Shekulli Online
Marku ngjan si një statujë e mbushur me dhimbje, nga e cila duket se s'do nxjerrësh asnjë fjalë. I heshtur dhe i vrarë nga çfarë ka ndodhur më 21 janar dhe pas tij, e ka të vështirë të bindet nëse duhet të flasë fort, apo duhet të jetë i matur për të respektuar më shumë kujtimin e nipit të tij, djalit të vetëm që ka lënë në shtëpi katër motra dhe dy vajza. Ka disa brenga të cilat kërkon t'i sqarojë. Ato kanë të bëjnë me Aleksin, me familjen Nika, me Sali Berishën dhe njerëzit e tij që po rivrasin sipas tij Aleksin me mungesën e respektit për ikjen e tij.
A e dinit ku ishte Aleksi më 21 Janar.?
S'kam pas nevojë të pyes. E dija pa më thënë as ai vetë se do ishte në Bulevard. Aleksi ishte një socialist. Nuk ka pas nevojë të më thoshte ku ishte. E dija që ishte në bulevard. Nuk e dija që nuk do të kthehej më gjallë. Dhe kjo më bën të ndjehem se jetoj kot, pa asnjë motiv nëse drejtësia nuk vihet në vend.
Si mësuat për vdekjen e tij?
Si gjithë të tjerët. Fillimisht nga televizioni, që ishte plagosur. Pastaj pashë Prec Zogaj në televizion që bëri thirrje për ndihmë në Spitalin Ushtarak. Duke qenë se është një mik i familjes sonë, u prekëm dyfish kur dikush tentoi të shpifë dhe për apelin e tij të dhimshëm nga Spitali Ushtarak. Më tej si gjithë të tjerët jetuam me shpresën e pakët se Aleksi do t'ia dilte mbanë. Por nuk mundi siç e patë.
Duket që e përjetoni shumë rëndë ikjen e tij. A do ta këshillonit të mos vinte në protestë më 21 janar?
Aleksi nuk ishte djalë që mund ta ndalje për të shkuar në një protestë. Ajo ishte një protestë e ligjshme, ishte një demonstratë e ligjshme dhe kushtetuese. Askush nuk ka tejkaluar të drejtën që t'i merrej jeta. Gjithçka që ka ndodhur me katër qytetarët e vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur është antikushtetuese dhe duhet të marrë dënimin kapital. Askush të mos mendojë se gjaku i tyre do bëhet ujë. Unë jam vetë jurist dhe kam punuar në administratën e lartë të shtetit shqiptar. Ashtu si unë dhjetëra qindra juristë në këtë vend e dinë mirë kur mund të përdoret arma dhe po aq mirë se nuk mund të merret jeta e një njeriu të pafajshëm në bulevard për arsye politike. Pikërisht duke ditur se jetojmë në një shoqëri të lirë dhe demokratike, duke ditur të drejtat tona qytetare, nuk do të kisha këshilluar të mos shkonte, pasi nuk shikoja asnjë rrezik nga një demonstratë e qytetareve kundër qeverisë, pasi kane parë me sytë e tyre se si zv.kryeministri i vendit bën pazare për miliona euro kur në shtëpitë e mijëra shqiptarëve nuk ka as ushqim mjaftueshëm. Do të më dukej krim ta kisha këshilluar të ndalej, duke e ditur që jemi shoqëri demokratike dhe më duket krim i shumëfishtë tani përdhosja e vdekjes së tij nga ata që e vranë .
A njihej Aleksi si socialist në Lezhë?.
- Po. Gjithkush që e njihte e dinte që ishte dhe socialist. Ishte një qytetar normal. Kishte një shtëpi të mrekullueshme, të ndërtuar me punë të ndershme dhe një biznes të vogël të qëndrueshëm ku kish punësuar motrat dhe familjen e vet. Nuk ishte njeri që vuante për bukën e gojës. Nuk kishe nevojë të paguhej për të ardhur në miting siç kërkon ta përdhosë kujtimin e tij Lulëzim Basha. Nuk kish nevojë për asgjë, përveç drejtësisë për të cilën doli në rrugë.
A mendoni se është vrarë aksidentalisht apo ka pas goditje selektive ndaj tij?
Nuk e them dot me plot gojën pa përfunduar çdo hetim dhe gjykim. Por di të them se vrasja e Aleksit ndryshon paksa nga tri vrasjet e tjera. Skaneri të krijon dyshime se është qëlluar me snajper me një goditje selektive .
Unë nuk mund të them se dikush porositi vrasjen e tij, por po pres me shpirt në dhëmbë të mbarojë hetimi dhe çështja t'i kalojë gjykatës. Kam një dyshim se segmente të caktuara në Lezhë, të lidhura me pushtetin, nëse e kanë identifikuar në bulevard mund ta kenë seleksionuar për ta vrarë. Por kjo është e gjitha, dyshim i imi. Po presim drejtësinë.
-Ka pas probleme në Lezhë Aleksi?
- Jo. Aleksi nuk ka pasur asnjë problem. Ai ishte një djalë që e respektonte gjithë Lezha dhe ata që e njihnin. Por të tjerë, biles nga ata që kanë hapur zjarr nga brenda gardhit të kryeministrisë kanë pas disa probleme në Lezhë, kanë pas disa interesa financiare në zaptime tokash dhe përdorim të pushtetit. Lus Zotin të mos bashkohen këto gjëra, pasi do të ishte një krim i mafies politike.
- Kur flisni për vrasjen e Aleksit në familje flisni për një vrasje aksidentale apo politike?
Është një vrasje për arsye politike e urdhëruar nga njerëzit më të fuqishëm të pushtetit. Në zyrë ka qenë kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i brendshëm Lulëzim Basha. Unë e njoh Komandantin e Gardës Ndrea Prendin dhe kam besim se ai e di mirë që njeriu nuk vritet me duar në xhepa në bulevard. Ai duhet të ruajë autoritetin e tij dhe të Gardës jo duke fshehur gardistët, por duke dëshmuar para drejtësisë kush i urdhëroi.
Garda por dhe çdo formacion tjetër ushtarak e ka të ndaluar të përdorë armën në publik. Ne pamë në kamera policë që gjuanin tek piramida jashtë kryeministrisë. Ne pamë policë që qëllonin drejt mbi turmën. Ligji për përdorimin e armëve u shkel publikisht para syve të miliona shqiptarëve. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Disa nga ata që kanë vrarë shihet qartë që janë militantë që mbrojnë pasuritë dhe pushtetin e tyre të dyshimtë. Ndaj ne duam të dimë kush dha urdhër. Ne e duam këtë përgjigje. Po presim në qetësi, por jo aq të qetë. Po presim në gjakftohtësi, por jo aq të ftohtë. Po presim një fjalë nga drejtësia. Po presim një shenjë. Diçka duhet të na thonë. Lus Zotin të mos vazhdojnë më disa fytyra të urryera politike të vazhdojnë e të thonë se ishin rrugaçë, kokëpalarë dhe banditë. Lus Zotin për fëmijët e tyre, jo për ata të Aleksit se ata ngelën pa babë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se ne nuk mund të lëmë të rivrasin ata që i vranë. Një herë i vranë tinëzisht me plumb dhe tash po i vrasin përditë me fjalë. Duhet ta dijnë se jemi gjallë.
E keni fjalën për fjalorin e kryeministrit?
Edhe për fjalët e tij. Unë e njoh atë. Kam jetuar vite të tëra komshi me të. Ai po na e vret djalin për së dyti. Unë besoj se ai më njeh. Nëse do t'i kishte ndodhur ajo që i ndodhi Aleksit, djalit të tij, ne nuk do silleshim ashtu si po sillet ai me djalin tonë. Nuk do ta fyenim, nuk do ta përdhosnim, por do ta respektonim dhe do ta ngushëllonim. Ai po thotë gjëra të rënda. Po thotë se vramë 3 apo 4 por mund të vrisnim dhe 300 se ishte puç. Pastaj tërhiqet nga fjala puç. Pastaj fyen përsëri të vdekurit. Ka një kufi. Nuk ka vetëm ai fëmijë, ka pas dhe Aleksi. Nuk ka vetëm ai mbesa, kam dhe unë që tani i kam jetime për shkak të tij. Ai s'mund të na përdhosë edhe të vdekur. Është mirë t'i hapë rrugë drejtësisë, pasi e drejta vonon por nuk harron. Dikush do ta vendosë atë. Ne duam ta vendosin gjykatat e lira. Nëse Berisha kërkon rrugë të tjera keq për atë. Desha t'u them dy fjalë dhe atyre të tjerëve rrotull tij. Nëse do t'u kishte ndodhur atyre kjo fatkeqësi, edhe sikur viktima të kish faj ne do të shkonim t'i ngushëllonim dhe nuk do të qeshnim si Jozefina, nuk do fyenim gjakun e tyre. Ajo nuk di të sillet as si nënë, as si motër as si femër. Desha t'i them Sokol Olldashit, se Aleksi nuk kish nevoje te punësohej në polici bashkiake, se kishte biznesin e tij, ku mund të merrte dhe Olldashin polic kur të ikë nga pushteti, me kusht që të mos pinte më.
Ata u sollën si shtazë me vdekjen e Aleksit. Tentuan të prishnin me lidhjet e tyre të pista dhe funeralin e Aleksit. Kësaj nuk ja arritën, por tradhtuan veten se kanë gisht tek kjo plagë që na kanë hap..
Kanë tentuar t'ju prishin funeralin?
-Po. Kanë manipuluar me një njeri të tyre të sjellë aty me kamerë amatore për të inskenuar diçka të turpshme. Nuk ia arritën. Ne e falënderojmë nga zemra Edi Ramen, dhe ata që respektuan kujtimin e Aleksit. Motrat e Aleksit, dhe babai i tij kanë shprehur falënderimet publikisht të nesërmen e varrimit. Ata që sajuan skenën u fshehën si minj dhe mbyllën telefonat që atë ditë. Por ne na kanë rëndu, pasi kane dash të na përdorin edhe pasi na vranë. Edi Rama do të jetë pjesë e familjes sonë, pasi respektoi atë që bëri Aleksi. Nga te tjerët pres drejtësi. Pres të mos pengojnë zbardhjen e krimit.
-Meqë hymë te politika, a shikoni rrezik që politika dhe diplomacia të ndërhyjë në hetim?
Po shikojmë që ka presione. Ka disa herë dhe deklarata që të bëjnë pesimistë. Pashë dhe ambasadorin amerikan në krah të një kryepolici duke e lavdëruar për profesionalizëm. Unë nuk e di ç'profesionalizëm ishte ai, por di të them se ata shkelën çdo ligj dhe vranë katër njerëz të pafajshëm. Unë di që në SHBA e kanë të shenjtë ligjin.. As deklaratat e tij për të bërë barazim situatën e demonstruesve me gjakun e derdhur nga pushteti, nuk më duken normale, por kjo është punë e tij. Nuk mund të vihet në plan të parë shkelja e ligjit mbi tubimin dhe të lihet në harresë terrori shteteror që derdhi gjak. Por thashë, kjo është punë e atij zotërisë. Në fund të fundit, djalin tonë nuk e vrau ai, por pushteti im dhe unë ja kërkoj qeverisë shqiptare drejtësinë ose gjakun. Gjakun e Aleksit as e falim dhe as nuk do ta lëmë të humbasë. Ne ja kërkojmë shtetit tonë. Ne presim që atë të zbardhë Prokuroria. Frika e atyre që kanë vrarë, nuk e mund dot drejtësinë dhe as që na frikëson dot ne që kemi mbetur gjallë. Dikush do ta vërë në vend drejtësinë.
No comments:
Post a Comment