Saturday, April 9, 2011

Partia Demokratike, e cila kundërshtonte regjistrimin e një kandidati për kryetar komune në Kelmend, me pretendimin se ai kishte falsifikuar dokumenta

Përfaqësuesit e opozitës kthehen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas tre muajsh bojkot, si pasojë e debateve me maxhorancën.Mbledhja e djeshme ka shënuar sërish replika mes anëtarëve të Komisionit, por në të njëjtën kohë, për herë të parë pas një periudhe të gjatë, janë shënuar edhe votimet 7-0 në mbledhjet e KQZ-së. Debati më i ashpër mes shumicës dhe pakicës është regjistruar për një ankesë të depozituar nga Partia Demokratike, e cila kundërshtonte regjistrimin e një kandidati për kryetar komune në Kelmend, me pretendimin se ai kishte falsifikuar dokumentacionin. Si provë për këtë pretendim, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, tregoi një vërtetim të vitit 2007, sipas të cilit, Partia Kristian-Demokrate kishte fituar një vend këshilltari në Kelmend, ndërkohë që sipas buletinit të KQZ-së, kjo parti nuk ishte regjistruar fare në zgjedhjet e vitit 2007. Nënkryetarja Dëshira Subashi kërkoi që Komisioni të thërrasë kryetarin e Këshillit të Komunës, pasi ai kishte firmosur një vërtetim, sipas të cilit kjo parti sot ka dy këshilltarë. Pas kësaj deklarate të Subashit, Ristani tha se opozita kërkon të sorollatë procesin. “Sorollatje do të thotë që të thuash që vërtetimi thotë që ‘sot këta dy këshilltarë i takojnë Partisë Kristian-Demokrate’, është të zvarrisësh me qëllim dhe të deformosh përmbajtjen e vërtetimit. Vërtetimi nuk thotë ‘sot’. Vërtetimi thotë se Partia Kristian-Demokrate ka në Këshillin e Komunës Kelmend dy këshilltarë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2007. Të thuash që janë sot të Partisë Kristian-Demokrate është të deformosh vërtetimin. Të deformosh vërtetimin sy për sy në tavolinë do të thotë që do ta sorollatësh mbledhjen”, u shpreh Ristani. Ndërkohë që përfaqësuesi i PS-së, Artan Laze, i kërkoi kreu të KQZ-së të ndryshojë sjelljen në drejtimin e mbledhjeve. “Nuk mendoj se duhet të jetë gjuha e mbledhjes kjo, se ta kam bërë vërejtjen edhe herë të tjera”, tha Laze. Gjatë mbledhjes pati replika edhe mes Dëshira Subashit dhe Njazi Kosovrastit për qëndrimet e opozitës lidhur me këtë çështje.
Gjobë prefektëve
Anëtari i PS-së, Artan Laze, propozoi gjatë mbledhjes së djeshme që prefektët të gjobiten sipas Kodit Zgjedhor, për shkak se nuk kanë respektuar afatin që parashikon periudhën 60 ditë para zgjedhjeve për dërgimin në KQZ të vendeve të numërimit të votave. Këtë deklaratë Laze e bëri teksa KQZ-ja po miratonte VNV-të e qarkut Elbasan. “Prefekti e ka shkelur sërish Kodin, sepse Kodi thotë që lista duhet të vijë jo më vonë se 60 ditë, ndërsa letra e prefektit të Elbasanit mban datën 16.3.2011. Unë ju bëj me dije që në bazë të nenit 171 të Kodit, të gjobiten. Ju bëj thirrje të zbatoni Kodin dhe për këto shkelje që ka bërë prefekti i Elbasanit dhe për çdo prefekt që shkel ligjin, menjëherë të dënohen me gjobë. Të mos tolerohen në asnjë mënyrë, të kujtdo krahu qofshin”, u shpreh Laze. Në të njëjtën linjë ishte edhe Ristani, i cili i kërkoi administratës të përgatiste vendimin për këtë çështje.

Replikat në KQZ

Replika Ristani-Subashi
Dëshira Subashi: Vërtetimi i Këshillit të Komunës thotë se dy persona sot janë në Partinë Kristian-Demokrate (çështje ankimore e Partisë Demokratike për komunën Kelmend).
Arben Ristani: Nuk thotë “sot janë”.
Dëshira Subashi: Kjo më jep të kuptoj që dy persona mund të jenë garues në zgjedhje dhe këshilltarë me një parti tjetër, dhe sot janë me këtë parti.
Arben Ristani: Për mua është e kotë, situata është e qartë, duan ta sorollatin këtë pikë, s’ka më kuptim kjo punë.
Artan Laze: Zoti kryetar, doja t’ju bëja një pyetje me atë fjalën “duan ta sorollatin”. Çfarë nënkuptoni?
Arben Ristani: Sorollatje do të thotë që të thuash që vërtetimi thotë që “sot këta dy këshilltarë i takojnë Partisë Kristian-Demokrate” është të zvarritësh me qëllim dhe të deformosh përmbajtjen e vërtetimit. Vërtetimi nuk thotë “sot”. vërtetimi thotë se Partia Kristian-Demokrate ka në Këshillin e Komunës Kelmend 2 këshilltarë të dalë nga zgjedhjet e vitit 2007. Të thuash që janë sot të Partisë Kristian-Demokrate është të deformosh vërtetimin. Të deformosh vërtetimin sy për sy në tavolinë, do të thotë që do ta sorollatësh mbledhjen.
Artan Laze: E para njëherë, pse nxehesh?
Arben Ristani: Unë flas me ton dhe me pasion për çështjen.
Artan Laze: E dyta, nuk mendoj se duhet të jetë gjuha e mbledhjes kjo, se ta kam bërë vërejtje edhe herë të tjera.
Arben Ristani: Do të vazhdosh tani.
Dëshira Subashi: Zoti Njazi, pretendimet tuaja i thatë në herën e parë dhe në herën e shtatë që folët. Gjykimi për çështjen është i imi. Unë thashë të thërrasin personat që kanë firmosur vërtetimin të na sqarojnë dy elemente. Votojini. Drejtimin e mbledhjes mos na e merr.
Njazi Kosovrasti: Vazhdon e njëjta sëmundje.
Dëshira Subashi: Të jesh i sigurt që nuk jam e sëmurë. Unë jam korrekt në detyrën time dhe po ndërhyn në detyrën time.

KQZ: Vendimi për fletën ishte korrekt
KQZ reagoi dje ndaj akuzave të opozitës, e cila e quajti të jashtëligjshëm vendimin për fletën e votimit për kandidatët e Bashkisë së Tiranës. Në një deklaratë për shtyp të zëdhënësit të KQZ-së thuhet se “sipas marrëveshjes së koalicionit ‘Aleanca për qytetarin’, me kandidat z. Lulzim Xhelal Basha, emri zyrtar i koalicionit është ‘Aleanca për qytetarin’ dhe shkronjat nistore të koalicionit përkojnë me shkronjat nistore të të gjitha partive politike përbërëse të tij. Ndërsa, sipas marrëveshjes së koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen’, me kandidat z. Edi Kristaq Rama, emri zyrtar i koalicionit është ‘Aleanca për të ardhmen’ me shkronjat nistore ‘AA’.

Subashi: Në KQZ edhe pas presionit të të huajve
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, tha dje se vendimi për t’u kthyer në këtë institucion pas tre muajsh bojkot ka ardhur edhe pas ndërhyrjeve të faktorit ndërkombëtar. “Faktori ndërkombëtar është i interesuar që institucioni më i lartë zgjedhor të funksionojë dhe të ketë gjithë spektrin politik, që është përbërja që pasqyron Kodi Zgjedhor, dhe ky është pikërisht kontesti që unë kam bërë si një reflektim apo si një gjë që çka ndodhur në KQZ. Ajo që kam thënë, vendimmarrja, është me katër vota. I gjithë spektri ndërkombëtar i interesuar për një proces zgjedhor normal rikthen në vëmendje të të gjithë anëtarëve funksionimin edhe vendimmarrjen me një shumicë që të jetë e pranuar nga të gjitha forcat politike”, u shpreh Subashi.

ADI SHKEMBI

No comments: