“Akti terrorist i Arid Ukës ka ardhur në kundërshtim të plotë me ndjenjat e kombit shqiptar, për kombin amerikan dhe me krejt përkushtimin e këtij kombi për të deshmuar besnikërinë e tij, sa herë që ka mundur dhe bashkë me të edhe mirënjohjen ndaj çliruesve të tyre nga okupimi i gjatë serb.”
Nga Mujë Buçpapaj
Vrasja e ushtarëve amerikanë në Frankfurt të Gjermanisë ka lënë të habitur miliona shqiptarë në Ballkan dhe Amerikë. Akti terrorist i Arid Ukës ka ardhur në kundërshtim të plotë me ndjenjat e kombit shqiptar, për kombin amerikan dhe me krejt përkushtimin e këtij kombi për të deshmuar besnikërinë e tij, sa herë që ka mundur dhe bashkë me të edhe mirënjohjen ndaj çliruesve të tyre nga okupimi i gjatë serb.
Është veshtirë të mendosh se motivet radikale, ismalike, apo shtysa të bindjeve të brendshme ta kenë nxitur A. Ukën të drejtojë armën ndaj ushtarëve amerikanë.
Po të ishte kështu, ky njeri ta zëmë do të kishte drejtuar armën ndaj atyre që dhunuan për gati 100 vjet popullsinë e pambrojtur shqiptare në Kosovë dhe vise, por kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht se në Kosovë menjëherë pas Luftës u ngriten disa qendra rehabilitimi të grave dhe vjazave viktima të kriminelëve të Arkanit.
Nuk do pyetje, ky mercenar ka kryer një veprim i cili vjen krejt në kundërshtim me moralin shqiptar të mirënjohjes, biles edhe me kodin e vjetër shqiptar të vrasjes, edhe në kohë lufte. Ai ka vepruar si një burracak i neveritshëm, duke vënë në një stres, pikëllim dhe siklet të paparë të gjithë shqiptarët, që kanë tek SHBA-të, shpetimtarin e madh, mbrojtësin e vetëm mbi tokë. Është e qartë se veprimi i tij prej mercenari është kryer pikërisht për këtë qellim, ftohjen e SHBA-ve, me shqiptarët, etiketimin e shqiptarëve si antiperendimorë, si fondamentalistë dhe primitivë që nuk pajtohen me lirinë dhe demokracinë. Për të fajsuar krimet e përbindshme që vetë Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve për gati 100 vjet, duke përdorur jo në pak raste kartën e “luftës së shenjtë kristiane” si dhe të rrezikut islamik që gjoja i vjen rajonit dhe Europës nga fondamentalistët shqiptarë. Nuk është as thjeshtë një konçidencë e rastit, që akti terrorist i Frankfurtit kryhet në kohën kur po flitet për bisedime mes Prishtinës dhe Beogradit. Është e qartë, se raporti i Dick Martit, grindjet e brendshme dhe tani akti terrorist në Frankfurt, ia kanë dobësuar shumë pozitat Kosovës në këto bisedime, të cilat duhet t’i shtyjë për më vonë.
Për të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se çfarë besimi i përkasim, prerja në besë e mikut, e aq më pak demonstrimi i mosmirënjohjes, biles edhe i urrjetes ndaj tij, si në rastin e këtij mercenari të mjerë, është i denueshëm.
Është krejt e qartë se Uka është një kriminel i veçuar, por nuk janë aspak të veçuara sulmet që u bëhen SHBA-ve, për të braktisur Ballkanin dhe hapsirat shqiptare, të cilave ne duhet t’u kundervihemi me forcë. Rivaliteti rus, përpjekja e tyre për rikthyer ndikimin e humbur në rajon dhe interesat ekonomike europiane kanë qënë të pranishme kohët e fundit. Etja ruse për të rifituar terrenin e humbur është duke u maniftesuar çdo ditë në rrugë diplomatike, ekonomike dhe mafioze. Lëshimet që ju bënë në Gjeorgji dhe Ukraninë, në Poloni dhe Çeki, e kanë trimëruar Moskën për të ringjallur hartën e vjetër të ndikimit.
Nostalgjikët filorusë apo filoserbë në Prishtinë dhe Tiranë me oratorinë e tyre kundër ambasadorëve të SHBA-ve, janë pjesë e lidhjeve të vjetra antiperendimore, që kanë gjetur kohën më të papërshtashme për të goditur shqiptarët.
Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë, duhet të kordinojnë më mirë punët me Uashingtonin, në këtë kohë sulmesh që po u vijnë shqiptarëve nga të katër anët. Armiqtë dhe rivalët historikë të shqiptarëve në rajon nuk janë duke u pajtuar me faktin që Shqipëria është anëtare e NATO-s, që Kosova është e pavarur, që shqiptarët në Maqedoni janë një komb shtetformues. Përpjekja për t’i përçarë, përbaltur, apo për t’i poshtuar dhe nxirë imazhin deri në fund, është shumë e fortë, ndërkohë që nuk po shoh ndonjë kundërpergjigje të vertetë as nga Tirana, as nga Prishtina dhe as nga Shkupi apo Tetova. Zhytja në një luftë sherresh lokale për pushtet dhe në grindje shpesh banale, e ka çuar në fund imazhin tonë në rajon.
Në këtë fushtë rol kryesor janë duke luajtur mercenarët.
Por nuk do pyetje, të gjithë ata që kanë kryer apo janë duke kryer punë kundër shqiptarëve, duhet ta dinë se vertetë “antishqiptarizmi mund të ketë qënë një profesion fitimprurës”, por nuk do të jetë kështu për shumë kohë. Për një gjë duhet të jenë të sigurtë: tradhëtarët dhe mercenarit do të gjykohen një ditë nga vetë kombi shqiptar.
No comments:
Post a Comment