Henri Çili
Një sinjal i Edi Ramës, në një intervistë në emisionin FAKT të gazetarit, Çlirim Peka, se tashmë “Bashkinë e Tiranës nuk e shihte më domosdoshmërisht të lidhur me emrin e tij”, mund t’i japë jetës politike një drejtim tjetër. Moskandidimi i Ramës, kryetarit të opozitës, për një mandat të katërt në Bashkinë e Tiranës, mund të qe hapi i parë për të zgjidhur lëmshin politik, në të cilin ndodhet Shqipëria, kryesisht dhe për shkak të fatit politik të politikanit Edi Rama. Situata është vërtet e komplikuar në thelbin e saj dhe manifestohet me shfaqje të jashtme tejet problematike, të cilat shkojnë deri te 21 janari. Nga njëra anë, Rama ka shumë presion për të kandiduar dhe për të vijuar sistemin ekzistues dualist: kryetar opozite – kryebashkiak, megjithëçka kjo nënkupton, nga ana tjetër, ai ka një detyrë madhore që duhet të zgjidhë: të përgatisë alternativën e pushtetit në Shqipëri dhe të sjellë popullin e majtë në pushtet. Ky hap, nëse do të bëhej, është normalizues për jetën politike shqiptare dhe jo vetëm kaq, edhe për të si politikan në rrugën për të kapur objektivin e tij, shef i ekzekutivit. Kurse efekti i parë imediat i këtij hapi do të ishte pikërisht ai: “Depolitizimi i garës për zgjedhjet lokale” dhe krijimi i shanseve, që për herë të parë të kishim një garë për qytetin.
Duke zgjidhur këtë dualitet në favor, sigurisht të objektivit të tij më të madh, atij të kandidatit për kryeministër, Edi Rama i bën më në fund “lindje” me sukses fatit të tij politik, pas një ndërlikimi që zgjat, së paku, që prej zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Ndërsa ishte një avantazh fakti që ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, në funksion të objektivit të tij politik për të kapur kreun e së majtës, apo për ta konfirmuar plotësisht atë pas zgjedhjeve të 2007-ës, kjo u kthye gjithashtu në një barrë, në një handikap, në një pengesë për të pasur realisht një opozitë të vërtetë dhe efikase, mbi të gjitha për të pasur një opozitë me superioritetin moral, që një opozitë ka natyrshëm. Gjatë këtyre viteve, në Shqipëri kemi pasur një konkurrencë mes pushtetit lokal dhe atij qendror, më shumë sesa një luftë pozitë-opozitë. Shumëkush dhe në shumë raste kanë parë tek Edi Rama, më shumë se kreun e opozitës dhe alternativën e kryeministrit hije, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, të implikuar në të paktën aq ndotje pushteti, sa për ta zhveshur opozitën nga superioriteti moral, duke e lënë atë në suazat e një krahasimi moraliteti politik me qeverinë. Qënia kryetar i bashkisë dhe kreu i opozitës, i ka hequr Ramës edhe një armë tjetër që e ka opozita: shpërthimin e koniunkturës me grupe, apo me atë që po njihet gjithnjë e më shumë, me termin “klientela”. Ai kishte dhe ka sërish një klientelë, vetëm se për pushtetin lokal të Tiranës.
Të gjitha këto e lanë Edi Ramën, pa program real, pa denoncim real të atij niveli të korrupsionit, që e bën opozitën të besueshme për të nesërmen në pushtet, pa kohën e nevojshme për t’u marrë me opozitarizmin, si një i barabartë me ata që janë në shesh, në varfëri, në padrejtësi, apo në atë hall që opozita kërkon të zgjidhë me projektin e saj. Sigurisht që dhe Bashkinë, sa më shumë që merrej me opozitën, e la pa atë kujdesin e një kryetari “full time”, në drejtim të qytetit, pasi koniunktura politike e opozitës, shpesh ndikoi në planet për një drejtim efektiv të Tiranës.
Duke vendosur në favor të të qenit vetëm kryetar i opozitës Rama, e çliron veten nga kërkesa e dytë ndaj qytetarëve të Tiranës, për ta votuar atë “jo për qytetin, por kundër Sali Berishës”, kur qyteti po shkon në zgjidhje për vetëadministrimin e tij dhe jo për të zgjidhur çështjet e qeverisjes qendrore në ditën e qeverisjes lokale. Qyteti mund të vendosë për veten këtë herë, pa dashur që duke vendosur për fatin e veten, në fakt të vendosë për fatin e opozitës.
Duke vendosur në favor të të qenit vetëm kryetar i opozitës, Rama i jep një zgjidhje politike dhe ngërçit ku është futur vendi me ngjarjet e 21 janarit, të cilat kanë ardhur nga sforcimi i madh, për të krijuar një bilanc politik të sforcuar nga gjithë sa ndodhi, për shkak se socialistët shqiptarë ndajnë më në fund objektivat politike, në vend që t’i kishin ato në të njëjtën kohë: në kohën e duhur, beteja për qytetin përmes njeriut të duhur, në kohën e duhur beteja për qeverisjen qendrore me njeriun e duhur.
Ndarja e objektivave qendrore dhe lokalë dhe lojtarëve për këto objektiva, është tashmë operacioni i duhur menaxherial politik, për ata që drejtojnë opozitën. Sepse zgjidhjet zgjidhin gjithnjë një çështje: kurrë dy. Sikurse ka dashur deri tani të bëjë Edi Rama. Dhe ka dështuar, jo domosdoshmërisht se ka dalë humbës, por sepse ka pasur më shumë se një objektiv: të mbajë dhe Tiranën, të mundë dhe Sali Berishën.
No comments:
Post a Comment