Tiranë, 17 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – Tubimi i nesërm i Partisë Socialiste do të mbledhë njerëzit jo për një demonstratë por për një protestë, konfirmojnë për agjencinë NOA, burime nga partia më e madhe e opozitës.
Protesta, pritet të vazhdojë deri në mbrëmje. Plani është që kjo protestë të vijojë me numër të reduktuar gjatë gjithë natës, por kjo ende nuk është saktësuar nga drejtuesi i PS.
Sakaq, protesta ka si plan që të vijojë për disa ditë me radhë pa afat, por pengesë kryesore e socialistëve del data 20 shkurt kur mazhoranca ka paralajmëruar një tubim festiv.
Të njëjtat burime nga PS i thanë NOA-s se strategjia që do të ndiqet do të lidhet shumë me ecurinë e protestës por e rëndësishme është edhe se sa do të jenë njerëzit të disponueshëm të qëndrojnë gjatë, përjashtuar ata persona që mund të mbështeten financiarisht përmes bisnesmenëve të majtë.
Burimet pranë Partisë Socialiste i thanë sot agjencisë NOA se mitingu protestë do të nisë zyrtarisht në orën 16.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë.
Atje do të ngrihet një podium ku do të qëndrojë lideri i PS, Edi Rama dhe drejtues të disa partive të tjera që bëjnë pjesë në Opozitën e Bashkuar.
Gjithashtu në podium dhe pranë tij do të jenë familjarë të viktimave të 21 janarit.
Para se protestuesit të mblidhen në bulevard pranë Kryeministrisë, do të nisë grumbullimi i tyre nga Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, vendi i quajtur Zogu i Zi ose Sheshi Rilindja, Rruga e Elbasanit, Bulevardi Zogu i Parë.
Gjatë përshkimit të rrugëve të mësipërme deri në bulevard, protestuesit (organizatorët që i prijnë nga Tirana dhe rrethet), janë porositur që të mos lëshojnë thirrje por të lëvizin në heshtje drejt bulevardit, duke mbajtur në duar pankarta me thirrje për largim të qeverisë “Berisha” dhe zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, Partia Socialiste përmes kryetarit të degës Tiranë, Besnik Bare, ka dërguar në Policinë e Tiranës sot, një kërkesë zyrtare. Përmes saj i kërkohet forcave të rendit të marrin përsipër mbikëqyrjen dhe sigurimin e rrugëve të lira për protestues në akset e mësipërme duke nisur nga ora 14.00 dhe në vazhdim. Po ashtu është kërkuar dhe marrja përsipër e ruajtjes së rendit dhe mbajtjes hapur të bulevardit në dispozicion të protestuesve, nga ora 16.00 deri në 20.00.
Mbetet të shohim mbrëmjen e nesërme sesi do të precipitojë protesta e opozitës.
No comments:
Post a Comment