Sunday, March 13, 2011

Rrëfimi i Emës për dashurinë e re, jo vetëm të ekranit


Ilda Lumani

Jeta është e bukur, se ka gjithmonë surpriza. Ndërsa në mendjen e aktores Ema Andrea vërtitej dëshira për të qenë pjesë e televizionit, një propozim përmes telefonit i ka dhënë jetë asaj. Prej 2 javësh, aktorja, - që ka guxuar dhe ka korrur sukses edhe si regjisore, - shfaqet në formatin më të ri televiziv të titulluar “Orkidea”. Një emision që fokusohet te kultura dhe që si pesë petalet e lules orkidea është i ndarë në po kaq pjesë. Në këtë intervistë, Andrea rrëfen projektin e saj televiziv, iniciativat në teatër, ndërsa jep një përshkrim edhe të jetës personale…

Për herë të parë nisni një aventurë televizive, duke qenë vetë prezantuese. Jeni aktore dhe regjisore e njohur, çfarë ju ngacmoi për të qenë pjesë e televizionit në një emision të përditshëm?

Në të vërtetë është e dyta, por dalja e parë i përket adoleshencës sime me "Gjimnastika në kushtet e shtëpisë” dhe ndoshta nuk kujtohet nga të gjithë.

Në të vërtetë oferta e drejtuesve të Albanian Screen erdhi në një moment kur po mendoja të bëja një program televiziv, të një formati tjetër natyrisht, ndaj telefonata ishte pothuajse sinkron me mendimin tim. Më tërhoqi kjo sfidë, jo vetëm për faktin se programi është i ndërtuar krejt ndryshe, por edhe pse jam pjesë e diçkaje që po rilind, dhe kjo e fundit është nga ato sfida që më pëlqejnë shumë. Për më tepër, më duket në vetvete një format shumë i guximshëm. Në Shqipëri mungon televizioni apo një program që tenton reflektimin dhe mendimin qytetar, përveç argëtimit. Mua më pëlqen të ndryshoj në raportin me spektatorët. Në teatër e kam bërë shpesh... Me televizionin ndryshon krejtësisht ky raport... dhe mu desh kurajë e mbështetje për këtë risi. Shpresoj t’ia dal

Si është konceptuar emisioni dhe përveç prezantimit merrni pjesë edhe në konceptimin e tij?

Puna te televizioni AS është kolektive, unë nuk kam qenë pjesë e konceptimit të këtij programi, por nuk i kursej sugjerimet dhe idetë të cilat mendoj se mund të vlejnë. Duket se përshtatem shumë mirë me këtë format. Programi është konceptuar me pesë rubrika të ndryshme, siç janë 5 edhe petalet e Orkideas, nga njëra-tjetra, jo vetëm në problematikat që trajtojnë, por edhe nga ritmi, si edhe realizimi artistik. Rubrikat përcjellin, sugjerojnë, informojnë, shuajnë kuriozitetin ose argëtojnë shikuesin, nëpërmjet një përqasjeje të ndryshme nga ç’jemi mësuar deri sot me realitetin. Sipas meje është një format me shije dhe inteligjencë. Rubrikat nuk vijnë çdo ditë njësoj, por me spektër të ndryshëm çdo ditë, pra jo vetëm në brendi por edhe nga dita në ditë pasditet janë ndryshe.

“Orkidea" është një emër i një lulejë të veçantë. E kujt ka qenë ideja për ta titulluar kështu dhe sa afron ky emër me atë çfarë përcjell emisioni?

Pagëzimi me këtë emër është bërë nga producentja e këtij programi, Anika Taçi. Ky emër, sa romantik dhe i veçantë, simbolizon dashurinë, klasin, elegancën, thjeshtësinë, forcën, maturinë e meditimin. Që nga përmbajtja e deri te detajet, ky program përpiqet të përcjellë çka më lart.

Në ekranet shqiptare vitet e fundit ka mjaft formate të emisioneve të pasditeve. Çfarë sjell ndryshe emisioni juaj dhe përse njerëzit duhet të zgjedhin të shohin emisionin tuaj?...

Përveç faktit që e prezanton një aktore (qesh).

Kjo pasdite bazohet në pesë rubrika dhe tema të ndryshme, kjo gjë krijon një temporitëm shumë të përshtatshëm për pasditen e shikuesve. Programi nuk i lodh spektatorët me të ftuarit e radhës, përkundrazi bisedat duke qenë se nuk zgjasin tepër, por mjaftueshëm sa për të nxjerrë thelbin e problemit, bëjnë që shikuesi të ruajë kuriozitetin për të ftuarin dhe të mund të reflektojë mbi atë që thuhet në studio. Duke nisur që nga këshillat mbi sjelljen e mirë e deri tek problematikat dhe mënyra se si të rinjtë e shohin realitetin, njohja me atë që kemi pranë dhe që njohim pak, një vështrim për mënyrën e të jetuarit dhe natyrisht një takim me kulturën, me librin, etj, ato që i kalojnë vëmendjes sonë përshkit, motive për të cilat kemi nevojë të flasim, apo të informohemi... Me pak fjalë ngjan si një pasdite mik i mirë për sallonet e shtëpive tona.

Pak javë më parë, keni pasur shfaqen "Ne-ku-ndër", si u prit ajo dhe cila është ndjesia juaj kur përfundon një shfaqje?

Është ndjesia e ndarjes... si të vdesësh nga pak... por e pasuruar në qenie. Shfaqjet gjithmonë lëvizin diçka tek unë, kështu që në këtë kuptim "harta" e qenies sime është e mbushur me toka të reja e oqeane të rinj vazhdimisht.

Ju keni një jetë aktive në teatër. Si e shihni raportin me shikuesit, a ka ndryshuar ai? A janë afruar më tepër njerëzit në vitet e fundit pranë tij?

Më vjen keq që një pjesë e spektatorëve që është larguar nga teatri ende nuk i është kthyer. Megjithatë raporti i shikuesve me teatrin ka ndërruar, pasi shijet e tyre kanë ndryshuar dhe janë më ekzigjent. Tanimë, mendoj se është detyrë e teatrit të jetë më shumë ekzigjent për vetveten.

Për mua personalisht, "I'm from Albania" është një nga sukseset tuaj më të mëdha. Ju vetë, kë cilësoni si të tillë?

Të falënderoj, së pari që e ke parë, së dyti që e vlerëson këtë shfaqje pasi jam edhe në rolin e regjisores në të. Natyrisht që nuk është i vetmi rol që unë dua në karrierën time, e cila nuk ka sasi të mëdha rolesh, por nuk ka asnjë rol njësoj, e pikërisht për këtë fakt unë i dua të gjitha femrat e jetës sime. Sukseset nuk i mas dot me çmimet, vlerësoj edhe çmimet e pathëna, si edhe rolet për të cilat kritika apo gazetaria e kulturës nuk kanë pasur mundësi t’i vlerësojnë. Vetëm po rreshtoj disa “Ajo” (Becket), “Ana” (Çapaliku), “Psikoza të 4 e 48” ( S.Kane), “Kasandra”, “Marta”(Edna Mazia), “Medea”, “Sara” (Pinter), S.Plath, “Anna Kulishov” (E Rizzoto), etj. Në se shihni autorët dhe personazhet nuk ngjajnë me njëri- tjetrin, ashtu si jam përpjekur të bëj edhe realizimin e këtyre karaktereve.

Duke qenë se impenjimet kryesore tashmë do të jenë në televizion, por gjithashtu edhe puna si pedagoge në Akademinë e Arteve, kjo do të thotë se do të shkëputeni disi nga sipërmarrjet teatrore?

Ahhaaa asnjëherë... Kjo nuk ka ndodhur as kur punoja jashtë fushës së artit, për të mbijetuar... dhe natyrisht që nuk po ndodh as tani. Me teatrin merrem çdo ditë, duke lexuar, punuar, studiuar apo shkruar, është gjithmonë me mua. Nëse e keni fjalën për një punë konkrete, “Po” do të jem në skenë shumë shpejt dhe vazhdimi do të jetë me ritëm të lartë për këtë sezon e për sezonin e ri, brenda dhe jashtë Shqipërie.

Në faqet e gazetave së fundmi jeni bërë prezente, për shkak të lajmeve që kanë të bëjnë me jetën tuaj personale. Ju shqetëson kjo, apo jeni dakord me faktin se përderisa jeni pjesë e personazheve publik, edhe jeta personale është e paevitueshme për t'u fshehur...?

Të them të drejtën më shqetëson shumë. U morën kaq shumë me jetën time, saqë humbën edhe vlerat e tyre si gazetarë dhe m’u duk shumë bajate së fundmi. Në një vend ku rrotullojnë të njëjtin lajm, ku veç fotot ndërronin, dy muaj ping-pong nga një gazetë në tjetrën. Mund të mendohet se gazetarët qenkan në krizë. Në jetën time ka shumë akte sociale dhe profesionale, të cilat besoj do të ishin jo vetëm lajm, por edhe shembull i mirë, të cilat këta lloj gazetarësh (natyrisht që nuk mund t’i fus të gjithë në të njëjtin thes) mund t’i kishin publikuar për të nderuar veten në radhë të parë. Është turp që një veprim qytetar i jetës sime private të trajtohet nëpër gazeta sikur një skandal politik, varfërisht tepër. Nuk dua të merrem këtu aspak me "zbulesat" Kolombiane apo Vespuçiane, për të cilat krenohet një gazetë. Më duket e pamoralshme e gjithë kjo përpjekje për të lodhur figurën time në faqe të parë. Kam pasur gjithmonë raport të mirë e bashkëpunues me gazetarët e kulturës dhe nuk u jam imponuar asnjëherë mbi opinionet e tyre për shfaqjet apo rolet mia. Kam dhënë intervista me kahje sociale dhe private, aq sa kam menduar se duhet ndarë me publikun, ndaj vazhdoj të them TË PAMORALSHËM NË TEPRINË DHE INTERPRETIMIN E JETËS SIME!

Gjithsesi mund të na përshkruani jetën personale aktuale? Cila është nota që do t'i vendosnit në këto momente asaj?

Tempull, oaz...Notën…? Kur të rritem!

No comments: