Jozefina TOPALLI
Sot është një ditë kujtesë. Sot nderojmë 22 burra e gra të pushkatuar pa gjyq tamam 60 vite më parë nga diktatura e egër komuniste. Sot, kujtojmë masakrën e shkurtit 1951. Kujtojmë ato që për besimin e tyre tek liria e tek vlerat e saj, u ekzekutuan pa e ditur pse, pa gjykatës, pa avokat, pa prokuror, pa vendim, pa gjyq.
Sot nderojmë: Jonuz Kaceli, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Pandeli Nova, Mehmet Shkupi, Anton Delhysa, Tefik Shehu, Gjon Temali, Pjetër Guraziu, Haki Kodra, Hekuran Troka, Thoma Katundi, Ali Qoralliu, Gafur Jegeni, Zydi Herri, Petro Konomi, Niko Lezo, Fadil Dizdari, Lluka Rashkoviç, Myftar Jegeni, Reiz Selfo, Qemal Kasoruho.
Ekzekutimet e 26 shkurtit 1951 janë një krim i frikshëm, janë një kapitull i dhimbshëm pa masë, nga tragjedia e pashembullt e dhunës, e terrorit të komunizmit gjysmëshekullor.
Ajo akuzon thellë jo vetëm sistemin e dhunës, organizatorët e urdhëruesit e këtij krimi, por edhe ndërgjegjen e atyre që asnjëherë nuk e dënuan, asnjëherë nuk kërkuan falje.
Dhuna e terrori komunist për gjysmë shekulli ekzekutoi 5037 burra, 450 gra, burgosi 26788 burra, 736 gra, si dhe internoi dhe dëboi afro 50 mijë familje, për arsyen e vetme se besimi i tyre ishte liria e jo dhuna, se ideali i tyre ishte liria e jo frika, paqja e jo dhuna, demokracia si ajo në Perëndim.
Përkujtimi i të pushkatuarve të shkurtit 1951 dhe i mijëra të tjerëve që vdiqën në Gulagun Komunist shqiptar, është edhe kujtesë, edhe reflektim, edhe akuzë, edhe ftesë për dënimin pa mëdyshje të krimeve, të dhunës e të terrorit gjatë 50 viteve.
Dikush një ditë më pyeti: Mos ndoshta në këtë vend një pjesë shumë e vogël e së djeshmes është ricikluar “demokratikisht”, pa u filtruar ideologjikisht, kulturalisht, politikisht e shpirtërisht?!
Mos ndoshta kjo pjesë e së djeshmes zotëron ende një zonë të hapësirës politike dhe institucionale të vendit?!
E ndërruar në fasadë formalisht, kjo pjesë e së djeshmes, ndonëse shumë e vogël, vazhdon të godasë sistemin me dhunë, vazhdon të tentojë të sulmojë sistemin, ligjin e Kushtetutën me të njëjtat metoda dhune, kryengritëse të organizatorëve të bllokut të dikurshëm në Shqipëri?!
Përgjigjen më të mirë e kanë shqiptarët. 96% e tyre duan vendin tonë në BE. 96% e shqiptarëve e duan Shqipërinë evropiane. Natyrisht janë 3%, që nuk shkëputen, e që shfaqen herë me pamje të butë, herë me hunj e flakë. Siç ju e dini. Kuvendi i Shqipërisë votoi ligjin për lustracionin, por një pjesë e deputetëve e votuan kundër, një titullar tjetër nuk e firmosi, dhe një tjetër e rrëzoi.
Si Kryetare e Parlamentit, kur dëgjoj sot të dekorohen shokët e Skënder Breçës, që bënë gjyqe politike, që dënuan me burg, me varje, me pushkatim shqiptarë të pafajshëm, ndjehem e vrarë.
Si shqiptare ndjehem e fyer kur shokët e tyre vënë sot emrat e shokëve të Ndreko Rinos rrugëve të Tiranës.
Si deputete, më fyen çdo dekret që sjellin në Parlament me emra të atyre që dhunuan e torturuan gjatë komunizmit, për t’u emëruar edhe pas 20 viteve në Drejtësi.
Por pavarësisht këtyre episodeve, sot 95% e shqiptarëve duan BE. Sot, Shqipëria është në NATO, sot, Shqipëria është demokraci funksionale. Sot, Shqipëria është pa viza.
Dita e kujtesës na thërret sot, për të dënuar përsëri e përsëri krimet e dhunën e diktaturës. Dita e kujtesës na thërret sot për të dënuar dhunën kurdo e kudo që ajo shfaqet. Dita e kujtesës na thërret sot për të dënuar kudo e kurdo ato që nxisin dhunën, urrejtjen, frikën!
Kjo ishte një ceremoni e thjeshtë, por e bërë me zemër, e realizuar në këtë sallë për të nderuar këtu, ku merreshin vendimet për t’i dënuar me pushkatim, për t’i nderuar këta burra dhe gra që u pushkatuan 60 vite më parë.
Në fakt, pushkatimi filloi qysh në vitet ‘44-’45, jemi këtu për të përkujtuar edhe shkurtin e vitit 1991, kur historia ndryshoi dhe bëri të mundur që sot Shqipëria të jetë ajo që është, një vend i bukur, një vend anëtar i NATO, një vend që po shkon drejt Bashkimit Europian, një vend ku secili është i lirë të shprehë atë që mendon.
Unë edhe njëherë, dua të falenderoj të gjithë familjarët, emër për emër, duke e mbyllur me një mesazh shumë të thjeshtë, por besoj se duhet t’ia përsërisim vetes një herë, dhjetë herë, një qind herë, që: “Dhuna ç’njerëzore e mos arsyes të mos përsëritet më kurrë”./BotaSot/
No comments:
Post a Comment