Besnik Baka
Lufta politike në Shqipëri me të gjitha elementet e saj është zhvendosur nga sheshet e Parlamenti, në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave, të cilat më shumë se kurrë gjatë 20 viteve tranzicion janë bërë palë me politikën, duke funksionuar si marioneta që ulërasin në duart e elitave politike. Arsyet dhe faktorët e kësaj situate nuk janë të rëndësishme, më tepër se ndikimi që mediat kanë tek audienca. Të gjithë jemi konsumatorë të lajmeve, kronikave e spoteve televizive, të pasura me doza të larta agresiviteti politik, me luftë, vrasje, pa kursyer gjakun e dhunën që të pështjellon e të prek. Shumëfishimi marramendës i dhunës që ndodh në rrugë, në sheshe, në Parlament, nëpërmjet televizioneve dhe gazetave, nuk mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta në perceptimet dhe ndjenjat tona në jetën e përditshme.
Teksa jemi të ndërgjegjshëm për luftën politike që shohim në media, pak arrijmë të kuptojmë, madje shpesh hezitojmë të perceptojmë dhunën që ajo reflekton te ne, agresivitetin që marrim e japim në jetën tonë, nervozizmin në rritje, pasigurinë për të ardhmen, kërcënimin, mosbesimin te njerëzit e afërt e të largët etj. Ndonëse tërheqja e publikut nga media për qëllime politike konsiderohet esenciale për të arritur mobilizimin e grupeve të ndryshme dhe masave në tërësi, pak flitet për influencën që media ka në sjelljet tona individuale e kolektive, jashtë politikës.
Bombardimi për një kohë të gjatë me informacion të njëanshëm e propagandë nga mediat e varura, bën që të dorëzohemi në përpjekjet tona për të kuptuar se çfarë ndodh në të vërtetë, duke iu nënshtruar manipulimit, duke urryer njërën palë e duke admiruar “shpëtimtarët”´ në anën tjetër. Pikërisht polarizimi politik në ngjyra bardhë e zi ka shkaktuar edhe polarizimin e jetës sonë në të gjitha hallkat e saj. Duket se media tragjikisht ka arritur qëllimin që liderët politikë i kanë diktuar; indinjata dhe nervozizmi që imazhet televizive me ngarkesë emocionale dhe gjuha e urrejtjes sjellin te publiku, supozohet që të zgjojnë dhe motivojnë njerëzit për të vënë në vend një padrejtësi dhe rivendosjen e një balance mes së mirës dhe së keqes, e thënë ndryshe mobilizim. Politika po luan rrezikshëm me median, duke synuar jo vetëm të kontrollojë mendjen e njerëzve tashmë të marxhinalizuar, por të sigurojë ushtarë të bindur për aktet e të nesërmes. Të dyja palët luftojnë hapur si dy grupe ekstremiste duke demonizuar kundërshtarët dhe duke glorifikuar figurën e tyre. Çdo gjë nëpërmjet televizioneve dhe gazetave të cilat synojnë të provokojnë reagim ose aksion kolektiv në mbrojtje të një kauze që nuk duhet të përfaqësohet nga liderë të korruptuar e të dalë boje ndër vite.
Njerëzit përpunojnë informacionin që marrin nëpërmjet burimeve selektive, duke formuar në mendjen e tyre një model për mjedisin që i rrethon, brenda një kornize të interpretimit të ngjarjeve të servirura nga media të veçanta që ata prej kohësh ndjekin. Por duket se tashmë media nuk ka më misionin të informojë e mbulojë ngjarjet në mënyrë të paanshme për audiencën, por të manipulojë publikun duke përdorur efekte psiko-sociale. Me kalimin e kohës kjo kornizë bëhet e ngurtë dhe e vështirë për t’u braktisur. Në mënyrë instiktive e të pavullnetshme njerëzit paragjykojnë informacionin që cenon bindjet e tyre ose nuk u përshtatet kërkesave e zakoneve të brumosura në kohë. Si rrjedhojë publiku u qëndron besnik burimeve të përzgjedhura, të cilat bëhen edhe më agresive për t’ju përshtatur më së miri një kornize të caktuar ideologjike. Ndërkohë të njëjtët njerëz u bëjnë rezistencë burimeve të tjera alternative, duke mos pasur guxim të dyshojnë apo kritikojnë liderët politikë që janë kthyer tashmë në liderë “shpirtëror” nga gazetarët e politizuar. Si rrjedhojë në mënyrë të vazhdueshme thellohet shtrembërimi i realitetit dhe media gjithmonë e më shumë fiton terren ndaj mendjeve e syve të verbër të audienës. Vlen të theksohet se dritarja e vetme e njerëzve të thjeshtë drejt realitetit janë televizioni e gazetat, sot të mbushura me dhunë, gjak, sharje, agresivitet. Në këtë kuadër ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes konflikteve në mbulimin e lajmeve në njërën anë, dhe perceptimeve negative për botën që na rrethon në anën tjetër. Ata që përjetojnë dhunën në media, kanë më tepër gjasa ta shohin botën përreth, si një vend të ndyrë, me plot padrejtësi, çka i bën të ndihen të kërcënuar duke reflektuar sjellje mbrojtëse në aktivitetin e tyre rutinë.
Përhapja e pasigurisë dhe frikës nëpërmjet medias bën që masat popullore të bëhen lehtësisht të manipulueshme për qëllime politike, teksa gjithmonë e më shumë mesazhi mediatik trumbeton “luftën për ekzistencë”, duke e rindërtuar diskursin mediatik në kampe frontale: njerëz të drejtë kundër të padrejtëve, kriminelë kundër mbrojtësve, engjëj kundër djajve. Kjo thellon diferencat, jo më në politikë që tashmë i ka konsoliduar pozicionet e saj, por mes vetë njerëzve të thjeshtë. Media po krijon precedentë të rrezikshëm, se nëse dikush nuk përkrah ideologjinë e një force të caktuar politike, automatikisht mund të stigmatizohet si armik, edhe pse pikëpamjet e tij s’kanë lidhje me forcën kundërshtare.
Aktualisht ndodhemi në një situatë ku televizionet e gazetat përveç gjuhës së urrejtjes, janë të mbushura me imazhe të dhunshme, deri tragjike të aktiviteteve politike. Këto të sponsorizuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qarqet politike në formën e reklamave, ose në mënyrë të tërthortë nëpërmjet mbulimit të anshëm të ngjarjeve. Ndërkohë gjithmonë e më shumë, zërat alternativë që s’përkasin as majtas e as djathtas, gjejnë pak hapësira në media, e cila është në kërkim të megafonave ekstremistë. Ata përbëjnë vërtet lajm për të prodhuar sensacion e për të zgjatur krizën që prodhon lajme të forta. Në këtë perspektivë shtrohet pyetja, nëse janë të aftë shqiptarët për të zotëruar sensin e tyre kritik ndaj asaj që shikojnë, duke kuptuar se imazhet që u serviren janë të selektuara dhe shpesh një shtrembërim i qëllimshëm i realitetit? Fatkeqësisht media ka minimizuar çdo përpjekje për të pasur një përqasje të balancuar ndaj realitetit, duke qenë një refleksion i situatës politike në vend.
Në vazhdimësi, doza në rritje e ekstremizmit dhe polarizimit në media, ka efekt të drejtpërdrejtë në psikologjinë e njerëzve të pasigurt për të ardhmen, të frikësuar nga ajo që shohin e dëgjojnë lart e poshtë. Kjo ka pasoja, edhe pse jo të dukshme, në jetën tonë të përditshme duke shfaqur sjellje atipike, nervozizëm, panik, pse jo dhe dhunë. Nëse në mënyrë konstante ekspozohemi ndaj këtyre trukeve djallëzore mediatike, mund të krijohen efekte mjaft të dëmshme dhe të pakorrigjueshme te publiku. Shqiptarët e shqetësuar e të acaruar në mënyrë kronike nga mesazhi mediatik, mund mos të zotërojnë më aftësinë dhe mekanizmin për t’i eliminuar efektet negative të medias gjatë jetës së përditshme. Përkundrazi, mund të thellojnë edhe më tej urrejtjen dhe revoltën ndaj demonëve duke e përcjellë frustrimin brenda rrethit të tyre social.
Tragjikisht këto efekte negative mediatike, edhe pse nuk i drejtohen në mënyrë specifike, veprojnë në veçanti te fëmijët. Ata janë më vulnerabël dhe aksidentalisht bëhen viktima të sulmeve psikologjike që televizioni ndërmerr nëpërmjet selektimit të imazheve të dhunshme dhe gjuhës me nota dramatike, tragjike, apo hakmarrëse. Fatkeqësisht kjo nuk mund të shmanget, pasi në televizionet tona imazhet e dhunës politike janë të pranishme në çdo orë të ditës, si në formën e lajmeve, edhe në formën e spoteve/reklamave. Bazuar në studime të ndryshme fëmijët që konsumojnë dhunë mediatike në nivele të larta, kanë më shumë tendencë të shfaqin sjellje agresive kur të rriten, duke bërë që politika e media jonë e polarizuar të jenë shkaktarët për rritjen e një brezi të traumatizuar.
No comments:
Post a Comment