Tiranë- Dritan Prifti është rikthyer dje në Prokurorinë e Përgjithshme, jo më si denoncues, por si person nën hetim. Ashtu siç ishte paralajmëruar, ai është paraqitur në organin qendror të akuzës paraditen e djeshme, për të dalë që andej 90 minuta më vonë. Videoja e 70 mijë eurove, e filmuar nga vetë ish-ministri i Ekonomisë, ka qenë në fokus të përballjes së Priftit me prokurorët e çështjes, të cilët kanë tentuar të mësojnë më shumë rreth ditës, vendit dhe rrethanave të përgjimit. Pas daljes nga Prokuroria, deputeti Prifti ka shmangur komentet deri dje të kthyera në një ritual për mediat. Por në një komunikim me gazetën MAPO, ai ka pohuar se arsyeja e thirrjes së tij në Prokurori kishte lidhje me komunikimin zyrtar të fillimit të hetimeve mbi këtë video të dytë, për të cilën organi i akuzës kërkoi edhe heqjen e imunitetit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. “Gjatë qëndrimit tim në Prokurori më komunikuan fillimin e hetimeve dhe më drejtuan disa pyetje rreth datave dhe rrethanave të videos”, – pohoi Dritan Prifti për MAPO-n, i rezervuar për të dhënë detaje të tjera. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka sqaruar asnjë detaj lidhur me këtë thirrje të Priftit në Prokurori, ndërsa burime të gazetës bëjnë me dije se ish-ministrit të Ekonomisë nuk i është komunikuar asnjë akuzë gjatë ditës së djeshme. Në Prokurori, Prifti ka pranuar ekzistencën e videos dhe faktin se filmimi është regjistruar nga vetë ai, por i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se i gjithë ky skenar ka pasur si motiv dokumentimin e aferave të ish-shefit të tij. Ai ka rezervuar të drejtën për t’u shprehur tjetër herë para organit te akuzës rreth burimit të 70 mijë eurove dhe aferës me ish-zëvendësin e tij Leonard Beqiri. Pas thirrjes së Dritan Priftit pritet që Prokuroria të thërrasë zyrtarisht si person nën hetim edhe ish- zv/ministrin Leonard Beqiri, protagonist së bashku me Priftin në ndarjen e 70 mijë eurove. Hetimet ndaj Dritan Priftit nisën pas zbulimit të një videoje të dytë, ku ish-ministri i Ekonomisë shfaqet së bashku me ish-vartësin e tij, ish-zv/ministrin Leonard Beqiri duke ndarë një shumë prej 70 mijë eurosh. Kjo video e dytë, e cila i kushtoi imunitetin dhe një hetim për korrupsion pasiv ish-ministrit Prifti, nuk u dorëzua prej tij në Prokurori, ndryshe nga përgjimi i parë i Ilir Metës, por u rikuperua nga eksperti amerikan, të cilit iu drejtua Prokuroria e Përgjithshme për ekspertizë. Përtej hetimit për videon 2, deputeti Dritan Prifti ka një marrëdhënie kontroverse me organin e akuzës. Edhe pse zyrtarisht nën hetim, ai është denoncuesi kryesor i disa çështjeve që po hetohen nga organi i akuzës, prej disa muajsh, njëherazi edhe dëshmitari kryesor i Prokurorisë për këto çështje.
Videoja 70 mijë euro, Prifti nis “betejën” me Prokurorinë
Leonard Bakillari 07-03-2011 12:40
Ish-ministri Dritan Prifti, protagonist i dy video-përgjimeve, ka marrë në dorë fletë-thirrjen për të dëshmuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia për videon me Beqirin, por edhe për atë me Metën
Tiranë Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, pritet të zhvillojë sot një “betejë” me Prokurorinë, jo për të denoncuar korrupsionin në nivele të larta, por për mbrojtjen e tij. Videoja e fshirë në kompjuterin e tij, e cila u riprodhua rastësisht nga një ekspert amerikan, pritet të jetë zyrtarisht çështja për të cilën Dritan Prifti do të dëshmojë sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime të rezervuara pohuan se prokurorët e çështjes kanë nisur në adresë të ish-ministrit fletëthirrjen për të dëshmuar në Prokurori, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Si orar për paraqitjen e tij në Prokurori është caktuar paraditja e së hënës, ndërsa grupi hetimor është në pritje të gatishmërisë së Priftit për t’u përballur me akuzën për cilëndo çështje që ai ka dijeni. Thirrja në Prokurori e ish-ministrit që ka denoncuar disa afera të pretenduara korruptive, përfshi edhe një video-përgjim mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, këtë radhë ka si objekt një tjetër video, ku protagonist është vetë Prifti dhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiri. Dy ish-zyrtarët e lartë, sipas videos së gjendur në kompjuterin e ish-ministrit, shfaqen duke ndarë një shumë prej rreth 70 mijë eurosh mes tyre. Ky episod, që rrezikon marrjen të pandehur të Priftit dhe pikëpyetjet e tjera që ngrihen për këtë çështje, pritet të sqarohen paraditen e sotme nga ish-ministri, i cili thuhet se ka një alibi për të rrëzuar videon dhe versionin e pretenduar nga Prokuroria. Megjithatë, të gjitha pretendimet e ngritura, së bashku me dyshimet për korrupsion pasiv nga ana e ish-ministrit pritet të sqarohen sot në Prokurorinë e Përgjithshme, ku përveç Priftit i pranishëm pritet të jetë edhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiraj. Në fokusin e Prokurorisë, pritet të jetë edhe video-përgjimi mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij Dritan Prifti. Kjo video e regjistruar nga Prifti në zyrën e tij ende nuk është zbardhur tërësisht, si nga eksperti amerikan, ashtu edhe nga Prokuroria, e cila vijon të pyesë persona që kanë dijeni për episodet e përmendura gjatë bashkëbisedimit Meta-Prifti. Edhe pse ish-ministri Prifti ka dhënë shpjegime për këtë çështje, tashmë ai do të pyetet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, duke lënë kështu të hapur mundësinë e marrjes së tij në cilësinë e të pandehurit, në rast se Prokuroria e Përgjithshme ka provat e duhura. Burimet thanë se aktualisht hetimet për këtë çështje janë në fazë fillestare, pasi asnjë prej protagonistëve të videos nuk është marrë në pyetje. Njoftimi i akuzës së korrupsionit ndaj dy protagonistëve, sipas Prokurorisë, është veprimi i fundit hetimor që kryhet pas mbledhjes së të gjitha provave, duke nënkuptuar kështu përfundimin e hetimeve. Në rastin konkret, si Beqiraj ashtu dhe Prifti ende nuk kanë dhënë versionin e tyre rreth videos ku ata shfaqen duke ndarë 70 mijë euro, duke kushtëzuar kështu veprimet e mëtejshme hetimore.
Dritan Prifti, alibi për videon 2?
“Nëse Prokuroria do të më kishte thirrur, do ta kisha sqaruar se videoja e dytë është një tjetër dëshmi e mbledhur prej meje, për të faktuar korrupsionin e Ilir Metës”. Me këtë deklaratë është mbrojtur deri më sot ish-ministri Dritan Prifti, i cili pas heqjes së imunitetit është nën hetim për korrupsion aktiv. Në të vërtetë, flitet se ish-ministri do t’u bëjë me dije prokurorëve të çështjes një alibi, që, sipas tij, rrëzon akuzën e ndarjes së 70 mijë eurove, të përfituara përmes abuzimit me detyrën. Por burime nga Prokuroria bëjnë me dije se versioni i ish-ministrit Dritan Prifti do t’u nënshtrohet verifikimeve përkatëse, duke lënë kështu të hapur mundësinë e ballafaqimit mes Priftit e Beqirit. Nga pikëpamja procedurale, ky veprim kryhet në rast se deklarimet e tyre bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, por pasi Prokuroria të ketë marrë më parë dëshmitë e dy të dyshuarve.
Detajet e videos së dytë në shtëpinë e Priftit
Videoja e fshirë nga lap-topi i Priftit, e rikuperuar më pas nga eksperti amerikan Glen Bard, jep shumë detaje, të qarta në figurë dhe në zë, mbi gjithçka që ka ndodhur në banesën e ish-ministrit Dritan Prifti, pasditen e 11 marsit 2010. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se videoja prej rreth 30 minutash është mjaft e qartë nga pikëpamja teknike, ndaj edhe thirrja e Priftit për të dhënë shpjegime mbi të ka qenë e panevojshme në fazën e parë të hetimit. Dy elementë teknikë të rëndësishëm, audio dhe video, janë të një cilësie mjaft të mirë, shumë më të qarta se video Meta-Prifti, zërin e së cilës eksperti amerikan nuk ka arritur dot ta pastrojë të gjithin. Po përtej këtyre detajeve teknike, çfarë është biseduar mes Dritan Priftit dhe ish-zv. ministrit Leonard Beqiraj, në këtë video të zbuluar krejt papritur? Në video shfaqet fillimisht ish-ministri Prifti, duke ndezur kameran regjistruese, e cila ka qenë e vendosur në të njëjtën orë me të cilën është bërë edhe regjistrimi i video-përgjimit Meta-Prifti. Ambienti këtë herë është dhoma e ndenjes në apartamentin e Dritan Priftit, ku shfaqet zv. ministri Leonard Beqiri. Biseda mes tyre, para se mbi tavolinë të “hidhej” një shumë e konsiderueshme parash, ka qenë e shkurtër. Ç’është më e rëndësishme, gjithë shuma e parave, që sipas hetimit janë rreth 70 mijë euro, janë vendosur mbi tavolinë, ndërsa Leonard Beqiri i bënte me dije shefit të vet të asaj kohe se këto para janë për ta. Gjatë gjithë kohës që është zhvilluar kjo bisedë, sipas pamjeve filmike, shuma prej 70 mijë eurosh ka qëndruar mbi tavolinë, derisa ish-ministri Prifti ka pranuar në heshtje të marrë pjesën e tij. Pas këtij momenti, biseda shef-vartës ka vijuar me të dhëna të tjera, përmbajtja e të cilave u paralajmërua dy ditë më parë nga vetë z. Prifti, i cili tha se kjo video është shembulli më i mirë për të vërtetuar bisedat në video-përgjimin mes tij dhe Ilir Metës
No comments:
Post a Comment