UPDATE- Deputeti socialist thotë se dështimi i pritshëm në zgjedhjet e 8 majit, i ngarkon përgjegjësi të veçanta kryetarit në detyrë të bashkisë, Edi Rama, sepse humbja vjen si rrjedhojë e mos mbajtjes së premtimeve në harkun kohor 2007-2011
“Edi Rama e di se bashkinë e Tiranës e ka të humbur ndaj dhe heziton në shpalljen ose jo të kandidaturës për zgjedhjet e 8 majit”. Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami, gjatë një deklarate të tij për mediat. Sipas Islamit, dyzimi i Edi Ramës për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës krijon përshtypjen se PS do ta humbasë Tiranën dhe Rama po përgatit në çdo opsion alibitë e humbjes dhe bashkë-ndarjen e fajësisë e mundësisht pafajësinë e tij. Në një reagim për mediat, Islami komentoi deklaratën e bërë pak ditë më parë nga kreu i PS-së, Edi Rama, në një emision televiziv, ku pranoi për herë të parë se edhe mund të mos ri-kandidojë për mandatin e katërt në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. “Rama duket sikur ka bërë një tërheqje taktike nga qëndrimi i tij i mëparshëm, duke shfaqur në këtë rast një dyzim të madh dhe pasiguri ekstremale. Ai do të donte të vazhdonte për kryetar bashkie, nëse fitimi i bashkisë do të ishte një ngjarje e sigurt, por mesa duket nuk është kështu”- u shpreh deputeti socialist, Kastriot Islami.
Ndërkohë që pasiguria, sipas Islamit, duket se është faktori kryesor që shpjegon dyzimin e Ramës, por këtu duhet shtuar edhe përgjegjësia për humbjen eventuale. “Po ashtu, Rama ishte përgatitur që të ishte i vetmi kandidat, duke synuar ose të fitonte ose të ‘shkatërronte’ zgjedhjet, pra ose fitore ose prishje e zgjedhjeve. Por për opsionin e ‘prishjes së zgjedhjeve’, mesa duket mesazhi ka qenë i qartë nga partnerët ndërkombëtarë që monitorojnë sjelljen politike të opozitës prej më shumë se 20 muajve”- vijoi analizën e tij deputeti socialist. Islami theksoi se në këtë dyzim, Rama llogarit edhe përgjegjësinë maksimale mbi supet e tij, nëse e humb Tiranën duke kandiduar vetë, ndërkohë që po të mos kandidonte gjykon se përgjegjësia e tij është më e ulët. “Nëse nga testimi rezulton se Tirana është e humbur nga kandidati i majtë, atëherë janë të shumta gjasat që Rama apo kandidati zëvendësues të jenë humbës me siguri të lartë”- deklaroi Islami. Por, sipas tij, përgjegjësia e Ramës për humbjen nuk mund të reduktohet, sepse Rama mban përgjegjësi si ish-Kryetar i bashkisë për mbajtjen e premtimeve në mandatin 2007-2011. Islami theksoi gjithashtu se Rama do mbajë përgjegjësi për humbjen edhe nga pozitat e Kryetarit të PS-së, që me veprimet radikale e lodhi PS-në dhe nuk përgatiti në kohë kandidatin zëvendësues dhe po ashtu, nuk mundi të sigurojë një fushatë fituese për kandidatin e majtë. “Nëse kandidati i majtë humbet Tiranën, nuk ka asnjë shans që Rama të deklarojë pas zgjedhjeve se ‘po të ishte ai kandidat atëherë do të rezultonte fitues’, me synimin për të goditur të gjithë ata që i kishin sugjeruar mos kandidimin”- tha Islami. Megjithatë, sipas Islamit, gjasat më të mëdha janë që Rama të rikandidojë, duke deklaruar se “ai nuk dëshiron, por iu lutën shokët e partisë”. “Ky do të ishte një opsion që do të bënte për të qeshur të gjithë ata që nuk janë naivë”- tha Islami. Në reagimin e tij, Islami komentoi edhe qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama, për të vijuar protestat në vend. Islami kërkoi që PS t’i kthehet në mënyrë urgjente veprimit institucional dhe të mos shpenzojë energjitë në veprime jashtëparlamentare dhe anti-parlamentare, sepse një gjë e tillë, sipas tij, “ul shanset e suksesit të saj elektoral dhe për më tepër përbën një precedent të rrezikshëm”. “Protestat dhe demonstrimet paqësore janë mjete demokratike, kryesisht të organizatave jo qeveritare dhe të grupeve të interesit, sepse partitë politike e kryejnë aktivitetin e tyre politik e institucional kryesisht në parlament”- tha Islami. Nëse një parti politike opozitare, në rastin konkret opozita e majtë, që ka mbi 46 për qind të vendeve në Kuvend, përqëndron kryesisht veprimet e saj politike jashtë Kuvendit, sipas Islamit, "atëherë ajo ka shumë gjasa të kthehet në një forcë politike jo efikase, që vepron më shumë jashtë sistemit dhe jo rrallë kundër sistemit”. “Partia Socialiste duhet urgjentisht t’i kthehet veprimit institucional brenda sistemit e të paraqitet si një forcë alternative që jep zgjidhje e shpresë”- vijoi deputeti socialist.
Saturday, February 26, 2011
Islami: Edi Rama është duke përgatitur alibinë e humbjes së bashkisë së Tiranës
Gazeta 55
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment