Thursday, February 24, 2011

“Gjurulldi-mileti” dhe prijësi i tyre.


Nga Feti Zeneli

Një barcaletaxhi, fjalën “demonstratë”, të artikuluar nga Edvin Rama për tre protestat politike që Partia Socialiste ka zhvilluar gjatë këtij viti, duke filluar me 21 janarin e dhunshëm, ndryshe nga përkufizimi që i jep asaj Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, si një “manifestim i masave të gjera punonjëse… në vendet borgjezo-revizioniste”, e shpjegon me turqishten e kohës së “Babës”; si “gjurulldi-milet”. Nisur nga ky fakt, përshkrimi më i gjetur fiziko-psikologjik i pjesëmarrësve në këto demonstrata, nuk do të ishte ai që bëhet sot për protestuesit modern të botës perëndimore, por gjithçka thuhet e shkruhet për rebelët e dikurshëm të kohës së Turqisë: Ata “…ecin poshtë e lart të vetëkapardisur…”, megjithëse “…me fytyra të rreshkuara, të vrugëta, të egra e pa fije gëzimi, që të kallin datën”. Kjo do të thotë, që nga mesi e lart janë “general”, kurse “…nga mesi e poshtë -katundarë”. Janë njerëz që, “…nuk lënë gurë e kusur…”, pasi për ta, si “…të pagdhendur e të dalldisur…” në ekstrem, “…dajaku ka dalë prej xhenetit…” dhe shkojnë me mendim: “…pas nesh, flaka të bjerrë!”. Fëmijët, tregtarët, turistët, qytetarët e ndershëm dhe shumë njerëz të tjerë, që s’bëjnë pjesë në këto turma, sapo i shohin në rrugë, ndërpresin punën apo lëvizjet dhe struken të frikësuar në shtëpitë e tyre. Ndërsa “turma” përshkruhen si; “…pa identitet e vetëdije…”, ku pjesa dërrmuese “…nuk e vënë në kandar as jetën, as vdekjen…”, përderisa nuk u bën përshtypje fakti që një “sulltan” i tyre u thotë: “13 mijë të vrarë prej jush, asgjë nuk janë(!?)”. Kësisoj, ata, “…e kanë më të lehtë t’i binden dikujt, se sa të komandojnë veten…”; sigurisht t’i ndonjë “selxhuku”, që “festen e kuqe” e ka në tru dhe jo mbi kokë. Për ta; ligji, shteti evropian, perëndimi, qeverisja integruese, etj., fenomene pozitive të botës modern, janë “paudhësi”?!...

21 janari 2011 ishte rasti më i mirë për ta shuar një kuriozitet të tillë, megjithëse duhet t’i bëje mirë llogaritë, që të dilje në rrugë!? Natyrisht nuk duhej të ishe polic, gardist, qeveritar, demokratë, tregtar, turistë, nxënës shkolle, fëmijë kopshti apo të kishte një emër të shenjtë, si… “Bekime”, fjala vjen; qoftë edhe duke kryer një punë apo detyrë të caktuar. Por kush nuk i ka parë “live” këto skena, ka mundësi ta shuaj kuriozitetin, duke klikuar në websitin e disa mediave vizive apo të shkruara e t’i shoh të regjistruara. S’më shqitet nga mendja një foto me diçiturën: “Demonstrata e opozitës degjeneroi në dhunë fatale nga pjesëmarrësit, në vijim të ftesave provokuese nga krerët e PS dhe partive të vogla pranë saj, ku tre vetë u vranë dhe mbi 120 të tjerë mbetën të plagosur”, e botuar në faqen on-line të një të përditshmeje, ku shihen dy fytyra protestuesish, që “të kallin datën, vërtetë” dhe të kujtojnë “paraardhësin” tonë të hershëm-majmumin, për të mos thënë paraardhësin e “zotit majmun”. Kaq të frikshme e të dhunshme janë pamjet e këtyre fytyrave, sa që edhe kur dalin në “demonstrata paqësore”, përsëri; rrugët, shkollat, kopshtet e njësitë tregtare boshatisen me shpejtësi rrufe, kurse ambasadorët e huaj u kujtojnë shtetasve të tyre që të shmangin lëvizjet në qytete dhe të marrin masa për mbrojtjen e tyre. Gjyshet e vërteta shqiptare fillojnë t’i qetësojnë fëmijët, që s’po kuptojnë pse i kanë mbyllur në shtëpi, duke u thënë se, “në rrugë ka dalë Gogoli”!...

Perëndimi, dhe sidomos amerikanët kanë gati një shekull që i njohin këto fytyra, për nga mendësia dhe psikologjia haxhiqamiliste e tyre. Ato, edhe pas 96-97 vitesh, janë po aq tmerronjëse sa ç’i përshkruan fotoreporteri i “United Press”, Ronald Spenser; me të vetmin ndryshim se ndërsa atëherë luftonin për “…privilegjet e humbura nga koha e Turqisë...”, tani luftojnë për privilegjet e humbura nga koha e komunizmit. Janë kryesisht nga radhët e ish komunistëve, punëtorëve e kooperativistëve pararojë, montatorëve duarartë, heronjve të punës socialiste, sigurimsave, oficerëve, instruktorëve, kryetarëve, drejtorëve, brigadierëve e kështu me radhë. Duan “demokraci proletare”, të cilën e quajnë “demokraci të vërtetë”; pra, me pak fjalë, duan një “demokraci shpellare” ose një pushtet që nuk vjen nga vota, por nga revolta. Tre herë gjatë shekullit të kaluar, pushtetin e kanë marrë me “grykën e pushkës”; në ’24-ën, ‘44-ën dhe ‘97-ën. Pushtetin që merret me votë e quajnë “të dhuruar” dhe jo “të fituar”. Thënien e filozofit Parker, sipas të cilit, “arsyeja është më e fortë se topat”, ata e lexojnë së prapthi; pra “topat janë më të fortë se arsyeja”. Madje, nëse perifrazojmë Terenelin, një tjetër mendimtar të shquar, ata “armët” i përdorin para dhe jo pasi “…të kenë provuar të gjithë mjetet e tjera”. Kjo është arsyeja, që i tregojnë si “virtyte” shqiptare disa barcaleta për “heronjtë e tyre”, të cilët kur ftoheshin nga kancelaritë perëndimore për bisedime, një “kobure” e dorëzonin, kurse tjetrën e fshihnin në “çorape”. Natyrisht tani “koburja” nuk mund të jetë “një zgjatim i shtyllës kurrizore”, por një “rudiment” i trurit. Ajo ka, tashmë, formën e “kokës” që nuk bindet, që nuk dëgjon këshillat dashamirëse apo që nuk reflekton pozitivisht. Populli për këta tipa përdorë togfjalëshin: “kokë kobure”, të cilët më shumë se sa “budallenj” janë “shejtan-budallenj”. Tiranasit kanë një fjalë tepër karakteristike për të portretizuar këta tipa, duke i quajtur “sherrë-budallë”, që në shqipen standarde, ndoshta, nënkuptohen ata persona që nxiten në punën dhe jetën e tyre, nga instinktet dhe jo nga arsyeja.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Rama, me veprimet e deritanishme është “kokë kobure” apo një “sherrë-budallë” i kohëve moderne. Të gjitha protestat dhe manifestimet e zhvilluar pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009, përfshi edhe tre raste “gjullurdi-mileti” të këtij viti, janë zhvilluar sepse prijësi i tyre, përpara se sa “të ketë provuar të gjithë mjetet e tjera”, siç thotë Tereneli, ka marrë në dorë “koburen”, dhe tash së fundi edhe “topin”, duke iniciuar një sherrnajë të panevojshme kombëtare. Preteksti i gjithë këtyre “gjurulldive”, siç e di, tashmë, i madh e i vogël në Shqipëri, ka qënë “hapja e kutive”. Megjithëse për të zgjidhur një çështje të tillë, siç e kanë përcaktuar edhe organet kompetente të KiE-së dhe BE-së, ka mjaft rregulla ligjorë, Rama preferoi, më mirë, të marrë “koburen në dorë”; madje “dy kobure”, si komitët e dikurshëm; një në zemër dhe tjetrën në kokë. Gjithë këtë gjurulldi apo zallamahi, që s’mbeti vend i botës pa e marrë vesh, e bëri, si një “sherr-budallë” i vërtetë; pa pasur asnjë provë apo fakt që t’i jepte të drejtë. Ai e dinte që tek “hapje e kutive” do të gjente “eshtrat e qenit të ngordhur”, siç doli në Shkodër, ndaj sillet si një i lajthitur, jo vetëm me njerëz të veçantë por me çështjen kombëtare në përgjithësi, duke nxjerrë me dhjetëra herë në rrugë, njerëz si vetja e vet. Në librin “Miti i Haxhi Qamilit” është një pasazh interesant për të ilustruar këtë lloj mirëkuptimi genetik, do të thoshim, midis “sherrë-budallit kumandar” dhe atij “asqerë”: - Aman, mos na vrisni!, - u lut një fshatar, mbështetur tek rrota e topit, sikur ishte mbërthyer atje. -Unë kam një tufë me kalamaj, që s’kanë ç’të hanë. Po edhe këta të tjerët hallexhinj janë. Mos më keq janë. Për të qarë hallin… Gabiu e vështroi me dhimbshuri. Rrobat e trupit i kishte me arna dhe vende-vende të shqepura, si gojë të uritura. - Nga je? - e pyeti. - Nga katundi Sharrë. - Po ti qenke bash nga fshati i Haxhi Qamilit! - Prej andej jam. - Përse i besove atij njeriu, nuk e njihje? - E njihja, si s’e njihja, bre burrë! Një i lajthitur. - Kur e dije të tillë, pse i shkove pas? - Edhe unë me hënë jam… - Me thënë të drejtën, unë e kam gjak Haxhiun. Jemi rritur bashkë, kemi ngrënë në një çanak…”

No comments: