Gaddafi që jo shumë ditë më parë e sulmoi opozitën si drogaxhinj dhe minj, tanimë e ka ndryshuar tonin. Në një fjalim, të cilin ai për arsye sigurie e ka mbajtur përmes telefonit në televizion, kreu i shtetit libian ka pretenduar se të rinjtë demonstrues po nxiten prej Al Kaidës. Dhe si një baba i mirë i kombit ai u ka bërë thirrje prindërve të mbajnë fëmijët në shtëpi, që të mos u ekspozohen rreziqeve të këtij ndikimi. Mos Gaddafi donte të nënkuptonte më këtë se çfarë forcash do të vijnë pas tij. Si shumë veprime të tij edhe ky është i paqartë.
Gaddafi e ndjen veten me shpatulla pas muri
Fjalët e "udhëheqësit të revolucionit" siç e quan veten Gaddafi, janë një shenjë se Gaddafi e ndjen veten të vënë me shpatulla pas muri, megjithëse forcat e sigurisë vazhdojnë të veprojnë pa mëshirë kundër kryengritësve, të cilët prej kohësh nuk mund të quhen më demonstrues. Fundi i këtyre luftimeve nuk dihet, edhe përfundimi i tyre po ashtu.
Një gjë është e sigurtë. Po qe se vendi nuk ndahet, atëherë Gaddafi nuk do ta mbijetojë dot kalimin në një Libi të re dhe ndryshe. Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Moammar Gadhafi Ai nuk mund të arratiset - pasi askush nuk do ta pranojë. Dhe në vendin e tij do të ngjiten në pushtet forca të reja, megjithëse hapat e parë në liri do të hidhen në gjurmët e lëna nga Gaddafi. Në Bengazi dhe Cyrenaika në veriperëndim të vendit, si edhe në zona të tjera janë krijuar komitetet me personalitete të njohura, akademikë avokatë dhe gjykatës për t'u këshilluar për masat e nevojshme pasi ky lloj pushtetit të jetë larguar. Ka qenë ideja e Gaddafit të ngrinte komitete popullore në të gjithë vendin, por me këtë ai thjesht donte të krijonte përshtypjen në popull se një demokraci bazë në vend ekzistonte.
Libia vuan shumë nga klanet dhe pushteti i fiseve
Duhet thënë se Libia më shumë se të gjitha vendet e tjera arabe vuan nga klanet dhe pushteti i fiseve dhe ai që do të ngjitet në të ardhmen në pushtet, duhet të bëjë koalicione dhe aleanca me to. Pak shanse kanë këtu politikanët libianë në ekzil, sepse fiset që tanimë janë kundër Gaddafit, do të ngrenë më shumë zërin për formësimin e së ardhmes së vendit të tyre, se sa përfaqësuesit e vendit jashtë.
Libia e re - rrezik islamist?
Ende mbetet e hapur se në ç'drejtim do të shkojnë zhvillimet: Bengazi dhe Verilindja e Libisë kanë qenë tradicionalisht konservatore, për këtë arsye që andej mund të vijë tendenca për ta orientuar vendin drejt fesë islame, për të mos thënë drejt islamizmit. Rajonet e tjera nuk do ta pranojnë këtë tendencë aq kollaj.
Deri tani nuk ka spikatur ndonjë lider i ri dhe as ndonjë orientim i qartë i vendit. Përveçse rrëzimit të Gaddafit. E paqartë është po ashtu se ç'pamje do të ketë në të ardhmen struktura shoqërore e Libisë, apo orientimi i politikës së jashtme. Edhe pse kryengritësit në këtë moment nuk e vrasin mendjen për këtë - shpejt ata do të ndërgjegjësohen se zhvillimet e ardhshme në Libi janë të pashkëputura nga përdorimi i burimeve të brendshme të naftës dhe gazit. Por për shitjen e tyre nevojiten marrëdhënie të stabilizura me botën e jashtme. Veçanërisht me Evropën.
Autor: Peter Philipp
Redaktor: Pandeli Pani
No comments:
Post a Comment