Nga Kastriot MYFTARAJ
Erion Veliaj, në rrethe shumë të ngushta ka filluar të shprehë mendimin se një fatalitet numerologjik e bën atë të jetë pasardhësi i Edi Ramës në krye të PS. Sipas kalkulusit të Erion Veliajt, ai gjendet në raport me Edi Ramën, ashtu siç ishte Edi Rama
Koincidencat numerologjike e inkurajojnë edhe më tepër Erionin. Fatos Nano i fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 1997, gjashtë vite pasi u bë kryetar i PS. Sipas kësaj, del se Edi Rama, duhet t’ i fitojë zgjedhjet në 2011, se në këtë vit mbushen gjashtë vite qëkurse ai është bërë kryetar. Pastaj, Edi Rama do të bëhet kryeministër ashtu si Nano në 1997, dhe PS do të rrijë tetë vite në pushtet deri në 2019, kur PS-së i mbaron mandati i dytë parlamentar, ashtu si në 2005. Më tutje, në kalkulusin e Erionit, Edi Ramës i duhet që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2019, çka do ta çojë Erionin në karrigen e kryetarit të PS-së. Nëse zgjedhjet parlamentare nuk mbahen në vitin 2011, por në 2012, Erioni mendon se përsëri nuk është keq, se pas dy mandatesh të PS-së në pushtet, në 2020, Erioni do të jetë 41 vjeç, pra fiks sa ç’ ishte Rama në 2005. Madje, meqënëse Rama ka lindur në korrik dhe Erioni në dhjetor, ky i fundit mendon se ka më tepër hapësirë për kombinacione numerologjike me moshën e vet.
Për Erionin problemi kryesor është se PS duhet t’ i humbë patjetër zgjedhjet e treta parlamentare në radhë pas zgjedhjeve të ardhshme, duke e llogaritur të sigurt që zgjedhjet e ardhshme parlamentare i fiton PS. Nëse PS fiton tre zgjedhje parlamentare rresht, Erionit i prishet krejt llogaria, kurdo që të mbahen zgjedhjet e para parlamentare, këtë vit, vitin tjetër, apo në 2013. Se kështu i bie që Edi Rama të qëndrojë kryeministër deri në 2023, 2024, apo 2025, kur Erioni do të jetë përkatësisht 44, 45, 46 vjeç. Këtu prishet jo vetëm numerologjia, por edhe çdo shans i arsyeshëm për t’ u bërë pasardhës i Edi Ramës, se ndërkombëtarët, për shkak të postulatit të tyre të shkëputjes së liderëve nga periudha e politikës konfliktuale, e cila tashmë u duk se përfshin jo vetëm vitet 1997-1998 por edhe vitin 2011, zëvendësuesin e ardhshëm të Edi Ramës, kurdo që të vijë do ta kërkojnë të tillë që të mos i ketë më tepër se 40-41 vjeç, sa Edi Rama në 2005. Erioni e di mirë këtë gjë.
Erioni, me të ardhur në Shqipëri në vitin 2002, punoi fort që PS e drejtuar nga Nano t’ i humbte zgjedhjet parlamentare të radhës, në vitin 2005, ku PS kërkonte fitoren e tretë radhazi. Atëherë Erioni bëri virusin politik kundër qeverisë socialiste të Nanos. Tashmë Erioni ka një agjendë afatgjatë për të bërë virusin politik kundër qeverisë së ardhshme socialiste, në mënyrë që të mos e lejojë PS-në të fitojë tre zgjedhje parlamentare radhazi. Kështu largohet Rama nga drejtimi i PS-së dhe i hapet rruga Erionit dhe jo ndonjë tjetri.
Për Erionin, problemi imediat është se ku do ta kalojë ai periudhën midis zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe zgjedhjeve parlamentare të treta në radhë, që prej zgjedhjeve të ardhshme. Erionit do t’ i bënte shumë komoditet sikur këtë periudhë ta kalonte në krye të Bashkisë së Tiranës, se kështu do të krijonte bazën e vet personale të fuqisë, ashtu si Edi Rama në vitet 2000-2005. Prandaj Erioni lobon, siç i pëlqen të shprehet, tek plaku Soros që ky të ndërhyjë tek Edi Rama që ai të kandidojë Erionin në zgjedhjet e ardhshme vendore, si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Por këtu Erioni ka numerologjinë kundër se kur Edi Rama kandidoi për kryetar Bashkie në vitin 2000, ai ishte 36 vjeç, ndërsa Erioni në 2011 nuk i ka më tepër se 32 vjeç, madje edhe këtë moshë e mbush në dhjetor, ndërsa zgjedhjet, në çdo rast, janë më herët.
Nëse Erioni i qëndron numerologjisë së tij, ai mund të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, kur do të jetë 36 vjeç. Po ku do të qëndrojë Erioni deri në 2015? Nëse i qëndrojmë kalkulusit të Erionit ai duhet të presë në ndonjë karrige ministri. Por këtu ngatërrohet disi llogaria për Erionin se Edi Rama u bë ministër në vitin 1998, në moshën 34 vjeç. Erioni do të arrijë moshën 34 vjeç në vitin 2013. Në vitin 2013 i takon që të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, çka do të thotë se Erioni i sjell mbrapshti PS-së. Por gjërat rregullohen lehtë nëse PS vjen në pushtet në 2011 apo në 2012, mjaft që Erioni të pranojë që të mos bëhet ministër deri në vitin 2013.
Këtu Erioni është në dilemë mes kalkulusit të vet numerologjik dhe politikës reale, se nëse ai nuk bëhet ministër që me dorën e parë, nëse ka zgjedhje të parakohshme, atëherë me siguri që do t’ i thonë që më mirë të presë vitin 2015 kur do të kandidojë për kryetar të Bashkisë. Kështu që kalkulusi numerologjik i Erionit është në konflikt interesi me interesin e PS-së për zgjedhje të parakohshme.
Erion Veliajt nuk i del mirë llogaria vetëm në një gjë, në Horoskopin Kinez, që është pasioni i tij që nga koha kur ishte në Amerikë për studime dhe ku pati një shok dhome kinez. Që nga koha që Erioni shkoi në Amerikë dhe në vazhdim kur u kthye në Shqipëri në krye të “Mjaft”, atij i eci mirë me Horoskopin kinez. Që atëherë, Horoskopi kinez u bë pasioni i tij sekret, të cilin e ndan me fare pak njerëz të besuar.
Erioni ka lindur në 1979 që është Viti i Deles, sipas Horoskopit Kinez. Gjërat filluan të ngatërrohen në vitin 2009, i cili sipas Horoskopit kinez ishte viti i kaut. Në këtë vit Erioni doli në zgjedhjet parlamentare si kryetar partie, dhe megjithëse socialistët kanë bindjen se nëse hapen kutitë e votimit do të zbulohet se e majta ka më shumë vota, asnjëri prej tyre nuk beson se partia e Erionit ka më tepër vota në kuti se rezultati zyrtar. Si duket kombinimi i kaut me delen rezulton fatkeq në gjithçka tjetër përveç atyre party me meshkuj të veshur si femra, që Erioni u detyrua që ta pranonte botërisht se kishin ndodhur vërtet tek “Mjaft”.
Horoskopi kinez nuk paralajmëron asgjë të mirë as në duelin Veliaj-Rama. Sipas horoskopit kinez, Fatos Nano dhe Edi Rama kishin lindur në të njëjtën shenjë në horoskopin kinez, në Vitin e Dragonit, se si viti 1952 kur ka lindur Nano, ashtu dhe viti 1964 kur ka lindur Rama, është Viti i Dragonit sipas horoskopit kinez. Pra, dueli Nano-Rama ishte një duel dragonësh, i cili u nda në vitin 2005, që sipas Horoskopit kinez ishte viti i Gjelit të Kuq. Një ndër dy dragonët e PS-së do të bënte gjelin e vetëm që do të këndonte në parti dhe si i tillë mbeti Rama.
Në rastin Rama-Veliaj, lufta mes deles dhe dragonit nuk është e vështirë që të parashikohet. Viti 2011, sipas Horoskopit kinez është Viti i Lepurit. Kur ka një konflikt mes Dragonit dhe Deles, i pari nuk ka kundërshtim që delja të bëjë edhe lepurin, rol që Erioni mund ta bëjë edhe në pozicionin që është sot. Për fatin e keq të Erionit, viti 2019 do të jetë Viti i Derrit sipas horoskopit kinez. Sipas supersticioneve të Erionit, të gjitha gjasat janë se karriera politike e Erion Veliajt ka marrë fund. Tekefundit, a mund të imagjinohet një Erion Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili me Lëvizjen “Mjaft” lufton kryeministrin Edi Rama? Edi Rama ka më shumë fantazi se Erioni dhe në çdo rast di sit a bëjë qesharak. E shumta që mund të arrijë Erioni është që të bëhet deputet i PS-së, dhe këtu do të jetë i lumtur nëse kur të arrijë moshën që ka Edi Rama sot, pra 46 vjeç, nuk do të jetë ish-deputet, por ende deputet. Edhe në këtë rast Horoskopi kinez nuk paralajmëron ndonjë gjë të mirë se viti 2025, kur Erioni do të jetë 46 vjeç, është viti i Gjarprit sipas Horoskopit kinez, dhe kombinimi i Deles me Gjarprin nuk është aspak inkurajues për delen.
Horoskopi kinez në këtë rast ndoshta thjesht paralajmëron, në një koincidencë ironike, se PS në prag të zgjedhjeve të vitit 2019, 2020, 2021, edhe sikur Erioni të ketë sukses, fakti që Erioni do të punojë fort në prapaskenë për humbjen e zgjedhjeve nga kjo parti, aq më tepër edhe për shkak se socialistët do të kenë në kujtesën historike të tyre atë që bëri Erioni për dy vjet e ca para zgjedhjeve të vitit 2005, në mos do ta dëbojnë fare nga partia, së paku as që do ta shkojnë ndërmend që ta bëjnë kryetar të PS-së.
Të gjitha këto duket se do të sjellin tek Erionin sëmundjen e hershme të politikanëve të rinj të PS-së, të cilët kanë më tepër ambicje se mbështetje në parti, pra bashkëpunimin sekret me PD, siç bëri Ilir Meta dikur. Kështu që Erioni pritet të përfundojë si një Ilir Metë i ri, në version të shfiguruar, se Ilir Meta pas bashkëpunimit të parë me Berishën, në vitet 1992-1996, u bë zëvendëskryeministër dhe kryeministër, ndërsa Erioni nuk pritet që ta ketë këtë fat. Kështu që Erion Veliaj do ta mbyllë karrierën politike, ose ashtu siç e filloi tek “Mjaft”, duke luftuar për rrëzimin e PS-së nga pushteti, ose si Ylli Manjani, si zëvendësministër në një qeveri të ardhshme të PD, kur kjo parti të rikthehet në pushtet. Ndoshta Erioni do të jetë zëvendësministër për komunitetin LGBT në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, dhe do të krenohet që e mbylli karrierën duke siguruar një shtesë në emrin e gjatë të kësaj ministrie. Natyrisht nëse Erioni nuk e kalon kohën gjyqeve, me pasionin e madh që ka për të bërë padi në gjykatë, me ç’ rast duket se së shpejti gjykata e Tiranës do të duhet që të krijojë seksionin gjyqësor të posaçëm me emrin “Veliaj”. Kështu Erioni do t’ u kushtojë shumë taksapaguesve shqiptarë për të cilët bën sikur rri natën pa gjumë, natyrisht me ndihmën e muzikës. Ndonëse Erioni nuk ka qenë kurrë në jetën e vet taksapagues se edhe ato paratë me të cilat ai paguan ndonjë taksë vendore, në fakt i paguan me para të marra nga ndërkombëtarët, të cilat i kontabilizohen shtetit shqiptar si asistencë teknike.
kastriotmyftaraj@sot.com.al
No comments:
Post a Comment