Duke shfrytëzuar të gjitha lidhjet që Selami ka në strukturat e larta të qeverisë amerikane, por dhe të kongresit dhe të senatit amerikan, grupi nismëtar i partisë së Topit ka menduar që krahas punës që do bëjë për partinë e re, Selami do të bëjë njohjet e duhura në këto institucione të rëndësishme në SHBA dhe njëherësh të tregojë se partneri i vetëm serioz në spektrin e djathtë politik në Shqipëri, është kjo parti dhe jo ajo e demokratëve e kryesuar nga Berisha. Burimet brenda grupit drejtues të partisë së re të Topit bëjnë me dije se "Selami tani për tani do të qëndrojë në SHBA për të bërë njohjet e duhura, madje dhe për t'u përballur me lobet që paguan Berisha me lekët e qytetarëve shqiptarë për të mbajtur regjimin e tij në këmbë. Por me krijimin e partisë së re, Selami do instalohet në Shqipëri për të marrë përsipër bashkëorganizimin më tej të kësaj partie dhe për të qënë këtu përballë sekretarit të Enver Hoxhës dhe 'Nexhmijes' dhe për të fituar mbi ta. Por pa u shkëputur asnjëherë nga përgjegjësia që ka në SHBA për partinë e re".
Njëherësh mësohet se promovimin e kësaj partie dhe krijimin e mbështetjes në BE dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës e kanë marrë përsipër Aleksandër Biberaj, ish-deputet i PD dhe ish-ministri i Jashtëm, njëherësh ish-deputet i PD, Besnik Mustafaj. Kjo treshe e fortë do të jenë ata që do të promovojnë partinë e re të Topit këtej dhe andej Atlantikut, pra në SHBA por dhe në vendet e BE, ku Shqipëria aspiron të integrohet, duke qënë sipas grupit drejtues të kësaj partie, zë më i besueshëm se sa të gjithë kundërshtarët e tyre në PD, me gjithë paratë e hedhura për lobimet e ndryshme në të dy vendet. Ndërkohë që strukturat e partisë së re janë ngritur në të gjithë vendin, dhe tashmë vetëm sa po pasurohen me elementë të rinj, ku sipas burimeve brenda grupit nismëtar ka një interesim të jashtëzakonshëm nga të rinjtë, studentë ose jo, intelektualët por dhe qytetarët e thjeshtë të të gjitha shtresave. Përfshirë këtu ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit politikë, që me sa duket besojnë shumë te kjo parti në zgjidhjen e problemit të tyre. Njëherësh, grupi nismëtar është ndarë sipas mbështetjes nëpër zona, ku deputeti aktual i PD, Oketa ka marrë përsipër Durrësit. Elbasanin e ka marrë përsipër Stringa, Biberaj vetë Shkodrën dhe qarkun e Kukësit, përfshirë dhe Lezhën bashkë dhe me Mustafajn. Ndërsa Dibrën e ka marrë përsipër Sali Shehu, për të zbritur në qarkun e Fierit të cilin e ka marrë përsipër Blerim Çela. Ndërsa Tiranën e ka vetë Topi si dhe Aleksandër Meksi, ky i fundit mbulon dhe Gjirokastrën. Ndërkohë që pritet dhe shkëputja e disa deputetëve të PD për të kaluar në partinë e re të Topit, duke rrezikuar Presidentin dhe vetë mazhorancën pas korrikut.
(sg/shqiptarja.com)
No comments:
Post a Comment