Intervistoi: Habjon Hasani
Zoti Danaj, keni vendosur të merrni pjesë në zgjedhjet vendore, veçanërisht në Tiranë. Çfarë mendoni se do të arrini ju konkretisht me futjen në zgjedhje?
E para: Për shkak të problematikës nacionale, e cila si nga jugu i Shqipërisë Natyrale, ashtu edhe nga Veriu i saj, është kompleksuar. Shovinizmi grek dhe serb, duke përfituar edhe nga sherret ndërshqiptare, kërkon të rrudhosë akoma më shumë trojet shqiptare. Ndërsa ne, mbrohemi në portë dhe nuk kemi kaluar asnjëherë në kundërsulm. Për këtë arsye, dy muajt që na ndajnë nga zgjedhjet do të përdoren në shërbim të argumentimit të domosdoshmërisë së jetësimit të Shqipërisë natyrale. E dyta: Do të përqendrohemi më shumë në Tiranë dhe jo rastësisht. Tirana duhet të bëhet Kryeqyteti i Shqipërisë natyrale. E kjo kërkon një debat të gjithanshëm, kërkon ide të reja zhvillimore, të cilat do të bëhen të njohura gjatë dy muajve. E treta: Shqiptarët në Tiranë, sipas sondazhit të Gallup, janë shprehur në masën 69 për qind pro bashkimit të trojeve shqiptare në rrugë paqësore. Është një moment oportun, për të parë sesa kjo dëshirë do të konvertohet në votë.
Nuk mendoni se do ishte më mirë një aleancë me partitë e mëdha, duke pasur parasysh se gara për Tiranën mund të jetë në fakt një garë që do të ketë vetëm dy "Gladiatorë" dhe trysnia do të jetë e jashtëzakonshme?
Jo, pasi asnjë nga partitë e mëdha, nuk e ka në program Platformën e Shqipërisë Natyrale. Ato janë ose kozmopolite, ose fondamentaliste kozmopolite. Një aleancë me këdo prej tyre, do të dëmtonte idenë e madhe të bashkimit kombëtar.
Zoti Danaj, sipas jush cili është thelbi i atmosferës aktuale në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, lidhur me regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike?
Kërkesa për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, mbi baza etnike ka rritur ndjeshëm tensionin ndëretnik midis kombit shqiptar dhe shovinizmit grek. Deklarata, emisione televizive, vendime gjykatash për ndryshim kombësie, ringjallje fantazmash të vdekura me emrin Vorio Epir janë bërë të pranishme për opinionin publik shqiptar. Shovinizmi grek po luan hapur, ai kërkon të shtojë numrin e grekëve në Shqipëri, të zgjerojë hapësirën e minoritetit grek në Shqipëri. Në kuptimin figurativ është një Lojë me Letra të Hapura. E duke qenë kështu, edhe Lista për Shqipëri Natyrale do të luajë me letra të hapura. Po bëhem më konkret: Për minoritetin grek në Sarandë dhe për ata që njohin sadopak historinë, janë në gjendje të të thonë se deri në vitin 1944, shumica e fshatrave të minoritetit grek kishin këto emra, fshati Memush Bej, Hadër Aga, Aliko, Caush, Kalive bej Pasha, Hoxhe, Ymer Efendi etj. Qeveria e Enver Hoxhës në emër të internacionalizmit proletar dha urdhër të ndryshohen këto emra. Dhe në vend të tyre, lindën emrat, Livadhja, Lefter Talo, Fitore, Dritas etj.Përsëri, për ata që e njohin sadopak historinë, e dinë fare mirë se Komisioni Ndërkombëtar i përcaktimit të kufijve në 5 dhjetor 1913 do të shprehej për Luginën e Drinos, ku shtrihen fshatrat e Dropullit të Poshtëm dhe të Sipërm se:…Nga të 76 fshatrat e Luginës së Gjirokastrës, 15 prej tyre janë secili pronë e një beu, ndërsa të gjitha pronat e 44 fshatrave të tjerë u përkasin plotësisht bejlerëve dhe agallarëve muslimanë. Vetëm pronat e Pepelit dhe të Selos u përkasin ortodoksëve. Të gjitha këto arsye, të paraqitura shkurtimisht, duken të mjaftueshme për të përligjur dhënien e gjithë Luginës së Gjirokastrës, Shqipërisë… (Mbledhje e Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, Leskovik, datë 5 dhjetor 1913) Ndërsa parlamenti i Shqipërisë i vitit 1992, ju dha tokë ish-minoritarëve që kishin ardhur sipas komisionit ndërkombëtar të caktimit të kufijve…nga krahina e Janinës, të thirrur nga bejlerët shqiptarë për të punuar tokat e tyre. Minoritari i thjeshtë këtë nder që i bëri Parlamenti i Shqipërisë, e konverton në votë për partitë shqiptare. Është momenti që edhe deputetët minoritare, si Vangjel Dule, Spiro Ksera, Vangjel Tavo, etj, apo intelektualë si Panajot Barka apo Thoma Miço t’i shprehin mirënjohjen shtetit shqiptar që i bëri me prona, kur ata janë nipër apo fëmijë argatësh. Këtë duhet ta bëjë edhe qeveria greke, të shprehë mirënjohje për qeveritë dhe shtetin shqiptar, ashtu siç kanë bërë qeveritë shqiptare, që i kanë shprehur mirënjohje shtetit grek, për pranimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve në fillim të viteve 90-të, megjithëse qeveria greke, ata në shumicë i trajton si argatë, pa pranuar t’i bëjë pronarë. Demokraci do të thotë reciprocitet. Dhe nëqoftëse qeveria greke vazhdon të ngulë këmbë duke na trembur me të ashtuquajturin regjistrim etnik, pasi gjoja këtë e kërkojnë Konventat europiane, qeveria shqiptare, politika shqiptare, duhet të japë përgjigjen e mëposhtme: Po, dakord jemi, por në fillim do riparojmë shkeljen e Konventave Europiane që e bëmë në vitin 1992, kur pronat e pronarëve të ligjshëm shqiptarë, ua dhamë ish-argatëve, pra do anullojmë ligjin 7501 në zonën e minoritetit. Prandaj, pasi Dulja, Ksera, Barka, Mico, Tavo, Papathanasi etj, etj, të kthejnë tokat që ua morën agallarëve dhe bejlerëve të Gjirokastrës, Libohovës, Delvinës, Borshit, atëherë bëjmë edhe regjistrimin siç e doni ju. Kjo quhet dinjitet kombëtar europeist. Por kjo temë, do trajtohet më gjerësisht gjatë fushatës elektorale.
Z. Danaj, a janë shqiptarët duke ndërtuar të ardhmen e tyre me idenë e një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare? Është kjo ide një utopi apo një vizion?
E ardhmja e shqiptarëve, është bashkimi në një shtet të vetëm, krijimi I shtetit modern në vend të vilajeteve neootomane. Kjo nuk është as utopi, po tashmë nuk është as edhe Vizion. Eshtë një problem i shtruar për zgjidhje. Shqiptarët nuk kërkojnë asgjë më shumë se të tjerët, vetëm kërkojnë të jenë si te tjerët. Shqipëria natyrale është një ofertë për paqe që ju serviret fqinjëve dhe BE. Jam i sigurt se shumë shpejt, fqinjët dhe BE do ta mirëpresin këtë ofertë. Paqen e duan të gjithë, pavarësisht nga madhësia e shtetit apo sasia e parave.
Dhe fundit, votën e kujt do të kërkoni gjatë fushatës?
Votën e atyre shqiptarëve që duan bashkimin e trojeve shqiptare në rrugë paqësore, që duan Shqipërinë natyrale si burim i stabilitetit, paqes, mirëqenies dhe progresit ndërshqiptar. Pra votën e 69 për qind të shqiptarëve, që kanë shprehur dëshirën për të jetuar në një shtet të përbashkët.
Zoti Danaj, në Platformën e Shqipërisë Natyrale jeni shprehur se Çamëria duhet të shpallet Zonë e Lirë, midis Shqipërisë dhe Greqisë. Çfarë doni të thoni me këtë?
Edhe kjo është një temë që do të trajtohet gjerësisht gjatë fushatës, por shkurtimisht dua të them se: Krahina shqiptare e Çamërisë ju aneksua në mënyrë kolonialiste Greqisë nga Konferenca famëkeqe e Londrës në vitin 1913. Sipas Memorandumit të qeverisë shqiptare të Vlorës në vitin 1913, në Çamëri jetonin 75 mijë shqiptarë, nga të cilët 18 mijë shqiptarë të greqizuar, të cilët ishin vendosur në kazanë e Reshadijes (Igumenicës) 16 mijë shqiptarë, në kazanë e Margëlliçit 25 mije shqiptarë, në kazanë e Filatit 20 mijë shqiptarë, në kazanë e Paramithisë, 13 mijë shqiptarë……Në kazanë e Luros 100 për qind shqiptarë…..(Memorandum i qeverisë së Vlorës, drejtuar Konferencës së Londrës, firmosur nga Mehmet Konica, Rashih Dino dhe Filip Noga) E dyta: Krahina shqiptare e Çamërisë, në mbarim të Luftës së dytë botërore ju nënshtrua një spastrimi etnik gjenocidist dhe fashist. Preteksti: Gjoja shqiptarët kishin marrë pjesë përkrah nazifashizmit. Në vizitën e fundit në Dropull, Nikolas Gejxh, e trajtoi këtë çështje, duke thënë se problemi i shqiptarëve të Çamërisë është problem europian pasi, sipas tij, në atë periudhë u deportuan 16 milionë pakica nacionale, që kishin marrë pjesë përkrah nazifashizmit. Bukur. Por Gejxh dhe qeveritarët grekë, ose nuk e njohin historinë, ose e fshehin atë. Pse e them këtë. Është e vërtetë, që pas Luftës së dytë Botërore u deportuan miliona njerëz të pakicave nacionale në Europë, por kjo u bë në bazë të vendimeve të Konferencës së Potsdamit, pas korrikut 1945. Dhe këtë vendim aso kohe e firmosi, Josif Stalin, Hari Truman dhe Klement Etli. Dhe në këtë vendim thuhet të deportohen këto pakica nga trojet e tyre, me përjashtim të shqiptarëve të Kosovës, Bullgaro-maqedonëve të Maqedonisë dhe shqiptarëve të Çamërisë, të cilët kanë marrë pjesë aktivisht në luftën antifashiste. Për ata që e njohin historinë, e dinë se pas kësaj konference, në vitet 1945-1947 u deportuan 2 milionë e 850 mijë gjermanë të Sudeteve, dhe mbetën vetëm 157 mijë që u trajtuan si antifashistë, u deportuan 600 mije gjermanë të Vollgës, 400 mijë të Vojvodinës, një milion çeçenë të Çeçenisë etj etj. Pra shteti grek shkeli vendimin e Konferencës së Potsdamit. Për këtë arsye, duhet që e para qeveria greke të kërkojë falje për gjenocidin e ushtruar dhe e dyta, t’i lejojë shqiptarët e Çamërisë të kthehen në trojet e tyre dhe të vendosin vetë për fatin e tyre. Nëqoftëse sot thuhet shpesh se minoriteti grek shërben si urë lidhëse e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, tashmë duhet thënë se Çamëria duhet të jetë ajo që duhet dhe do të shërbejë si urë lidhëse e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka edhe të tjera, por do trajtohen gjatë fushatës. Do ju sugjeroja intelektualëve dhe deputetëve minoritarë, që kur të vijnë tjetër herë në debate, të marrin me vete edhe librin Mëhallat e Botës të Janis Ricosit dhe veprat e djegura në vitin 1936 në mes të Selanikut të Kostis Pallamasit.
No comments:
Post a Comment