Saturday, March 19, 2011

Lënia e shtetësisë shqiptare fillon me Ramiz Alinë në vitit 1991


VEPROR HASANI

Gazeta “Metropol” zbardh gjithë të vërtetën e “shitjes” së kombit shqiptar

KORÇE- Gazeta “Metropol” ka mundur të zbardhë gjithë zanafillën e debateve të sotme në lidhje me regjistrimin mbi bazë kombësie, feje dhe shtetësie. Sipas informacioneve të sigurta dhe të pamohueshme, gjithçka ka lindur së pari në kohën e presidentit Ramiz Alia në vitin 1991. Madje ka qenë ky i fundit ai që ka firmosur fillimin e këtij procesi që ka të bëjë më lënien e shtetësisë shqiptare, por që në të vërtetë nuk nënkupton asgjë më shumë dhe asgjë më pak përveçse ndryshimit të kombësisë, edhe pse në pamje të parë duket sikur nuk thuhet kjo gjë. E vështruar me syrin e sotëm, shumë njerëz kanë mendimin se këtë marrëveshje presidenti i asaj kohe e ka nënshkruar me një qëllim të paracaktuar: të zgjaste jetën e karriges së tij. Pikërisht në këtë kohë ai zgjodhi kompromisin, për tu dhënë të drejtë gjithë shtetasve shqiptarë që dëshironin të linin shtetësinë. Ky fakt nxjerr në pah edhe diçka tjetër më shumë. Nëse populli shqiptar po përpiqej të sillte demokracinë në vendin e vet, qarqe të caktuara kishin kohë që kishin përgatitur planet e tyre antishqiptare dhe që do të kërkonin kompromise me udhëheqësit tanë, plane këto që do të realizoheshin edhe nëpërmjet liderëve të sotëm të politikës shqiptare. Me sa duket, në lidhje më këtë çështje, fakte të tjera kanë për tu bërë të njohura për shqiptarët. Aktualisht ka dalë në pah fakti se ndërrimi i kombësisë nuk ka filluar dy apo tre vite më parë, por fill me ndryshimin e sistemit, ndërsa është mbështetur për vite me radhë nga dy partitë më të mëdha politike në vend.

Dekreti i presidentit

Tashmë sipas informacioneve që zotëron gazeta “Metropol” gjithçka është realizuar së pari, në saj të një dekreti të nxjerrë nga presidenti Ramiz Alia në vitin 1991. Por cila është e vërteta? Në vitin 1991, disa familje të qytetit të Korçës, dhe konkretisht, 92 familje të këtij qyteti iu drejtuan presidentit të asaj kohe me një kërkesë, ku kërkonin lënien e shtetësisë shqiptare. Sipas disa dokumenteve që tashmë po dalin në dritë, presidenti Ramiz Alia, përmes dekretit nr 114. dt 23 janar të vitit 1991e firmos këtë kërkesë, gjë që gjeti zbatim në të gjitha gjendjet civile të qarkut Korçë, por që në këtë rast flitet veçanërisht për qytetin e Korçës. Përfundimisht 92 familjeve iu hoq shtetësia shqiptare, por ndërkohë po këta persona nuk arritën të marrin një shtetësi tjetër. Presidenti Ramiz Ali u rrëzua dhe gjithçka mbeti pezull. Këtij procesi do ti vinin në ndihmë ligjet e nxjerra nga Kuvendi i Shqipërisë. Nga 92 familje që kishin bërë kërkesën, me kalimin e viteve numri i tyre u shtua dukshëm, pasi kishin lindur fëmijë, ishin bërë martesa të tjera. Nga 92 kryefamiljarë, tashmë pa shtetësinë shqiptare, mund të kenë mbërritur së paku në 300 apo 400 persona, ndoshta edhe më shumë, nëse llogarisim një familje me katër anëtarë.

Kriteret e lënies së shtetësisë

Aktualisht dihet që 92 familje i kërkuan presidentit Ramiz Alia lënien e shtetësisë, por ende nuk dihet se mbi çfarë kriteresh e kishin bërë këtë kërkesë, gjë që duhet të investigohet nga organet përkatëse, pasi sot dekreti në fjalë ka ngjallur mosmarrëveshje të shumta mes kryefamiljarëve që kanë bërë kërkesën dhe bijve të tyre. E vërteta është se investigimi mbi këtë çështje ka filluar, çka do të thotë se fillimi i këtij procesi do të ketë përgjegjës. Më konkretisht, nëse 92 familje e lanë shtetësinë shqiptare dhe kjo gjë u bë fakt i kryer, pasi u pasqyrua edhe në dokumentet e gjendjes civile, një pjesë e tyre emigruan në shtetin grek dhe morën kombësinë greke, dhe kjo ishte pjesa më e vogël e kësaj kategorie. Pjesa më e madhe e tyre, nuk gjeti mundësi për emigrim në shtetin fqinj, dhe për rrjedhojë, mbeti sërish në qytetin e Korçës, ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Për të qenë sa më realistë, lënia e shtetësisë shqiptare ishte kërkuar nga komuniteti i vllehëve, por që shumë prej bijve të tyre nuk e duan këtë gjë.

Kontradiktat

Ajo çka po ndodh sot me banorët e Korçës tregon qartë se edhe dekreti i presidentit Ramiz Alia, përveçse nuk ka qenë i ndershëm ka qenë i pistë. Pse është i tillë? Nëse babai ka kërkuar ndërrimin e kombësisë, fëmijët e tyre nuk janë dakord me këtë gjë që kanë bërë etrit e tyre. Madje këta të fundit kërkojnë kombësinë shqiptare. Dilema e tyre është e madhe: “Dëshiroj të jem shqiptar po nuk mundem dot të bëhem i tillë”. Nëse në Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë vitet e fundit kanë bërë kërkesë rreth 120 familje, sepse 72 familje i takojnë zonës së Leskovikut, gjë që mund të ketë ndodhur për të njëjtat arsye, tashmë mund të thuhet pa asnjë mëdyshje, se për sa i përket qytetit të Korçës, kërkesat vijnë nga 92 familjet e dekretuara nga presidenti Ramiz Alia, por që tashmë janë shtuar në numër për shkak të lindjeve dhe martesave. Sigurisht lehtësimi i ndryshimit të kombësisë, është mundësuar përmes ligjeve të nxjerra nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilët nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë mbajtur “ison” e dekretit të presidentit Alia, gjë që tregon që edhe pasardhësit e tij, janë të njëjtën linjë. Madje Majko, dy ditë më parë, në një televizion qendror, tha se në këtë çështje “duhet të jemi të kujdesshëm” dhe “të gjendet një rrugë e mesme”, kur dihet nga gjithkush për të mirën e kombit ka vetëm një rrugë, dhe ajo është vetëm rruga ligjore.

Shkeljet ligjore

Nëse pjesa më e vogël e 92 familjeve të dekretuar nga presidenti Ramiz Alia pati mundësinë të emigrojë në Greqi dhe të marrë kombësinë e atij shteti, pjesa më e madhe jeton edhe sot e kësaj dite në qytetin e Korçës. Me dekretin e Ramizë Alisë atyre iu hoq shtetësia, dhe për gati 20 vjet me radhë ata mbeten pa shtetësinë shqiptare. Megjithatë, ata për 20 vjet pandërprerë jetojnë si shqiptarë, pajisen me pasaporta shqiptare dhe askush nuk mban përgjegjësi nëse kjo është ligjore ose jo. Votojnë për kandidatët për kryetar bashkie dhe për deputetë, kur në fakt ata nuk kanë asnjë lloj shtetësie. Ngjasojnë më jashtëtokësorët. Ata realisht janë banorë fantazmë të këtij shteti. Dhe e keqja nuk përfundon këtu. Falë dekretit në fjalë, me pasaporta të vendeve të huaja janë pajisur shumë nga këto familje, por edhe persona të tjerë, që kanë gjetur mbështetjen e shteteve të huaja dhe shteti ynë bën sikur nuk i shikon. Sipas informacioneve që ka gazeta “Metropol”, njerëz të tillë, të pajisur me pasaporta maqedonase apo bullgare gjen edhe në universitetin “Fan Noli” të Korçës, e cila në të vërtetë përbën një temë më vete, megjithatë ata sillen sikur të ishin shqiptarë, pa pasur asnjë kontratë me qeverisjen e këtij vendi, nëse duhet të punojnë në këto institucione ose jo, sepse para se të jetë i punësuar një bullgar apo maqedonas, së pari duhet ti sigurohet vendi i punës një studenti që ka mbaruar në universitet më të mira të botës. Dhe sërish ky shtet hesht që nga presidenti deri të autoriteti më i fundit i këtij vendi.

Problemi nuk përfundon këtu…

92 kryefamiljarë kërkuan lënien e shtetësisë, dhe kjo gjë u aprovua nga dekreti i Ramiz Alisë, tashmë lind pyetja, çdo të bëhet me bijtë e tyre që kërkojnë të jenë shtetas shqiptarë? Madje këta të fundit nuk e kanë ditur asnjëherë që kanë qenë pa shtetësi. Këtë gjë e kanë marrë vesh për herë të parë këtë vit, në janar të vitit 2011, kur janë njoftuar nga zyrat e gjendjes civile. Njoftimi ka qenë ky: ju jeni pa shtetësi! Sigurisht që kanë mbetur të befasuar, por gjithçka flet qartë për një shitje të pastër të kombit shqiptar, sepse edhe shqiptarët nuk bëhen dot shqiptarë. Sipas procedurave të përcaktuara me ligji për këtë gjë, çdo shqiptari që i është ndryshuar shtetësia pa dëshirën e tij, duhet të zvarritet dhe të presë për vite me radhë kthimin e tij në identitet. Pyetja që lind është: Çfarë do të bëjë Presidenti aktual i Republikës, Bamir Topi, me këta shqiptarë që dëshirojnë të jenë shqiptarë dhe që dikush ua ka hequr shtetësinë pa dëshirën e tyre

No comments: