Thursday, April 7, 2011

Guximi ligjor, për të thyer tabutë ritualë në qytetin tradicional të Shkodrës.

Nga Besi BEKTESHI

(Rregullorja për qytetin e Shkodrës e viteve ’30-të).

Një nga problemet e mëdha me të cilat është përplasur administrata, por edhe shoqëria shkodrane në fillim vitet ‘30-të të shekullit të kaluar, është riti, zakonet dhe ndjekja e erzeve.

Në një farë mënyre, shoqëria e asaj kohe në qytetin e madh, ishte “tepër e zënë” dhe e “përkushtuar” me mbajtje erzesh dhe sisteme të tilla të zakoneve, sa nuk ju dilnin shtatë ditë në javë.

Stërmundimi i familjeve për të ndjekur harxhimet si në dasma, fejesa dhe synetllëqe, apo edhe në ritualet e morteve, tashmë kishte rënë në sy, por edhe në veshët dhe arsyetimin e lartësive të administratës si vendore dhe qendrore. Kishte shumë pak kohë në krijimin e “Mbretërisë Shqiptare” dhe ishte vetëm viti 1930-të, kur një urdhëresë e kthyer në ligj nga Bashkia e Shkodrës, detyron qytetarët e saj, që të zbatojnë rregullat e reja në bazë të “Urdhnit të N. M.T. Mbretit të Shqiptarëve dhe sipas Ligjit Relativ”.

Një nga pengesat e mëdha në atë kohë, ishte se edhe administrata, por edhe shoqëria, ishte kaq e molepsur dhe kaq e dhënë mbas zakoneve, sa harronte të dilte edhe në punë, të hapte dyqanet, dhe të zbatonte oraret e duhura të shtetit, të sapo forcuar shqiptar.

Shkodra në fakt, po ekzagjerohej me të tilla harxhime e vonesa, dhe po tregohej jo kaq shumë moderne, për të larguar vetë një dorë ritesh, që e distanconin nga koha moderne.

Tashmë ishte Bashkia e Shkodrës, dhe normalisht dhe ai këshill në këtë Bashki, që po detyronte me ligj, zbatim rregullash, dhe ndalonte po me ligj, ndjekjen e atyre zakoneve që nganjëherë binin ndesh edhe me parime të botës së qytetëruar dhe perëndimore.

Për këtë gjë, me datën 15 dhjetor të vitit 1930, Kryetari i Bashkisë Zejnel Prodani, me anëtarë Ndoc Çoba dhe Maliq Tahiri, kanë firmosur dokumentin e titulluar “Rregullore për Qytetarët Shkodranë” e cila pastaj ka hyrë menjëherë në lojë.

Gjithsesi ka qenë i gjithë këshilli me pjesëmarrës si anëtarët myslimanë dhe kristianë, që e kanë shqyrtuar këtë rregullore, dhe emrat janë rregullisht në qarkore.

Kaq shumë e ekzagjeruar ishte kremtimi i dasmave, synetllëkut, përgjimet dhe të tjera si këto, sa që Bashkia ndalonte me ligj të përdoreshin më shumë se 6 sahana gjellësh ose lloje gjellësh, dhe ndalonte me ligj, që kremtimi të zgjaste më shumë se 24 orë.

Normalisht ligji edhe në morte ndalonte sofrat e mëdha dhe kafet, apo duhanin, si për gratë dhe burrat.

Ndalonte dhe vizitat, ato ndaloheshin të stërzgjateshin mbi tre ditë.

Kuptohet qartë se çfarë ndodhte në Shkodër, ku morti vazhdonte mbi një javë, dhe vizitat vazhdonin akoma më shumë, dhe paralizohej krejtësisht lagja dhe qyteti për një shumicë njerëzish, kurse jeta sociale dhe ekonomike tjetërsohej.

Kaq shumë stërmundoheshin njerëzit, dhe kaq shumë turp ishte të mos ndiqej zakoni, sa që gjysma e vitit shkonte për “morte dhe dasma”. Rregullorja, merret edhe me kufizimet në “dhunti dhe paja”.

Në rregullore jepen deri detajet sa “lejohet të çosh si stoli, çarçafë, kundra-këpucë, sheqer, sapun” etj., etj.

Normalisht që në Shkodër kishte “plasur gara e pajës dhe dhuntisë maksimale” dhe normalisht që edhe ato që nuk kishin shumë të ardhura, përbënin pjesën e garës, duke u zhytur në borxhe.

Vetëm në listat e shitësva dhe grosistëve të qytetit të Shkodrës, borxhet për pajat dhe dhuntitë, përbënin “lajmin e ditës” dhe patjetër që midis “garës dhe borxheve”, qyteti lundronte në një pesimizëm dhe lajtmotiv histerie pajash dhe dhuntish të marra, ose të çmendura për nga madhësia dhe mendjemadhësia kryesisht.

Imagjinohet se çfarë marrie kolektive ka pasur, sa ligji vinte tavan të përdorimit të “takëmeve” dhe numrat relativë të takëmit, si për nusen dhe dhëndrin.

Nuk lejohesh më, që “dhëndri t’i falë nuses më shumë se 10 dupa” ose monedhë ari e madhe, por edhe nusja nuk mund të binte më shumë se dy bahçalleqe te burri.

Pastaj ligji ndalonte deklamimet e shumta si bie fjala “ndalohet të vjerrunit e teshave të nuses ndër oda si nga djali dhe vajza”, biles ligji ndalonte edhe tevdileshat krejtësisht.

Ligji ka shikuar edhe diçka për lindjen, dhe ka ndaluar në përgjithësi harxhimet, përveç diçkaje normale për tu gostitur. Kurse vizitat në përgjithësi, lejohen në rastin e lindjes vetëm një javë, dhe jo më tepër.

Kaq shumë ishte problem harxhimi, sa ligji shikonte në dasma ose më mirë në ligj quhet “martesa” sa “dhandri mund të merrte vetëm tre karroca ose automobila dhe nusja vetëm një”.

Ligji ndalonte peshqeshet nga miqtë e ftuar-grishun, dhe me ligj lejoheshin të bënin peshqesh, vetëm nga familja e babës, vëllait, motrës, axhës, hallës, dajës e tezes. Kur vihesh emri i fëmijës, ligji ndalonte peshqeshin, dhe vizitat mund të vazhdonin vetëm dy ditë, mbas pikërisht kësaj dite. Në zakonin tashmë të vjetruar të asaj kohe shpesh herë, trupi i të vdekurit, përcillej me daulle. Ligji tashmë e ndalon këtë, dhe shpjegon se “në rasë se vdekjes së një personaliteti me randësi, ka për tu përkujdesë Bashkija me e përcjellë trupin e tij ke vorri me daull”.

Në përgjithësi, “Rregullorja për qytetarët shkodranë”, ishte një hap i madh përpara.

Në atë kohë kjo rregullore, është pritur mirë nga një pjesë e shoqërisë me tendenca perëndimore, por është pritur disi keq, nga një shumica e konsiderueshme e shoqërisë tepër zakonore dhe tradicionale, me drejtim të ruajtjes së zakoneve të qytetit që si ligj ka pikërisht vetëm ritin, apo zakonin.

Kjo është edhe e reja e “Rregullores për Qytetarët e Shkodrës”, e cila po fillonte të tregonte se ligji është shumë herë në konflikt me zakonet, dhe ato janë shumë në konflikt me ecjen përpara në qytetërim, ekonomi e kulturë.

Shkodra edhe një herë tregonte guximin qytetar dhe moral të saj që kapërcente edhe mbi zakonet tepër të ngulitura në qytetin e madh tradicional të veriut të Shqipërisë.

No comments: