Thursday, March 10, 2011


KUKES- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu nga Kukësi e quajti regjistrimin e Partisë Socialiste në KQZ , një hap pozitiv, ndërsa shtoi se nëse Edi Rama dhe Lulzim Basha do të jenë përballë njëri-tjetrit për Bashkinë e kryeqytetit duhet të përballen në një debat televiziv. Sipas ambasadorit e rëndësishme në këtë kohë është që partitë politike që do marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit të punojnë me KQZ-në si dhe të gjejnë një mekanizëm bashkëpunimi me njëra-tjetrën. Shqipëria ka marrë mbështetje nga ndërkombëtarët vazhdoi më tej ambasadori, por theksoi se ndërkombëtarët janë të zhgënjyer nga palët. Ka munguar dialogu, tha ai. Arvizu po qëndron për disa orë në qytetin e Kukësit ku po zhvillon takime me drejtuesit vendorë.
***
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i ka cilësuar si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë zgjedhjet e 8 majit.


Gjatë një daljeje publike në ambientet e Ambasadës Amerikane, Avizu ka theksuar se vota e çdonjërit ka vlerë dhe të gjithë duhet të kenë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje. "Këto zgjedhje vendore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ne presim që të shohim konkurrencë dhe një fushatë të besueshme.


Zhvillimi i fushatës është pjesë e sistemit demokratik dhe ato janë të nevojshme. Qytetarët duhet të dëgjojnë atë që thonë politikanët dhe të marrin vendimet e tyre", ka thënë ai, duke shtuar se "Çdo person ka një votë për të dhënë. Nëse ju quheni Sali Berisha keni një votë, Edi Rama një votë, Ina Rama një votë... Çdokush ka një votë dhe çdo votë ka vlerë ashtu si edhe të gjithë të tjerëve që Shqipëria të ecë përpara. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe ja pse SHBA-të kanë vendosur të japin fonde për to".

Në lidhje me vëzhgimin e procesit të zgjedhjeve të 8 majit, ambasadori amerikan u ka kërkuar vëzhguesve të të bëjnë më të mirën e mundshme, me qëllim që këtu të jenë zgjedhje të besueshme. "Vëzhgimi i zgjedhjeve është pjesë kryesore e ditës së zgjedhjeve dhe ndihmon që të ketë zgjedhje të besueshme. Të nderuar vëzhgues duhet ta merrni punën me seriozitet. Puna juaj do të jetë shumë e rëndësishme për suksesin e këtyre zgjedhjeve dhe do të përcaktojë të ardhmen e këtij vendi", tha Arvizu.


Ambasadori Arvizu bëri të ditur se SHBA-ja ka vendosur të japë një fond prej 60 mijë dollarësh për zgjedhjet vendore të 8 majit.

No comments: