Wednesday, April 6, 2011

Peter Prifti: FBI dhe unë



MAPO po boton kujtimet postmortum të personalitetit të njohur të diasporës shqiptare nën kurimin e studiuesit të njohur Nasho Jorgaqi. Më shumë sesa kujtime ato janë dhe një homazh për dinjitetin njerëzor, në rastin tonë të të ndjerit, i cili është ngritur dhe mbi provokime të institucioneve me reputacion shumë potent


Peter Prifti (1924-2010) është tashmë një emër i njohur e i nderuar nga publiku ynë për veprën e çmuar albanologjike, që ka lënë pas si historian dhe politolog, si publicist e përkthyes. Ai renditet ndër personalitetet e shquara te kulturës shqiptaro-amerikane, sepse, duke punuar në qendra të rëndësishme shkencore (Instituti Teknologjik i Masaçusetit dhe Universiteti i San Diegos), iu kushtua kryesisht studimeve historike e politike të Shqipërisë e të Kosovës dhe dha kontribute me vlerë që jo vetëm e sensibilizuan opinionin amerikan, por dhe tërhoqen vëmendjen e rretheve akademike dhe diplomatike. Veprat e tij shkencore në anglisht, si “Shqipëria socialiste prej vitit 1944: zhvillime të brendshme e të jashtme (1978)”, “Shqipëria e largët: politika e izolimit” apo “Ballafaqime në Kosovë: ndeshja shqiptaro-serbe (1969-1999)” etj., do të bënin jehonë dhe do të ktheheshin në një referencë shkencore në studimet e rralla amerikane për Shqipërinë. Peter Prifti do të qe një zë realist, objektiv dhe i besueshëm në trajtimin dhe interpretimin e dukurive dhe ngjarjeve politike, që zhvilloheshin në atdheun e origjinës. Një temë të tillë komplekse e delikate ai do ta përballonte me përgatitje të lartë shkencore dhe kurajo qytetare. Themi kështu, sepse Peter Prifti do të tregohej sa qytetari i denjë e besnik i SHBA, aq dhe një shqiptar patriot i devotshëm. Ai do të dëshmonte përmes jetës dhe veprave të tij ndërgjegje të lartë profesionale dhe integritet moral, koherencë dhe konsekuencë në bindjet e veta, besnikëri ndaj së vërtetës, të harmonizuara këto me mënçurinë e urtësinë, tolerancën e kurajon, modestinë e korrektësinë e njeriut të ndershëm dhe intelektualit me mendje të hapur.
E evokuam jo rastësisht staturën e personalitetit intelektual dhe qytetar të Peter Priftit. Dhe kjo lidhet me një rrethanë të pamerituar, që ai ka përjetuar dhe përballuar për më se 40 vjet. Ajo zbulohet prej tij në një dëshmi të shkruar, do të thosha të rrallë, që bën në rrëfimin “FBI dhe unë”, lënë në dorëshkrim. Sipas të vëllait, shkrimtarit Naum Prifti, i cili trashëgon dhe ruan arkivin vetjak të Peterit, ai ka shkruar rrëfimin disa vjet para se të ndahej nga jeta dhe e la amanet që të mos botohej sa të ishte gjallë. Naumi e respektoi këtë dëshirë të vëllait dhe fakti është se e përktheu nga anglishtja në shqip dhe e botoi vitin e kaluar në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut. Madje ma dërgoi dhe mua në shenjë kujtimi e nderimi të miqësisë shumëvjeçare që unë kam pasur me Peterin.
Rrëfimi “FBI dhe unë (Histori ngacmimesh)” është historia e përndjekjeve që i ka bërë studjuesit shqiptaro-amerikan Byroja Federale e Hetimeve nga viti 1962 deri në 2005. Ajo kishte dyshime për të se ai mund të ishte agjent komunist i rekrutuar nga Sigurimi i shtetit shqiptar. Shkas për këtë do të bëheshin dy vizita private që Peteri zhvilloi në Shqipëri në vitet 1962 dhe 1983, nga ku ishte larguar në moshën 15-vjeçare. Pas kthimit nga atdheu i origjinës, ai do të futej në listën e të dyshuarve dhe do te mbahej nën vëzhgim për më se katër dekada. Në rrëfimin e tij jepet me saktësi dhe hollësi gjithë kronologjia e përndjekjeve që i bëhet. Ai i tregon këto sinqerisht, me tone të qeta dhe pa ndonjë tendencë. Është mekanizmi gjigand dhe misterioz i shtetit që vepron mbi të, që e ndjek, e heton, e persekuton. Por Peteri, duke qenë i pastër në ndërgjegje, korrekt me ligjet, besnik ndaj idealeve demokratike, i bindur në drejtësinë e shtetit të vendit të tij, tregohet dinjitoz dhe kurajoz. Ai ishte konsekuent dhe koherent, i hapur e i logjikshëm në të gjitha situatat që kalon dhe në çdo përballje me agjentët e sigurimit. Në karakterin e tij nuk ndjehen luhatje, është gjithnjë i njejtë, vetvetja, pa iu trembur presioneve dhe provokimeve që i bëhen. Ai ruan një qetësi të admirueshme. Ai e di fare mirë se shteti, qoftë dhe në demokraci, është dhunë, por kjo nuk e tremb dhe nuk i lejon vetes të lëshohet, të tërhiqet para çdo situate që i krijohet. Dhe në gjithë sa tregon Peteri, është i besueshëm, në përputhje me karakterin dhe moralin e tij dhe një qëndrim i tillë s’ka si të mos zgjojë respekt, madje dhe admirim.
Siç del nga rrëfimi, edhe pse ndaj qytetarit Peter Prifti nuk kish të dhëna komprometuese dhe argumente ligjore, levat e shtetit veprojnë me këmbëngulje, tregohen të shurdhëta e të verbëra. S’kish dyshim se pas tyre fshihen shpifje e sajime, intriga e ambicie të njerëzve keqdashës e ambiciozë, të elementëve ekstremistë nga rrethet e mërgatës politike, që nuk pajtoheshin me mendimet e qëndrimet e tij objektive e të ndershme. E megjithatë, falë vlerave qytetare e morale, karakterit të palëkundur, qëndrimit konsekuent, Peter Prifti doli krejt i pafajshëm. Në vitin 2005 dosja e tij u mbyll përfundimisht. Do të fitonte kështu njeriu i i ndershëm, qytetari i denjë i shoqërisë demokratike, intelektuali i nderuar shqiptaro-amerikan.


1962
Boston, Massachusetts – Takimi im i parë me FBI (Byroja Federale e hetimeve) ngjau në fund të vitit 1962, në nëntor ose dhjetor. Ngjau pak kohë pas vizitës sime të parë si turist në Shqipëri, në vendlindjen time. Në atë kohë unë punoja si Research Assistant [1] në qendrën e Studimeve Ndërkombëtare të Massachusetts Institute of Technology.
Një agjent i FBI i zyrës së Bostonit më thërriti në telefon ndërsa po punoja dhe më tha se ata donin të bisedonin me mua rreth komunitetit shqiptar në Amerikë. Por nga sa doli më vonë, kjo qe thjesht pretekst që unë të pranoja t’i takoja e të bisedoja me ta. Dy agjentë erdhën te vendi ku punoja dhe unë shkova te makina e tyre dhe prej andej te zyrat e FBI në qendër të Bostonit. Atje qëndrova për pak kohë, dy deri në tri orë besoj, duke iu përgjigjur pyetjeve që më bënin. Pas disa pyetjeve për komunitetin shqiptar, ata e ndërruan subjektin rreth udhëtimit tim në Shqipëri. Ata donin të dinin gjithçka për udhëtimin tim atje dhe, me sa kujtoj tani, 24 vjet më vonë, unë isha shumë i çiltër në përgjigjet e mia. Para së gjithash unë s’kisha asgjë për të fshehur dhe nuk shihja ndonjë arësye të mos bashkëpunoja. Nga ana tjetër, isha pak i shqetësuar se, nëse nuk do të bashkëpunoja, puna ime në MIT gjithsesi mund të rrezikohej. Kjo mund të ngjiste, mendoja, në qoftë se ata do t’u raportonin superiorëve të mi, ose nëpunësve, se ata kishin disa dyshime rreth besnikërisë time ndaj Shteteve të Bashkuara, vendit tim të adoptuar. (Isha bërë nënshtetas amerikan qysh më 1947, shtatë vjet pas arritjes sime nga Shqipëria, në moshën 15 vjeçasre në këtë vend).
Agjentët e Bostonit qenë incizivë në pyetjet e tyre, por të sjellshëm dhe ndërkohë dukeshin të shkujdesur, sikur qe diçka e rastësishme. Nuk më ofenduan, as më provokuan. Vetëm njëherë, nga fundii “hetimit” njëri më bëri një pyetje, e cila m’u duk pa vend.
- A jeni besnik ndaj Shteteve të Bashkuara?
- Ç’doni të thoni me këtë? – ia ktheva unë.
Agjenti u tërhoq menjëherë.
- Oh, asgjë, hiç asgjë, - tha duke buzëqeshur.
Dy ngjarje të tjera më vijnë ndër mend.
Një, ata u përpoqën të më frikësonin duke më thënë se një të ri shqiptar, të cilin unë e kisha takuar në Boston tre vjet më parë, e kishin arrestuar në Evropën Perëndimore si spiun të Shqipërisë. Mirë, thashë unë, po s’jam përgjegjës për njohjen time të rastësishme, me jetën e tij ose të saj. Ata nuk e shtynë më tej çështjen.
Dy, ata më pyetën nëse kisha ndër mend të shkruaja për mbresat e mia nga Shqipëria për t’i botuar në Amerikë. U thashë po, pres të shkruaj. Pastaj ata deshën të dinin nëse do të shkruaja në mënyrë të favorshme për udhëtimin tim, apo të pafavorshme. Iu përgjigja se kisha ndërmend të shkruaja objektivisht, siç i përket një studiuesi dhe sipas dispozitave të mija natyrale të thosha të vërtetën.
Pas një intervali, FBI më telefonoi dhe më thanë se donin të flisnin me mua sërish për të “kompletuar hetimin”. Sërish pranova dhe shkova në në qendër të qytetit te zyra e tyre, ku pata një bisedë të gjatë me të njëjtët agjentë. Pas kësaj nuk pata sesione të tjera me FBI sa kohë isha në Boston-Kembrixh, domethënë derisa shkova në Kaliforni më 1976.
1977
San Diego, Kaliforni – më 1976 e lashë Bostonin për të vajtur në San Disego, ku fillova punën si Konsulent Gjuhe në Universitetin e Kalifornisë në San Diego. Gati nëj vit më vonë, një agjent i zyrës së FBI në San Diego më thirri në telefon. Ai më tha se dëshironte të bisedonim bashkë. I thashë mirë dhe e ftova të vinte në apartamentin tim në Pacific Beach (756 Agate St., Apt.4). Ai erdhi dhe ndenji gati gjysmë ore, si m’u duk mua, por nuk më bëri asnjë pyetje.
Më pas fillova të habitesha pse iu desh të vinte. Dhe konkludova se arsyeja qe se FBI donte të më jepte të kuptoja se isha nën mbikëqyrjen e agjensisë, edhe pse kisha lëvizur nga Bostoni, ku pa dyshim e dija se mbikëqyresha.
Pas kësaj vizite nuk pata takime me agjensinë, veçse nëntë vjet më vonë, më 1986.
1986
San Diego, Kaliforni – më 1985, pas një intervali prej 23 vitesh, ndërmora një udhëtim tjetër në Shqipëri, për një vizitë shoqërore, tamam si e para më 1962.
Në maj të 1986 e zonja e apartamentit tim Margaret (në North Park, San Diego) më tha se atë ditë kishte marrë një mesazh për mua nga një Bob Evans (453-9988) për çështje pune. Megjithatë, ia ktheva thirrjen, por më thanë se atje nuk kishte njeri me këtë emër.
Disa ditë më vonë, e zonja e apartamentit më tha duke pëshpëritur se dy agjentë të FBI kishin ardhur te shtëpia e saj. Ata po më kërkonin mua, sikurse i thanë asaj, por s’kishin mundur të më gjenin. Kështu që ia lanë asaj kartat e tyre që të m’i jepte mua: Agjentët Specialë, Thomas H. Rice and John H. Allison II. Unë i thashë zonjës së shtëpisë të mos mërzitej, pastaj i telefonova Mr. Rice, i cili tha se ata donin të bisedonin me mua. E pyeta nëse mund të më thoshte se përse donin të bisedonin me mua. Ai më tha se s’mund të ma thoshte në telefon.
- Nuk kam shkelur ndonjë ligj, me sa di unë, - i thashë.
- Oh, jo, - tha ai.
Pastaj caktuam një pikëpjekje të enjten, më 29 maj 1986, ora 2 pas dite, te Guest Room [2] im, (3540 Villa Terrace, North Park, S.D.).
Ai erdhi së bashku me agjentin Allison II dhe ne folëm gati një orë e gjysmë. Ata qenë të interesuar të mësonin për udhëtimin tim në Shqipëri, dhe për këtë temë ne biseduam thuajse gjatë gjithë asaj kohe.
Me aq kortezi sa munda, u tregova atyre hapur për udhëtimin tim, ashtu sikurse kisha bërë edhe më një dyzinë nga shokët e miqtë e mi sapo u ktheva nga Shqipëria. Por ata nuk mbetën të kënaqur dhe u duk se u acaruan, mbasi e ngritën tonin më lart. Vërtet u duk qënë fillim se ata kishin marrë qëndrim kundërshtues ndaj meje, duke përdorur një gjuhë që s’e kisha pritur kurrë, veçanërisht nga shërbyesit tanë publikë.
- Ju nuk po bashkëpunoni me ne, - më tha agjenti Rice.
- A jeni besnik ndaj këtij vendi? – më pyeti agjenti Allison.
- A jeni spiun? – më pyetën më shumë se një herë.
Kur u thashë se kisha arsye që atë pyetje ta merrja si ofendim, agjenti Rice tha:
- Aq na ben, merre ofendim!
U thashë se nuk isha i detyruar t’u përgjigjesha pyetjeve të tjera, në qoftë se nuk doja. Rice m’u përgjigj aty për aty.
- Bukuri. Ne mund t’i japim fund hetimit që tani! – dhe nisi të mblidhte letrat dhe të mbyllte çantën.
Vazhduam të fjaloseshim edhe disa minuta me atë atmosferë të ngarkuar, pastaj ata u ngritën me vrull, duke folur me zemërim e duke lëshuar kërcënime.
- Do t’u bëjmë edhe një provë me poligraf.
- Do të vazhdojmë të gjurmojmë shtigjet e tua dhe do t’u shohim të kalbeni në burg! – tha agjenti Rice.
Pastaj nxori kartvizitën e tij dhe ma zgjati duke më thënë:
- Ja tek e kini kartvizitën time, - çka nënkuptonte se unë do t’i telefonoja kur të isha “gati të flisja”. Pastaj doli jashtë së bashku me Allisonin.
Unë as e vura ujët në zjarr t’i merrja në telefon, meqë s’kisha asnjë dëshirë të bëhesha subjekt i sjelljes së ashpër dhe abuzive të zyrtarëve tanë publikë. Por rreth dy javë më vonë, agjenti Rice më telefonoi dhe më tha se ata donin një sesion tjetër bisedash me mua që “të kompletonin hetimin”. Me mirësjellje nuk pranova, duke i thënë se s’kisha asgjë tjetër për të shtuar, veç atyre që ua kisha thënë me kohë. Megjithatë, unë fola për disa minuta për diskutimin që kishim pasur më 29 maj, në Dhomën time të Miqve.

Atij nuk i pëlqeu përgjigjja ime, ndaj u përpoq të më frikësonte.
- Ne do të pyesim njerëzit që u njohin juve.
- Vazhdoni, - i thashë. - Ata do të konfirmojnë ato që unë ua kam thënë me kohë.
Ky qe fundi i fjalëve të këmbyera.
*

No comments: