Monday, September 27, 2010

Lajthitje, apo të vërteta që i thotë vetëm Prifti


Sigurisht që filozofi Spinoza ka përcaktuar drejt se tri janë gjërat që të bëjnë të lumtur; paraja, nderet, dhe kënaqësitë fizike. Por kur...

...këto janë me tepricë bëhen të dëmshme për njeriun. Po, po, sepse paraja e tepërt i shton edhe më tepër makutërinë qenies njerëzore, pasi e tillë është e ndërtuar me egoizëm dhe orekse pa kufi, në kërkim të një lirie pa kufi dhe që mendohet se në shoqërinë e sotme kaq pragmatiste, paraja këtë liri ta garanton. Por makutëria për më tepër para edhe të rrëzon, kur kjo shoqërohet edhe me makutërira për pushtet politik.
Por në fakt këto pushtete nuk janë pa lidhje me njëri-tjetrin. Pushteti politik prodhon pushtetin ekonomik, kur është fjala për komoditete të tilla tenderash, koncesionesh që po dëgjojmë dhe anasjelltas, pushteti ekonomik dikton atë politik meqë shpesh edhe më shpesh po ndodhin bashkime dhe divorce politike pa ideale, pa parime morale, por vetëm me bazë marrëveshjesh apo mosmarrëveshjesh, përputhje interesash apo mospërputhje interesash për copëzime të pasurive natyrore kombëtare.
Në fenomenin binom të deritanishëm Prifti-Meta, paraja e tepërt duket se u ka bërë dëm të dyve, por më tepër kryetarit të LSI, pasi po i ikin nga vatha anëtarët, por që në fakt ata po bëjnë njësoj si lideri i tyre; pikërisht atë që në konceptin e liderit ky të jetë udhërrëfyes. Dhe është lideri i LSI që u hapi rrugë dhe u bë udhërrëfyesi i anëtarëve të tij drejt koalicionit me PD, një koalicion me një parti të djathtë, duke ndërruar identitet politik. Por që përsa i përket cilësisë tjetër të liderit (sigurimi i pasuesve), sa po vjen edhe po i rrëshqet situata liderit të LSI-së. Me sigurimin e pasuesve nuk dihet më se ç'po ndodh me drejtuesit e LSI. A ka siguruar pasues, a po përgatit pasues, a po lejon t'i shkojë ndërmend ndonjërit të jetë pasuesi i Metës?
Në fakt çudia më e madhe ishte kur Prifti deklaroi i pari koalicionin me PD dhe në këtë rast qytetarë idealistë e konsideruan çmenduri, por jo ata të LSI apo ndonjë sekretar i LSI, që sot në media e konsideron Priftin si person me probleme psiko-shëndetësore, por që vetë atë kur rrahu gazetarët nuk e komentuan si me probleme psikike, as media, as sekretarë apo politikanë. Madje nuk e konsideruan me çrregullime psikike as kur ndërroi lëkurën, ku nga ministër i PS (gjeneral), shkoi në koalicion me PD, sekretar i LSI; (ushtar).
Sa për nderet që sipas filozofit të lartpërmendur e bëjnë njeriun të lumtur si një element lumturie jetësore, edhe këto kur bëhen me tepricë janë në dëm të njeriut, pasi tjetri duke u mësuar me bërje nderesh krijon varësi ndaj ofruesit të ndereve dhe tjetri (ofruesi i ndereve) humb lirinë e tij, pasi kufizohet gjithmonë e më tepër nga këmbëngulja e tjetrit për t'i bërë sa më tepër, e sa më tepër ndere, pafundësisht.
Kështu edhe çudirat në LSI nuk janë aq çudira, as akuzat e ndërsjella, pasi ky kryetar i LSI e mbajti afër dhe bashkëjetoi për kaq kohë me Priftin me këtë "të korruptuarin", apo këtë "të përfshirin në krime të organizuara", sipas deklaratave të tanishme dhe që ne si qytetarë na lindin me të drejtë disa pyetje:
Si dhe pse e mbajti kryetari i LSI për kaq kohë këtë të "korruptuar" në radhët e LSI-së, madje edhe e vlerësoi me post ministror? Nëse është e vërtetë që ishte në dijeni si më parë, si bashkëjetoi ai vetë në një parti me krimin që sipas kryetarit të LSI është i përfshirë edhe Prifti?
Të pranosh të bashkëjetosh me krimin në një parti që drejton vetë është sipërmarrje e madhe, pasi dihet ajo çka duhet të bëjë një lider me integritet të lartë moral kur konstaton apo ka pasur dijeni për afera korruptive të anëtarëve të partisë së tij; zbaton statutin për largimin nga radhët e partisë "të të korruptuarve" dhe i drejtohet organeve kompetente për këtë, pa pasur nevojë për kaq show mediatik. Por që të hedhësh këtë hap, sigurisht lideri vetë duhet të jetë i pastër nga morali, pasuritë, llogaritë bankare brenda dhe jashtë vendit dhe që të mund të përballojë denjësisht ndonjë kundërpadi të të "korruptuarit" në radhët e partisë.
Dhe që të mos ndodhë kështu, shpeshherë kemi dëgjuar që akuzat e kundërakuzat fashiten pas disa ditësh, duke mos pasur as kallëzime në Prokurori të palëve, as fillim hetimi kryesisht nga organet kompetente që e kanë për detyrë të fillojnë hetimet nga denoncimet publike në media; asgjë nuk ndodh, vetëm ca tryeza dhe emisione më tepër në media.
Po të vazhdojmë me pyetjet në formë habitore; Pse çuditet kryetari i LSI edhe nëse është e vërtetë që Prifti i ka propozuar oferta nga Rama dhe kjo përbëka amoralitet për Metën?
Sikur është hera e parë që ndodh kështu me oferta që vijnë në varësi të zhvillimeve të çastit politik.
Pse nuk u indinjua kaq shumë Meta kur doli Prifti i pari dhe i dha ofertën e Berishës për koalicion pas zgjedhjeve dhe që nuk përbëri as amoralitet dhe as çudi për Metën kjo gjë? Ja që këtë herë Prifti, meqë u mësua me Metën që pranon lloj soj ofertash pa ruajtur identitetin politik, tani me Berishën dhe herë tjetër ndoshta me Ballin, a Mjedisin a ku të dalë interesi. Pra, edhe nuk përbën ndonjë absurditet nismë negociatash të tilla për Priftin edhe t'i servirte një propozim nga Rama (gjithmonë nëse kjo do të ishte e vërtetë). Pse preket kaq shumë Meta dhe indinjohet? Nuk është se nuk e ka bërë më parë vërdallisjen majtas, djathtas, jo majtas por djathtas, dhe herë tjetër jo djathtas por majtas, dhe prapë nga e para. Kështu, në fillim pro Nanos por kundër Berishës, më pas edhe kundër Nanos edhe kundër Berishës, më pas edhe kundër Nanos edhe kundër Berishës, por pro Ramës, më pas vetëm kundër Ramës, pa edhe pro Nanos dhe Berishës.
S'ka faj Prifti edhe nëse i ka shkuar ndërmend negociata me Metën këtë radhë pro Ramës, por kundër Berishës. Po pse edhe kundër Priftit? Apo se i iku nga vatha? Por këto luhatje çfarë janë sipas sekretarit të LSI (ish ministrit të PS), probleme psiko- shëndetësore apo shëndet i mirë mendor? Meqë po merr edhe rolin e psikiatrit-doktor krahas atij si sekretar, ndoshta i jep përgjigje edhe psikanalizës.
Sa për kënaqësitë fizike si element lumturues në jetën e njeriut, edhe këto me tepricë janë të dëmshme, pasi mbarojnë shpejt dhe zgjatin pak. Njeriu pas përfundimit të tyre mund të kalojë në gjendje dëshpërimi, sidomos kur të mbaron edhe pushteti ekonomik bashkë me atë politik, pasi dhe njeriu nuk mund të posedojë superenergji pafundësisht dhe të jetë mbinjeri, prandaj dhe gjithçka ka një lindje dhe një vdekje. Por lum ai që ndërkohë që i ka këto pushtete bën të mira dhe që nuk e gjen lumturinë e tij tek hidhërimi i tjetrit.
"Nuk mund të jetë kurrë i lumtur ai që lumturohet nga hidhërimi i tjetrit" thotë filozofi Shopenhauer, por që në kontekstin e shkrimit as Meta nuk mund ta gjejë lumturinë tek hidhërimi i Priftit, i cili të paktën në ndërgjegjen e tij, sipas llojit të vet, i bëri një të mirë publikut, duke mos i fshehur pasurinë, duke i lënë të hapur rrugën për investigime dhe komente rreth pasurisë së tij. Por të tjerët që i fshehin pasuritë e tyre marramendëse përbëjnë rrezik edhe më të madh shoqëror, duke mos i hapur rrugë investigimit se në ç'rrugë i kanë siguruar ato, dhe që nëse do të ishin në rrugë kriminale, këtë rrjet po këta do të vazhdojnë ta furnizojnë në dëm të individit dhe shoqërisë. Nuk duket shumë e qartë nëse e kanë inatin me Priftin për pasurinë e tij, apo se ju hapi avaze me modelin e tij të vetëdeklarimit, gjë që i tremb se një ditë do ju kërkohet edhe të tjerëve me radhë ndoshta atë ditë kur të jetë forcuar shteti ligjor, shteti i së drejtës.
*Pedagoge e Shkencave Sociale,
Universiteti i Tiranës

Wellington, njeriu që mundi Napoleonin


I dalluar në luftat koloniale në Indi në fundin e shekullit XVIII, në vitin 1809 u emërua komandant i përgjithshëm i forcave angleze në Spanjë e në Portugali. Qe ai njeriu që i dha fund pushtimit francez në tokën iberike. Pas mundjes përfundimtare të Napoleonit në Waterloo, iu kushtua politikës në radhët e konservatorëve, duke marrë postin e Kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm.

Në det anglezët kishin Nelson. Në tokë kishin Wellington. I lindur në Irlandë në të njëjtin vit të Napoleon Bonapartit, në vitin 1769, Arthur Wellesley (më pas Duka i parë Wellington) është djali i tretë i Garet Wellesley, Kontit Mornington. Nëna e tij, e mbetur e ve, e dërgon në vitin 1781 në Eton College për të plotësuar formimin. Dy vjet më pas, duke kërkuar që të bëjë ekonomi, Kontesha Mornington instalohet në Bruksel. Djaloshi e ndjek dhe e mëson frëngjishten pranë një avokati bleg, gjuhë të cilës i fiton një zotërim të përkryer. Futet kështu në Akademinë Mbretërore të Kalorësisë e Angers, ku më shumë se gjysma e studentëve janë me origjinë anglosaksone. Në vitin 1787 djaloshi Wellesley kthehet në Irlandë, ku vëllai i madh i blen një patentë kalorësi (mëson), grada e parë e oficerit në ushtrinë britanike, në Regjimentin e 73-të të Fanterisë.

I bërë nëntoger në vitin 1788, pastaj kapiten në vitin 1791, e merr seriozisht karrierën ushtarake. Caktohet në Regjimentin e 33-të të Fanterisë në Cork të Irlandës. Në vitin 1794, regjimenti dërgohet në kontinent. Por përballë sulmit të Gjeneralit francez Pichegru në Hollandë, trupat angleze shpartallohen dhe shtrëngohen që të tërhiqen. Wellesley sillet me kurajë dhe largpamësi, duke e kthyer regjimentin e tij në Angli. Kolonel në vitin 1796, Wellesley niset për Indi ku vëllai i tij, Robert, do të emërohet Guvernator i Përgjithshëm i saj një vit më vonë. Në vitin 1799 shpërthen lufta kundër Sulltanit të Mysore, Tippo Sahib. Fanatik mysliman, ky ëndërron që ta zmadhojë territorin e tij në kurriz të fqinjëve. Aleat me Marahatti edal Nizam të Hyderabad, Koloneli Wellesley merr pjesë në fushatën që do t'u japë fund ambicieve të Tippo, duke i pushtuar kryeqytetin e mbretërisë së tij Seringapatam. Emërohet kështu Guvernator i Mysore dhe i Seringapatam. I promovuar Gjeneral Major në vitin 1802, Wellesley rezulton një negociator i shkëlqyer në favor të Kompanisë së Indive Lindore, duke arritur që t'u imponojë një traktat protektorati dy shteteve të mëdha të Deccan: Nizam dhe Mysore. Provon të bëjë të njëjtën gjë me territorin Maharatti, kreu i të cilit, Peshwa, banon në sarajet luksoze të Poona. Përpara refuzimit të tij, Wellesley pushton Poona në vitin 1803. Por Maharatti-të rebelohen: Wellesley rrethon në këtë pikë Ahmednuggur, bastionin kryesor të tyre, e sulmon në mëngjes, në pak më shumë se një orë dhe pushkaton kështu garnizonin. I emëruar Gjeneral (është gjenerali më i ri i ushtrisë angleze), vazhdon fushatat e tij kundër Maharatti-ve, duke arritur që t'i mundë në Argaum dhe më pas në Gawilgur. Tashmë, Kompania e Indive Lindore dominon të gjitha Deccan, me përjashtim të jugut të thellë. I bërë Komandat Suprem i Deccan-it dhe i emëruar Kalorës i Urdhërit të Banjës në vitin 1804, Wellesley kthehet në Angli në vitin 1805, ku martohet me Catherine Pakenham, nga martesa me të cilën do të ketë dy fëmijë.

Vdekja e Kryeministrit William Pitt në janar të vitit 1806, i cili ishte kthyer në pushtet pas rifillimit të luftës midis Francës dhe Anglisë, i lë pa mbrojtje dy vëllezërit Wellesley. Arthur arrin që të zgjidhet deputet në Dhomën e Komuneve në Sussex në po atë vit, kështu që bëhet Chief Secretary i qeverisë irlandeze në vitin 1807. Por roli i tij politik ndërpritet nga nënshkrimi i traktatit të paqes në Tilsit midis Car Aleksandrit I dhe Napoleonit. Paqja parashikon që bllokimi kontinental do t'i aplikohet Danimarkës, Suedisë dhe Portugalisë. Një casus belli për Anglinë. Pas kërkesës së Lordit Castelreagh, ja ku shfaqet Gjenerali i ri Wellesley, vetëm 39 vjeç, që angazhohet për të luftuar kundër Napoleonit. Kabineti britanik vendos që të fusë në dorë portin e Kopenhagenit dhe flotën daneze: më 7 shtator 1807, Wellesley siguron kapitullimin e të dyjave. Në korrik të vitit 1808 Lordi Castelreagh e dërgon gjeneralin e shkëlqyer në Portugali, në krye të 9000 njerëzve, me urdhrin që të mbrojë Lisbonën.

Në fakt, Franca e ka pushtuar Portugalinë në fundin e vitit 1807 dhe gjenerali francez Junot fut në zotërim kryeqytetin luzitan. Më 20 korrik të vitit 1808 Jozef Bonaparti emërohet Mbret i Spanjës, pas fitores të gjeneralit Bessieres në Medina de Rio Seco. Por më 22 korrik francezët e gjeneralit Dupont, të rrethuar, janë të detyruar që të kapitullojnë në Bailen, në afërsi të Kordovës. Është humbja e parë e një ushtrie napoleoniane nga fillimi i shekullit. I frikësuar, Mbreti Jozef braktis Madridin dhe strehohet në veri të Spanjës. I zbarkuar në fillimet e gushtit në Portugali, Wellesley fiton në Rolica, përpara se të arrijë një fitore të pastër në Vimeiro kundër francezit Junot më 30 gusht. Nëpërmjet Kellermann, Junot propozon një konventë armëpushimi që mundëson evakuimin e forcave franceze nëpërmjet detit. Ai nuk dëshiron që ta përshkojë të gjithë Spanjën, një terren jashtëzakonisht armiqësor, për t'u kthyer në atdhe. Wellesley e jep miratimin e tij, i lumtur se mund ta ripushtojë Portugalinë pa humbje shtesë. Nënshkruhet kështu në Cintra një konventë franko-angleze. Firma do të kthehet në bumerang për Wellesley dhe do të rrezikojë t'i kompromentojë karrierën. Ndërkohë Napoleoni, duke mos e pranuar një poshtërim të tillë, vendos që të ndërhyjë personalisht. Me 160000 njerëz arrin një fitore në Samosierra, pastaj hyn në Madrid më 4 dhjetor të vitit 1808 dhe rivendos në fron të vëllain. Ndërkohë, trupat angleze të ardhura nga Portugalia, të komanduara nga Moore, i afrohen Burgos. Napoleoni drejtohet kundër tyre dhe i detyron që të tërhiqen në Astorga më 1 janar të vitit 1809. Por, i informuar për sulmin e afërt austriak, ai vendos që të kthehet në Francë, duke ia lënë komandën Mareshallit Soult, i cili në terren demonstron dhunti të kufizuara manovrimi. Arrin gjithsesi që ta mundi Moore në Lugo dhe e shtrëngon që të rikthehet në La Coruña më 16 janar të të njëjtit vit.

Duke filluar nga fundi i prillit 1809, Wellesley rikthehet sërish në Portogali me një forcë të përbërë nga 25000 njerëz. Më 12 maj arrin që ta mundë Soult në Oporto, duke i përzënë kështu francezët nga Portogalia, duke i shtrënguar që të tërhiqen në Salamonde. Pasi ka penetruar në Spanjë, ndeshet me gjeneralët francezë Victor dhe Jourdan në Talavera de la Reina, duke i atribuuar vetes një fitore, e hedhur poshtë nga humbjet e rënda të pësuara (5000 njerëz në 20000 të tillë). Gjithsesi, është e vërtetë që në mbrëmje francezët do të tërhiqen nga fusha e betejës, megjithatë Wellesley, i bërë i matur nga betejat e mëparshme, tërhiqet në Portogali, duke u mbyllur në Lisbonë. Në atë periudhë ngre mbrojtje të mrekullueshme përreth kryeqytetit portugez, në linjën e kreshtës së Torre de Vedra, që shtrihen nga Atlantiku në Tago. Si pasojë e këtij shpërthimi megjithëse relativ, Wellesley ngrihet në rangun e parëve të Anglisë, duke u bërë Baron Duoro de Wellesley dhe Viskonti Wellington. Në të njëjtën kohë, francezët i shtypin kudo spanjollët, duke e shtrirë kufirin e tyre deri në Kadiks, qyteti i vetëm që reziston akoma. Massena merr në këtë pikë detyrën që të ripushtojë Portogalinë. Në qershor të 1810 arrin që të fitojë në mënyrë të shkëlqyer në Ciudad Rodrigo dhe më pas në gusht në Almeida. Por ndalet nga Wellington në kreshtën e Bussaco. Massena nuk arrin ta kalojë vijën mbrojtëse dhe në mars të 1811, duke qenë se kishte humbur 20000 njerëz (në pjesën më të madhe për shkak të epidemive), urdhëron tërheqjen. Wellington e ndjek, ndeshet me të dhe e mund në Fuentes de Oro më 3 maj 1811.

Të mundur keqaz nga Soult në Albufera, anglezët shikojnë me habi të madhe mareshalin francez tek tërhiqet. Duke vazhduar avancimin e tij, Wellington përfiton për të sulmuar fortesat e Badajoz dhe të Ciudad Rodrigo, por që rezistojnë. Në një kontekst të tillë, anglezët në vjeshtë marrin vendimin për të shkuar e dimëruar sërish në Portogali. Duke përfituar prej tërheqjes nga Spanja të kontingjenteve efikase franceze, sidomos të kalorësisë, të thirrur nga Napoleoni për të marrë pjesë në ekspeditën e Rusisë, Wellington lëshohet fuqishëm në sulm në fillimet e 1812 dhe pushton Ciudad Rodrigo më 18 janar dhe më pas Badajoz më 6 prill. Më 22 korrik Wellington avantazhohet nga një kompleks i favorshëm rrethanash. Marmont kërkon që ta shmangë dhe i pret rrugën e tërheqjes, por plaga e rëndë e marrë gjatë betejës së Arapiles ia zbeh urtësinë e nevojshme për këtë rast. Trupat franceze janë shtrënguar që të tërhiqen me rregull. Është kthesa e luftës së Spanjës. Megjithatë, francezët janë akoma të fortë në superioritetin numerik të tyre, braktisin rrethimin e Kadiksit, grupohen, duke i shkurtuar kështu linjat e tyre të komunikimit. Për pasojë, në muajin tetor të 1812 Wellington pëson një shah të rëndë përpara Burgos dhe detyrohet që të tërhiqet për dimrin në Ciudad Rodrigo, ku do të fortifikohet. 1813 është viti vendimtar. Wellington është i vetëdijshëm për superioritetin numerik të francezëve në Spanjë: ata kanë akoma rreth 200000 njerëz. Gjenerali britanik i majmë forcat e tij me kontingjente spanjolle. Përballë tij, Mbreti Jozef Bonaparti, totalisht i paditur nga arti ushtarak, e lë sërish Madridin, duke mos arritur të organizojë një linjë mbrojtjeje në kuptimin e vërtetë të fjalës. Veç kësaj, mareshallët francezë e urrejnë Jozefin, nuk i binden më dhe në të njëjtën kohë janë të paaftë që të bien dakord midis tyre. Ndeshja vendimtare zhvillohet më 21 qershor të 1813 në Vitoria dhe përfundon me një humbje të rëndë franceze. Vetëm Soult, duke bashkuar mbeturinat e ushtrisë, arrin ta vazhdojë luftën, duke u sforcuar që të ngadalësojë avancimin e Wellington drejt kufirit francez. Pushtimi i San Sebastian dhe i Pamplona u kushtojnë shumë shtrenjtë anglezëve. Më 10 dhjetor Wellington arrin të penetrojë në Francë. Në pranverën e 1814, më 10 prill, pas një serie luftimesh të ashpra mund Soult dhe pushton Tuluzën. Ndërkohë, Napoleoni ka abdikuar dhe syrgjynoset në ishullin e Elbës. Tashmë hero kombëtar, Wellington bëhet ambasador në Francë, ku e arrin e shoqja, duke zëvendësuar kështu Lordin Castelreagh në Kongresin e Vjenës, ku Talleyrand i mbron në maksimum interesat franceze. Wellington e mbështet diplomatin francez, i dëshiruar që t'ia ruajë Francës rolin prej fuqie të madhe kontinentale. Kur më 11 mars të 1815 Napoleoni zbarkon në gjirin Juan les Pins, anglezët nguten që të thërrasin në atdhe Wellington, i cili e lë Vjenën më 29 mars të 1815 për të marrë komandën e përgjithshme të forcave britanike.

Me një ushtri të katandisur në 123000 njerëz, Napoleoni kryen një manovër krejtësisht të jashtëzakonshme. Ai arrin t'i bashkojë trupat në afërsitë e Charleroi, pa rënë në sy, kështu që hyn në fshatrat e Belgjikës, duke tentuar që të futet si pykë midis ushtrisë britanike të Wellington dhe forcave prusiane të Mareshallit Blücher dhe t'i luftojë veçmas. Për shkak të braktisjes së Soult, shef i Shtatmadhorisë dhe paaftësisë së Ney, ashtu si prej nulitetit operativ të Grouchy, Napoleoni dështon në planin e tij. Nga ana tjetër, duke pasur në mendje humbjet e kaluara, kundërshtarët bëjnë gjithçka për të shmangur një ndeshje frontale përpara se të arrijnë grumbullimin e forcave të tyre. Beteja e frenimit dhe e vonesës e kryer nga Wellington në Quatre Bras më 6 qershor 1815 është sigurisht një model në llojin e vet, por rezultati i saj shpjegohet me dobësinë e Mareshallit Ney, i tunduar nga tradhtia e tij dhe i paaftë që të zbatojë urdhrat, për më tepër shumë të qarta, e Perandorit. Më 17, kur më së fundi Wellington është i detyruar që të cedojë pas presionit francez, ai kryen manovrën për t'u dislokuar në pozicion të shkëlqyer mbi pllajën e Saint Jean. Më 16 qershor Napoleoni i jep një mësim të rëndë Blücher: ushtria prusiane humbet 16000 njerëz. Napoloni e ndjek në tërheqje drejt Liezhit nga 30000 njerëzit e Grouchy. Perandori mendon se mund t'i përballojë forcat e vetme të Wellington më 18 qershor në fushën e Waterloo. Por e dimë se Grouchy do të gënjehet në mënyrë të pabesueshme nga një perde e hollë trupash prusiane. Më 18, në krye të 75000 trupave, Napoleoni ndeshet me 65000 anglezët dhe forcat e Hannover të Wellington. Të gjithë e dinë shumë mirë se anglezi do t'i detyrojë shpëtimin e tij vetëm mbërritjes në fushën e betejës të trupave prusiane. Por shumë më tepër se Cari Aleksandri I, forcat e të cilit nuk e kanë mundur kurrë definitivisht Grande Armée në vitin 1812, Wellington është i vetmi që e ka mundur Napoleonin I. Duke abdikuar sërish më 22 qershor të 1815, Napoleoni u dorëzohet anglezëve më 15 korrik. Ashtu si Lordi Castelreagh, Wellington do të donte që ta syrgjynoste në Skoci, por mendimi i tyre nuk është dëgjuar, aq më shumë që deputetët janë në pjesën më të madhe armiqësorë ndaj një zgjidhjeje zemërbutësie. Ja kështu që gjenerali korsikan, që e ka bërë Europën të dridhej, është detyruar që të marrë rrugën e Shën Helenës në Atlantikun jugor.

Ashtu si në vitin 1814, Wellington sforcohet që të shmangë një ndëshkim shumë të rreptë për Francën: për ekuilibret e fuqisë në kontinent, ai e gjykon të domosdoshme një Francë të fortë sa duhet. Për këtë arsye u kundërvihet prusianëve që duan ta gjymtojnë. Ai siguron kthimin e pastër e të thjeshtë në kufijtë e vitit 1790, por u jep prusianëve një pushtim ushtarak për 5 vjet nga ana e 150000 njerëzve, me shpenzime të Francës. Të gjithë fitimtarët janë dakord për të kërkuar një dëmshpërblim të fortë në reparacione lufte (të barabartë me 700 milionë franga të kohës). Komandant ushtarak, Wellington drejton pushtimin e trupave aleate në Francë. Nga prilli i 1817 ai lejon një pakësim të kontingjentit me 30000 njerëz. Pranon kështu si një reduktim të dëmshpërblimit, ashtu dhe një përfundim të parakohshëm të pushtimit. Më 30 nëntor të 1818, 2 vjet përpara skadimit të afatit të parashikuar, 120000 forcat aleate e lënë territorin francez. Në vitin 1819, Wellington emërohet Master General of the Ordnance, një pozicion i shquar që e bën në Britaninë e Madhe të të gjitha artilerisë, të fortifikimeve dhe të intendencës. I kthyer në Angli lëshohet në fushën e politikës, pavarësisht konsideratës së pakët që ai shpreh ndaj ministrave dhe deputetëve. I emëruar anëtar qeverie, duhet të marrë jopopullaritetin e lidhur me rikonvertimin e një ekonomie lufte në një ekonomi paqeje. Anëtar i Partisë Konservatore (Tory) që qeveris Anglinë, për opinionin publik Wellington shoqërohet me reputacionin e urryer të Mbretit Xhorxhi IV. Megjithatë, Gjenerali anglez nuk përton të shprehë përbuzjen e tij (për më tepër reciproke) për këtë sovran kaq pak të vëmendshëm ndaj fateve të perandorisë së tij. Vetëvrasja në vitin 1822 e mikut të vet, Lordit Castelreagh, e prek thellësisht. Në vitin 1827, me vdekjen e Kryeministrit, Lordit Liverpool, të gjithë mendojnë se Wellington mund të thirret për ta zëvendësuar. Por gjërat ecin ndryshe: Mbreti nuk e pëlqen gjeneralin e tij. Zgjidhet Canning dhe ky nuk i ofron asnjë post me rëndësi Wellington, i cili detyrohet të japë dorëheqjen, si nga funksioni i tij ministror, ashtu dhe nga Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë britanike.

Në janar të vitit 1828 Canning sëmuret dhe Wellington e rigjen menjëherë komandën ushtarake të tij. Më pas pranon që të formojë një qeveri të re. Pak idealist, shumë konservator, shumë pragmatist, i mësuar që të shikojë detajet më të vogla si një gjeneral në fushatë, ai mbytet menjëherë nga problemet dhe sfilitet në detyrën e vështirë. Por ai posedon cilësi themelore: një ndershmëri skrupuloze, një ndjenjë interesi të përgjithshëm të jashtëzakonshme dhe, së fundi, një përçmim total të opinionit publik. Bën kështu të votohet ligji i emancipimit të katolikëve, të cilët rifitojnë kështu të drejtat e tyre civile, në kundërshtim total me mazhorancën anglikane. Kabineti i Wellington rrëzohet në vitin 1830 dhe zëvendësohet nga ai i Charles Grey, i cili do të kryejë një reformë të madhe liberale. Në vitin 1834, me kthimin e konservatorëve në pushtet, Wellington merr sërish funksionet e ministrit të Jashtëm dhe më pas të ministrit Pa Portofol (për shkak të gjendjes së tij shëndetësore: ishte bërë shurdh) deri në vitin 1846. Kryeson edhe grupin parlamentar konservator në Dhomën e Lordëve. Pak e nga pak, Wellington fiton një influencë të konsiderueshme pranë Mbretëreshës së re Victoria, duke iu bërë edhe mbrojtësi. Imazh ky shumë prekës për opinionin anglez, që sheh një ushtar të vjetër të punojë në krah të Mbretëreshës së re. Në vitin 1846, në moshën 77-vjeçare, bie së bashku me qeverinë Peel lidhur me tekstin e abrogimit të të famshmëve Corn Laws, që mbrojnë pronarët e tokave duke u imponuar të drejta doganore mbi importimet e grurit. Duka Wellington, që duke filluar nga Waterloo kishte marrë nofkën Iron Duke (Duka i Hekurt) dhe ishte bërë objekt "adhurimi" nga ana e popullit anglez, vdes më 14 shtator të vitit 1852. Ka arritur të jetojë aq sa të shikojë Napoleonin III të bëhej perandori i dytë i francezëve.

I gjithë kombi i bëri homazh njeriut të madh të tij. 1 milion e gjysmë londinezë u grumbulluan gjatë rrugës së karrocës funebër, nga Buckingham Palace deri në katedralen e Saint Paul. I paraprirë nga trupat, arkivoli i Dukës ndiqet nga kali i tij. Çizmet e Wellington i janë ngjitur në shalë në pozicion së prapthi, me thumbat drejt qiellit. Më shumë se 15000 fisnikë mblidhen në afërsitë e katedrales për të asistuar në ritin funebër të Markezit Wellington, Markezit të Duoro, Viskontit të Talavera, Princit të Waterloo, Dukë i Ciudad Rodrigo, Kont i Vimeiro, Grande i Spanjës, Kalorës i Toson d'Oro dhe i Zharretierës, i Urdhërit të Banjës...

Dhe kur në tingullin e rënies së fundit të daulleve arkivoli fillon të zbresë në varr, Markezi d'Anglesey, njeriu që ka drejtuar kalorësinë angleze në Waterloo, afrohet që të prekë për herë të fundit arkivolin. Të gjithë oficerët veteranë të luftimeve të mëdha të bëra nga Wellington vihen menjëherë në qëndrim gatitu për këtë lamtumirë të fundit simbolike. Në radhën e parë në katedrale, një njeri vëzhgon skenën, Konti Walewski, djali i Napoleonit I dhe i Konteshës Maria Walewska: është Përfaqësuesi i Napoleonit III për Francën.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Nuk trembet

Genta Ismajli i përgjigjet për herë të parë akuzave të RTK, se klipi i saj "Shkune Tune" nuk mund të transmetohet pasi përmban skena hot. Sipas Gentës RTV 21 e transmeton çdo ditë klipin, ndërsa RTK jo, duke e censuruar atë. Genta shpreson që transmetimi i klipit të saj të bëhet edhe në RTK, pasi siç shpjegon ajo, rrobat e veshura në klip, janë ato të një balerine profesionale, ndërsa shton se bëhet fjalë për veshje të globalizuara tashmë, të cilat nuk i përdor vetëm ajo në klipe. Genta premton se do të vazhdojë të bëjë klipe edhe më hot, pa u trembur nga presionet.


Nuk trembet

Rozi në shoqëri të re...

Rozi në shoqëri të re...

Nuk ka munguar në pubet e Tiranës fundjavën e kaluar as këngëtarja e njohur Rozana Radi, edhe kjo dashamirëse e jetës së natës. Gjatë darkës ajo ka pasur pranë saj mjaft miq, të njohur e të panjohur për ne, por më së shumti është parë në shoqërinë e një djali simpatik brun.


Rozi në shoqëri të re...

Kërstin Cook zgjidhet ,,Miss Schweiz 2010''

Nefail MALIQI/BOTASOT
Arjeta Lataj renditet në vendin e gjashtë të seleksionimit te bukurosheve ne Zvicrës.

Mbrëmë në Zurich të Zvicrës, në evenimentin e seleksionimit të e seleksionimit të vajzës më të bukur në Zvicër,e reja 21 vjeçare nga Lucerni, Këstin Cook u zgjodh “Mis Zcvicra 2010” ("Miss Schweiz 2010"). Në këtë mbrëmje, gala të ngjeshur me muzikë dhe spote të larmishme me bukuroshet zvicerane, e përcjell nga televizioni zviceran dhe media te shumta, kurorën e “Mis Zvicra” e porsazgjedhura Këstin Cook e pranoi nga ish-Miss Zvicra 2009 Linda Fah. Këstin Cook (182 cm) nga mosha 15 vjeçare ajo është e angazhuar si modele. Do shtuar se në këtë konkurim shpesh kandidate janë edhe vajzat shqiptare. Sivjet ishte Arjeta Lataj (22 vjeçare).

E reja nga Kosova Arjeta (171 cm) edhe pse nuk fitoi ndonjë çmim gjatë këtij seleksionimi ishte ne rrethin e ngushtë, e gjashta me radhë në “Miss Zvicra 2010”. Kandidate për “Miss Zvicra 2010” ishin këto vajza: Këstin Cook (LU), Jasmin Brunner (AG), Sabrina Guilloud (GE), Jennifer Hurschler (ZH), Carole Jäggi (GR), Laura Kämpf (TI), Arjeta Lataj (TG), Noemie Leibinn (BE), Anic Lysser, (BE), Jennifer Pennisi (BE), Nathalie Raguth (ZH), Nadine Schüpfer (BS). Bukuroshja zvicerane Këstin Cook (21 vjeç), të cilës i buzëqeshi fati te zgjidhet nga juria profesionale dhe publiku zviceran "Miss Schweiz 2010" nga 25 kandidate është studente e biologjisë dhe e pasionuar pas natyrës. Sa u përket pjesëmarrëseve te shqiptareve në këto ngjarje në Zvicër deri me tash në këtë drejtim me e suksesshme është treguar Kështjella Pepshi, e cila pas një suksesi për “Mis Berna 2010”, ajo pak ditë më vonë u zgjodh “Mis Kosova Univers 2010”, e cila në muajin e kaluar prezantoi shtetin e Kosovës në “Mis Univers” organizuar në Las Vegas të SHBA-ve.

Arjeta Lataj (majtas) dhe Këstin Cook “Mis Zcvicra 2010”


Sunday, September 26, 2010

Kristine Elezaj, shqiptarja që po bën histori në muzikën botërore


Kristine Elezaj ka rreth dy vjet që këndon nëpër skena të ndryshme në mbarë Amerikën, për të krijuar bazën e fansave të saj dhe për të provuar veten si këngëtare dhe artiste. Tashmë gjithçka duket gati. Ka realizuar disa video, ka marrë pjesë në evenimentet më të njohura të muzikës botërore, këngët e saj janë radhitur në top listat e radiove amerikane dhe videoja është shfaqur në televizionet amerikane dhe pritur me sukses. Revista "Billboard" e ka krahasuar me Britney Spears dhe Rihanna, muajin që vjen Elezaj do të hedhi në tregun muzikor albumin e saj të parë...e ne do jemi të parët që do ta blejmë duke i uruar suksese të mëtejshme në karrierën e saj muzikore!

Për më tepër informacion rreth këngëtares me origjinë shqiptare, vizitoni faqen e saj në internet www.KristineElezaj.com


Çfarë ju shtyu që të bëheshit këngëtare dhe pse?

Jam rritur me dashurinë për muzikën dhe ndjenjën që më jep. Mënyra sesi më bën të ndjej emocionet nëpërmjet të kërcyerit dhe të kënduarit, çdo hap, çdo fjalë... Mendoj se është diçka e mrekullueshme të arrish të lidhesh me kaq shumë njerëz nëpërmjet diçkaje që të frymëzon kaq shumë. Ideja sesi mund të ndryshosh një moment në jetën e dikujt, nëpërmjet muzikës tënde...


Di që për herë të parë jeni ngjitur në skenë në "Sugar Bar" të Ashford and Simpson. Si u ndjetë kur i takuat?

Në fakt, ata janë miq të babait. Në fillim, kur shova atje, kujtova se thjesht do të haja darkë me babanë e pastaj do të këndoja për qejf, por u befasova kur Nick dhe gruaja e tij, Valerie, filluan të më shoqëronin teksa këndoja "Respect" të Aretha Franklin. Ata janë të mrekullueshëm dhe gjithmonë më bëjnë të ndihem si në shtëpinë time!


Kënga juaj e re "Warpath", tashmë po fillon të dëgjohet kudo. A mendonit se do të bëhej hit dhe pse?

Kurrë nuk i dihet se cila këngë do të bëhet hit apo jo, por kur dëgjova "Warpath" për herë të parë dhe pashë reagimin e të gjithëve, mu krijua një ndjesi pozitive që më bëri të kuptoj se ishte një këngë speciale.


Po kënga e ardhshme, a do të jetë ritmike apo do të publikoni ndonjë baladë?

Po mendojmë se do të jetë një tjetër këngë ritmike, e cila titullohet "Barbwire" dhe më pas do të publikojmë një baladë. Ka shumë mundësi të jetë "Light Years". Një këngë shumë e këndshme, të cilën e kam shumë për zemër!


Çfarë duhet të presin fansat tuaj nga albumi debutues "No Questions Remains"?

Për mua, ky album është një balancë perfekte midis fantazisë sime për tu dëfryer dhe ndjenjave personale. Kam shkruar shumë në këtë album dhe kam gjetur vetveten si shkrimtare. Ky album është me tërë mend fëmija im dhe për këtë jam krenare. Puna është bërë në mënyrë të tillë që, njerëzit t'i dëgjojnë këngët dhe në ato të gjejnë vetveten. Jam rritur si kërcimtare dhe shumica e këngëve në album më japin kënaqësinë që të bëj dy prej gjërave që kam më për zemër; të këndoj dhe të kërcej. Në të njëjtën kohë, jam përpjekur që dëgjuesi të njihet dhe me vokalin tim, ndaj kam realizuar dy balada të mrekullueshme "Light Years" dhe "Momentum". "Always" gjithashtu ishte një baladë fantastike, por që ne më pas e shndërruam dhe në një këngë dance.


Cilët janë producentët e albumit tuaj?

Kam punuar me disa producentë të mrekullueshëm në këtë album. Brandon Beal, Goodwill&MGI që kanë punuar dhe me Sean Kingston, Justin Beiber, Chris&Teeb, të cilët janë punuar me 50Cent,


Shpesh herë ju kanë krahasuar me Britney Spears, Rihanna, Lady Gaga, Pink apo Shakira. Si ju duken këto krahasime?

Mendoj se është kënaqësi! Ata më kanë krahasuar me disa prej femrave më të bukura dhe më të talentuara në industrinë muzikore!


Cila nga këngët e albumit që preferoni ta këndoni më shpesh?

Nuk zgjedh dot, sepse çdo këngë ka energjinë e saj. "Let You Know" ishte kënga e parë që shkruajta për albumin në një moment kur po i jepja fund një kapitulli dhe po nisja një të ri në jetën time. "Ligh Years" më bën të dorëzohem përpara të gjithëve, kurse "kidnap The Dj" është një këngë për të festuar. Plus, që kam këngë në album, të cilat nuk i kam interpretuar akoma për publikun dhe po vdes nga dëshira.


Nëse do të kishit rastin të interpretonit me një artist të njohur, cili do të ishte dhe pse? (Jep tre emra)

Janet Jackson - Sepse ajo është një prej të preferuarave të mia të të gjitha kohërave dhe shumë do të kisha dëshirë të ndaja skenën duke kërcyer dhe kënduar me të.
Prince - Gjithmonë më ka pëlqyer Prince si artist, por kur e pashë në koncert në Las vegas disa vite më parë po mendoja "Sa cool do të ishte të interpretoja me të! Ai është shumë unik!" Një emër të tretë... është pak vështirë, sepse ka shumë artistë të preferuar sa do të vazhdoja e do të vazhdoja të flisja hahaha.


Kë do të donit të falënderonit për realizimin e ëndrrës suaj si këngëtare?

Së pari dhe mbi të gjithë, dua të falënderoj prindërit e mi. Jam me fat që kam një nënë e babë, të cilët më kanë mbështetur që prej fillimit. Më ndihmojnë dhe gjithmonë kanë fjalët e duhura si për momentet e mira ashtu dhe për momentet e këqija, në të cilat më vendos ndonjëherë biznesi muzikor. Sigurisht që falënderoj dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Roy, menaxherin tim, producentët, koreografët, kërcimtarët dhe në veçanti fansat. Ata e bëjnë këtë ëndërr të duket dhe më e vërtetë, pasi nuk mund ta realizoja pa ta.


E pasi të largoheni prej nesh, çfarë punësh ju presin?

Kam për të punuar për promovimin e këngës "Warpath". Kam koncerte në shumë klube dhe një turne është në projekt e sipër. Albumi im "No Question's Remains" del në treg (Amerikë) më 5 tetor!!!


Helena Paparizou: Muzika i "thyen" të gjithë kufijtë


Helena Paparizou vjen për të dytën herë në Shqipëri. Herën e parë ishte para 10 vjetësh, Helena nuk ishte kjo që është sot dhe as Shqipëria nuk ishte kjo që është sot për sytë e saj. Këngëtarja greke me famë ndërkombëtare dhe një nga më të mirat që ka shteti Helen vendosi të ndajë ekskluzivisht me lexuesit e "Sh2" përshtypjet për Shqipërinë dhe çfarë po ndodh me jetën e saj në këto momente. Fjala e parë që tha sapo u ul në karrige ishte: "muzika del përtej politikës, lë ta lëmë politikën të bëjë punën e vet, ndërsa ne do të bëjmë tonën."


Ajo vjen e thjeshtë, e veshur me një palë xhins e bluze blu, një pirsing në hundë që bie në sy dhe një lirshmëri në të folur. Një tjetër gjë që binte në sy ishte e qeshura e saj, pas çdo fjalie buzëqesh. Ajo është një ndër zërat më të kërkuar në turet koncertore. Po aq e dashur është edhe në Shqipëri, e bërë e famshme me këngën "My number one", ajo këtë nuk e dinte, pret ta vërtetojë. Ndërsa ende pa filluar mirë intervista, ajo i bën parapritë pyetjeve politike. "Unë kam ardhur këtu për të kënduar, thotë Helena, e ku ka më mirë se muzika, ajo i thyen të gjitha 'qejf mbetjet' dhe del jashtë mureve të politikës".

Helena është hera e dytë që vini në Shqipëri, apo jo, si ka ndryshuar ky vend nga ajo kohë?
Po, hera e dytë. Në atë kohë pata ardhur për një koncert, kam qëndruar vetëm dy ditë dhe kam ikur, afërsisht edhe tani do të jetë e njëjta gjë. Këtë herë erdhëm natën dhe do të iki të dielën pasdite, por shpresoj të kem më shumë kohë këtë herë për të parë më shumë Shqipërinë. Po, sigurisht, me kaq rrugë sa bëra tani, nuk krahasohet më atë të dhjetë viteve më parë, ka ndryshuar shumë dhe për mirë madje. Periudha kur kam qenë herën e kaluar me sa më kujtohet ishte para se të shkonim për herë të parë në "Eurovizion" me grupin "Antik" . Bëhet fjalë përpara pranverës së vitit 2001, ishte dimër.



Ju, atëherë, nuk e kishit këtë famë dhe popullaritet që keni sot, e dini që jeni shumë e dashur dhe e pëlqyer edhe për publikun shqiptar?

Sigurisht që këtë nuk e di. Duke kaluar vitet, ajo që ka qenë hobi im është bërë tashmë profesion dhe në këtë pikë kam menduar që nuk është synimi im se sa e njohur të bëhem, po se sa të rritem brenda kësaj pune. Dhe besoj se kam pasur dhe kam mbajtur një stomak të fortë, duke parë që e kam nisur këtë rrugë shumë e vogël që 17-vjeç. Jam akoma dhe ndihem me këmbë në tokë edhe në Greqi, ku njerëzit më duan shumë dhe e kuptoj pëlqimin e tyre, por, unë mundohem që të jem ngjitur me ata, të jem afër me popullin. Kur jam në skenë dua të ndiej që të gjithë më duan, por nga ana tjetër kur jam jashtë skene dua të ndihem si vajza e tyre, vajza e të gjithëve.



Ju keni marrë pjesë dy herë në "Eurovizion", e mendoni veten një herë të tretë në atë skenë?

Joo. (qesh), e dini përse? Gjithmonë thosha jo, por, vitin e kaluar më erdhi një këngë shumë e mirë, dhe e mendova këtë gjë, të merrja, apo të mos merrja pjesë dhe nuk mora. Jetoj me një moto, kur ndiej dhe refuzimin më të vogël në një konkurs, nuk e bëj, dua të kem një plus të madh edhe brenda vetes. Dhe në 2005-ën, kur kam konkurruar, shumica nuk donin që unë të shkoja në "Eurovizion". Isha në një tavolinë te disa miq të mi, të cilëve u kam pagëzuar fëmijën dhe më thoshin, mos shko të konkurrosh, do të prishësh karrierën. Dhe unë thashë: "Do të shkoj, kush të dojë lë të më mbështesë." Ndaj, them që kur të bësh diçka, duhet ta duash dhe ta ndjesh që ti je pjesë e asaj pune apo projekti. Atëherë e ndieja, tani jo.


Si e shpjegon faktin që çdo vit në "Eurovizion" Shqipëria i jep pikët maksimale Greqisë, ndërsa Greqia nuk na i kthen në këtë mënyrë, nuk na jep të njëjtat pikë, por gjithmonë më pak?
Këtu ngre duart lart! Në fillim do të thosha diçka, nëse "Eurovizioni" do të shihej me syrin politik, as Greqia nuk do të dilte ndonjëherë e para për këto arsye. Shumë thonë që ka votim politik, po hajde e merre vesh. Shqipëria ka njerëz të talentuar dhe gjatë pjesëmarrjeve të mia në atë eveniment e kam vërejtur këtë gjë. Mendoj që arsimi në Shqipëri është më disiplinor, ka më shumë rregull. Kështu edhe me shkollat në Rusi, qoftë në muzikë apo kërcimtarët. E vërteta është që sporti dhe muzika duhet të ketë disiplinë, duhet të kesh bazë, jo që u bëre këngëtare dhe përfundoi çdo gjë, si në çdo fushë duhet të vazhdosh të studiosh dhe të gjithë zërat që Shqipëria ka dërguar në "Eurovizion" kanë qenë shumë të mira. Do zoti del e para këtë vit. Kur të shkoj në Greqi do të them që i jepni një 12 pikësh Shqipërisë këtë vit (qesh).


Ju keni lindur në Suedi?

Po, dhe kam jetuar deri sa u bëra 20-vjeç.


Çfarë përfaqëson për ju emri Helena?

Asnjë vajzë, kur nis karrierën, nuk mendon se do të ketë një sukses të tillë. Ndoshta nuk e kam kuptuar në gardën që jam e deri ku kam arritur. Gjithçka e kam bërë me mbështetjen e babait tim, që e kam humbur para 1 viti e gjysmë. Kur isha e vogël doja të dukesha gjithandej, atëherë thosha që do të bëj mbiemrin tim Paparizou që të dëgjohet në të gjithë botën dhe në Evropë e kam arritur (qesh). Jam shumë krenare për gjithçka dhe sidomos për prindërit e mi. Për mua është më e rëndësishme që të bëj atë gjë që dua dhe të punoj me Elenën që është brenda që kur të shfaqem për njerëzit ata të kenë çfarë të dëgjojnë dhe shikojnë. Të gjitha grave u pëlqen të lyhen, të vishen, vënë kile në trupin e tyre, i humbin përsëri ato, po përtej tyre rendësi ka që të zgjohesh në mëngjes, të jesh mirë me veten tënde, duke mos pasur mendime të këqija për asgjë. Çfarë është më thelbësore, kutia apo ajo çka ka brenda? Sigurisht ajo që ka brenda. Unë dhe Helena jemi shumë mirë me njëra tjetrën (qesh).
Sa e angazhuar keni qenë në këtë periudhë?
Sapo mbarova një tur shumë të madh në Greqi, tani erdha në Shqipëri dhe më pas do të shkojë në Qipro. Edhe me gjithë këto angazhime e kam gjetur kohën dhe për të bërë ca pushime dhe plazh, kam shkuar në Kretë.
Helena është e dashuruar?
Jam me të njëjtin burrë që nga viti 1999. Tani nuk mund të vinte se është i angazhuar me një albumin që do ta nxjerrë së shpejti. Nuk jemi të martuar, bashkëjetojmë.
Një mesazh për ata që do të dëgjojnë këngët tuaja?
Unë uroj që të gjithë njerëzit të jenë mirë, të shëndetshëm dhe kush do të vijë nesër t'ia kalojë shumë mirë.


Kush është Helena Paparizou
Helena Paparizou ka lindur dhe është rritur në Gutenberg të Suedisë nga prindër grekë, të cilët ishin emigrantë. Talenti i saj artistik nuk do të ishte mbajtur i fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, pasi që kur ajo ishte vetëm një vajzë e re i pëlqente të këndonte, të vallëzonte dhe të aktronte. Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, së bashku me shokun e saj të fëmijërisë, Nikos Panagiotidis, formuan grupin "Antik". Ata nënshkruan kontratë me shtëpinë diskografike të sapothemeluar "Bonnier" dhe regjistruan këngën e tyre të parë "Opa Opa", e cila u bë një hit (qëndroi për shumë javë në krye të klasifikimeve). Ky ishte vetëm fillimi për një karrierë të shkëlqyeshme që vazhdoi me daljen e albumit të tyre të pare në vitin 2001, ata morën pjesë në Festivalin Evropian të Këngës dhe me një performancë shumë mbresëlënëse ata fituan vendin e tretë me këngën "I would die for you". Ky sukses vazhdoi dhe me marrjen e albumit të platinit, me turne në Evropë dhe bashkëpunimin e tyre me artistët më të rëndësishëm grekë dhe të huaj.
Më 21 maj 2005, Helena Paparizou përfaqëson Greqinë për herë të dytë në Festivalin Evropian të këngës, ku zuri vendin e parë me këngën "My Number One". Në tetor të 2007-ës, është lëshuar fonograma për filmin "The Kiss of Life", ku Helena Paparizou këndon këngën për muajin e mjaltit. Kënga menjëherë bëhet më e preferuara në të gjitha radiot greke.

Shtyhet koncerti... për vitin tjetër!

Koncerti i shumëpritur dhe i shumë reklamuar i Helena Paparizou i cili do të mbahej mbrëmjen e djeshme në stadiumin "Qemal Stafa" është shtyrë। Sipas organizatorëve shkaku ka qenë moti i keq. Për montimin e skenës duheshin tetë orë dhe në këto tetë orë, kushtet atmosferikë e kanë bërë të pamundur ngritjen e saj. Po nga organizatorët garantohet se të gjitha biletat e shitura do të rikompensohen nga kompania, ndërsa pohojnë se koncerti do të realizohet në harkun kohor të një viti por, pa dhënë datë fikse. Në fakt, nuk është hera e parë që koncerte të tilla ku ftohen artistë me emër nga bota anulohen apo shtyhen në momentet e fundit. Do të ishte mirë që ata që marrin përsipër t'i realizojnë evenimente të tilla, t'i drejtohen ndonjëherë shërbimeve meteorologjike për të marrë vesh se si do të jetë koha...

Gabimet ushtarake që ndryshuan rrjedhën e historisë


Nga pushtimi i Rusisë prej Napoleon Bonaparte e deri tek beteja e Alamos. Çdo luftë efektive ka nevojë për shumë vendime të rëndësishme. Shumë herë, komandantët enden mes informacioneve të rreme apo gabimeve strategjike. Por, disa gabime janë të pafalshme dhe rezultojnë në ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve historike. Gabimet ushtarake në listë kanë shkaktuar humbje të panevojshme jetësh dhe mund të ishin shmangur nëse do të ishin menduar pak më gjatë. I tillë është pushtimi i Rusisë nga Napoleon Bonaparte në vitin 1812.

Pushtimi i Rusisë, Napoleon Bonaparte, qershor 1812

Në këtë pikë të karrierës së tij ushtarake Napoleoni nuk njihte gjë tjetër veç fitoreve. Ai kishte pushtuar pjesën më të madhe të Evropës që refuzonte të bëhej aleate me të dhe kishte ushtrinë më të madhe të mbledhur ndonjëherë në kontinent. Rusët u tërhoqën në territorin e madh të vendit të tyre dhe i vunë flakën çdo gjëje. Napoleoni mbërriti në Moskë për të gjetur vetëm rrënojat e djegura. Gjatë kthimit për në shtëpi nisën telashet. Sulmet e vazhdueshme nga njësitë e vogla ruse, uria dhe dimri i keq rezultuan shkatërruese për ushtrinë prej treçerek milioni ushtarësh.

Alamo, Gjeneral Santa Anna, shkurt 1836

Gjithë çështja bën fjalë për një fortesë të vogël në një lëndinë. Santa Ana vendosi se garnizonit të përbërë nga teksanët rebelë i duhej mësuar një mësim mbi politikat meksikane, nga ushtria e tij e madhe. Ndërkohë që në pamje të parë dukej shumë e lehtë që ky organizon i vogël të mundej qoftë edhe kalimthi, ushtria e madhe meksikane, për shkak të krenarisë së Santa Anna-s kaloi ditë të tëra duke mos sulmuar postën e vogël. Kjo vonesë e panevojshme i dha mundësinë ushtrisë teksane të përforcohej dhe të merrte pozicion më të mirë.

Dhjami i derrave për pushkët, maj 1857

Kjo ngjarje mund të mos jetë shumë e njohur për disa, por kjo është një nga ato ngjarjet që kanë mbetur në histori. Në vitin 1857 nuk ishin prej tunxhi, por prej letre dhe për t'i mbushur ato duhej kafshuar fundi i plumbit dhe të hidhej pudra për të mbushur armën. Ndërkohë, për plumbat ishte i nevojshëm dhjami i derrave, mirëpo ushtria britanike ndodhej në Indi, ku derrat ishin të shenjtë dhe nuk prekeshin. Si rezultat, ushtarët indianë refuzuan të prekin plumbat dhe kur ato u ndëshkuan nga drejtuesit e kolonisë britanike, pjesa e tjetër u ngrit në një rebelim që zgjati 13 muaj duke shkaktuar atë që quhet rebelimi "Sepoy".

Humbja e planeve të betejës, Robert E. Lee, shtator 1862

Gjatë Luftës Civile Amerikane, një nga cilësitë që e bënte gjemernalin Robert E. Lee të Konfederatës aq efektiv ishte fshehtësia, me të cilën lëvizte dhe vepronte. Trupat e tij dukej sikur shfaqeshin, luftonin dhe zhdukeshin me shpejtësi të jashtëzakonshme. Mirëpo, në vitin 1862 kur gjenerali i forcave kundërshtare, George McLellan po lëvizte për të zënë në befasi Lee-në qëndroi në kampin ku ai kishte qëndruar më parë, u përball me një surprizë. Një ushtar gjeti një copë letër në tokë, ku ishte gjithë plani i betejës.

Mosndjekja e armikut, Gjeneral George Meade, korrik 1863

Në Luftën Civile Amerikane, gjeneral George Meade bëri një gabim të pafalshëm duke lënë forcat kundërshtare të gjeneral Lee-së të kalonin pa i sulmuar. Në vend që të sulmonte ai mblodhi forcat dhe priti. Askush s'është i sigurt se për çfarë po priste, por kjo është arsyeja pse më vonë u thirr gjenerali Grant për ta zëvendësuar atë. Nëse Meade do të kishte sulmuar rebelët e mundur në atë rast fatlum, Lufta Civile mbase nuk do të ishte stërzgjatur dhe për dy vjetë të tjera dhe shumë jetë do të ishin kursyer.

Injorimi i armës "Gatling", George A. Custer, qershor 1876

Zakonisht, mes ushtarakëve është ide e mirë që kur armët më të fundit janë të disponueshme të përdoren. Arma e re "Gatling Gun" ishte mitralozi më i hershëm që kaloi testet. Custer kishte dy deri në katër të tillë dhe mjaft municion, kur vendosi të asgjësonte një "fshat të vogël indian" në breg të lumit "Little Bighorn". Arsyeja pse Custer nuk i përdori ato ishte sepse, sipas tij, mitralozët do të pengonin marshimin dhe të pengonin lëvizjen. Një arsye tjetër pse ai vendosi të mos i përdorte ishte se nuk donte të turpërohej para indianëve me armë të tilla. Po t'i kishte përdorur, mbase nuk do ishte mundur.

Pushtimi i Gallipoli, Winston Churchill, prill 1915

Churchill njihet për aftësitë e tij dhe mendjen e mprehtë. Por, ky s'është shembull i mprehtësisë së tij. Churchill propozoi që të hapej një front i tretë në Mesdhe dhe të sulmonte Perandorinë Osmane nëpërmjet Dardaneleve. Fushata e Galipollit u zhvillua në ishullin me të njëjtin emër në Turqi, nga 25 prilli 1915 e deri më 9 janar 1916. Qëllimi ishte një sulm i përbashkët ndaj Stambollit, por kjo tentativë dështoi mjaft keq me humbje të mëdha nga të dy palët duke rezultuar në një plan të llogaritur shumë keq.

Pushtimi sovjetik, Adolf Hitler, shtator 1941

Ky është rasti ky Hitleri mund të zëvendësohet me Napoleonin dhe Rusia me Bashkimin Sovjetik, e në një farë mënyre paraqitet sërish e njëjta histori. Operacioni "Barbarossa" ishte pa dyshim rasti më i keq i dikujt që nuk ka mësuar asgjë nga historia dhe ka përsëritur gabimin më të rëndë që është bërë në historinë ushtarake. Adolf Hitler ka shumë të ngjarë se ka menduar që ajo që i ndodhi gjeneralit të madh Napoleon Bonaparte nuk mund t'i ndodhte atij dhe vendosi të pushtonte Bashkimin Sovjetik. Rezultatet dihen.

Mikro-menaxhimi i luftës, Lyndon B. Johnson, gusht 1964

Luftat është mirë të menaxhohen nga profesionistët. Lyndon B. Johnson ishte president, por ai nuk ishte ushtar profesionist gjatë luftës së Vietnamit. Kjo nuk e pengoi atë të hidhte në veprim luftën që do të shkaktonte humbjen e 60 mijë ushtarëve. Johnson e zgjeroi përfshirjen amerikane në Vietnam sapo mori detyrën, pas vrasjes së John F. Kennedy-t. Fatkeqësisht për trupat, Lyndon B. Johnson ndiqte vazhdimisht rezultatet e sondazheve dhe një gjë e tillë e bën të vështirë fitimin e një lufte.

Pushtimi i Afganistanit, Yuri Andropov, dhjetor 1979

Për shekuj me radhë, vendet jashtë Afganistanit janë përpjekur të vendosin sundimin e tyre mbi afganët. Si rezultat, afganët janë ekspertë në luftën guerile. Në vitin 1979 sovjetikët vendosën të dërgojnë një numër masiv trupash për të rrëzuar qeverinë komuniste në Kabul. Kjo u pasua nga një betejë e përgjakshme 10-vjeçare që shkaktoi shumë vdekje. Për vite me radhë helikopterët sovjetikë gjurmonin luginat për të kapur luftëtarët afganë. Sovjetikët humbën 15 mijë njerëz dhe nuk fituan asgjë si këmbim.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Friday, September 24, 2010

Bekim Fehmiu ndryshe

Për vlerat e punës së aktorit Bekim Fehmiu, në të gjithë nekrologët dhe biografitë për të do të përzgjidhen fjalët më të mira. Por, jo duke përlyer të tjerët. Sidomos, jo bashkëkombësit e tij.

Nga Ilir Mirena më 19.06.2010 në ora 12:08
Vetëvrasja e aktorit Bekim Fehmiu erdhi si prej qiellit në skenën mediale kosovare. Fundi tragjik i tij u bë sebep që skajshmërisht nga një armatë e tërë gazetarësh, analistësh, artistësh, shkrimtarësh e nuk e di kush tjetër, të thonë diçka për të. Fat për shumëkënd, në fatkeqësinë e tij.

Së pari, nga ajo mori shkrimesh u mësua se ne ende nuk e kemi mësuar e zhvilluar zhanrin e nekrologut, çfarë zakonisht bëhet për personalitetet të shquara, siç e bën për shembull çdo javë revista The Economist. Po të lexohet sasia e shkrimeve që patëm për katër pesë ditë radhazi, shumica prej tyre më shumë u morën me të gjallët sesa me kontributin e të vdekurit, në këtë rast Bekim Fehmiut.

Në fillim, të gjithë gjetën dromca të jetës së tyre që në ndonjë mënyrë i lidhte me aktorin Fehmiu. Një pjesë kishin afërsi dhe njohje personale me të. E, atyre që u mungonte njohja individuale me vet artistin, kapeshin e tregonin se njihnin secilin kuadër të secilit prej filmave ku kishte aktruar ai. Pamë se si u shterën të gjitha figurat stilistike letrare në përshkrimin e jetës së tij. Fatkeqësisht, Fehmiu kishte lënë amanet të digjej trupi i tij, përndryshe tashmë do t’i kishte të shkruara e të gdhendura kushedi se sa epitafe nga miqtë personalë dhe adhuruesit.

Duke kaluar prej historive personale, fundi i Fehmiut ishte rast i mirë që nuk duhej të lëshohej nga goja për të atakuar gjithçka që ekziston në Kosovë. Nuk u kursye asgjë.

Së pari, një shpullë fytyrës për gjithë shkrimtarët shqiptarë që kanë shkruar në 15 vjetët e fundit. Faqet e librit autobiografik të Bekim Fehmiut u quajtën gjeniale, e të pashkruara nga dorë shqiptari në 15 vitet e fundit. Nëse ajo autobiografi arrin t’i kalojë kufijtë e tregut serbishtfolës dhe atij shqipfolës, nga zanati i tyre duhet të heqin dorë të gjithë shqiptarët e tjerë që i mësyhen zanatit të shkrimtarit dhe që shkruan në dekadën e fundit. Pa përmendur emra konkretë, kjo përfshin edhe ata shumë shkrimtarë shqiptarë që kanë arritur të depërtojnë suksesshëm në tregun perëndimor të librit, bash në këto 15 vitet e fundit. (Nuk bëhet fjalë për Ismail Kadarenë, ku së pari na shkon mendja).

Nuk munguan edhe prononcime trishtuese që dëgjuam nga emra të njohur të dramaturgjisë në Kosovë. Njëri prej tyre, vetëvrasjen e tij e interpretoi si simbolikë sakrifice për gjendjen e popullit shqiptar! Siç është e rëndomtë në këto raste, sulmet tjera u nisën prej majës së institucioneve të vendit, Presidencës, për të vazhduar frontalisht kundër gjithë elitës politike dhe asaj kulturore. Pra, kundër të gjithëve, që nuk janë as më shumë e as më pak se reflektim i asaj që ka mundur të prodhohet nga shoqëria jonë.

Mbi një shoqëri të tërë u hodhën shigjeta të zemërimit nën justifikimin – provincialistë, mediokër, inatxhinj, xhelozë patologjikë për suksesin e të tjerëve. Një vend i tërë rezultoi në bankën e zezë, ngase nuk i paskan dhënë hapësirën që e meritonte aktori Bekim Fehmiu. Vdekja e tij na kthjelloi se si një komb paska qenë i mobilizuar që atij t’ia mbyllë të gjitha dyert e penetrimit në hapësirën kulturore shqiptare.

Kështu u tentua të shpjegohet mungesa, apo refuzimi, i Bekim Fehmiut që të paktën një rol a një varg të vetëm ta kishte të regjistruar në gjuhën shqipe, në skenë a në shirit filmik.

Ajo që as nuk mund t’i kontestohet personalitetit të tij është mjeshtëria e tij e jashtëzakonshme e aktrimit.

Por, kjo bashkëkombësve të tij nuk ua heq të drejtën që aty-këtu, nga habia, të pyesin mbi mosprezencën e tij në hapësirën kulturore shqiptare. Nga mosdashja që t’u jepet një casus belli gjithë publicistëve për të rinisur ofensivat e tyre, në terrenet e të cilëve kontestimi nuk preferohet, vetë të pyeturit në këso situata mund të bëhet me ndrojtje përballë frymës euforike.

Por, është po aq e padrejtë të fyhet gjithë skena politike dhe kulturore në vend, se nuk i paskan bërë një ofertë të dinjitetshme projekteve të Bekim Fehmiut.

Nëse vërtet diçka e tillë paska munguar, besoj që aktori Fehmiu ka pasur aq influencë sa të gjejë projekte falë reputacionit të tij, dhe t’i çojë deri në fund. Aktorë botërorë janë bërë edhe regjisorë dhe producentë të suksesshëm të shumë filmave të njohur (Mel Gibson, Jodie Foster, Nicolas Cage, Clint Eastwood, etj...).

A është justifikim dhe pengesë mediokriteti ynë që Bekim Fehmiu në një projekt të vetëm të tij të linte diçka në gjuhën shqipe? Mediokriteti ynë duhej të ishte motivim për të mos hequr dorë sipas asaj thënies famoze: “Fali Zot, se nuk dinë...”.

Nëse kjo që pyeta ka qenë e pamundur të realizohet, është e pashpjegueshme mungesa e atij angazhimit intelektual, si pjesë e pandashme e secilit artist të madh, që do të duhej të vinte si reagim ndaj asaj nëpër të cilat kemi kaluar gjatë viteve të 90’ta.

Askush nuk ka kërkuar që intelektualin dhe aktorin Bekim Fehmiu ta shihte të veshur në uniformë të UÇK’së, anëtarë të partive tona politike, apo duke shpërndarë ndihma humanitare për personazhet e mjerimit në Kosovë. As në rolin e Adem Jasharit në Teatrin e Skenderajt.

Por, guxojmë të pyesim e të krahasojmë se si mundi që në vitin e tmerrshëm ’99, në Bllacë pranë qindra e mijëra refugjatëve kosovarë të zbarkonte aktori Richard Gere? Si mundi që Vanessa Redgrave të organizojë një recital në London's Phoenix Theatre për mbledhje fondesh për refugjatët kosovarë? Si i ra ndërmend këngëtarit me prejardhje greke, George Michael, të incizojë një radio spot për të apeluar për viktimat e luftës në Kosovë? Ose këngëtari i bendit Manic Street Preachers të organizojë një koncert humanitar? Të mos harrojmë albumin e Pavarotti’t dhe miqve të tij? E lista e intelektualëve botërorë që u angazhuan në atë vit është shumë e gjatë. Mjafton të përmendim mes tyre, Ellie Wiesel, Salman Rushdie, Slavoj Zizek...
Cila do të duhej të ishte përmasa e ofertës dinjitoze që edhe në këtë rast Bekim Fehmiu të thoshte diçka. Një paragraf të vetëm të thënë prej tij, në ato ditë të rënda kurrë nuk do t’ia harronim. Apo ndoshta edhe vuajtjet e mediokreve duhet refuzuar?

Prandaj, për vlerat e punës së aktorit Bekim Fehmiu, në të gjithë nekrologët dhe biografitë, për të do të përzgjidhen fjalët më të mira. Por, jo duke përlyer të tjerët. Sidomos, jo bashkëkombësit e tij. Në të kundërtën, secili do të ballafaqohet me pyetje që nuk do të jenë aq të këndshme.


P. S.
Harrova ta përmend fare në fund edhe aktorin tashmë të ndjerë, Faruk Begollin. Në fillim të viteve të 90’ta ia ktheu shpinën famës dhe lavdisë që gëzonte në Beograd dhe zgjodhi për të bashkëjetuar dhe bashkëvuajtur ambientin mediokër kosovar, duke kontribuar në themelimin e degës së aktrimit në Kosovë.

Ç’autoritet intelektual?

Rrezikojmë (në të vërtetë ne po e bëjmë këtë) ta bartim në gjeneratat pasardhëse këtë mësim dhe praktikë të pakëndshme, të autoriteteve intelektuale të rreshtuara në interesa ngushtësisht politike.

Nga Arben Idrizi më 12.09.2010 në ora 12:00
Disa fragmente të çastit dhe të pamenduara mirë, për autoritetin intelektual.

* * *
Tipi i, ta quajmë kështu, autoritetit intelektual për të cilin, do të thoshim me drojë, ka nevojë ky vend është intelektuali që qëndron mbi gjërat.
Në politikën si të tillë dhe përtej politikës së përfaqësuar nga subjektet politike.
Si ‘mbi’ si ‘brenda’, janë pozicione që bartin rreziqet e veta. E megjithatë, qëndrimi ‘mbi’, sado që duket më i lehtë, është më i rëndë dhe më i rrallë.

Derisa në vitet ’90, e mbase për shkak të rrethanave të tjera, mund të thuhet se në njëfarë mënyre ekzistonte një lloj autoriteti intelektual, vitet e pasluftës shënojnë një përmbysje të çuditshme.
Në Historinë e re, nëse na lejohet ky definim, pas luftës, intelektualët e involvuar në politikë e gjejnë veten të rreshtuar në subjekte të caktuara politike që përfaqësojnë interesa të caktuara politike – jo aq ideore sa materiale, jo aq shoqërore sa personale.
Është e vetëkuptueshme që autoriteti i tyre të jetë i kufizuar dhe i dyshimtë.

* * *
E keqja tjetër, ndodh me mediat. Edhe ato të rreshtuara, pothuajse ngushtësisht, në njërin apo krahun tjetër politik, me pasojën që t’i mbrojnë dhe proklamojnë vetëm dhe thjesht interesat relevante.
Premisa se media është një opozitë duket tashmë një gjë qesharake. Jo që është në vete e tillë, por ngase është shndërruar në të tillë.

* * *
Nëse i hedhim një sy shoqërisë civile, përgjithësisht s’do që gjejmë veçse autoritete që nuk kanë ide të qartë mbi vetë konceptin e shoqërisë civile dhe, marrim guximin ta themi, në momentin e tyre të volitshëm janë të gatshëm të përfundojnë të rreshtuar politikisht. Siç edhe ka ndodhur edhe më herët. Të varur nga kjo perspektivë, zor të përfaqësojnë një autoritet intelektual për t’iu referuar.

* * *
Çfarë themi, që tingëllon edhe si kërkesë, nuk është nevojë për një autoritet të vetëm, me tipare ideologjike, profetike. Të tillë kishte edhe në vitet në ’90. Është nevojë për autoritete intelektuale që reflektojnë dhe luftojnë përtej interesave personale e grupore. Edhe kjo gjithashtu tingëllon si një moralizim bajat.
Por ajo që duam të themi me këtë është se ne rrezikojmë (në të vërtetë ne po e bëjmë këtë) ta bartim në gjeneratat pasardhëse këtë mësim dhe praktikë të pakëndshme, të autoriteteve intelektuale të rreshtuara në interesa ngushtësisht politike.
Me çka, rolit të intelektualit si të tillë, parimor, i mohohet besueshmëria dhe validiteti.

* * *
Në këtë shoqëri të dominuar nga politika dhe politikanët me natyrë egoiste, biografi të dyshimtë kundërligjore dhe qëndrim johuman, me qëllime tërësisht materiale – prania dhe zëri i atij autoriteti intelektual të nevojshëm do të ishte, nëse jo më shumë, një shpresë.

Nata është e Prishtinës

Në një Kryeqytet me vetëm një kinema, pa qendra rinore e sportive, pa kënde normale argëtimi, edhe ato pak iniciativa private apo donacione bllokohen e dështohen. Prandaj ndoshta jeta e natës në Prishtinë është aq e veçantë, për ta harruar atë zymtësi e trishtim që qyteti të injekton gjatë ditës. Ajo u duhet rikthyer prishtinasve
Nga Armand Shkullaku më 23.09.2010 në ora 14:00
Keni ardhur për herë të parë në Prishtinë. Keni dëgjuar apo keni lexuar për jetën e veçantë të natës në kryeqytetin kosovar, për muzikën e mirë, shërbimin e ngrohtë, vajzat e bukura dhe atmosferën entuziaste. Doni ta shijoni dhe ta përjetoni edhe ju këtë pjesë të Prishtinës, që në fakt është vetë shpirti i saj. Nuk është e vështirë, njerëzit janë shumë miqësorë, ambienti mikpritës dhe shumë shpejt efekti i muzikës dhe i pijeve të krijon përshtypjen se gjithnjë ke qenë pjesë e këtij qyteti. E ndërsa mendon se në këtë vend, që ditën ngjall veç trishtim, ka orë kur mund të ndihesh vërtet mirë, diçka e pazakontë ndodh. Skuadra policore futen me zhurmë në mes të njerëzve, ndalojnë gjithçka dhe nisin të boshatisin në mënyrë aspak miqësore lokalet e mbushura plot. Ato ndiqen nga një kamera, gjithashtu e policisë, që dritën e fortë ta përplas në fytyrë dhe të regjistron pa kurrfarë leje paraprake. Në pak minuta, gjithçka bëhet e shurdhët dhe njerëzit lëvizin të çorientuar rrugëve pa ditur më se ku të shkojnë. Kjo është Prishtina e Re. Nëse vini për herë të parë, mirë se keni ardhur.

Prej një muaji tashmë, pamjet e përshkruara më lart përsëriten çdo natë. Të gjitha lokalet në Prishtinë janë të mbyllura pas orës 12 të natës. Një urdhër i Komunës së Kryeqytetit, krejt befasisht ka vënë në lëvizje forcat e policisë për t’i ndaluar të gjitha lokalet që punojnë natën. Aksioni ka qenë i papritur dhe qyteti duket sikur është zënë në një kurth nga i cili nuk po di si të shpëtojë. Dikur, gjatë sundimit serb, kanë qenë aplikuar disa mënyra të sofistikuara për t’iu fshehur policisë, por gjatë dhjetë viteve të fundit ato janë harruar. Njerëzit shprehin vetëm habi për këtë që po ndodh, disa edhe protestojnë e shumë të tjerë përpiqen të kuptojnë se përse po ndodh një gjë e tillë, përse Komuna e Prishtinës vendosi të paralizojë një pjesë të trupit e të shpirtit të qytetit. E kësaj pyetje vështirë t’i gjesh një përgjigje të saktë. Vështirë, pasi edhe vetë Komuna ka nisur diçka, pa qenë e qartë se si do të vazhdojë më tej, pa patur një rregullore apo një ligj të plotë që rregullon jetën e natës në Kryeqytet dhe pa menduar aspak për pasojat sociale dhe ekonomike. Sepse kultura e kafeneve në Prishtinë nuk është vetëm argëtim, por është njëkohësisht e vetmja industri që funksionon dhe ushqen mijëra familje.
Komuna e Prishtinës sigurisht që mund të sjellë argumente për ta motivuar vendimin e saj. Prej kohësh ka patur ankesa të shumta të banorëve që jetojnë në afërsi të klubeve të natës. Ato nuk janë mirë të izoluara, investimet janë modeste, nuk kanë aspirim, prodhojnë shumë zhurmë dhe shqetësim njëkohësisht. Po ashtu, një pjesë e mirë e bizneseve nuk janë të regjistruara si lokale të natës, por si kafe-bare të thjeshta. Disa të tjerë kanë fshehur taksat e tatimet, apo nuk i kanë paguar asnjë detyrim Komunës për vite me radhë. Ky informalitet duhet të marrë fund dhe çdo biznes duhet të paguajë detyrimet në raport me aktivitetin që kryen. Njëkohësisht, funksionimi i lokaleve të natës nuk duhet në asnjë rast të bëhet shqetësim për banorët rreth tyre. Këto arsyetime të Komunës qëndrojnë, dhe ndaj tyre nuk mund të dalë askush që i ka mendtë në kokë. Por, problemi me drejtuesit e Prishtinës qëndron diku tjetër dhe prandaj vendimi i tyre ka ngjallur aq shumë pakënaqësi dhe revoltë.

Ndotja akustike përbën një problem. Ani pse për Prishtinën tingëllon si luks kur kihet parasysh ndotja nga Obiliqi, nga pluhuri i rrugëve dhe nga plehrat që pa diskutim përbëjnë rekord europian për nga dendësia me të cilën kanë pushtuar qytetin. Por, le të supozojmë se Komuna e ka caktuar si prioritet të saj ndotjen akustike dhe ka mobilizuar forcat e veta dhe ato policore për ta rregulluar atë. Pyetja që lind është pse pikërisht tani, kaq papritur dhe me kaq agresivitet, kur ky fenomen ka vite që ekziston? Pronarët e lokaleve thonë që më shumë se sa nga shqetësimi i banorëve, Komuna ka vepruar pas ankesave të ambasadave në Dragodan që gjatë verës kanë pasur probleme me zhurmën e lokaleve të hapura rreth Pallatit të Sporteve. Dhe ky interpretim është fort i besueshëm po të kihet parasysh se Komuna nuk vihet ndonjëherë në lëvizje me kaq energji kur qytetarët shqetësohen për trafikun, rrugët e hapura pa kriter, mbeturinat që po u zënë frymën, mungesën e ujit, etj. Po ja që lokalet e natës qenkan një emergjencë dhe Komuna, pa asnjë lajmërim paraprak, pa pasur as mjete e as specialistë për ndotjen akustike, vendosi ta zgjidhë kështu këtë punë, me forcë dhe pa asnjë diferencim.

Sa i takon evazionit fiskal, edhe ky është një problem disavjeçar. Madje, një problem i toleruar nga vetë Komuna, e cila nuk ka ushtruar kontroll për t’i verifikuar lejet që ka dhënë, apo ato biznese që nuk janë të regjistruara fare. Po e bën tani, ndoshta edhe se arka po i boshatiset nga investimet e pamenduara mirë. Por, a është mbyllja arbitrare e lokaleve zgjidhja më e mirë? Çfarë ndodh sot nëse dikush prej pronarëve paraqitet në Komunë, i gatshëm të paguajë taksën për natën dhe me kushte optimale kundër zhurmave? A e merr dot lejen dhe a mund ta mbajë hapur lokalin e tij?

Në Komunë nuk dinë të japin përgjigje, pasi sipas pronarëve, nuk ka asnjë rregullore të shkruar dhe as ligj që ta disiplinojë këtë aktivitet. Prandaj drejtuesit e Prishtinës i kanë rënë shkurt duke i suspenduar të gjithë dhe pa menduar më tej se ç’do bëhet me ta. Pa menduar se në Prishtinë janë rreth 560 lokale që mbajnë në punë të paktën nga 10 vetë dhe afro 12 mijë biznese të tjera që lidhen me këto lokale e që punësojnë edhe shumë të tjerë. Nuk është e lehtë të marrësh një vendim të tillë nëse ke në konsideratë pasojat sociale dhe ekonomike që sjell për qytetin. Për të mos harruar se vetë Komuna nuk ka krijuar lehtësi, por ua ka vështirësuar jetën edhe atyre bizneseve që u ka vjelë taksa duke hapur rrugë pa kriter e duke i lënë të papërfunduara. Mjafton të kujtojmë këtu rrugën tek Kafet e Vogla. Shumë biznese ankohen se rrugët dhe trafiku i tmerrshëm ka bërë që aktiviteti i tyre të bjerë ndjeshëm. Është e padrejtë që vetëm të kërkosh pa ofruar diçka.

Dhe Komuna e Prishtinës po ofron shumë pak. Jo vetëm për bizneset që përmendëm më lart, por edhe për rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet. Kultura e kafeneve mbetet e vetmja mode de vie e Prishtinës, një Kryeqytet me vetëm një kinema, pa qendra rinore e sportive, pa kënde normale argëtimi, e ku edhe ato pak iniciativa private apo donacione bllokohen e dështohen. Prandaj ndoshta jeta e natës në Prishtinë është aq e veçantë, për ta harruar atë zymtësi e trishtim që qyteti të injekton gjatë ditës. Prandaj ajo u duhet rikthyer prishtinasve, si një pjesë e shpirtit që e mban gjallë në këto kohë të vështira.

Ilir Meta akuza të ashpra Dritan Priftit: U manipulua nga Edi Rama, më propozoi ofertë për puç parlamentar

Kreu i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar sot se ka marrë nga ish ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti oferta për organizimin e një puçi parlamentar, pas të cilës fshihej mirëfillti Edi Rama. Në akuzën e tij publike, Meta thekson se vetëm 3 ditë më parë Dritan Prifti është ftuar në një takim nga kryesocialisti dhe më pas i ka paraqitur kreut të LSI ofertën e bërë nga Rama, për të krijuar një qeveri me Partinë Socialiste dhe ku Meta të ishte kryeministër ndërsa Prifti të rikthehej si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kreu i LSI ka vijuar më tej për mediat deklaratën ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, duke e akuzuar atë për haluçinacione. Meta u shpreh gjithashtu se e ka toleruar Priftin vetëm për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore. “Ka bërë shantazhe ndaj kryetarit dhe kryesisë së LSI-së për të mos e larguar nga posti i rëndësishëm që kishte, por vazhdon të hedhë akuza. E kam toleruar gjatë gjithë kësaj kohe për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore”- theksoi Meta.


Z. Meta, a keni një koment për deklaratat e djeshme të z. Dritan Prifti në një emision televiziv? Po. Jam informuar për çudirat e radhës që ka thënë Prifti dje në një intervistë dhe dua t’ju siguroj se këto janë kaq të vërteta dhe të sinqerta sa ka qenë pohimi i tij dje se gjatë kësaj periudhe të shkarkimit nga detyra nuk ka pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e opozitës, kur ndërkohë vetëm tre ditë më parë, pas një takimi të drejtpërdrejtë që kishte patur me zotin Edi Rama, erdhi dhe më përcolli ofertën e z. Rama për të bërë një puç parlamentar, si rezultat i të cilit unë do të përfitoja postin e kryeministrit, ndërkohë që Dritani kishte marrë garanci që ai të rikthehej në ministrinë e Ekonomisë dhe të Energjetikës. Duke mos qenë i çuditur për qëndrime të tilla dhe oshilacione, të cilat janë të denja vetëm për një njeri kameleon dhe që nuk ka asnjë lloj përgjegjësie e normaliteti, si unë, ashtu edhe kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, jo vetëm që jemi përpjekur ta ndihmojmë që të mos rrëshqasë në pozita të tilla, kur ai, jo nga pozita parimore dhe politike por, nga pozitat e një pengu të krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm ka guxuar të bëjë shantazhe ndaj kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe kryesisë së LSI, në mënyrë që të mos largohej nga posti të cilin kishte për shkak të LSI por, për fat të keq, vazhdon të hyjë dhe në kombinacione të tjera, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me moralin dhe me vlerat e forcës politike që ne përfaqësojmë.


Zoti Meta, duke patur parasysh se pak ditë më parë thatë se po e prisnit krahëhapur për ta takuar zotin Prifti, çfarë do të ndodhë? Absolutisht që unë kam qenë gjithë i pritur për ta pritur me krahëhapur dhe gjithnjë jam përpjekur ta trajtoj dhe si prind, për shkak të shumë lajthitjeve për të cilat shpesh e kemi toleruar, për arsye dhe të problemeve shëndetësore që dihet që i ka patur në të kaluarën. Por, sigurisht që gjuha e përsëritur e shantazhit është krejtësisht e papranueshme, sidomos kur ajo bëhet në emër të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe ndaj institucioneve legjitime të këtij vendi.


Ju thatë se është peng i krimit të organizuar. A mund të ketë vend një njeri i tillë në strukturat e LSI? Besoj se ai e ka të qartë vetë rrugën e tij. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka të pandryshueshme rrugën e saj.


Zoti Meta, z. Prifti deklaroi dje se do të qëndronte në LSI, ndërkohë që ju thoni se ka patur një takim me z. Rama tre ditë më parë… Kjo është mese e vërtetë dhe natyrisht që unë dua të shpreh keqardhjen për oshilacione të tilla, të jashtëzakonshme, të cilat edhe një fëmijë nuk mund t’i ketë, jo më një njeri të cilit i është dhënë mundësia disa herë të krijojë një personalitet publik.


Zoti Meta, pse morët vendimin për shkarkimin e zotit Prifti ditën që atij i vdiq gjyshja? Pse nuk e shtytë mbledhjen e Kryesisë së LSI? Mendoj se ky teatri dhe hipokrizia me tragjedinë e gjyshes bëhet thjesht për të justifikuar një gjendje emocionale gjoja të tronditur, kur në fakt ai e ka ditur nga ana ime, drejtpërdrejt, pikërisht këtë ndryshim që do të ndodhte prej gjashtë muajsh. Së dyti, mbledhja e Kryesisë është shtyrë dy herë për shkak të tij. Dhe, së treti duhet të them se tragjedia e gjyshes, për të cilën unë i kam përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, nuk e pengoi për tu takuar me Kryeministrin Berisha, ndërkohë që nuk e lejoi të vinte hy herë në takimet që kishte lënë me mua. Lojëra të tilla janë krejtësisht të papranueshme për moralin dhe integritetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Zoti Meta, dje opozita ka miratuar një strategji protestash që do të nisin në muajin tetor. A ka më shanse të zgjidhet ngërçi politik pas kësaj, sepse opozita po kërkon edhe zgjedhje të parakohshme? Nuk dëshiroj të komentoj strategjinë e opozitës. Është e drejta e saj të bëjë protesta, sepse Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë një vend demokratik, por natyrisht kjo nuk do të sjellin diçka të re. Ndërkohë, të jeni të sigurt se, strategjia e krimit të organizuar dhe korrupsionit për të ndryshuar në mënyrë ilegjitime qeverisjen e vendit, në funksion të krimit të organizuar dhe korrupsionit, është e dështuar.

Masakra e Tivarit, dëshmia e Islam Kadeshit, ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste

Telegrami i Alisë: U pushkatuan të gjithë në luginë

Dëshmi të reja që implikojnë dhe zbulojnë dijeninë e regjimit komunist në gatimin e Masakrës së 31 marsit 1945 në Tivar, ku mbetën të vrarë më shumë se 5000 mijë kosovarë, janë zbuluar në mbledhjen e radhës të komisionit hetimor parlamentar për këtë masakër. Deputetët e djathtë, të cilët janë anëtarët e vetëm të këtij komisioni, pasi ata të opozitës nuk janë bërë pjesë e zbardhjes të ngjarjeve të Tivarit, kanë vënë në dispozicion të hetimit dëshmi të reja. Një ndër to ishte edhe dëshmia e ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, zotit Islam Kadeshi. Sipas tij, rezulton se në një telegram të ardhur nga komisari i Divizionit V, zoti Ramiz Alia, njoftohet se një turmë e madhe prej mijëra njerëzish u grumbulluan në një luginë dhe u pushkatuan të gjithë. Një tjetër dëshmi është edhe ajo e bërë nga persona të mbijetuar nga kjo masakër, si Azem Hajdini-Xani, ku në një libër të tij ai zbardh të vërtetën që ka ndodhur në ato ditë. Sipas Hajdinit, gjatë kalimit në territorin e Shqipërisë për të eliminuar të rekrutuarit kosovarë është aplikuar helmimi në masë që u është bërë ushtarëve shqiptarë në këtë territor nëpërmjet dhënies së një ushqimi të helmuar dhe moslejimi që të afroheshin pranë ujërave që ishin në territorin tonë. Gjatë mbledhjes së komisionit hetimor parlamentar u vu re vendosmëria e deputetëve të djathtë për t'i shkuar deri në fund zbardhjes së masakrës më të madhe në historinë e kombit shqiptar. Kryetari i komisionit hetimor, Fatos Beja gjatë fjalës së tij theksoi se objekti i këtij hetimi kryesisht do të jetë territori shqiptar ku do të synohet gjetja e bashkëpunëtorëve me që me veprimet e tyre kanë mbështetur eliminimin fizik të mbi 5000 njerëzve. "Sigurisht, objektin ne do ta kemi në territorin shqiptar, sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm se shumë pyetje nuk kanë marrë përgjigje. Shqipëria ishte një republikë në të cilën kishte një qeveri, përgjegjësi e njësi ushtarake të shpërndara në të gjithë territorin dhe ishte e pamundur të kalonin me mijëra trupa pa u ditur. A ka qenë në dijeni Tirana për kalimin e këtyre trupave? Për shembull, të gjithë ju jeni në dijeni për rastin e trupave angleze që ishin në jug të Shqipërisë. Në Shqipëri ka pasur informacion. Po për këta mijëra trupa që kalonin nga jashtë kufijve të Shqipërisë, nëpër Shqipëri e më pas dilnin jashtë, a ka pasur dijeni Tirana zyrtare? Deri tani opinioni publik është i painformuar. Nëse ka pasur dijeni, a janë marrë masat e duhura? A ka pasur koordinim? Cila është e vërteta? Nëse nuk janë marrë masa, cilat kanë qenë arsyet që nuk është bërë një gjë e tillë?", u shpreh Beja. Për këtë qëllim, Beja u shpreh se komisioni do të kërkojë fakte dhe dokumente të reja si në arkivën shtetërore të Shqipërisë edhe në arkivat jashtë vendit. "Të gjitha këto janë çështje që komisioni do t'i hetojë për të nxjerrë të vërtetën. Do të kërkojmë të gjitha dokumentet arkivore në arkivat brenda Shqipërisë. Njëkohësisht do të përpiqemi të kërkojmë edhe dokumente të tjera arkivore jashtë Shqipërisë, të cilat dëshmojnë për elemente që do të na provojnë të vërtetën për ngjarjet e Masakrës së Tivarit", theksoi Beja, ndërsa e cilësoi hetimin një detyrim moral e shoqëror për të informuar shqiptarët për të gjitha faktet dhe dëshmitë që do të dalin gjatë hetimit, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm se çdo ngjarje që ndodh do të hetohet dhe asnjë krim nuk do të mund të fshihet përpara opinionit publik, kushdo qofshin autorët e tij. Komisioni Hetimor miratoi gjatë seancës së djeshme planin paraprak të hetimit si dhe marrjen e një eksperti pranë komisionit, i cili do të jetë studiuesi Romeo Gurakuqi.

Deputetët e opozitës bojkotuan punimet e komisionit që do të zbardhë krimet e rënda të kësaj masakre

Etërit e një pjese të lidershipit të PS të implikuar me Masakrën e Tivarit

Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha theksoi dje se nga dëshmi të shumta pranë komisionit është pohuar se një pjesë e të afërmve të lidershipit të Partisë Socialiste ka qenë e implikuar me Masakrën e Tivarit. Gjatë mbledhjes së komisionit, deputeti Hoxha tha se deputetët socialistë kanë mundësinë më të mirë për t'u bërë pjesë e zbardhjes së një prej masakrave më tragjike e më të rënda të kombit shqiptar. Duke i bërë thirrje opozitës për të qenë pjesëtare në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Hoxha theksoi se hezitimi i saj bëhet për shkak të lidhjeve të Partisë Socialiste me të shkuarën e saj. Sipas tij, prindërit ose njerëzit e lidershipit të Partisë Socialiste janë të implikuar në këtë masakër. "Do të ishte e udhës t'i bënim edhe një herë thirrje opozitës të ishte pjesë e këtij komisioni, pavarësisht se nga takimet dhe bisedat që kemi bërë me dëshmitarë okularë ndoshta një pjesë e lidershipit të Partisë Socialiste, që është sot, është e implikuar, prindërit ose njerëzit e tyre janë të implikuar në këtë masakër, por është në të mirën e shqiptarëve që ne ta zbardhim këtë masakër. Pra të gjejmë mundësinë, nëpërmjet jush, që t'i bëjmë thirrje edhe një herë opozitës të marrë pjesë, e thashë, pavarësisht se ndonjë pjesë e lidershipit është e implikuar në këtë ngjarje, nuk ka rëndësi. Gjëja më e rëndësishme për popullin është që ta zbardhim këtë", u shpreh Hoxha. Gjithashtu, deputeti demokrat i kërkoi komisionit angazhim maksimal në këtë çështje për shkak se shumë nga autorët e krimeve që përgjërohen sot për NATO-n, për Bashkimin Europian, të cilët japin edhe leksione vend e pa vend për këto organizma, janë pjesë edhe e kësaj masakre. Ndërsa deputetja Doda duke propozuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, tha se tashmë është i njohur një grumbullim në Prizren të rreth 20 mijë trupave, të cilët kanë shkuar me objektiv kryesor hapjen e frontit të Srenit dhe në ndihmë për frontin veriperëndimor të Adriatikut dhe kemi 22.017 luftëtarë shqiptarë që janë grumbulluar për këtë qëllim. Ajo tha se në Prizren u gjendën të çarmatosur dhe kaluan nëpër Shqipëri dhe ky është një fakt që duhet zbardhur. "Sipas dëshmisë së bërë nga zoti Hajdini, të cilën kemi pasur fatin ta lexojmë, kemi dy momente që janë shumë të rëndësishme. Së pari, helmimi në masë që u është bërë ushtarëve shqiptarë në këtë territor nëpërmjet dhënies së një ushqimi të helmuar dhe moslejimi që të afroheshin pranë ujërave që ishin në territorin tonë, pra një masakër që i kalon kufijtë njerëzor të trajtimit, një fenomen të cilin e kanë parë shqiptarët që janë banorë të zonës së Veriut, pra duke filluar nga Fushë-Arrësi, duke vazhduar me Prizrenin, Kukësin, Pukën, Shkodrën dhe përfundon në Tivarin", tha Doda.

Butka: Shteti shqiptar bashkëpunëtor në vrasjen e rekrutëve kosovarë

Shteti shqiptar ka qenë bashkëpunëtor në masakrën e përgjakshme të 31 marsit në Tivar në vitin 1945. Këtë fakt e pohoi gjatë komisionit hetimor studiuesi dhe historiani Uran Butka, i cili iu referua disa dokumenteve të gjetura në Arkivin e Shtetit kosovar. Sipas Butkës, kjo provohet edhe nga dokumente që ndodhen në Arkivin e Kosovës që zbardhin urdhrin për të likuiduar fizikisht në territorin shqiptar 50 përqind të rekrutëve kosovarë që nisen për të luftuar në frontin e Triestes. "Tani është fillimi, por mund të them se ka dijeni dhe bashkëpunim të plotë. Kjo provohet edhe nga dokumente që ndodhen në Arkivin e Kosovës. Ka një urdhër të fshehtë të krerëve ose të organeve partiake dhe ushtarake të Jugosllavisë, ku thuhet shprehimisht: '50 përqind e rekrutëve kosovarë që nisen për të luftuar në frontin e Triestes të likuidohen në territorin shqiptar'. (Arkivi i Kosovës, Fondi OKKM, dok. 335, nr.1, fq. 4 dhe dokumenti tjetër respektiv në Arkivin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, që ndodhet në dosjen e Koçi Xoxes (aty e kam gjetur për herë të parë). Gjatë gjykimit që iu bë Koçi Xoxes u akuzua, sepse ka autorizuar oficerët e OZMO-s, domethënë të UDB-së", u shpreh Butka. Një hap tjetër të rëndësishëm historiani Butka ka sugjeruar hulumtimin e arkivave të Shqipërisë dhe në ato të huaja, që lidhen me këtë ngjarje, përfshirë këtu arkivat e Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë.

Doda: Telegramet faktojnë dijeninë e Alisë për ekzekutimin e kosovarëve

Anëtarja e komisionit hetimor për Masakrën e Tivarit, Mesila Doda theksoi dje se ngjarja duhet zbardhur ashtu siç ka ndodhur, në çfarë vendesh janë vrarë shqiptarët e Kosovës dhe ku kanë përfunduar trupat e tyre. "Nga dëshmia e zotit Hajdini, besohet se mund të jenë rreth 1200 persona, që janë ekzekutuar në territorin shqiptar. Kjo gjë duhet të jetë një nga momentet e para të rëndësishme të punës tonë, pra bërja me dije publikut të gjerë për ngjarjen që ka ndodhur, mundësisht edhe përcaktimi i datave përkujtimore apo memorialëve që duhet të ngrihen në këtë itinerar, i cili duhet të jetë në sytë e publikut. Nga ana tjetër, mbështes edhe unë shqetësimin e të gjithë kolegëve lidhur me dëshmitë që kemi pasur mbi veprimin apo mosveprimin e shtetit shqiptar në këtë ngjarje", tha Doda. Ajo sqaroi ndër të tjera se, sipas dëshmive të mbledhura ekzistojnë disa telegrame në të cilat faktohet se Ramiz Alia ka qenë në dijeni të plotë të krimeve monstruoze të ndodhura në Tivar, në marsin e vitit 1945. "Në librin e të ndjerit zoti Hajdini, i cili me sa duket e ka kaluar gjithë jetën e tij në përpjekje për ta zbardhur këtë ngjarje (si për ironi të fatit, ne jemi mbledhur këtu tani që zoti Hajdini nuk është më), kemi një dëshmi të trishtuar të ish-shifrantit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, zotit Islam Kadeshi. Sipas tij, rezulton se në një telegram të ardhur nga komisari i Divizionit V, zoti Ramiz Alia, njoftohet se një turmë e madhe prej mijëra njerëzish u grumbulluan në një luginë dhe u pushkatuan të gjithë. Sipas dëshmisë së tij, rezulton se këtë telegram ia ka kaluar Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes", vijoi deputetja demokrate. Gjithashtu, ajo tha se nga dëshmitë e grumbulluara nga pushtetarë të kohës, zëvendësministra të Brendshëm dhe anëtarë të tjerë shumë të lartë të Ministrisë së Brendshme, flitet në mënyrë të qartë për dijeni mbi atë që kishte ndodhur. "Besoj se është hapi i parë i asaj ku duam të mbërrijmë, i cili na tregon për një politikë jo vetëm vasale ndaj sistemit jugosllav, jo vetëm anti-shqiptare të sistemit komunist, por, mbi të gjitha për dhënien e fakteve konkrete, të cilat na tregojnë rreth nocionit të pasjes me dije nga shteti shqiptar mbi atë që kishte ndodhur dhe heshtjes po me ndërgjegje mbi atë që po kryhej. Në kërkimet e mia, kam pasur mundësinë që të kem edhe disa dëshmi të tjera të dhëna nga pushtetarë të kohës, pra zëvendësministra të Brendshëm dhe anëtarë të tjerë shumë të lartë të Ministrisë së Brendshme, në të cilat flitet në mënyrë të qartë për dijeni mbi atë që kishte ndodhur. Shteti shqiptar i asaj kohe e dinte që po kalonin turma kosovarësh, e dinin që po ekzekutoheshin në territorin tonë dhe, akoma më keq, në momentet kur vinin dhe dorëzoheshin në shtetin amë, po të njëjtët njerëz ktheheshin prapë pranë autoriteteve jugosllave, për të plotësuar në këtë mënyrë atë detyrim të internacionalizmit, që i bashkonte të dyja qeveritë, të Jugosllavisë dhe Shqipërisë", tha në vijim deputetja Doda.

Kreshnik MERSINLLARI