Wednesday, February 23, 2011

Revolta e Shkollës së Bashkuar pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

Shpëtim Koli

Rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë dhe i asaj në qytetin e Korçës, solli një tensionim të situatës politike në Shqipëri. Lëvizja antikomuniste e përqendruar kryesisht në qytetet e mëdha në vend, u ndje edhe më e fortë, ndërsa elementi konservator enverist, i përqendruar në institucione, zona rurale si dhe në qytete të vogla, kundërveproi në mënyrën e vet. Shqipëria ishte përballë një ballafaqimi serioz, i cili mund ta çonte në një luftë të pakontrolluar civile, të paparë qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Lëvizje të rrezikshme ishin edhe ato të nisura në shkollën e oficerëve në Tiranë, në të cilën ushtarakët u armatosën dhe krijuan “Komisionin nismëtar të lëvizjes për mbrojtjen e interesave të popullit”, me kryetar Agim Bajraktarin. Ata i drejtuan thirrjen partive politike, Presidentit e popullit shqiptar, duke kërkuar vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës me referendum. Sigurisht, rreziku qëndronte edhe te Forcat e Armatosura, të cilat mund të dilnin jashtë kontrollit dhe mund të përligjnin veprimet e tyre me Kushtetutën e 1976-s, e cila ishte në fuqi. Megjithatë, pakënaqësia ndaj regjimit ishte edhe në këto forca. Por ngjarja më e rrezikshme që ndodhi në atë kohë ishte inskenimi i provës së zjarrit në mjediset e shkollës së bashkuar të oficerëve në Tiranë. Qindra studentë, të drejtuar nga komandantët e tyre, me kallashnikovë dhe pushkë në duar, që i tundnin në ajër, në ritmet e këngës “Enver Hoxha tungjatjeta”, ushtruan një demonstrim force, duke premtuar se monumentet e Enver Hoxhës do i çonin atje ku ishin. Nga ana tjetër, një shoqatë e “vullnetarëve të Enverit”, u tregua shumë aktive në organizimin e ceremonive të tilla në qytetet e mbarë vendit, ku bustet e vegjël e të bardhë të Enverit viheshin në qendra qytetesh, të cilat përnjëherësh merrnin emrin “Enver Hoxha”. Një situatë sa tragjike aq edhe komike kalonte Shqipëria. Vendi ishte në prag të katastrofës humanitare, zia e bukës kërcënonte egërsisht, ndërsa konservatorët gjenin kohë për shfaqje të tilla.

Por ajo që duhej thënë në një konfrontim të tillë ishte se pakënaqësia nuk ishte vetëm e popullit, por edhe brenda Forcave të Armatosura. Autoritetet e kohës sillnin me shqetësim informacione se pakënaqësia ishte e madhe edhe brenda këtyre forcave. Afër Shkollës së Bashkuar, nga krismat e kallashnikovëve u vranë ose u plagosën edhe disa qytetarë.

Informacioni i datës 20 shkurt 1991

Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve mbante emrin e Enver Hoxhës. Në oborrin e kësaj shkolle qëndronte edhe një monument i diktatorit. Por informacionet që vinin paraditen e 20 shkurtit 1991 për gjendjen në këtë shkollë nuk ishin edhe aq të kënaqshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, njoftonte kështu kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, mbi gjendjen në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”:

“Dega e Sigurimit të Shkollave Ushtarake informon se sipas dy denoncuesve del se oficer Stefan P., pedagog i historisë së AUP së Repartit 2330 Shkodër, është shprehur: “Për Partinë e Punës nuk ka më fitore, apo edhe këtë legjislaturë ka jetë... Këtij pushteti i erdhi fundi e duhet të përmbyset”.

Studenti Vladimir P. i vitit të dytë në kufi, në prani të gjithë studentëve të klasës ka thënë: “Jam në komisionin nismëtar për organizimin e shoqatës të studentëve ushtarakë, do mblidhemi në fushën e sportit, ku do të flasin organizatorët e kësaj shoqate, pastaj dilni të gjithë. Kërkesat tona janë: përmirësimi i kushteve të jetesës e ushqimit, të shkrihet Komitetit i Partisë së shkollave e godina t’u jepet studentëve; Akademia Ushtarake të largohet dhe godinat t’u jepen studentëve, të anulohet urdhri i ministrit të Mbrojtjes Popullore për përjashtimin e studentëve që plotësojnë 12 mungesa; tani për tani jemi nuk jemi për heqjen e emrit të shkollës, se po kërkuam këtë do të kemi përfundim të keq, këtë do ta bëjmë më vonë”. Nazmi C., Llazi K. e Arben Z., thonë se duhet të kërkojmë heqjen e emrit të shkollës. Të tre këta studentë, më datën 11.2.1991, duke ngrënë boçe pishe, kanë qëlluar disa herë portretin e themeluesit të Partisë. Theksojmë se në klasën e vitit të dytë të kufirit në datën 13.2.1991, rreth orës 16.30, është hequr portreti i themeluesit të Partisë dhe nuk dihet se ku e kanë çuar.

Për problemet e sipërme është informuar edhe Komanda e Kufirit.

Studenti Besnik Shkëmbi, i vitit të katërt të artilerisë, ka filluar të shpërndajë lista të marra nga komisioni nismëtar i Partisë Demokratike, për të regjistruar studentë në shoqatën e tyre.

Sipas denoncimit të oficerë Hajri Th., pedagog në Repartin 2330 Vau i Dejës, del se kursanti Rezart Z., i ka thënë: “...Unë jam kundër PPSH-së dhe kam aftësi të bëj edhe 100 kursantë të votojnë kundër saj, po ti pedagog me cilën parti je?”. Unë - thotë Hajriu, - thashë se “po ma shave PPSH-në, ta numëroj në lule të ballit”. Rezarti i thotë: “Mos u nxito, se edhe unë kam automatik dhe të zhduk”.

***

Në një informacion që kryetari i Degës së Sigurimit të Shkollave Ushtarake, i dërgonte Degës së Sigurimit të Ushtrisë, bënte të ditur se pedagogu i shkollës së bashkuar “Skënderbej”, Ismet Pajo, “me origjinë kosovar”, kishte strehuar “katër elementë destruktivë” në kohën kur këta po protestonin kundër zhvillimeve në Shkollën e Bashkuar. Sipas këtij informacioni, më 23 shkurt 1991, pedagogu në fjalë u fliste njerëzve duke u thënë se veprimi i shkollave ushtarake nuk ishte i drejtë, sepse ishte vëllavrasës dhe përçarës. Nuk mjaftonte vetëm ku raportim, por vazhdohej se për këtë pedagog nuk disponoheshin të dhëna të tjera, por do punohej me agjenturë. Oficeri N. ZH., ndër të fundit e rekrutuar për interes të Sigurimit, denonconte se para derës së Akademisë kishte qenë edhe një student, i cili i kishte thënë gruas së N. ZH këto fjalë: “Ku do të vini ju komunistët... të gjithë komunistët do të përfundojnë në litar... Po shkollat ushtarake pse vepruan kështu, veprimi i tyre është jashtëzakonisht i keq, megjithatë shikoni e prisni fundin e kësaj pune”.

Bashkëpunëtorët e tjerë vijojnë të sjellin raporte mbi atë që dëgjonin, mbi zërat kundër brenda radhëve të ushtrisë, në shkollë apo në reparte.

Studenti Ilir K. kishte thënë: “Unë nuk jam dakord me këtë qëndrim të studentëve, ne bëmë gabim dhe historia do të na dënojë... Ne nuk kemi pse të kërkojmë të vihet shtatorja e Enver Hoxhës”.

Studenti Sokol C., i vitit të parë, më 24 shkurt 1991 kishte grumbulluar disa shokë të tij dhe u fliste: Nuk bëjmë mirë që kërkojmë të vendoset busti i Enver Hoxhës në vend, kështu ne sillemi keq dhe historia do të na dënojë e do të na bëjë fajtorë”.

Studenti Ilir Dh., vitit 2-të, u shpreh: “Nuk bëjmë mirë ne studentët të vihemi në konflikt me popullin, tani të ruhemi se do të na kërcënojnë e do na vrasin”.

No comments: