Wednesday, February 22, 2012

Vata - Sukaj ne kampin e "Vllaznise"

Xhevahir Sukaj, një nga lojtarët më të mirë të Vllaznisë në gjysmën e parë të sezonit dhe një nga golashënuesit më të mirë të kësaj skuadre, ka analizuar gjendjen që po kalon momentalisht ekipi shkodran. Përmes një lidhje telefonike nga Irani, sulmuesi ka pohuar se i gjithë faji i situatës negative te kuqeblutë bie mbi teknikun Rudi Vata. Përtej mërive personale, ai e cilëson si një të metë të punës së Vatës, kjo për shkak të klimës aspak të favorshme që po kalon skuadra. Edhe pse nuk është më pjesë e Vllaznisë, Sukaj pohon se ka informacione të hollësishme mbi gjendjen që po kalon skuadra shkodrane.
Deklarata - “Për mendimin tim i gjithë faji për situatën që po kalon ekipi është i teknikut Rudi Vata. Ai nuk po di sesi ta drejtojë këtë skuadër. Sipas meje, Vata nuk po bën një analizë të detajuar të situatës nga takimi në takim dhe të marrë masat. Kur barazuam më Bylisin, në takimin e parë që tekniku Vata drejtoi Vllazninë, nuk dëgjuam asnjë analizë nga ana e tij. Asgjë për sa u përkiste gabimeve në mbrojtje apo te përgëzimet për ata që shënuan në sulm. Sakaq, më pas, tekniku doli në media duke kritikuar lojtarët për gabimet e tyre. Është krejt normale që mbrojtësi do të gabojë, por ekipi duhet edhe të shënojë. Kjo atmosferë dhe të tjera si këto e dëmtuan rëndë skuadrën dhe funksionimin siç duhet të grupit. Mendoj se bashkia dhe drejtuesit e saj duhet të ndërhyjnë në drejtim të rregullimit të kësaj situate, e cila është me të vërtetë problematike. Mua sinqerisht më vjen keq që Vllaznia gjendet në këtë situatë, ndaj shpresoj që shumë shpejt ndoshta që sezonin e ardhshëm ajo të kthehet aty ku i takon”, thotë Sukaj.
Largimi - Sukaj u largua nga ekipi në merkaton e janarit. Por, më parë, ai ishte pezulluar nga drejtuesit pas mosaktivizimit në takimin e javës së 10-të, pikërisht ndaj Skënderbeut për kampionat. Kështu për largimin, lojtari fajëson drejtpërdrejt teknikun Vata. “Vllaznia më mungon shumë. Megjithatë, mund të them se në Iran gjërat po shkojnë mjaft mirë për mua. Në skuadër më duan dhe, gjithashtu, ambienti përreth. Më vjen keq që deri tani Vllaznia nuk e ka gjetur zëvendësuesin tim. Ardhjet e Morenos apo të tjerëve janë thjesht dështime. Ka qenë mendimi i teknikut Vata që unë të largohem nga skuadra, ndërsa mund të them se drejtuesit e klubit më ndihmuan në këtë largimin timin për të Iran. Unë shpresoj që shpejt të jem te Vllaznia. Mendoj se këtij ekipi do t’i mjaftonin që të ktheheshin vetëm lojtarët që vetë ka nxjerrë, që të arrihej ajo që ai popull dhe ai tifoz i mrekullueshëm pret prej vitesh”, shton sulmuesi. Kombëtarja – Futbollisti, i cili ka qenë pjesë e zboreve të ekipit tonë përfaqësues, tashmë përmes Iranit pret që të bëhet pjesë e organikës së Kombëtares edhe në ndeshje zyrtare. Sinjalet pozitive për një thirrje të këtij lojtari me ekipin përfaqësues duket se mund të mbërrijnë së shpejti, pasi siç mësohet shkodrani është në fokusin e teknikut të ri. “Për çdo lojtar është një kënaqësi që të jetë pjesë e ekipit përfaqësues. Për mua, kjo është maja më e lartë, ndaj besoj dhe shpresoj që shumë shpejt të rikthehem tek ekipi përfaqësues. Por e di që, për këtë duhet të bëj më të mirën, në radhë të parë me skuadrën ku tani bëj pjesë”, përfundon Sukaj.
Gafa ndaj Skënderbeut
Sezoni aktual i Xhevahir Sukaj është njollosur nga vetë ai, në mënyrë krejt të pakuptimtë, para ndeshjes së kampionatit me Skënderbeun. Ai nuk pranoi të zbriste në fushë pa marrë një pagesë paradhënie. Kjo gjë bëri që Vllaznia ta humbiste dhe, më pas, drejtuesit të merrnin masa me pezullim dhe gjobë për të. Në merkaton e janarit, nisur edhe nga ky dënim, Sukaj iku në Iran.
Vata ul tonet: Keqdashësit, jashtë klubit
Tekniku Rudi Vata duket se tani më shumë se kurrë kërkon të ulë tonet me drejtuesit më të lartë të klubit. Pasi ishte shprehur se ka njerëz që s’e duan dhe që po e pengojnë atë dhe Vllazninë për të ecur përpara, ai ka theksuar se këto nuk kanë të bëjnë fare me klubin shkodran. “Kam theksuar se ka njerëz që s’më duan dhe nuk e duan progresin e këtij klubi. Por dua të theksoj se këta njerëz nuk janë pjesë e klubit. Ka shumë të tjerë jashtë që po ndikojnë negativisht me shumë mënyra në këtë klub”, ka dashur të sqarojë Vata. Mesa duket, kanë qenë këta të cilët nuk ia kanë plotësuar për 15 mijë euro dëshirën trajnerit Vata që të sillte në Shkodër një sulmues si Dimo, por edhe shumë afrime të tjera.
Bashkia shet aksionet, diskutim në këshill
Këshilli Bashkiak i Shkodrës pritet që të mblidhet në fund të muajit, takim gjatë të cilit do të diskutohej dhe çështja e aksioneve të kësaj skuadre. Në mbledhje ishte programuar të diskutoheshin përqindjet e aksioneve që do të shiten, si dhe vlera e tyre. Do diskutohej gjithashtu edhe për njohjen e atyre që kanë hedhur para për këtë skuadër gjatë viteve që e kanë drejtuar. Mirëpo, nga informacionet e marra së fundi pranë Këshillit Bashkiak mësohet se, me gjasa edhe në këtë mbledhje zor se këshilli do merret me klubin e futbollit, duke parë që në rend dite është buxheti i vitit 2012, i cili do zërë vendin kryesor në debate. Në këtë buxhet pritet të shikohet edhe shuma që drejtuesit e bashkisë kanë vendosur për klubin e futbollit, por edhe për klubet shumësportësh. Pra, as për muajin e ardhshëm nuk do të ketë ndonjë lëvizje në drejtim të afrimit të aksionarëve në klub.
Sykaj, si mbrojtës i djathtë
Arsen Sykaj pritet që të jetë pjesë e formacionit në takimin me Skënderbeun. Ndonëse një nga më të kritikuarit e teknikut Rudi Vata pas humbjes me ekipin e Laçin, nuk flitet të ketë ndonjë masë për sa i përket mosaktivizimit të tij. Mbrojtësi mendohet që të luajë në të djathtë të mbrojtjes dhe jo në rolin e tij natyral, atë të qendërmbrojtësit. Megjithatë, deri nesër, tekniku Vata mund të ndryshojë shumë nga planet e tij për përcaktimin e formacionit.
Anti-Skënderbeu ka ende dilema
Vendosja e ekipit si në takimin me Adën mund të mos jetë një barometër, për të thënë se Vllaznia mund të ketë të njëjtën pamje edhe në përballjen me korçarët. Nisur nga burime të brendshme, tekniku ende nuk e ka skicuar formacionin me të cilin do të luajë në ndeshjen me Skënderbeun, duket lënë të hapur në çdo sektor të fushës dilemat për formacionin. Sakaq, të gjitha këto vijnë jo vetëm nga mungesat në skuadër, por edhe nga organika e varfër.
ADMIR URUÇI

No comments: