Saturday, February 19, 2011

PS hyn në zgjedhje, ja kandidatët për bashkitë e mëdha

Fejzi Braushi

Socialistët do të jenë pjesë e garës së ardhshme për zgjedhjet e pushtetit vendor. Partia Socialiste ka larguar çdo dyshim për mospjesëmarrje në to, dhe ditët e fundit ka nisur veprimin konkret, jo vetëm për përgatitjen e strukturave, por edhe për përzgjedhjen e kandidatëve. I mandatuar nga Asambleja Kombëtare si sekretar për Pushtetin Vendor, deputeti Bashkim Fino ka nisur dhe po vazhdon një sërë takimesh me deputetët e secilit qark, nga ku po merr edhe kandidatët për kandidat për njësitë e qeverisjes vendore. Ndonëse procesi nuk ka ecur me të njëjtin ritëm për të gjitha qarqet, një pjesë e mirë e tyre kanë paraqitur emra konkretë, të cilët gjatë ditëve në vijim do të diskutohen edhe një herë me Asambletë e PS-së në rrethe dhe më pas do t’i kalojnë kryesisë për përzgjedhjen finale. Procesi, siç mësohet, ndryshe nga disa bashki, ka qenë më i lehtë për komunat, ku thuajse në shumicën dërmuese kanë dalë kandidatët për kandidatë.

Rikonfirmohen

Padyshim që Tirana do të jetë qyteti ku do të përqendrohen forcat dhe energjitë më të mëdha të dy kampeve politike. Kush fiton Tiranën, ka fituar pothuaj zgjedhjet, është fjalia që ka një vit që qarkullon në kryeqytet, por si për të bërë më të nxehtë betejën elektorale, as PD e as PS nuk kanë shpallur dy emrat. Edi Rama nuk ka vendosur ende rikandidimin dhe deri në minutën e fundit mund të ndodhë gjithçka.

Një nga qytet ku gara për zgjedhjet vendore pritet me shumë interes dhe kjo për shkak se raportet e votave mes dy kampeve në zgjedhjet e shkuara nuk sigurojnë një fitues paraprak është bashkia e dytë më e madhe në vend, pra Bashkia e Durrësit. Kalimi i LSI-së në qeverisje bashkë me PD-në ka eliminuar diferencat mes dy kampeve në këtë qytet, por kjo nuk ka penguar socialistët që të rikandidojnë sërish kryetarin aktual Vangjush Dako. Emri i Dakos është i vetmi që flitet në strukturat lokale të partisë, por që duket se konfirmohet edhe nga deputetët e këtij qarku, të cilët e kanë servirur atë te sekretari për pushtetin vendor Bashkim Fino si kandidaturë të vetme. I pyetur për një rikandidim të mundshëm të tij në zgjedhjet e 8 Majit, Dako është shprehur se “rikandidimi im është çështje e strukturave dhe forumeve të PS-së, pasi ato do të vendosin për emrat konkretë, por nëse kjo gjë ndodh, atëherë unë deklaroj se jam i gatshëm të garoj për të qenë përsëri në krye të Bashkisë së Durrësit”. Ashtu si Durrësi, edhe në Bashkinë e Elbasanit, PS do të rikandidojë me kreun aktual Qazim Sejdini. Edhe pse deri më tani në të gjitha bashkitë dhe komunat e tjera nuk ka asgjë të zyrtarizuar, rasti i Sejdinit konsiderohet nga deputetët e këtij qarku si i sigurt dhe i vetëm. Një gjë të tillë e ka rikonfirmuar edhe kryetari i PS-së së rrethit Astrit Halili, i cili u shpreh dje se “ka qenë PS e Elbasanit ajo që i kërkoi Sejdinit që të rikandidojë. Nuk është thjesht një dëshirë e z. Sejdini, por kërkesë e PS që të përfaqësohet me atë”. Ndërkohë që për bashkitë e tjera të vogla të këtij qarku ende nuk është mbyllur asgjë, pasi deputetët socialistë nuk kanë deklaruar ende në qendër emrat që ata mendojnë se do mund të përfaqësonin PS-në në këto zgjedhje. Një tjetër bashki ku PS duket se nuk ka kandidaturë tjetër përveç kreut aktual është edhe ajo e Vlorës. Kështu, deputetët e këtij qarku në bashkëpunim edhe me degën e PS-së për këtë qytet dhe rreth, kanë propozuar në takimin e zhvilluar disa ditë më parë me Bashkim Finon, emrin e kryetarit aktual të baskisë, Shpëtim Gjika. Megjithatë, në rastin e Vlorës procesi i përzgjedhjes së kandidaturës së Gjikës nuk ka kënaqur të gjithë deputetët, pasi një pjesë e tyre nuk e kanë pranuar këtë lloj “emërimi” nga lart, duke kërkuar që kandidaturat të votoheshin më parë nga baza. I vetëm në këtë garë paraprake është edhe kryetari i tanishëm i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. Deputetët e këtij qarku dhe degët e partisë në bazë nuk kanë sjellë emër tjetër në qendër, përveç atij të Peleshit.

Të tjerët

Ndryshe nga kolegët e tjerë në bashkitë Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Durrës, kreu aktual i Bashkisë së Fierit nuk është i vetmi kandidat për kandidat për zgjedhjet e ardhshme vendore për Partinë Socialiste. Kështu, deputetët e këtij qarku dhe degët e PS-së për këtë qytet dhe rreth kanë evidentuar krahas tij dhe emrin e Arjon Muçajt. Të dy emrat i janë bërë të ditur edhe sekretarit të pushtetit vendor, Bashkim Fino. Në të njëjta pozita duket se gjendet edhe kreu aktual i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i cili për të rikandiduar duhet të mundë në Asamblenë e Rrethit dhe më pas në kryesinë e PS-së në qendër, konkurrencën e kreut lokal të partisë, Selman Hodaj, dhe dy kandidatëve të tjerë Pelivan Shatri dhe Stavri Cecës. Në të njëjtat pozita gjendet edhe kreu aktual i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime, i cili gjendet në balotazh me pedagogen Elvira Shapllo. Ndonëse zyrtarisht nuk janë bërë publike emrat e kandidatëve për Bashkinë e Shkodrës, në strukturat drejtuese të PS-së janë disa emra që përfliten se do jenë kandidatë që do përballen në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Në ambientet socialiste të Shkodrës deri më tani flitet për emrin e kryetares së PS-së së qytetit, Keti Bazhdari, dhe kryetarit të PS-së së Rrethit, Genc Uruçi. Por megjithatë, mësohet se këta nuk do jenë të vetëm, pasi edhe deputetët e këtij qarku bëjnë të ditur se nuk i kanë mbyllur ende listat për kandidatë për Bashkinë Shkodër dhe për rrjedhojë nuk i kanë paraqitur as në qendër. Pritet që ky proces të përfundojë javën e ardhshme, ashtu siç është mbyllur për pjesën dërmuese të komunave të këtij qarku. Tre kandidatura janë paraqitur në qendër edhe për Bashkinë e Lushnjës dhe konkretisht Gentian Nushi, Bujar Çela dhe deputeti Fatos Tushe./MAPOONLINE

No comments: