Monday, March 14, 2011

Ngjarjet në Shkollën e Bashkuar, raporti i Hetuesisë për Gramoz Ruçin


Shpëtim Koli

Është folur shumë për ngjarjet në Shkollën e Bashkuar në Tiranë, më 22 dhe 23 shkurt 1991. Pamjet e ushtarakëve që vringëllonin armët përpjetë në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, të dhëna nga televizioni i shqiptar atë kohë, nuk mund të shqiten kollaj nga kujtesa. Tensionimi i situatës kishte ardhur nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. Ushtarakët e pjesës konservatore ishin treguar më të pa parashikueshëm në ndërmarrjen e veprimeve të tyre. Nga kaosi i krijuar dy ditët e ftohta të shkurtit, kishte pasur të vrarë e të plagosur. Një raport zyrtar i kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme bënte fjalë për hetimin shtetëror të kësaj ngjarjeje. Pra, cili ishte opsioni zyrtar i organit të hetimit mbi atë që kishte ndodhur në atë kohë brenda dhe jashtë oborrit të shkollës në fjalë? Në vitet 1983 - 1993, Hetuesia e Përgjithshme ishte një organ i specializuar në varësi të Kuvendit Popullor, për hetimin e veprave penale të ndodhura në territorin e shtetit shqiptar. Raporti i kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme është hartuar më 27 shkurt 1991, duke treguar në fakt një shpejtësi të paparë hetimi. Në material flitet edhe për “palë kundërshtare”, që nuk konfigurohet, lihet e paqartë në përcaktim etj. “Pala kundërshtare” është populli i pranishëm në pjesë të ndryshme të territorit pranë Shkollës së Bashkuar.

***

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë

Hetuesia e Përgjithshme

Lënda: Për ngjarjet më datë 22 dhe 23 shkurt 1991

Ministrit të Punëve të Brendshme, shokut Gramoz Ruçi,

Tiranë

Në datat 22 e 23 shkurt jeni në dijeni, përballë e në periferi të territorit të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në Tiranë, ndodhën ngjarje të rënda e të hidhura. U vranë një polic ushtar në krye të detyrës dhe dy persona të palës tjetër pjesëmarrës në ngjarje. U plagosën me armë zjarri 15 persona, një polic shërbimi në krye të detyrës, 10 persona të palës tjetër dhe 3 persona në banesat e tyre e 1 kalimtar që janë plagosur aksidentalisht nga shpërndarja e parregullt e predhave. Të plagosur rëndë janë 4 veta, ndërsa të tjerët janë plagosur lehtë e jashtë rrezikut. Organet e punëve të brendshme kanë ndaluar e kallëzuar në hetuesi 92 persona. Veprat e kryera prej tyre nuk kanë qenë në kompetencë të hetuesisë, pasi gjykohen drejtpërdrejt nga gjykata. Hetuesia kreu veprimet që nuk mund të shtyhen dhe dërgoi për kompetencë në gjykatën e rrethit 32 persona, për kundërshtim me dhunë të përfaqësuesit të shtetit dhe shkeljen e dekreteve “Për mbledhjet, grumbullimet e manifestimet e shtetasve në vendet publike” e “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare e të simboleve shtetërore”.

Pas veprimeve të bëra nuk u administruan prova dhe u liruan 44 persona për të cilët u vërtetua se nuk ishin pjesëmarrës në këto ngjarje dhe në kryerjen e ndonjë veprimi të paligjshëm. Ata ishin kapur rastësisht e ndaluar nga organet e policisë pas ngjarjes, në Laprakë e tek Spitali Ushtarak, tek Banka, tek kryqëzimi i “21 dhjetorit” dhe në rrugën “Bajram Curri” e në afërsi të spitalit klinik nr.2, duke shkuar te shtëpitë e tyre ose tek të afërmit e shtruar në spital. U kërkuan të dhëna organeve të punëve të brendshme, por nuk kishin. Po punohet intensivisht me të arrestuarit e të ndaluarit e tjerë për të zbuluar ekzekutorët, nxitësit dhe organizatorët e këtyre ngjarjeve.

Altin G. me datën 23 shkurt, pasi turma ka ndaluar makinën “Zis” të Akademisë Ushtarake dhe kanë vjedhur 350 bukë e sende të tjera ushqimore, ka marrë drejtimin e automjetit dhe ka dëmtuar tubin e ujësjellësit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve që t’i priste furnizimin me ujë.

Leonard L. dha shpjegime se ka qenë pjesëmarrës në grumbullimin e paligjshëm të datës 23 shkurt dhe ka hedhur shishe me benzinë në një makinë të blinduar, kur është bërë përpjekje për t’i shpërndarë.

Në Allias janë kapur e ndaluar 4 persona nga rrethi i Krujës, Gjon L. i është gjetur një pistoletë Nagant. Fran S. një thikë armë e ftohtë, ndërsa Lec e Bec V. i janë gjetur një thikë e një hanxhar, që nuk i plotësojnë kushtet e armëve të ftohta. Vërtetohet se ato kanë ardhur në Tiranë për të kërkuar një kalë që i kishte humbur dhe nuk kanë lidhje me ngjarjen e ndodhur. Gjoni dhe Frani do të dërgohen në gjykatë për armëmbajtje pa leje.

Makina “Zuk” e parkut komunal me shofer Nail N., natën e ngjarjes ka transportuar për në spital ushtarak dy të plagosur. Në karrocerinë e saj kanë qenë edhe 7 persona që i shoqëronin ato, në këtë makinë nuk ka patur persona të armatosur me armë zjarri e armatim. Thëniet e përhapura nuk janë të vërteta. Në karrocerinë e makinës, nga policia janë gjetur vetëm dy thika. Hetuesia pyeti punonjësit e qarkullimit rrugor e të policisë që e kanë ndjekur makinën dhe që kanë ndaluar shoferin e personat e tjerë që ishin në karrocerinë e saj. Ato shpjegojnë se nuk kanë parë armë e nuk janë dëgjuar krisma armësh. Nuk janë kapur e kallëzuar në hetuesi personat që kanë përdorur armë në këtë ngjarje.

U sqarua edhe e dhëna për makinën autoveturë “Fiat” e Partisë Demokratike që ishte në dispozicion të Azem Hajdarit, i cili u pyet si dëshmitar. Vërtetohet se kjo veturë dhe personat e ndodhur me të, nuk kanë marrë pjesë në këtë ngjarje. Ato kanë qenë me shërbim në Korçë dhe ktheheshin në Tiranë. Shoferi Edmond K. që ishte i ndaluar, u lirua dhe autovetura e bllokuar iu dorëzua.

Duart D. u kap me një aparat fotografik. U kontrollua filmi dhe doli se ishte film që përdoret për rikopjime dhe i papërshtatshëm për fotografitë në natyrë. Nuk kishte objektiv të filmuar. Shpjegoi se ishte vënë në shërbim të zbulimit çek e sllovak, kur ka qenë refugjat. Pasi është kthyer, ka marrë takim me punonjësit e ambasadës çeke e sllovake në Tiranë dhe ka marrë detyra për të mbledhur të dhëna të dokumentuara me fotografi, për objektet ushtarake dhe për ngjarjet e kohëve të fundit, kundrejt shpërblimit në valutë. Shpjegimet e tij po i verifikojmë me kujdes, pasi thuhet se është i sëmurë psikik.

Hetimet po thellohen për problemet e rëndësishme. Nga organet e punëve të brendshme kërkojmë të dhëna për zbulimin e personave kryesorë për organizimin e veprimeve për këtë ngjarje, si dhe për provat për të dhënat e mjaftuara për armë.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

No comments: