Friday, February 18, 2011

Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, si Odes Baysultanov dhe Ramzan Kadyrov

Nga Kastriot MYFTARAJ

A e dini se çfarë kanë të përbashkët Presidenti i ardhshëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Presidenti filorus i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov? Të dy janë njerëz shumë të pasur, të cilët janë pasuruar falë bashkëpunimit me Moskën,

dhe bizneset e tyre kryesore i kanë në Rusi ose ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, që gjithsesi mbeten në rrezen e influencës së Moskës. Kadyrov kur u bë President i Çeçenisë, pas vrasjes së të atit, Ahmed Kadyrov, i cili kishte qenë President më parë, vazhdoi ta shtojë pasurinë që kishte filluar të krijonte i ati. Behgjet Pacolli, pasiqë krijoi pasuri falë biznesit me Rusinë dhe me despotët e ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore, hyri në politikë me aspiratën për t’ u bërë President i Kosovës. Të dy, si Kadyrovi dhe Pacolli kanë kontakte të nivelit më të lartë, prej një kohe të gjatë me qendrën ruse të pushtetit, Kremlinin.
A është ekzagjerim që Behgjet Pacolli të etiketohet si Ramzan Kadyrovi i Kosovës? Behgjet Pacolli betohet e stërbetohet se ai është shqiptar i mirë, se ka hyrë në politikë për të bërë më të mirën për Kosovën, se ai dëshiron që pasurinë dhe lidhjet e tij të biznisit t’ i verë në shërbim të Kosovës. Natyrisht se Pacolli do të gjykohet sipas veprimeve që bën dhe ai mund të rezultojë një shqiptar i mirë, një njeri që do të bëjë aq të mira për Kosovën sa do ta meritojë një monument në qendër të Prishtinës. Tekefundit le të eksperimentojmë edhe Pacollin si kryetar të Kosovës, mund të thotë shumëkush në Kosovë, se edhe ata që mund të vihen në vend të tij nuk është se janë premtues. Kjo është e vërtetë, por mënyra se si e ka vënë pasurinë Pacolli, background rus i interesave të tij të biznisit, fakti që ai graviton në orbitën e biznisit rus në Rusi dhe rreth saj, si dhe fakti që ai në një moment delikat gjatë Luftës së Kosovës bëri proxenet-in e Kremlinit, do të thotë ndërmjetësin e tij politik, e bëjnë eksperimentin “Pacolli” me rrezik tejet të lartë.
Pacolli është një nouveau riche që hyn në politikë, por ai nuk është një nuoveau riche çfarëdo, ai është një nouveau riche i llojit kremlinian, një specie kjo së cilës i përkasin edhe despotët ish-aparatçikë sovjetikë të shteteve të reja të Azisë Qendrore. A mund të pritet që Pacolli në politikë të veprojë si i shkëputur nga gravitacioni i botës së biznisit të tij? Fakti që Pacolli në kohën e Luftës së Kosovës bëri një përpjekje për negocim me proveniencë nga Moska dhe që ishte llogaritur qartësisht për të penguar fushatën e NATO kundër Serbisë, është një tregues se Pacolli ka hyrë në politikë me një agjendë të fshehtë afatgjatë, në këtë linjë. Shkurt Pacolli ka hyrë në politikë për të bërë në Kosovë për Serbinë, diçka të ngjashme me atë që bënë në Çeçeni për Rusinë, Kadyrovët, at dhe bir.
Natyrisht se Rusia dhe Serbia nuk presin nga Pacolli që ai, në cilësinë e kryetarit të Kosovës të firmojë dokumente që do ta rikycin politikisht Kosovën nën Serbi. Ajo që presin Rusia dhe Serbia nga Pacolli-kryetar i Kosovës është që të krijojë kushtet e përshtatshme që Kosova e mbetur (ajo pjesë që Serbia nuk e kontrollon pas coptimit) të blihet me paratë ruse, për llogari të Serbisë. Këtu fjalën e kam që nga ekonomia tek politika. Madje për t’ u kamufluar ky proces, në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ku tashmë si përfaqësues i Kosovës do të ulet në tryezë edhe Pacolli, ky i fundit do të bëjë deklarime të forta, do të inskenohet edhe ndonjë incident mes tij dhe President serb Tadiç, që Pacolli të krijojë reputacionin e njeriut që ballafaqohet me serbët ashtu sikur pritet nga kryetari i Kosovës.
Shumëkush mund të thotë se nëse Pacolli ka një agjendë të tillë, atëherë amerikanët nuk do ta lejonin Hashim Thaçin, që të bënte aleancë me Pacollin dhe të pranonte që Pacolli të bëhej President i Kosovës. Logjika të thotë se kështu duhet të ishte, por nuk duhet harruar që në Washington ka pasur gjithherë një linjë të fortë kundër angazhimit ushtarak amerikan në Kosovë, ndër njerëzit më aktivë të së cilës kanë qenë personalitete të tilla me influencë në politikëbërje dhe në optikën gjeopolitike amerikane si Henry Kissinger. Gjenerali Wesley Clark, komandanti i fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë në 1999, shkruan në kujtimet e veta për presionin që pati ai dhe administrate e Clinton për ndërprerjen e bombardimeve nga ana e njerëzve shumë të fuqishëm në Washington. Kjo linjë kundër Kosovës në Washington është aktive edhe sot, dhe ajo mund të përdorë metoda të ndryshme për të arritur qëllimin e saj. Mjaft që kjo linjë kundër Kosovës në Washington, të influencojë që në Washington të minimizohet rreziku që vjen nga emërimi i Pacollit në postin e kryetarit të Kosovës, dhe qëllimi arrihet.
Ramzan Kadyrovi, pasi erdhi në pushtet në Çeçeni, si kukull e Rusisë, në vitin 2007, emëroi kryeministër kushëririn e vet, Odes Baysultanov, i cili vazhdon të jetë ende kryeministër i Çeçenisë. Në Kosovë po përsëritet precedenti çeçen, por në trajtë karikature. Në Kosovë, “Ramzan Kadyrov” (Behgjet Pacolli) i kërkoi “Odes Baysultanovit” (Hashim Thaçit), që ta bëjë President. Në Kosovë është pra “Odes Baysultanov” ai që po e bën President “Ramzan Kadyrovin”! Thaçi natyrisht që e di mirë se cka po bën, ai nuk është një politikan fillestar, tashmë, se ka qenë në Konferencën e Ramboullet që para 12 vitesh. Thaçi është i ri, dhe nesër ka për të qenë dëshmitar i asaj që mund ndodhë me Kosovën si rezultat i zgjedhjes së Pacollit president, dhe që jo domosdoshmërisht ka për t’ u zbuluar krejt në kohën kur Pacolli do të jetë president. Kështu që Thaçi nuk mund të thotë se: Nuk e parashikova atë që do të ndodhte, kur i mundësova Pacollit që të zgjidhet President.
Pacolli ka një aleat të madh në Kosovë që është dëshpërimi i shqiptarëve të Kosovës, i ardhur nga varfëria dhe mungesa e shpresës, cka do t’ i pengojë që të perceptojnë atë që bën Pacolli. Kjo do të bëjë që Pacolli-kryetar i Kosovës ta ketë më të lehtë për të implementuar agjendën e tij, duke u sjellë në Kosovë si një Mesia, si kryeministri biznesmen i Libanit, Rafic Hariri, pas luftës civile. Kur Pacolli të bëhet President, Kosova do të bëhet ashtu si Libani në kohën që Rafic Hariri ishte kryeministri i tij, dhe Libani u identifikua me kompaninë e Hariri, “Solidere”, për çka Libani u quajt një company-run-country. Edhe Kosova do të bëhet një company-run-country, ku kompania e Pacollit, Mabetex do të jetë ekuivalenti i asaj të Hariri në Liban. Pacolli do të kanalizojë në Kosovë me anë të kompanive të tij miliardat e eurove ruse, prejardhja e të cilave do të kamuflohet lehtësisht falë të infrastrukturës së ndërlikuar që ka krijuar biznesi rus në Europën Perëndimore dhe në ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore. Shqiptarët e Kosovës do ta mirëpresin këtë dhe për një periudhë do t’ u duket se jeta e tyre ndryshoi. Shumë njerëz në Kosovë mund të thonë se mjafton që ne të jetojmë më mirë, të ketë punë, rryma elektrike të mos mungojë, të rriten pagat, pa nuk ka rëndësi nëse jetojmë në një company-run-country. E pra, lajmi i keq është se nuk kanë për të jetuar më mirë. Pacolli nuk do ta ndërtojë Kosovën për shqiptarët dhe minoritetet, ashtu që të gjithë të jetojnë më mirë atje, Pacolli do ta blerë Kosovën për Serbinë, me para ruse. Pacolli do të lehtësojë edhe kalimin tek biznesi rus të kompanive publike tashmë të shitura, duke u rishitur.
Po EULEX-i çka do të bëjë gjatë kohës që ndodhin këto gjëra, mund të pyesë shumëkush? EULEX-i do të jetë i paralizuar nga fakti si biznesi rus bën lobin të fortë në qendrat evropiane të vendimmarrjes, për çka po shprehet gjithëherë e më tepër alarm në vendet mëdha evropiane. Kur është fjala për Kosovën, kuptohet, lobingu në kryeqytetet evropiane nuk është dhe aq i vështirë.
Kur të ketë përfunduar blerja e Kosovës, në masën e parashikuar, atëherë shqiptarët do të jenë të tepërt atje. Kështu që do të inskenohet skenari të cilin rusët e quajtën çeçenizim, do të thotë që konflikti çeçeno-rus të projektohej në Çeçeni, midis vetë çeçenëve, ashtu që ata të asgjësonin njëri-tjetrin. Në Kosovë ky skenar mund të quhet Shqiptarizim dhe do të zbatohet duke shkallëzuar konfliktin mes shqiptarëve, në të gjitha llojet e mundshme, politik, religjioz, regjional. Çdo premisë për konflikt do të eksploitohet që prej ekzistencës së radikalëve islamikë në Kosovë, tek konflikti mes Drenicës dhe Prishtinës i krijuar pas vitit 1999, konflikti mes enveristëve të dikurshëm dhe titoistëve etj. Paaftësia e shoqërisë shqiptare të Kosovës për t’ u çliruar nga premisat konfliktuale ka për të rezultuar shumë konvenues për ata që do të çeçenizojnë Kosovën.
Në rrethanat kur KFOR është duke u zvogëluar shumë dhe nuk do të jetë në gjendje që të sigurojë rendin në Kosovë, natyrisht se do të ndërhyjë Serbia kinse për të siguruar enklavat dhe zonat e trashëgimisë kulturore serbe, të përhapura gjithandej Kosovës, aq sa e bëjnë hartën e saj të ngjajë si një copë djathi zviceran, me shumë vrima. Në fakt Serbia do të ndërhyjë për t’ i dhënë dorën e fundit spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët. Perëndimi natyrisht se nuk mund të ndërhyjë kur shqiptarët vriten mesveti. Pacolli zemërgjerë do t’ u ofrojë shqiptarëve të Kosovës punë dhe jetesë të mirë në ish-republikat sovjetike muslimane të Azisë Qendrore.
Ndoshta nuk ka për të ndodhur asgjë nga këto dhe Pacolli, në mos ka për t’ i bërë të mira Kosovës, së paku nuk ka për t’ i bërë më keq se ai që mund të jetë në vend të tij. Ndoshta, por unë mendoj se Pacolli-President është një eksperiment me rrezik tepër, por tepër të lartë ama. Këtë më mirë se cdo gjë na e bën të qartë vetë libri i Pacollit i botuar kohët e fundit, qartësisht me rastin e agjendës së tij presidenciale. Në këtë libër të ndërtuar si një intervistë e gjatë që Pacolli u jep dy këshilltarëve të vet nga Tirana, çka e bën librin tejet argëtues, në një kuptim të caktuar, për ata që njohin detaje, Pacolli vetëm sa pohon të gjitha dyshimet që shpreha unë më lart. Ai i ka vënë dy këshilltarët e vet nga Tirana, që të bëjnë pyetje të cilat do t’ i japin atij mundësinë që të bëjë një apologji për dyshimet që ekzistojnë rreth tij, e pas të gjitha gjasave edhe të elaborojnë përgjigjet e tij, në trajtën që paraqitet në libër. Por mënyra se si janë ndërtuar pyetjet dhe përgjigjet, vetëm sa zbulojnë se ata që pyesin dhe ai që përgjigjet, janë të vetëdijshëm se këtu ka diçka të mbrapshtë që nuk shkon fare.
kastriotmyftaraj@sot.com.al

No comments: