Saturday, March 12, 2011

Misteri i vrasjes së 4 të rinjve shkodranë


Anila Dushi

2 prill 1991


SHKODËR
- 2 Prilli 1991 do të mbahet mend jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, si një ngjarje me përmasa historike, mbarëkombëtare, monument i qëndresës dhe luftës së shkodranëve për liri dhe demokraci, dita kur qendra e antikomunizmit shqiptar do të vuloste me gjakun e bijve të saj shembjen e sistemit politik më të urryer për shqiptarët, komunizmit.


Historia e qëndresës antikomuniste shqiptare nuk mund të kuptohet pa Shkodrën, e cila e kundërshtoi këtë ideologji që në fillimet e saj. Gjatë gati 50 viteve të sundimit komunist, Shkodra do të ishte kundërshtare me të gjitha mënyrat e këtij regjimi, përfshirë dhe përpjekjet për ta rrëzuar me armë në vitet e para.


Revolta e Këlmendit më 1945-n, kryengritja e Postribës në shtator 1946 ishin të parat kundërshtime me armë të ideologjisë komuniste në të gjitha vendet ku ajo u vendos pas Luftës së Dytë Botërore. Qyteti i persekutimit të pashoq, me mijëra të vrarë, burgosur, internuar e të persekutuar politikë do të ishte në krye dhe të lëvizjeve të para antikomuniste të viteve '90.


Shkodra e tregoi veten duke filluar nga lëvizjet, demonstratat antikomuniste në shkollat e mesme, në universitetin "Luigj Gurakuqi" (atëherë Instituti i Lartë Pedagogjik), deri në lëvizje e demonstrata të gjera popullore. Një grup qytetarësh shkodranë bëjnë përpjekje për të rrëzuar bustin e diktatorit "Stalin" në qendër të qytetit më 14 janar 1990. Dështojnë, mbyten në gjak, burgjet mbushen plot me të rinj, ndërsa qyteti me policë e sigurimsa.


Qindra shkodranë, kryesisht të rinj, përcjellin me nderim trupin e 17-vjeçarit Pëllumb Pëllumbi, të vrarë e të masakruar në kufi nga shteti. Shkodranët ditën e varrimit të tij, më 16 qershor 1990 , hedhin parulla antikomuniste kundër Enver Hoxhës e Nexhmije Hoxhës. Më 13 dhjetor qytetarë shkodranë duke u nisur nga ambientet e universitetit "Luigj Gurakuqi" heqin pllakën e vendosur në faqen e murit me mbishkrimin "Rruga Enver Hoxha".


Turma e qytetarëve drejtohet drejt Komitetit të Partisë, hyhet në katin e parë, griset fotografia e Enver Hoxhës, hidhet përtokë parulla komuniste "Njeriu i ri, vepra më e shkëlqyer e Partisë", për të vazhduar më pas drejt bustit të Enver Hoxhës, përballë ish-Komitetit Ekzekutiv, ku hidhet busti i diktatorit Enver Hoxha. 31 marsi i vitit 1991 dha provën e parë të një lëkundje të një sistemi të cilit nga dita në ditë po i vinte fundi.


Dhe Shkodra do të bëhej sërish pjesë e një prove të vështirë, por jo të pamundur për të shkulur nga rrënjët një sistem 50-vjeçar, pasi në shumë zona të vendit, PPSH e udhëhequr nga Ramiz Alia vijonte të qëndronte në krye të shtetit shqiptar.


Ndryshimet e mëdha në Evropën Perëndimore, era e fuqishme e demokracisë amerikane, krijimi i Partisë Demokratike kishin rritur besimin e vrarë frikën. Shkodranët e ndienin në shpirtin e tyre erën e fitores dhe demokracisë.


Zgjedhjet e 31 marsit '91, manipulimi i votave nga PPSH, fitorja e PD-së në rrethin e Shkodrës, kishin bërë që dy grupimet kundërshtare t'i interpretonin në mënyrë të ndryshme. Shkodranët e kishin shumë të qartë se pjesa dërrmuese e popullit shqiptar kishte votur për PD-në, por vota ishte vjedhur nga komunistët dhe ajo duhej mbrojtur me çdo kusht.


Komunistët, pasi siguruan fitoren e manipuluar, menduan se kishte ardhur momenti i përshtatshëm për të mposhtur me dhunë çdo protestë në Shkodër, për t'i nënshtruar ato, për t'i dhënë një mësim të mirë dhe për të shuar pastaj lëvizjen demokratike në të gjithë Shqipërinë.


Dhe shenjat e para të kësaj u dukën në pasdrekën e 1 prillit, kur deri në orët e vona të natës, para Komitetit të Partisë mbi 400 demonstrues ishin ulur në shesh dhe protestonin paqësisht, duke hedhur parulla antikomuniste, pro Amerikës, Evropës, demokracisë. Po kështu me qindra të tjerë qëndronin pranë ish-kafe Barbanës, pranë së cilës ndodhej dhe ish-muzeu ateist i kthyer në seli të PD për Shkodrën.


Qëndronin në heshtje, ndërsa e dinin shumë mire se çfarë kishte ndodhur me votën e 31 marsit. Këtë e kishin marrë vesh dhe nga personazhe të strukturave komuniste që në shenjë feste qëllonin në ajër me armët që kishin me leje për të përshëndetur fitoren e PPSH-së.


E nesërmja, 2 prilli, zbardhi e qetë. Dëshmitarë të asaj ngjarjeje kujtojnë se si para Komitetit të Partisë kishte një numër policësh të veshur dhe civilë. U dukën rreshtat e gjata të qindra të rinjve gjimnazistë që me libra në dorë u vendosën para Komitetit të Partisë dhe filluan protestën paqësore. Ishin gjimnazistë të shkollës "Jordan Misja" dhe "28 Nëntori". Ishin ulur në bordurat e lulishtes së shatërvanit dhe vetëm kaq.


Befas mbi ta u sulën dhjetëra e qindra policë, sambistë, që filluan t'i godasin me shkopinj gome dhe druri. Gjaku skuqi rrugët, të thirrurat dhe britmat u dëgjuan në çdo shtëpi shkodrane: "Po na vrasin djemtë dhe vajzat tona", ishte shprehja që dëgjohej dhe u derdhën drejt qendrës së qytetit qindra dhe mijëra qytetarë nga lagjet Kiras, Dërgut, Serreq, Dudas, Perash, Arra e Madhe, Xhabijej, Skënderbeg, Rus, nga fshatrat përreth. As autoblindët që u sollën me shpejtësi, asgjë nuk mund të ndalte turmën e revoltuar. Urrejtja 50-vjeçare antikomuniste kishte bërë që atë ditë të mos njihej frika, plumbi, vdekja.


Nga lartësitë ku dukeshin të vendosur snajperë dhe nga rreshtat e ushtarëve me skafandra filluan të dëgjoheshin të shtëna. Sheshi para ish-Komitetit të Partisë u mbulua me gjak Martirët do të ishin katër të rinj: Arben Broci 21 vjeç, Besnik Bishanaku 22 vjeç, Nazmi Kryeziu, 38 vjeç, Besnik Ceka, 21 vjeç, katër përfaqësues të fiseve të nderuara të Shkodrës, ndërsa rreth 80 të tjerë u plagosën.


Lije Broci, nëna e Arben Brocit kujton momentet kur duke e ditur se djali i saj ishte ndër figurat kryesore të PD-së në Shkodër e Shqipëri, më 2 prill, kishte shkuar tek selia e partisë e më pas me të tjerët në sheshin e protestës .


"Dëgjova krisma dhe ika tek sheshi. Atje ishte shumë rrëmujë, shihja njerëz që vraponin, të tjerë që thërrisnin "duam gjakun e vëllasë sonë, na keni vrarë shokun, vëllanë". Një djalë, rreth 15 vjeç, hoqi kanotierën e leu me gjakun që ishte në rrugë dhe e çoi lart duke bërtitë.


Pyeta kë kanë vrarë. Do djem të rinj që protestonin në shesh, duket se më njohën dhe ulën kokat e nuk m'u përgjigjën. Atëhera iu afrova këtij djalit me kanotjere të lyer me gjak dhe e pyeta kë kanë vra. Kanë vrarë Arben Brocin më tha", tregon Lije Broci, pa mundur të vazhdojë më tej.


Zef Gjoni, pjesëmarrës në këtë demonstratë tregon: "2 prilli erdhi menjëherë pasi ishin bërë zgjedhjet për pushtetin qendror dhe Shkodra e kishte bërë detyrën e vet duke fituar të gjithë deputetët e PD-së. Por në Shqipëri kishte fituar PPSH-ja dhe PD-ja kishte humbur. Populli i dinte se zgjedhjet ishin grabitur dhe nuk mund të duronte më.


Protestat ishin paqësore, më shumë të heshtura, por shteti iu përgjigj me plumba. U vranë katër dhe u plagosën rreth 80. Shumë prej tyre iknin me të afërmit nga spitali pasi kishin frikë të qëndronin në spital, pasi dhe atë e kishin komunistët.


Arben Broci u vra i pari pikërisht ndërsa kalonte nga lulishtja e shatërvanit për tek nxënësit e rreshtuar në asfalt para rreshtit të ushtarëve e policëve që kishin rrethuar komitetin e parties. Për mendimin tim Arben Broci, duke qenë figurë e njohur e PD-së, ishte në shënjestër pasi duhej të ishte njohur nga forcat policore e ushtarake që ndodheshin në shesh. Pastaj u qëllua mbi të tjerët, se ata nuk mund t'i vrisnin të gjithë".


Ibrahim Bilali, pjesëmarrës në atë që ndodhi më 2 prill 1991 dhe që drejton dhe shoqatën me të njëjtin emër kujton se "ishte dita e kthesës së madhe. E kujtoj me dhimbje dhe krenari 2 prillin 1991 pasi Shkodra tregoi se mundi të fitojë mbi bishën komuniste. Pas vrasjes së Arben Brocit e të tjerëve, turma nuk mund të ndalonte dhe i vuri zjarrin godinës së Komitetit të PPSH-së. Gjithçka ndodhi pas plumbave që shteti i atëhershëm lëshoi mbi protestuesit".


Ishte e gjithë Shkodra. Me këto fjalë mund të përkufizohet protesta antikomuniste e 2 prillit të vitit 1991, në sheshin kryesor të qytetit verior, i cili me 31 mars i kishte thënë një "Jo" të fortë regjimit komunist, por me sa duket kjo nuk mjaftonte dhe duhej larë me gjak. Pas 19 vitesh, qytetarët shkodranë besojnë se ajo që ndodhi më 2 prill 1991 akoma nuk është zbardhur plotësisht, edhe pse janë bërë hetime e gjyqe dhe janë dënuar katër veta.


Ngjarja e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës, ku humbën jetën 4 persona, mund të ishte parandaluar, ky është rezultati që ka nxjerrë Komisioni i Posaçëm Parlamentar, një muaj pas ngjarjes tragjike në qytetin verior.


Sipas deklaratës së nxjerrë nga ky komision, më datë 3 maj të vitit 1991, forcat e policisë duhet të përcaktonin mjete të tjera për shpërndarjen e demonstruesve, dhe jo të përdornin armët. Komisioni Parlamentar në deklaratën e pas hetimeve nxori përgjegjësit e asaj ngjarjeje tragjike, si dhe masat që duheshin marrë për ta.


Për ekspertin e kriminalistikës ligjore Estref Myftari, katër dëshmorët e 2 Prillit 1991, në qytetin e Shkodrës ishin qëlluar nga policia. Sipas Myftarit pas zhvarrosjes së tre prej të vrarëve, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës rezultoi se ata ishin qëlluar me armë që përdoreshin nga forcat e policisë.


"Kjo hodhi poshtë hipotezën se njerëzit në turmë kishin qëlluar njëri-tjetrin dhe u vërtetua se ishin qëlluar nga punonjës të policisë". Këto janë vetëm disa të dhëna të një rangu të gjatë të cilat nuk u ndalen vetëm në punën e prokurorisë dhe komisionit të posaçëm parlamentar, por dhe familjarëve të viktimave.


Artan Broci, vëllai i Arben Brocit , rrëfen: "Kam tentuar të shumëfishoj dhe të mbaj kopje të dokumenteve, pikërisht për të mos bërë të mundur asgjësimin e plotë të tyre. Mbase do të vijë ajo kohë për t'u zbardhë shumë gjëra".


Për Ahmet Kryeziun, vëllanë e njërit prej dëshmorëve të 2 prillit, Nazmi Kryeziu: "Pa vdekur ata që e bënë këtë masakër, që urdhëruan për të, nuk del e vërteta". Ibrahim Bilali shton se "në rast se do të ketë vullnet politik , e vërteta mund të dalë, edhe pse disa prej atyre që e bënë këtë masakër janë deputetë.


Mund të thuhen shumë fjalë, por preferoj të them vetëm një: shpresoj".
Ndërsa Zef Gjoni shton se "vrasjet politike edhe në botë vështirë të zbardhen. Dhe 2 prilli ishte vrasje politike, ku në shënjestër ishte Arben Broci".


Ish-ministri i brendshëm kur ndodhi 2 prilli 1991, Gramoz Ruçi, në dëshminë e tij lidhur me këtë ngjarje ka thënë: "Sipas informacionit që mora nga Shkodra, në darkë, kam folur me kryetarin e degës së punëve të brendshme. "Ka llafe që sot u shpërndanë, por do të grumbullohen nesër". Atëherë i kam dhënë tri porosi.


Nuk më shkonte ndonjëherë mendja dhe as ëndrra s'kam parë që mund të ndodhte ajo që ndodhi në Shkodër, shokë. Kam dhënë porosinë: "Shoku kryetar i degës, që në mëngjes të paraqitesh te vendi që grumbullohen.


T'i thuash sekretarit të Partisë Demokratike të lutem shumë, dua mbështetjen tënde". Sipas verifikimeve që kam bërë me zëvendësit e mi, ka shkuar dhe e ka zbatuar këtë detyrë. Së dyti, i kam thënë: "Do të vesh te kryetarja e komitetit ekzekutiv, do t'i kërkosh mbështetjen e të gjithë forcave politike."


Edhe këtë detyrë, sa e kam verifikuar, e ka realizuar. Së treti, që në momentin fillestar në orët e para të mëngjesit, personi i caktuar nga policia, duhet të vejë t'u bëjë thirrje, jo kur të vejë orteku ortek, par kur të jetë... Edhe këtë detyrë di që e ka bërë.


Kaq informacion kisha, kaq porosi i dhashë se kaq shkonte dhe imagjinata; se nuk kishim të dhëna se do të digjeshin komiteti i partisë, apo do të vriteshin, apo do të priteshin etj.; nuk na shkonte mendja te kjo".

No comments: