionojë në përputhje me statusin e saj si një vend i Natos, ku një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura.

Zëri i Amerikës: Ju keni ardhur ditët e fundit nga Shqipëria, ku jeni përfshirë intensivisht në procesin për të qetësuar gjendjen. Cili është vlerësimi juaj për Shqipërinë?

Ambasador Arvizu: Ka rreth një javë që jam këtu në Ushington. U ndjeva i lehtësuar kur dëgjova se demonstratat sot në Tiranë, Korçë, Vlorë e Lezhë përfunduan në paqe. Ky është një zhvillim pozitiv. Do të uroja të kishim mundësi të thonim të njejtën gjë edhe për atë që ndodhi më 21 janar. Pa dyshim që situata mund të ishte më e mirë. Dua të ndalem në dy çështje si fillim. Dhe faleminderit që më jepni këtë mundësi.

Së pari, kam dëgjuar jo pa shqetësim, argumentet e disave se Shqipëria nuk është gati për demokraci, ose se institucionet demokratike nuk ekzistojnë. Nuk jam aspak dakord me këtë. Fakti është se ka institucione demokratike. Atyre u duhet dhënë hapësirë që të punojnë. Ne kemi qënë shumë të angazhuar e të përfshirë në këtë drejtim, në mënyrë që të krijojmë një hapësirë më të madhe politike. Shikoni shtypin në Shqipëri, që mund të shërbejë si një matës i mirë i faktit që demokracia po funksionon. Tri prej katër gazetave ditore me qarkullimin më të madh, "Gazeta Shqiptare", "Shekulli" dhe "Shqip", janë pro opozitës, ose anojnë nga opozita. Në televizion, stacioni më i madh privat, më popullori, Top Channel, anon nga opozita. Nuk po them se kjo garanton që demokracia po funksion me të gjithë cilindrat, por për mua, ky është një tregues që fara është atje, që elementët janë atje. Dua të theksoj që Shqipëria nuk është një shtet i dështuar, është një demokraci funksionuese, që po gjen rrugën e saj dhe që ka nevojë për kohë.

Çështja e dytë që dua të shtroj ka të bëjë me rolin e Shteteve të Bashkuara. Çfarë roli kanë Shtetet e Bashkuara në Shqipëri?

Kam dëgjuar që thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin mes stabilitetit dhe demokracisë. Dua të ndalem shkurtimisht tek kjo, se e di që nuk kemi shumë kohë. Kur mendoj ato që po bëjmë ne në Shqipëri, vetëm për këtë vit fiskal ne do të shpenzojmë 20 milionë dollarë për programe të ndryshme që synojnë të nxisin respektin për institucionet, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve.

Ne po ndihmojmë në përmirësimin e qeverisjes në administratat lokale, po ndihmojmë për biznesin e vogël, po shpenzojmë miliona dollarë për shkatërrimin e municioneve të vjetra, që aksidente si Gërdeci mos të ndodhin më.

Në Shqipëri kemi rreth 70 vullnetarë të korpusit të paqes, të shpërndarë në të gjithë vendin. Shumica janë të rinj idealistë amerikanë, ndonëse një është një grua 70 vjeçare që punon në Shkodër. Po ashtu, kemi mijëra amerikanë që vijnë në Shqipëri dhe mijëra shqiptarë që vijnë në Amerikë për të jetuar.

Ne sot po mbështesim për shembull Prokuroren e Përgjithshme dhe përpjekjet e saj për të hetuar në mënyrë të pavarur rrethanat për incidentet e 21 janarit. Që ky hetim të jetë i besueshëm, shtrirja e tij duhet të jetë e gjithanshme dhe siç e dini, ne e kemi shprehur qartë mbështetjen tonë për të. Kur e shoh gjithë këtë gamë aktivitetesh u them të tjerëve: më thoni, a nuk janë Shtetet e Bashkuara në anën e demokracisë në Shqipëri?

Zëri i Amerikës: Le të qëndrojmë këtu, në rolin e Shteteve të Bashkuara. Ka zëra, për shkak të angazhimit tuaj, ka një perceptim, që ju mbështesni qeverinë demokratike të kryeminsitrit Sali Berisha. Cili është reagimi juaj?

Ambasador Arvizu: Kur fola me Prokuroren e Përgjithshme dhe shkëmbyem mendimet për situatën dhe ajo më propozoi të bashkëpunonim dhe siç e dini ne kemi sot jo vetëm FBI-në, që po ndihmon në anën kriminalistike, por po ndihmojmë edhe me prokurorë për hetimet. Për mua kjo tregon se ne nuk mbajmë anë. Ne nuk mbajmë as anën e qeverisë dhe as të opozitës.

Po përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për Shqipërinë. Po japim ndihmesë për institucionet e pavarura, siç është zyra e Prokurores së Përgjithshme. Ne po shpenzojmë fonde të qeverisë amerikane për të ndihmuar me hetimet, pasi për mua, hetimet janë jetike për të sqaruar shumë çështje dhe shqetësime. Ne nuk po mbajmë anë.

Zëri i Amerikës: Ju thatë që Shqipëria nuk është një shtet i dështuar, por ajo mund të konsiderohet se është në mes të një krize politike. Ngjarjet e fundit kanë nxjerrë në pah përplasjen e institucioneve. Zyra e Kryeministrit ka kritikuar zyrën e Presidentit, të Prokurores së Përgjithshme, të shërbimeve të zbulimit. A jeni i shqetësuar nga kjo mungesë komunikimi, nga kjo mungesë bashkëpunimi mes institucioneve të pavarura?

Ambasador Arvizu: Po, jam shumë i shqetësuar, pasi në çdo demokraci, që ajo të funksionojë dhe të jetë e efektshme, duhet të ekzistojë sistemi i kontrollit dhe balancës. Ky është thelbi i sistemit në Amerikë dhe i shumë demokracive në Evropë, i Bashkimit Evropian, pjesë e së cilës dëshiron të bëhet Shqipëria. Shqipëria është vend i Natos dhe sistemi politik në Shqipëri duhet të funksionojë dhe veprojë në përputhje me këtë status. Një tregues kryesor është roli i institucioneve të pavarura. Por, dua të theksoj po ashtu se u takon njerëzve që janë në krye të këtyre institucioneve, si Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i ShISh-it, apo edhe zyra e Presidentit, u takon këtyre që t’i realizojnë funksionet e këtyre zyrave në një mënyrë të tillë, që të zgjidhin shqetësimet shtetërore, pra duhet të ketë integritet në kryerjen e funksioneve të këtyre institucioneve.

Disa here ato mund të jenë në konflikt me qeverinë, disa here me opozitën. Kjo është normale. Në çdo sistem politik ka tërheqje dhe lëshime. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen tonë për këto institucione. Unë e kam bërë këtë shumë të qartë në takimet e mia me kryeministrin Sali Berisha. Ai e ka të qartë dhe e kupton shumë mirë qëndrimin tim dhe të qeverisë amerikane në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për komisionin që u krijua së fundi nga parlamenti për të hetuar ngjarjet, dhunën e 21 janarit?

Ambasador Arvizu: Në çdo demokraci një parlament i efektshëm, është një nga shtyllat e shtetit. Në Shtetet e Bashkuara ka shumë sisteme, shumë mekanizma përmes së cilave Kongresi mund të kryejë hetime. Për fat të keq ky komision parlamentar mbizotërohet nga demokratët, pasi socialistët e kanë bojkotuar. Komisionet kanë një rol në demokraci. Por përsa i takon qëndrimit tonë, hetimet e vërteta, ato për të cilat ne po ndihmojmë, janë ato që po kryhen nga Prokurorja e Përgjithshme. Ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me të. Vura re se para disa ditësh, asaj iu kërkua të dilte para komisionit parlamentar. Ajo doli, po nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve. Unë e mirëprita faktin që ajo doli para komisionit. Kjo tregon se ajo respekton të drejtën e parlamentit si institucion, që ta thërrasë atë si një zyrtare shteti. Po ashtu, ajo përdori edhe të drejtën e saj për të mos iu përgjigjur pyetjeve, pasi në fakt ajo vetë është duke kryer hetime. Për mua ky është një tregues i një demokracie në veprim.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri shumica përmend shpesh fjalën grusht shteti për 21 janarin. Cili është mendimi juaj? A mund të flitet për grusht shteti në Shqipëri?

Ambasador Arvizu: Kjo është një akuzë shumë serioze dhe duhet të mbështetet me fakte. Në se ka të dhëna, atëhere qeveria duhet ta paraqesë këtë rast. Është një akuzë shumë serioze.

Zëri i Amerikës: Ka zëra, se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të majit. Si do të ndikojë kjo për klimën politike në Shqipëri?

Ambasador Arvizu: Ka ende kohë deri më 8 maj. Mendoj se do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq, në se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin. Dhe do të ishte po aq keq nëse opozita, ose ndonjë parti tjetër, do të vendoste të mos merrte pjesë.

Demokracitë funksionojnë vetëm kur ka zgjedhje të besueshme. Kjo është mënyra si ndryshohen përfaqësuesit e zgjedhur, si ndryshohen qeveritë. Ato nuk ndryshohen me protesta në rrugë, apo me demonstrata. Ato ndryshohen përmes procesit elektoral. Dhe në Shqipëri ky sistem ekziston. Me sa di unë, nga dhjetë qarqet e mëdha në Shqipëri, socialistët kontrollojnë nëntë prej tyre, përfshirë Tiranën. Përjashtim bën vetëm Shkodra në veri. Socialistët kanë një barrë të rëndë për të mbrojtur këto vende. Jam i sigurt se anëtarët e Partisë Socialiste, që janë të zgjedhur për këto vende, ndoshta e shohin në interesin e tyre të bëjnë fushatë dhe të rizgjidhen. Nuk ka shumë kohë. Uroj që partitë nuk do t’i mbyllin rrugët për zhvillimin e zgjedhjeve.

Në Tiranë shkoi para rreth dy javësh një mision vlerësues i ODIHR-it, dhe sipas tyre, mekanizmat për zhvillimin e zgjedhjeve ekzistojnë. Tani ndoshta është tepër vonë për t’i bërë ndryshime sistemit zgjedhor për më 8 maj. Të gjitha partitë kanë shkelur disa afate, siç është ajo e regjistrimit të kandidatëve. Nuk është mirë, por ka ende kohë, ndonëse jo shumë.

Zëri i Amerikës: Ju keni bërë thirrje për dialog. Mendoni se ende ka hapësirë për bisedime? Çfarë mund t’i bashkojë ata tani. Sepse pozicionet e tyre janë shumë larg...

Ambasador Arvizu: Unë shkova në Shqipëri më 2 dhjetor dhe arrita në një kohë kur opozita nuk merrte pjesë në parlament. Pra në atë kohë, hendeku ishte mjaft i madh, por kur e shikoj sot, ai është shumë më i madh dhe gjendja është më e tensionuar. Nuk ka arsye për ta fshehur, kjo gjendje është mjaft serioze. Unë kam komentuar publikisht për të shpjeguar se si unë e kuptoj kompromisin. Por mendoj se duhet një përpjekje më e madhe, që njerëzit të dalin nga vetvetja dhe të dëgjojnë.

Dëshiroj t’ju tregoj një histori shumë të shkurtër. Më 29 janar, një ditë pas demonstratës, në mëngjes herët po shkoja në ambasadë dhe i thashë shoferit nëse mund të kalonim me makinë nëpër bulevard. Isha vetëm me shoferin dhe me disa shqiptarë të tjetër që rrinë gjithmonë me mua për sigurinë time personale. Dolëm nga makina dhe filluam të ecim. Bulevardi ishte thuajse i zbrazët. Pashë një karafil të kuq që kishte mbetur aty nga një ditë më parë. E mora dhe vendosa ta mbaj. Kur po përkulesha për ta marrë, aty po vinin tre shqiptarë të moshuar. Megjithëse nuk flas shqip, e kuptova atë që më tha një grua mes tyre. “Mos jeni ambasadori amerikan”? pyeti ajo. “Po”, iu përgjigja. Ajo kapi dorën time dhe nisi të qajë. Ishte shumë e trishtuar. Pastaj më tha disa fjalë që mi përktheu ndihmësi im shqiptar. Deri tani nuk ia kam treguar këtë histori askujt tjetër, as njerëzve në zyrën time. Me pak fjalë ajo tha: “Ju duhet të na ndihmoni”. E përfytyroni dot sa të fuqishme ishin ato fjalë që shqiptoheshin nga një grua e moshuar shqiptare? Ajo tha edhe disa gjëra të tjera, kishte mendimet e saja politike, por kjo ishte mes asaj dhe meje, askush tjetër nuk ka përse ta dijë. “Të falenderoj që ma the këtë”, iu përgjigja unë. I thashë se “premtimi im për ty është se çdo ditë që do të jem në Shqipëri, do të punoj për të forcuar miqësinë mes dy vendeve tona dhe popujve tanë. Unë nuk jam veçse një ambasador amerikan, por do të punoj që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë për qytetarët e saj. Prandaj, kam vendosur që kur të kthehem në Shqipëri, të udhëtoj më shumë nëpër vend. Natyrisht kjo ka qenë gjithnjë në planet e mija, por unë dua të udhëtoj për të dëgjuar më shumë atë që mendojnë qytetarët.

Rekomandimi im i sinqertë, si për qeverinë, për partinë në fuqi, ashtu edhe për opozitën është ky: Nuk ka gjë të keqe të bëjmë demonstrata, sa kohë që ato janë paqësore. Por në vend që të bëjmë demonstrata të premteve, mendoj se të dy palët mund të organizojnë ditën kombëtare të dëgjimit të opinioneve. Pra, le të mos kemi konferenca shtypi nga Kryeministri, as intervista dy orëshe nga Edi Rama në News 24, as deklarata nga zoti Patozi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe as reagime nga Spartak Ngjela. Me fjalë të tjera, le të mos kemi komente për shtypin. Por le të shkojnë ata në terren, jo në bazën e tyre zgjedhore, por diku tjetër dhe të dëgjojnë atë që mendojnë njerëzit. Mendoj se ia vlen të provohet.

Zëri i Amerikës: Në këtë situatë mjaft të tensionuar çfarë mund të bëhet tjetër veç thirrjeve për të ulur retorikën mes dy udhëheqësve?

Ambasador Arvizu: Mendoj se kjo është një pyetje që vetë udhëheqësit duhet t’i përgjigjen nga brenda vetes së tyre Ju patjetër që e dini pikëpamjen time dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilën ne e kemi shprehur qartë. Besoj se edhe pozicioni i Bashkimit Evropian dhe secilit vend të tij të veçantë ka qenë shumë i qartë, po ashtu edhe i OSBE-së dhe i miqve të Shqipërisë në botë. Ne mund të flasim pa fund, deri sa të na ngjiret zëri dhe të themi të drejtën, zëri na është ngjirur. Por është e nevojshme që të dale diçka nga brenda, duhet një anagazhim i njerëzve si Sali Berisha, si Edi Rama dhe mbështetësve të tyre, pra duhet vullnetin e tyre për të gjetur rrugëdaljen. Por kjo duhet të vijë prej tyre.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk do të ë ndërmjetësojnë dhe t’i ndihmojnë ata për të zgjidhur problemin?

Ambasador Arvizu: Shqiptarët duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Ne mbështesim pa lëkundje institucionet e tyre.

Zëri i Amerikës: Por a do të dërgoni ju ndërmjetësues atje?

Ambasador Arvizu: Ne i kemi provuar të gjitha për të lehtësuar dialogun. Nuk e di nëse mund të jemi më të qartë se kaq. Nuk e kuptoj se përse zgjedhjet vendore të majit të mos jenë një farë referendumi kombëtar. Kemi dy kampe kundërshtare të kundërta me pikëpamje mjaft të kundërta. Lajmi i mirë është se ndryshe nga vendet e tjera të botës, këtu nuk kemi të bëjmë me dy ideologji të kundërta lidhur me drejtimin e ardhshëm të vendit. Asnjë njeri serioz në Shqipëri nuk është për ndonjë drejtim tjetër veçse për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim, për vazhdimin e lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Pra, nuk ekzistojnë ndarje serioze sektare në Shqipëri. Kemi të bëjmë thjesht me politika personale.

Zëri i Amerikës: Vërtet që atje nuk ka ideologji të kundërta por ka interesa të kundërta ekonomike dhe prandaj lufta është kaq e ashpër...

Ambasador Arvizu: Absolutisht e vërtetë, por kjo është pjesë e demokracive të hapura. Shpërblime politike ka edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, prandaj edhe këtu ka një hendek të gjerë mes partive.

Zëri i Amerikës: E kam fjalën më tepër për korrupsionin, për shpërblimet e pamerituara që marrin njerëzit kur vijnë në pushtet...

Ambasador Arvizu: Jam i kënaqur që e ngritët këtë çështje sepse dëshiroj ta bëj tepër të qartë mendimin tim. Korrupsioni është një problem tepër, tepër serioz në Shqipëri. Ai ka një efekt gërryes mbi shoqërinë dhe mbi rritjen ekonomike. Shqetësimi im më i madh është tek rinia në Shqipëri. Unë nuk kam shumë kohë në Shqipëri, por nga disa biseda që kam patur me të rinjtë jam dekurajuar sepse ndjej një farë cinizmi në rritje mes tyre, në kuptimin që njerëzit e kuptojnë korrupsionin si mënyrë jetese në Shqipëri. Kjo është shumë e rrezikshme. Të gjithë shqiptarët, pavarësisht nëse janë në qeveri apo në opozitë, duhet ta marrin këtë shumë seriozisht.

Edhe diçka tjetër që desha të përmend: korrupsioni është një problem i shqiptarëve dhe jo “i qeverisë shqiptare”. Është një problem i përhapur në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, çdo qeveri në fuqi, qoftë Partia Demokratike apo socialistët, pra çdo administratë, ka një detyrim për të masa kundër korrupsionit. Shqetësimi im është asnjëra palë nuk po bën sa duhet. Qeveria duhet të bëjë më shumë. Ajo duhet ta bëjë të qartë pa mëdyshje se kjo do të jetë një luftë e gjatë por se ajo është angazhuar të marrë masa për ta çrrënjosur korrupsionin.

Nga ana e saj edhe opozita duhet të japë mbështetjen e saj për këto përpjekje duke marrë pjesë në forume parlamentare dhe diskutime të tjera. Nëse dëshiron të bojkotosh thjesht për qëllime politike, ky është vendim i tyre, por kur merr një vendim për të bojkotuar dhe nuk merr pjesë në jetën aktive politike të vendit, kjo ka pasoja të menjëhershme mbi aftësinë e organeve shtetërore për të luftuar korrupsionin. Të dyja palët flasin për korrupsionin, por ato duhet të bëjnë më shumë për ta luftuar atë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Shqipëria ka arritur një pikë në të cilën lufta e ashpër mes palëve po dëmton qeverisjen e vendit dhe ku zgjedhjet e parakohshme mund të shihen si mënyrë për të dalë nga kjo gjendje, që qeveria të marrë një mandat të ri?

Ambasador Arvizu: Çdo demokraci funksionale ka mekanizma kushtetuese për ndryshimet në qeverisje. Kjo është mënyra e vetme me të cilat mund të lulëzojnë demokracitë. Sot në Shqipëri, ekziston një sistem dhe sistemi parashikon zgjedhje vendore në muajin maj si dhe zgjedhje parlamentare në vitin 2013. Mjedisi është shumë i vështirë, për shkak të mosmarrëveshjeve nga zgjedhjet e mëparshme. Partitë është e nevojshme të gjejnë një mënyrë për të punuar brenda sistemit.

Kam parë disa propozime që kërkojnë zgjedhje të reja, qeveri të përkohshme, dorëheqjen e kryeministrit, vëzhgues të OKB-së। Më vjen keq, por Shqipëria nuk është protektorat i Kombeve të Bashkuara. Dhe këtu kthehem tek ajo që thashë në fillim se Shqipëria nuk është një shtet i dështuar. Ajo është një demokraci funksionale, por që ka disa probleme dhe të meta përsa i përket zbatimit të ligjit. Unë flas në emër të Shteteve të Bashkuara, por besoj edhe komuniteti ndërkombëtar do të japë mbështetje të plotë për të garantuar se zgjedhjet e tjera, ato në maj të këtij viti dhe zgjedhjet parlamentare në vitin 2013, do të jenë më të mira se ato të zhvilluara në qershor 2009. Kështu duhet të funksionojnë gjërat.

“Nata e 21 dhjetorit ‘90, kur hoqëm monumentin e Stalinit në Tiranë”


Ky detaj pak i njohur, për Ramiz Fiçorrin, ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, që ka drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vlerën e një simbolike të veçantë për dashurinë dhe divorcin historik me epokën “Stalin”. Sidoqoftë, ish-shtatmadhori i ushtrisë, që ka kryer për shumë vite detyrën e drejtorit të xhenios të Forcave të Armatosura, e lë me kaq qasjen politike për t’iu kthyer kronikës së ngjarjes së 21 dhjetorit ‘90. “Prania ime aty,- shprehet Ficcorri,- më së shumti kishte

lidhje me funksionin si komandant i regjimentit të Mbrojtjes Civile, përvoja dhe mjetet e të cilit ishin paracaktuar për të çmontuar monumentin e Stalinit nga piedestali në bulevardin e Tiranës”. Ai kujton se heqja pa bujë e tij ishte një zgjidhje oportune e iniciuar nga krerët e lartë, për të shmangur protestat popullore që kishin përfshirë vendin pas ngjarjve të 2 korrikut. Më shumë se dinamika e veprimeve në të ftohtin e acartë, për të ka rëndësi fakti që Tirana u zgjua mëngjesin e 21 dhjetorit ’90, ditën e përvjetorit të lindjes së diktatorit sovjetik, pa bustet dhe imazhin e tij. Po atë natë, sipas Fiçorrit, bashkë me monumentin në bulevard, u hoq edhe Stalini në qendër të Kombinatit të Tekstileve, si dhe bustet e tjera në mjediset publike të kryeqytetit...
Zoti Ramiz! Në një dokument të vitit ‘90 rezulton se bashkë me ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti, keni drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Në çfarë rrethanash u angazhuat me këtë detyrë?
Më kanë pyetur edhe herë tjetër për këtë histori, por kam hezituar të flas. Nuk e kam parë të arsyeshme të bëj protagonistin, kur nuk kam qenë i tillë. Ajo ishte një ngjarje e bujshme në aspektin politik, por nuk ka lidhje fare me mua. Prania ime aty ka qenë më së shumti një çështje teknike, që kishte të bënte me zbatimin e një urdhri dhe vetëm kaq. Diçka e lidhur me funksionin, me detyrën zyrtare, që në një farë mënyre më bëri dëshmitar të këtij momenti historik. Në këtë vështrim, nuk kam pse të marr pozat e heroit që hoqi monumentin e Stalinit nga bulevardi i Tiranës. Roli im ka qenë tërësisht sporadik…
Çfarë keni parasysh kur thoni se dëshmitarë të ngjarjes ju bëri funksioni që kryenit…
Në atë kohë kryeja detyrën e komandantit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Republikës. Ishte kjo një nga njësitë elitare të Ushtrisë, e krijuar rishtas dhe e kompletuar me kapacitete të shumta teknike, si fadroma, borëpastruese, vinça, etj. Me sa duket, këto resurse u bënë shkaku i angazhimit tonë në këtë operacion. Kishte ndodhur edhe herë të tjera që reparti ynë të zgjidhte detyra të karakterit civil në shërbim të komunitetit. Në këtë kuptim, funksioni si titullar i tij më bëri dëshmitar në këtë ngjarje të bujshme…
Kush ishte zyrtari që u komunikoi detyrën për të çmontuar monumentin e Stalinit natën e 21 dhjetorit ‘90?
Viti ‘90 filloi e mbaroi si viti i lëvizjeve të mëdha. Përmbysjet në Europën Lindore po jepnin ndikimet e veta edhe tek ne. Qysh në janar pati trazira në Shkodër. U fol madje se kishte organizime të fshehta për të hedhur bustin e Stalinit. Në mars pati një përpjekje tjetër në Tiranë, por aventura për të shpërthyer me eksploziv monumentin e Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbeti në tentativë. Vërshimi drejt busteve e monumenteve, sidomos i rinisë, u bë dukuri e ditës. Shteti, i zënë në befasi, nxori një dekret për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Ishte kjo një masë shtrënguese që jo vetëm nuk pati efekt, por e bëri situatën më kritike. Presioni në rritje, me sa duket, detyroi lidershipin, për të gjetur një mënyrë oportune për heqjen e busteve e monumenteve. Logjika e kësaj sjelljeje parakuptonte zbrazjen pa bujë të piedestaleve dhe shmangien e përplasjeve. Pikërisht në këtë kontekst, u gjenda në grupin që ishte caktuar për të hequr monumentin e Stalinit. Prania ime aty, me sa duket, lidhej me përvojën dhe mjetet që posedonte reparti që drejtoja. Më lajmëruan dhe shkova. Aty pastaj diskutuam teknikisht për mënyrën e realizimit të detyrës…
Pra, nuk ishte një veprim spontan, por një operacion i organizuar që drejtohej nga një grup i caktuar…
Fjala operacion në këtë rast nuk mendoj se është me vend. Për mua ishte një detyrë e zakonshme, me praninë e pak specialistëve dhe mjeteve, që zgjati vetëm pak orë…
Fakti që u ngarkua Ministria e Mbrojtjes me heqjen e monumentit të Stalinit, lidhej me shkallën e besueshmërisë, apo kishte të bënte me diçka tjetër…
Me tërësinë e procedurave dhe angazhimeve për heqjen e busteve dhe monumenteve të Stalinit në Tiranë me sa më kujtohet merrej Ministria e Ndërtimit, të paktën për sa isha unë në dijeni. Ministria e Mbrojtjes si institucion nuk pati asnjë urdhër dhe detyrim zyrtar…
Qytetarët e Tiranës mbajnë mend se gjithçka është parapërgatitur jashtë vëmendjes së opinionit. Ku zhvilloheshin takimet për organizimin e veprimeve për heqjen e busteve të Stalinit?
Nuk e di si lindi ideja për të hequr në këtë mënyrë monumentet e Stalinit, ndërkohë që nuk ishte shfuqizuar ligji për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Për herë të parë jam njohur me këtë detyrë nga Ismail Ahmati, ish-ministri i Ndërtimit, në një takim në zyrën e tij. Aty kemi biseduar për aspektin teknik të procesit, për llojet e mjeteve dhe specialistëve që do angazhonim. Me sa më kujtohet, ka qenë edhe Farudin Hoxha. Pas një konsulte të gjerë, detajuam detyrat, masat organizative dhe vendosëm për orën kur do fillonim nga veprimet në bulevard. Aty për aty kuptova se bëhej fjalë për një vendim zyrtar të marrë më herët. Ne në rastin konkret, ishim thjesht zbatuesit. Së paku, kështu e preceptova në ato çaste…
Sa kohë pas kësaj konsulte filluan veprimet në bulevard?
Veprimet në terren, siç i themi ne ushtarakët, filluan në mbrëmjen e asaj dite dhe zgjatën 3-4 orë. Gjatë tërë kohës binte borë. Me borë e ngricë me sa duket ia kishte rezervuar Tirana lamtumirën Stalinit. Krejt ndryshe kishte ndodhur kur erdhi rishtaz në Shqipëri. Në nëntorin e vitit 1951, kur u ngrit për herë të parë monumenti i tij te sheshi “Skënderbej”, mbaj mend se kishte diell. Një diell i ngrohtë madje që vinte pas disa ditëve me shi të rrëmbyshëm...
Si u procedua për heqjen e monumentit?
Në fillim afruam te monumenti i Stalint një fadromë, por prova me të nuk na dha rezultat. Pastaj i hodhëm ganxhat e vinçit për ta tërhequr, por përsëri patëm vështirësi. Ishte një bllok monolit shumë i fuqishëm. Pas përpjekjeve të para shkëputëm pjesën e sipërme të trupit të Stalinit. Pjesa tjetër ishte e pamundur të lëvizte. Na u deshën orë të tëra deri sa e shkërmoqëm pak nga pak. Më në fund mbeti piedestali. Provuam ta shtyjmë me ruspë, nuk ia dolëm. Menduam ta shkatërrojmë me goditje, por nuk e realizuam deri në fund. Përfundimisht nuk e denatyruam plotësisht. Pjesa më e madhe e tij mbeti në bulevard. Ndryshe na ndodhi me monumentin e Leninit. Sa i hodhëm litarët, ra përtokë menjëherë, thua se na priste ne për t’u ulur. Kaq ishte e gjitha…
A kishte njerëz në bulevard atë natë?
Në fakt, mendonim se njerëzit do ishin të paktë, duke pasur parasysh të ftohtin e acartë dhe orën e vonë, por nuk ishte kështu. Me mbërritjen e mjeteve të rënda te monumenti, qytetarët u shfaqën menjëherë si t’i kishte lajmëruar dikush. Bashkë me ta dhe një grup i madh me gazetarë të huaj. Natyrisht, e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. Sakaq, nuk mund t’i pengonim të fotografonin. Prania e tyre ishte diçka tunduese, por errësira dhe moti i keq, sikur na doli në krahë. I vetmi që takova atë natë ishte një gazetar francez, i cili mu lut për të marrë një pjesë nga pëllëmba e dorës së Stalinit, e rrëzuar përtokë. “A mund ta marrësh të gjithë?”, i thashë, për t’i rënë shkurt me të.
Po atë natë u hoq edhe monumenti i Stalinit para Kombinatit të Tekstileve?
Tirana u pastrua atë natë një herë e mirë nga monumentet dhe bustet e Stalinit. Mbaj mend që në rastin e monumentit të kombinatit, na u desh të ndërronim viccierin, pasi ai që manovroi në bulevard u sëmurë dhe e ccuam në shtëpi. Me sa më kujtohet, pak kohë më vonë ndërroi jetë në një moshë të re. Mëngjezi i të nesërmes që përkonte me ditlindjen e Stalinit, Tiranën e gjeti pa bustet dhe imazhin e tij...

