Policia e shtetit njofton sot se Besnik Zykaj, i njohur ndryshe si Bino Binaj 49 vjeç është arrestuar nga Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana në Firence të Itali me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Ndaj Zykajt, rëndon një krim të cilin e ka kryer në moshën 29 vjece, kur ishte në postin e komandantit të postës kufitare në Velipojë. Besnik Zykaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me burg përjetë në vitin 1996.
“Shtetasi Bino Binaj është shpallur fajtor, pasi më datë 19.05.1990, kohë në të cilën ai ishte me detyrë komandant i postës kufitare në Velipojë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Vate Beqi, si dhe ka plagosur rëndë vëllain e tij, shtetasin Gjekë Beqi, gjatë një tentative të tyre për t’u arratisur me not nga plazhi i Velipojës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. Arrestimi i tij, i cili ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, është bërë një javë më parë në Firence.
(sg/shqiptarja.com)
No comments:
Post a Comment