Shekulli posedon 23 dosje emërimesh, nga mbi 100 me shkelje të rënda të ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Të emëruar të gjithë me VKM. Janë familjarë të ngushtë pushtetarësh ose miq të tyre në media dhe biznes pa asnjë lidhje me diplomacinë. Disa nuk kanë as shtetësi shqiptare: konsullja e Shqipërisë në Milano ka bashkëshort të huaj, vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli i Shqipërisë në Janinë, ka shtetësi greke. E njëjta situatë me diplomatët shqiptarë në Francë, Rumani etj
1 - Vellai i Jozefina Topallit (Konsull Milano) - Gjon Çoba
2 - Dhenderi i Jozefina Topallit (Paris) - Luis Ejlli
3- Daja i dhendrit te Sali Berishes (Konsull i Pergjithshem Bari) - Bashkim Bekteshi
4- Djali i halles i Ilir Metes (Ambasador Athine) - Dashnor Dervishi
5- Kusheriri i Ilir Metes (Konsull i Pergjithshem Selanik) - Riza Poda
6 - Gruaja e Arjan Staroves (Londer) - Teuta Starova
7 - Gruaja e Sherefedin Shehut (Drejtore e auditit ne MPJ) - Dashuri Shehu
8 - Motra e Aleksander Frangajt (Rome, Vatikan) - Majlinda Dodaj
9- Baxhanaku i Fahri Balliut (Ambasador Turqi) - Altin Kodra
10 - Vellai i Gerti Bogdanit (MPJ) - Albjon Bogdani
11- Djali i avokatit te Lulzim Bashes (MPJ)
12- Vajza e Shpresa Brecaj (Austri) - Selvi Becaj
13- Djali i Neritan Cekes (Austri) - Egin Ceka
14- Gruaja e Rahman Selmanllarit (MPJ) - Suela Selmanllari
15 - Vajza e Ali Spahise (Konsulle e pergjithshme Milano) - Nausika Spahia
16- Gruaja e Aldo Bumcit dhe vajza e Safet Zhulalit - Ilda Zhulali
17 - Djali i Fatos Bejes (MPJ) (konflikt interesi) - Sokol Beja
18 - Kunata e Fatmir Mediut (Nju Jork)
19- Kunata e Azem Hajdarit (Neë York) - Albana Hasanaj
20- Gruaja e Bujar Leskajt (MPJ) - Silvana Leskaj
21- Vajza e Agim Shehut (Vjene) - Alma Shehu
22- Vajza e Ilir Banos (MPJ) - Albana Bano
23 -Vajza e Jemin Gjanes (Kosove) - Lorena Gjana
TIRANË - Ministria e Jashtme shqiptare është përfshirë në një skandal të gjerë emërimesh nepotike pa kurrfarë kriteri, si në përfaqësitë e huaja ashtu edhe në strukturat e MPJ-së. Investigimi i "Shekullit" ka zbuluar se një nga kriteret kryesore për të emëruar diplomatët shqiptarë është njohja partiake dhe lidhje farefisnore me politikanë në pushtet. "Shekulli" ka mundur që të zbulojë një pjesë të emërimeve nepotike të zhvilluara në diplomaci nga vitit 2004 deri në vitin 2010. Sot do të publikojmë pjesën e parë të emrave që janë emëruar në saj të njohjeve.
***
Lista e gjatë e emërimeve diplomatike në vitet 2005-2010 tregon se rreth dy të tretat e tyre janë me probleme. Kryesisht janë emërime në shkelje të hapur të rregullave të përcaktuara për Shërbimin e Jashtëm. Ligji ndalon rreptësisht emërimet nëpërmjet VKM-ve, por ky fakt nuk i ka penguar drejtuesit e lartë të Ministrisë së Jashtme që të emërojnë njerëzit e tyre në përfaqësitë shqiptare. Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për shërbimin e jashtëm, jo më shumë se 20% e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Por, në realitet, kjo nuk ka ndodhur dhe më shumë se 20 për qind e të emëruarve në ambasada janë njerëz që kanë lidhje me politikën apo anëtarë partie.
***
Njerëzit më me fat janë ata që kanë lidhje me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli (Çoba). Vëllai i Jozefina Topallit ka mbajtur detyrën e Konsull në Milano. Aktualisht, Gjon Çoba është diplomat në Bukuresht. Dhëndri i Jozefina Topallit, falë fejesës së bërë tashmë publike me vajzën e kryetares së Kuvendit, më datë 28.09.2010 është emëruar Sekretar i Parë në Paris. Ky emërim është zhvilluar në kundërshtim me ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Luiz Ejlli është i datëlindjes 12/07/1985, pra aktualisht 25 vjeç. Por, sipas ligjit, ai duhet të kishte të paktën dhjetë vjet punë, një vit periudhën e provës dhe nëntë vjet për t'u emëruar Sekretar i Parë. "I jepet grada sekretar i parë diplomatit me nëntë vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm përgjithësisht mjaftueshëm e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit", - thuhet ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Bazuar në këtë ligj, Luis Ejlli duhet ta ketë nisur karrierën diplomatike në vitin 2000. Në atë kohë, Luis Ejlli ishte vetëm 15 vjeç.
***
Lista e të afërmve të deputetëve demokratë të punësuar në përfaqësitë diplomatike është edhe më e gjatë. Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë, ish-deputet i PD-së, është Konsulle e Përgjithshme në Milano. Një tjetër emërim nepotik, por edhe në konflikt interesi me detyrën është ai i djalit të Fatos Bejës. Deputeti demokrat është kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, komisioni që kontrollon direkt punën e MPJ-së. Sokol Beja është emëruar në MPJ. Aleati më i vjetër i Berishës, republikani Mediu, ka arritur që të emërojë kunatën e tij në përfaqësinë tonë diplomatike në Nju Jork. Teuta Starova, e cila është bashkëshorte e Arjan Starovës, është e emëruar në postin "Ministër Këshilltar në Londër" në datën 03.03.2008. Ky emërim është bërë me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave.
***
Po kështu edhe gruaja e deputetit demokrat, Sherefedin Shehu, Dashuria, është Drejtoreshë e Auditit në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dy deputetë të tjerë kanë të afërmit e tyre në diplomaci. Deputeti Gert Bogdani ka vëllanë e tij në Ministrinë e Jashtme, Albjonin. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Jemin Gjana, ka vajzën e tij Lorena Gjana në përfaqësinë e Kosovës. Djali i ish-deputetit Neritan Ceka, sot këshilltar i kryeministrit, me një VKM është emëruar në Austri. Egin Ceka është emëruar sekretar i parë në Vjenë më datë 22.10 2009.
Vëllai i Topallit ka shtetësi italiane, konsulli në Janinë kishte shtetësi greke, ndërsa vajza e Spahisë është e martuar me një të huaj
Në bazë të nenit 22, pika 2 dhe 3, të ligjit për Shërbimin e Jashtëm, jo më shumë se 20 % e ambasadorëve mund të jenë nga politika. Gjithë pjesa tjetër dhe tërësisht diplomatët, duhet të jenë të karrierës. Në bazë të nenit 27, pika a, e të njëjtit ligj, kërkohet që diplomatët të kenë shtetësi shqiptare dhe banim të përhershëm në territorin shqiptar. Ndërsa në bazë të kreut 5, pikat 18.1, thuhet se diplomati ose e shoqja nuk duhet të kenë shtetësinë e vendit ku janë akredituar.
Kjo nuk rezulton për Nausika Spahia-Konsulle e Përgjithshme në Milano, e martuar me shtetas të huaj; Vëllai i Jozefina Topallit, Gjon Çoba, Konsull Milano, me shtetësi italiane; Jani Dako, konsull i përgjithshëm Janinë dhe me shtetësi greke; Mehdi Hoxha, Paris, me leje qëndrimi franceze; Një diplomat në Rumani është me shtetësi rumune.
Në emërimet është spekuluar me VKM nr 767 të datës 06.12.2005, ku me ndryshimin e pikës 81 të rregullores, u bë transfuzioni i MPJ-së, e cila thotë: "Ministria e Punëve të Jashtme, për nevoja të institucionit, brenda dhe jashtë vendit, mund të marrë punonjës për të shërbyer në shërbimin e jashtëm për aq kohë sa vlerësohet e nevojshme. Këta punonjës gëzojnë statusin e diplomatit për aq kohë sa janë në shërbimin e jashtëm, por nuk përfitojnë grada diplomatike. Ata paguhen në bazë të detyrës, për të cilën janë emëruar". Por një VKM, nuk ka fuqi mbi ligjin, dhe edhe nëse bëhet në kushtet e emergjencës, gjë që në shërbimin diplomatik nuk kishte ndodhur, pasi vendi nuk ka kaluar as luftë dhe as përmbytje, pra duhej që brenda 2-3 muajsh të ishte reflektuar në ligj, gjë që nuk ka ndodhur. Pas kontrollit rezulton se gjatë periudhës 2005-2010, nga rreth 150 diplomatë që punojnë në përfaqësitë jashtë shtetit, rreth 100 prej tyre kanë probleme në procedurën e emërimit.
Për dhënien e gradave diplomatike në rastin e zbatimit të dispozitave kalimtare ndiqen këto afate kohore:
1. I jepet grada "sekretar i tretë" diplomatit me 3 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.
2. I jepet grada "sekretar i dytë" diplomatit me 6 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.
3. I jepet grada "sekretar i parë" diplomatit me 9 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm "përgjithësisht mjaftueshëm" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.
4. I jepet grada "këshilltar" diplomatit me 13 vjet vjetërsi të integruar në punë dhe vlerësim të përgjithshëm të paktën në nivelin "mirë" e lart të rezultateve në punë të vitit të fundit.
5. I jepet grada "ministër këshilltar" diplomatit: a) që ka jo më pak se 15,5 vjet vjetërsi të integruar në punë, nga të cilët 2,5 vjet vjetërsi në post drejtues "drejtor drejtorie" e lart ose "ambasador" përfshirë këtu periudhat në poste të tjera të larta sipas përcaktimeve të pikës 63.
b) që ka jo më pak se 5 vjet punë drejtpërdrejt në shërbimin e jashtëm.
c) që ka marrë dy vitet e fundit vlerësim vjetor të punës jo më të ulët se "mirë" në të gjithë elementet specifike të rezultateve të punës.
7. Plotëson kushtet për marrjen e gradës "ambasador" diplomati:
7.1. Jo më pak se 21 vjet vjetërsi të integruar në punë, nga të cilët jo më pak se 11 vjet drejtpërdrejt në shërbimin e jashtëm. 7.2. jo më pak se 7.5 vjet vjetërsi në post drejtues, nga të cilat:
a) 5.5 vjet në post "drejtor drejtorie" e lart, përfshirë këtu periudhat në poste të tjera të larta sipas përcaktimeve të pikës 63 dhe një mandat të rregullt (jo më pak se 2 vjet) si "ambasador";
b) ose 7.5 vjet "ambasador". 7.3 jo më pak se 25 vjet vjetërsi të përgjithshme në punë. 7.4 vlerësime maksimale në punë për 2 vitet e fundit.
No comments:
Post a Comment