Zyrtarisht pa Stalinin

Mënyra si u hoq mbrëmjen e 21 dhjetorit 1990, monumenti i Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zyrtarisht nuk u sqarua asnjëherë. Në mjedise të ndryshme qarkullonin zëra se Ramiz Alia kishte ndëshkuar për këtë ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti. Sidoqoftë, fill pas kësaj ngjarjeje, u bë e njohur se Këshilli i Ministrave, me propozimin e Byrosë Politike, institucionalizoi zyrtarisht heqjen e busteve të diktatorit sovjetik nga mjediset publike dhe emërtesat e tjera nga rrugët, sheshet dhe institucionet shtetërore me një vendim të veçantë.

Dekreti me një rrjesht

“Qyteti “Stalin” të emërohet me emrin e mëparshëm, Kuçovë.” Ky vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me numër 349, i përket datës 5 janar 1991 dhe mban firmën e Ramiz Alisë e Sihat Tozës. Me përjashtim të pjesës hyrëse me rrethanat kushtëzuese të aktit ku renditet kërkesa e Këshillit të qytetit “Stalin”, mendimi i banorëve, neni 78 i Kushtetutës, propozimi i Këshillit të Ministrave për ndryshim e emërtimit dhe dispozitës fundore “ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, dekreti nuk përmban asnjë fjalë tjetër. Ndoshta mund të jetë ky më i shkurtri në tërë historinë e institucionit. Sidoqoftë, mbetet akti i fundit i ndarjes përfundimtare me Stalinin dhe mitin e tij.


Ndëshkimi: 50 vjet burg,tentuan të heqin Stalinin

Aventura e 10 djemve nga Shkodra, që tentuan të rrëzojnë bustin e diktatorit sovjetik, u kushtoi 50 vite burg. Ishte janari i vitit 1990…
Ngjarja
Në fakt, përpjekja e një grupi të rinjsh për të rrëzuar bustin e Stalinit në Shkodër, në mesin e janarit ‘90, është e para e këtij lloji. Nga mënyra si përshkruhet kjo në një dokument të Sigurimit të Shtetit, zbulohet kronika e plotë ngjarjes. Më 13 janar të vitit 1990, Dega e Punëve të Brendshme e qytetit verior, transmetonte për qendrën informacionin e siguruar në rrugë agjenturore. “Nesër do të bëhet demonstratë, do të dalin 200–300 vetë në piacë para bustit të Stalinit e do ta rrëzojnë me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të marrin pjesë në këtë demonstratë do të nisen në tre drejtime, lagja “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani. Aty do të flasë edhe një prift”. Sigurimi në kohë i këtyre të dhënave bëri të mundur arrestimin e organizatorëve, “persona vagabondë, ish-të dënuar, rrugaçë, prishës të rendit e të qetësisë, pijanecë e të sëmurë psikikë” dhe shmangu rrëzimin i bustit. “Nga ndjekja e problemit në rrugë operative, nga pohimet e të arrestuarve dhe të ndaluarve,- raportonte më tej Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës,- vërtetohet plotësisht se më datën 14 janar 1990, disa elementë armiq, qysh më parë, kishin biseduar dhe ishin organizuar të grumbulloheshin para bustit të Stalinit dhe që këtej të shkonin tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë e të kërkonin më shumë liri për shtypin e fjalën, ndërsa grupi jashtë të vepronte vetë, duke ngritur dorën me dy gishta tregues. Të frymëzuar edhe nga propaganda e jashtme, këta elementë armiq kanë biseduar vesh më vesh me njëri-tjetrin, duke marrë përsipër që të punojnë edhe me persona të tjerë të dënuar e vagabondë, që t’i bindnin për të dalë në qendër të qytetit”.
Dënimi
Për herë të parë, 10 të arrestuarit që tentuan të rrëzojnë bustin e Stalinit u përballën me gjykatësit e Shkodrës.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se “të pandehurit Dedë Kasneci dhe Rini Manajka janë takuar më 11 janar 1990, paradite, në qendër të qytetit dhe kanë biseduar për njoftimin e rremë të përhapur nga TANJUG-u dhe gazetat e Beogradit se gjoja në Shqipëri kishin shpërthyer trazirat dhe në Shkodër kishte patur revolta. Të frymëzuar nga këto lajme dhe nga konfirmimi që u bënte atyre agjencia italiane e lajmeve, e cila u referohej mjeteve të informimit jugosllav, të dy këta të pandehur kanë shpresuar që atë ditë të grumbulloheshin me të vërtetë vagabondë e njerëz me predispozita armiqësore në qendër të Shkodrës e të bënin presion para organeve të Partisë për të hequr dorë nga parimet e marksizëm-leninizmit në shembullin e ngjarjeve të fundit në Europën Lindore. Në periudhën nga data 11–14 janar, është intensifikuar veprimtaria armiqësore e fshehtë, duke hedhur fletushka e parulla armiqësore në qytet e në fshat, duke grisur veprat e shokut Enver Hoxha, si dhe duke vënë dinamit para Komitetit të Partisë, i cili nuk shpërtheu, pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit. Kësisoj, të dy këta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer krimin e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, çka vërtetohet me shpjegimet e tyre, me fletushkat provë-materiale, me aktin e ekspertimit grafik që vërteton se ato janë shkruar nga i pandehuri Aldo Previzi dhe me materialet e tjera të çështjes”. Më poshtë, vendimi i Gjykatës së Lartë shtjellon rrethanat e procedimit penal, ku veçon shkallën e lartë të rrezikshmërisë që paraqet sidomos krimi i diversionit dhe agjitacionit e propagandës kundër shtetit dhe rolin kryesor në këtë vepër kriminale të të pandehurve Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi e Rino Monajka. “Ndërkaq,- vijon dokumenti,- gjykata mban parasysh se të pandehurit Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Flamur Begu e Tonin Dema kanë qenë dënuar edhe më parë për vepra të ndryshme kriminale”. Në fund të këtij shqyrtimi, kolegji ka shpallur verdiktin e vet, duke dënuar me 50 vite burg 10 të pandehurit, ku bie në sy ndëshkimi me 12 vjet për Ded Kasnecin…
Reagimi
Ngjarja e 14 janarit 90 në qytetin e Shkodrës, sado e izoluar, bëri bujë edhe përtej qytetit verior. Pavarësisht ndëshkimit të rreptë të organizatorëve, për lidershipin e Tiranës tronditja ishte e jashtëzakonëshme. Vërshimi i rinisë drejt simboleve të komunizmit, nuk kërcënonte thjesht statujat, por vet regjimin. Pikërisht për këtë arsye presidenti komunist Ramiz Alia, menjëherë pas ngjarjes së Shkodrës, nxorri dekretin për ti ruajtur ato si objekte të rëndësisë së veccantë. Po strategjia nuk dha impaktet e pritshme dhe shpejt presioni në rritje i qytetarëve, zbrazi piedestalet nga statujat e komunizmit. Në rastin e Stalinit, autoritetet u detyruan ti ulin vet pa zhurmë. Ndërkohë që nuk ndodhi kështu me atë të Enverit në ems të Tiranës.

TË DËNUARIT

Dedë Kasneci
12 vjet burg.
Aldo Perrizi
4 vjet burg.
Flamur Begu
3 vjet burg.
Gjergj Livadhi
8 vjet burg.
Klaudio Daka
4 vjet burg.
Kolec Hublina
5 vjet burg.
Nikolin Margjini
3 vjet burg.
Nikolin Thana
5 muaj burg.
Rin Monajka
7 vjet burg.
Tonin Dema
8 muaj burg

AFRIM IMAJ


Kush ishin ish-ushtarakët që drejtuan sulmin e dhunshëm për marrjen e Kryeministrisë

Gjeneralët e Grushtit të Shtetit

Provohet se tentativa për grusht shteti e opozitës së drejtuar nga Edvin Kristaq Rama ka pasur në krye të shtabit disa prej ish-ushtarakëve, që kanë drejtuar për 4 vite me radhë forcat e rendit dhe ato të Gardës së Republikës. Nga të gjitha pamjet filmike të transmetuara nga mediat, në krye të turmave që tentuan të futen me dhunë në selinë e Kryeministrisë qëndronin persona me njohuri të mirë ushtarake. Gramoz Ruçi ish-ministri i Brendshëm dhe i Sigurimit të Shtetit, Arben Çuko ish-Komandant i Gardës së Republikës, Zyhdi Dajti ish-efektiv i gardës, si dhe Drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, Pjerin Ndreu ish-drejtor i Policisë së Tiranës, Paulin Sterkaj ish-drejtor i Policisë së Shkodrës. Përzgjedhja dhe vendosja e këtyre emrave nga radhët e ish-Forcave të Armatosura në krye të demonstruesve që përplaseshin me policinë dhe forcat e gardës, duke i qëlluar ata me mjete të dhunshme dhe zjarr, përmes bombave molotov, është një tjetër dëshmi se kemi pasur të bëjmë me një plan të pastër të grushtit të shtetit. Këta ushtarakë nuk qëndronin aty për të bërë paqe, por për të bërë luftën. Ata morën komandën e sulmit menjëherë sapo Rama u fsheh, duke soditur kthimin e bulevardit në shesh beteje. Ish-ushtarakët e vendosur në krye të sulmit ndaj Kryeministrisë kanë qenë edhe përgatitësit e grupeve, të cilët nisën menjëherë sulmin ndaj forcave të policisë, duke i qëlluar ata me mjete të forta. Megjithëse kanë kaluar dy javë nga tentativa për grusht shteti, Prokuroria ende nuk ka thërritur dhe nuk ka bërë padi ndaj ushtarakëve që drejtonin sulmin mbi Kryeministrinë. Prokuroria vazhdon të jetë palë dhe të marrë në mbrojtje autorët e grushtit të shtetit, duke mos i dhënë përgjigje pyetjeve që ngre cilido që ka parë sulmin ndaj efektivëve të policisë dhe gardës, se cili ishte roli i këtyre ushtarakëve në grushtin e shtetit, përse u vendosën ata në krye të sulmit mbi policinë dhe gardistët, si shpjegohet që ata ishin të parët që e shpërthyen derën e Kryeministrisë dhe u larguan andej vetëm pas kërcënimeve të drejtuesit të gardës. Disa nga këto emra janë përmendur edhe gjatë Komisionit Hetimor parlamentar, të cilët janë cilësuar si personat e vijës së parë të sulmit ndaj godinës së Kryeministrisë. I thirrur nga ky komision, Komandanti i Gardës së Republikës, Gjenerali Ndrea Prendi, u shpreh se, "sulmi ndaj Kryeministrisë ishte nga disa drejtime", një sulm i tillë nuk mund të bëhej nga njerëz jo profesionistë dhe të painformuar rreth situatave të tilla. Njëri nga këto emra, që drejtonin turmën që theu portën e hekurt të Kryeministrisë është edhe Arben Çuko, ish-Komandanti i Gardës së Republikës. "Goditja e objektit të Kryeministrisë ka qenë në disa drejtime, shkatërrimi ka qenë tek porta numër një, por rrezikshmëria ka qenë në shumë drejtime. Shkatërrimi i portës një dhe futja e njerëzve brenda apo goditja me mjet, i cili do të kishte qenë tragjik për forcat e gardës në atë pozicion, nëse mjeti do të avanconte dhe nuk do të ndalej nga ura antikarrocë. Në këtë moment nuk kisha shumë pamje dhe ishte e kufizuar, sepse kam qenë në pjesën e hyrjes kryesore të Këshillit të Ministrave. Por, në kohën e një pauze, nëse mund ta them kështu të sulmeve të vazhdueshme është futur në perimetrin e rrethimit ish-Komandanti i Gardës, Arben Çuko, brenda objektit. Është ndaluar nga forcat e gardës, jam vënë në dijeni, kam shkuar e kam takuar, i kam thënë, që urgjentisht të dalësh jashtë dhe ai ka zbatuar urdhrin", u shpreh Prendi gjatë dëshmisë së tij në komision. Gjithashtu edhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka shprehur shqetësimin e tij për pjesëmarrjen në demonstratën e dhunshme para Kryeministrisë së Zyhdi Dajtit, drejtor i Policisë Bashkiake në kryeqytet, një ish-efektiv i gardës. Pjesëmarrja e Dajtit, si dhe disa prej drejtorëve të tjerë të policive bashkiake të drejtuara nga Partia Socialiste, është në kundërshtim të ligjit për të qenë të pranishëm në tubime politike. Sipas informacioneve të dhëna nga ministri Basha shumë nga këta efektiva janë parë në krye të turmave që sulmuan godinën e Kryeministrisë. "Policia Bashkiake e Tiranës dhe pjesëtarë të Policisë Bashkiake të qyteteve të tjera të qeverisura nga Partia Socialiste kanë qenë të pranishëm në 21 janar, janë evidentuar si të pranishëm në 21 janar, kjo do të mjaftonte të hynte në veprim ligji, i cili i ndalon ata të jenë të pranishëm në aktivitete politike. Megjithëse, 21 janari nuk ishte aktivitet politik në rast se do t'i shkojmë logjikës së absurdit deri në fund, këto forca policore nuk ishin aty për të mbështetur një aktivitet politik, por për të mbështetur një përpjekje të dhunshme për të rrëzuar një institucion. Vazhdon evidentimi i çdo qytetari, duke përfshirë anëtarë të Policisë Bashkiake për t'i vënë përpara përgjegjësisë penale", u shpreh Basha në Komisionin Hetimor. Gjatë demonstratës së dhunshme përpara godinës së Kryeministrisë, e cila u organizua nga Partia Socialiste për 5 orë rresht, në drejtim të forcave të rendit u hodhën shkopinj, gurë, shishe molotov dhe u tentua hyrja me forcë drejt Kryeministrisë, duke u përdorur edhe makina për shembjen e pengesave të betonit. Si rezultat i kësaj demonstrate u vranë tre njerëz dhe u plagosën me qindra të tjerë, ku 81 ishin efektiva të rendit publik.

Ish-ushtarakët që ishin në krye të Grushtit të Shtetit më 21 janar

Gramoz Ruçi-Gramoz Ruçi ishte ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhës 22 shkurt 1991-10 tetor 1991. Njeriu i masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër dhe përgjegjës për zhdukjen e dhjetra të rinjve që tentonin të arratiseshin gjatë rënies së diktaturës.

Pjerin Ndreu-Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndaj Pjerin Ndreut rezultojnë të paktën katër kallëzime penale në Prokurorinë e Tiranës, ku më i rëndë është ai për "vrasje me dashje". Një akuzë tjetër është ajo e pengimit të punonjësve të policisë për arrestimin e elementëve kriminalë. Pjerin Ndreu akuzohet për skandalin e 350 pasaportave të lëshuara në mënyrë të jashtëligjshme në Gjirokastër, për implikimin në një incident me armë, të ndodhur gjatë aksionit për kapjen e të kërkuarit Petrit Lleshi.

Arben Çuko-Ish-Komandanti i Gardës së Republikës, nga viti 1998 deri në vitin 2005. Akuzohet për vrasjen e Skënder Kalenjës më 14 shtator 1998.

Zyhdi Dajti-Drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës. Ish-efektiv i Gardës së Republikës. Njeriu i afërt i Dritan Dajtit, serial killeri i vrasjes së pesë policëve dhe i konsideruar si baroni i drogës, i kërkuar nga pesë shtete të Europës. U vendos në krye të Policisë Bashkiake për shkak të lidhjeve të ngushta të Ramës me njeriun e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Paulin Sterkaj-Ish-efektiv policie në kryeqytet dhe më pas ish-drejtor i Policisë së Shkodrës.