Peshkëpia: Dekorimi i hetuesit, si plumbi mbi tim atë
Gëzim Peshkëpia, i biri i njërit prej 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist për bombën në Ambasadën Sovjetike u shpreh dje se, medalja në gjoksin e hetuesit Skënder Breca dhënë nga Presidenti Topi, rëndon po aq sa plumbi në gjoksin e bababit të tij të pushkatuar në grupin e 22 intelektualëve. Këtë deklaratë Peshkëpia e bëri dje gjatë fjalës së tij në Konferencën Shkencore në përkujtim të 22 intelektualëve, që u ekzekutuan pa gjyq. "Medalja në gjoksin e Skënder Brecës ka peshë po aq sa plumbi që S. Breca i ka dhënë babait tim, por është shumëfish më i rëndë sot në gjoksin e tij", deklaroi Gëzim Peshkëpia gjatë fjalës së tij. Gëzim Peshkëpia tregoi më pas se si pas pushkatimit të babait të tij e internuan atë dhe familjen e tij. "Masakra e 26 shkurtit ku u ndërprenë në mënyrën më çnjerëzore 22 jetët e pafajshme ka dhe anën tjetër të saj; burgimin, internimin, dhunën, diskriminimin e familjeve të tyre, të cilat vazhduan për 40 vjet me radhë deri ditën që u shemb regjimi komunist", tha ndër të tjera Peshkëpia.
Skënder Breca ka qenë një nga hetuesit xhelatë të diktaturës komuniste që ka dërguar në litar, në pushkatim, në gjymtime fizike, hedhje prej kateve të larta etj., dhjetëra intelektualë dhe njerëz të pafajshëm në kohën e diktaturës. E sikur të mos mjaftonin këto masakra, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, para tre vjetësh e ka dekoruar hetuesin xhelat Skënder Breca me "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin: "Për përkushtim të lartë, korrektësi dhe ndershmëri në ushtrimin e funksioneve të prokurorit". Njëri nga viktimat e xhelatit Skënder Breca ka qenë intelektuali Xhelal Koprencka, i cili është dekoruar me medaljen e "Martirit të Demokracisë" për rezistencën burrërore para torturave të xhelatëve prokurorë dhe të hetuesve kanibalë si Skënder Breca, por edhe pse ky fakt tronditës dihej, Presidenti Bamir Topi e dekoroi hetuesin xhelat. E krahas dekorimit të varur në gjoks nga Presidenti, hetuesi xhelat u punësua edhe në Prokurorinë e Përgjithshme nga Ina Rama. Kryeprokurorja Rama e mori si këshilltar të sajin xhelatin Breca a thua se po e shpërblente për krimet e tij monstruoze gjatë diktaturës komuniste.
Dje u mbushën 60 vjet nga masakra e 26 shkurtit 1951 dhe 22 intelektualët e pushkatuar pa gjyq u përkujtuan në një Konferencë Shkencore që u mbajt në Muzeun Kombëtar në Tiranë. 22 qirinj të ndezur dhe lule mbi emrat e të ekzekutuarve, si dhe një minutë heshtje, në këtë mënyrë u përkujtuan në prani të familjarëve viktimat e pafajshme të pushkatuara nga sistemi komunist. Studiuesi Uran Butka u shpreh se, në atë kohë Shqipëria ishte në një kapërcyell kohor dhe po kalonte nga dominanca jugosllave në atë sovjetike dhe se duheshin kurbanë të rinj në themelet e kësaj miqësie. "Masakra e natës së 26-27 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më me paprecedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj", tha Butka. Gjatë kumtimit të tij ai rrëfeu ngjarjen e asaj kohe, duke shprehur edhe faktin se vendimi për këtë masakër u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politikë të Partisë së Punës në mbledhjen e 20 shkurtit '51. Studiuesi Agron Tufa referoi në lidhje me importin e modelit komunist të terrorit mbi intelektualët shqiptarë. "Karakteri i hapur në zbatimin e genocidit të formave të terrorit masiv të intelektualëve dhe qytetarëve ka qenë një praktikë e importuar e udhëheqjes komuniste shqiptare, duke u mbështetur në dy modelet staliniste të spastrimeve të listave të zeza", tha Tufa. Kryetari i Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Agron Tufa, u shpreh se Enver Hoxha dhe Byroja Politike në çdo hap janë mbështetur tek praktikat e Stalinit dhe i vetmi aspekt krijues i komunizmit shqiptar konsiston me larjen e hesapeve me kundërshtarët pa qenë nevoja e procedurave dhe e dokumentacionit elementar. Ndërsa studiuesi Kolec Topalli vuri në dukje se masakra e 26 shkurtit '51 kishte si synim kryesor vrasjen e intelektualëve shqiptarë. Shkrimtari dhe studiuesi Amik Kasoruho, i biri i njërit prej 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq, u shpreh ndër të tjera se, sot ne përkujtojmë vetëm njërin prej krimeve të panumërta që shteti komunist kreu gjatë jetës së tij. "E përkujtojmë me dhimbje, por edhe me vetëdijen se ky është një borxh që u kemi jo vetëm atyre që humbën jetën nën plumbat e diktaturës komuniste, por edhe si një detyrim ndaj bijve, nipërve dhe stërnipërve tanë që të mos përsëritet më ajo faqe e dhunshme e historisë sonë, që duhet të mbetet e shkruar me germa zjarri në kujtesën e shqiptarëve. Sot e mot. Sepse po shohim që fara e ligësisë nuk është zhdukur. Ajo nxjerr krye nëpër media dhe nëpër protesta sheshesh, në greva urie dhe në strategjinë e frikës dhe të pasigurisë. Ajo nxjerr krye në mohimin e gjithçkaje pozitive ka bërë ky vend, duke synuar të errësojë arritjet dhe të zbehë shpresat", tha Kasoruho.
No comments:
Post a Comment