Thursday, February 23, 2012

Visar Zhiti rrëfen gjyqin: Si më dënuan për poezitë


Visar Zhiti në burgun e Spaçit

Botohet “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin”
Seanca gjyqësore në Kukës, akuzat, aktekspertiza dhe mësuesit-dëshmitarë.
“Ngjarje që s’do të doja të ishin të vërteta, ndërkaq nuk shpika asgjë, vetëm përzgjodha nga përjetimet. Por të shkruarit e tyre ngjante me një tjetër burg”. Kështu shkruan në krye të librit të tij Visar Zhiti. “Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”, kështu titullohet libri i sapobotuar i shkrimtarit dhe poetit, i cili ka provuar mbi shpatulla 10 vite të gjata në burgun e Spaçit. Një libër rrëqethës, botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1”, që zë fill qysh në ditën e arrestimit, në përvjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, 8 nëntor, për të ndjekur ditë pas dite rrathët e ferrit dantesk, nga hetuesia në gjyq, në Spaç, në minierë, duke shtyrë vagonët me mineral. Një libër që përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në rreth 570 faqe libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale. Janë të njohur e të panjohur, që nga fëmijët e ish-bllokmenëve të dënuar, tek shkrimtarët, piktorët, hetuesit, gjyqtarët, prokurorët, policët… Por gjithçka e shkruar bukur dhe me një humanizëm të thellë. “Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit XX, degjeneruan në një tirani të përditshme”, shprehet për librin shkrimtari dhe botuesi anglez, Kevin Higgins. Nga ky kalvar kemi shkëputur një pjesë (me shkurtime) nga njëri prej momenteve më të ankthshëm, gjyqit.                                 al.mi
GJYQI I HAPUR
I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur
nga një e keqe. S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet.
I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë të hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën, me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo….
Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne, dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht…
Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra, të dëshpërimit të gëzueshëm…
Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade… Mua po më qartësoheshin pamjet, por s’po gjeja familjarët e mi mes atij anonimati. Kërkoja, kërkoja. “Shiko”, më thanë dhe policët. Ah, s’janë! Më mirë. Salla plot. Dhe midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. “Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket.
E përfytyrojnë dot ata mësuesin armik? Unë armik?! Sa më kanë dashur! Të mos i zhgënjej. Armiku është tjetër lloj, tjetër gjë. Do t’ua tregoj dot? E kuptoj tronditjen e tyre… s’kanë për të harruar… a do të di të rri së fundmi në kujtesën e tyre ashtu siç duhet? Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës. S’më interesonin tani.
- Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë…
Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:
- Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?
- Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.
- Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.
- Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë, dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. – Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time.
- Po, po, njëlloj është, – përsërita. Kërkova diçka për të shkruar, e pabesueshme, u bë një rrëmujë e vogël, policët lëvizën armët. Dikush nga salla u ngrit, zgjati një laps, jepjani, tha gjykatësi, e mori njëri nga policët, ishte i mprehur mirë, pashë karikaturistin e qytetit, me profilin alla-Pushkin, ai ka lapsa të tillë. Pranë tij shkrimtari Ferhat Cakaj, me kostum të përzishëm.
Gjykatësi tregoi procedurën dhe urdhëroi të më hiqeshin prangat menjëherë. Polici hapi me çelës drynin e prangave të mia, të madh sa të dyerve. Nuk desha t’i çmpija duart. Mbi lëkurë pashë vragën e thellë të hekurit dhe një njollë të zezë në mëngën e këmishës.
S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye. Në të vërtetë gjyqtari dhe prokurori ishin dy ndihmësit e atyre shkrimtarëve që me kohë më kishin hedhur në radhët e armiqve…
Armik i rrezikshëm, po bërtiste duke parë shtrembër nga unë. Gjyshi i pasur, xhaxhain të vrarë nga Partia edhe ky atë rrugë do të merrte, të xhaxhait dhe të të atit. Unë jam brezi i tretë që goditet, më xixëlloi djegshëm ky mendim. Këta s’ngopen. Tani do të jenë të tjerë, brezi tjetër, me biografi të keqe, nga shkaku im. Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra
Dosja hetimore e Visar Zhitit
gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo? Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja, nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist. Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik, Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët, dhe arrinin deri në Japoni. I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”.
…U shanë metaforat dhe gjuha e Ezopit, dhe unë. Prandaj nuk duhej të isha më i lirë, paraqitja rrezikshmëri shoqërore.
Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.
- I pandehur, e pranon Akuzën? – pyeti ftohtë.
U ngrita më këmbë:
- Jo, nuk e pranoj, natyrisht! – thashë dhe anova kokën mbi njërin sup, këputshëm, jo siç e kisha zakon….
- Ulu, – u kujdes polici për mua. Fati im, o fat i mjerë, në fund të pusit të… Atëherë gjykatësi seç foli vesh më vesh me dy ndihmësit e tij prej bakri, herë me njërin, pastaj me tjetrin, njëlloj, duke i mbuluar pëshpëshet me një libër, me Kodin Penal, për të mos u dëgjuar nga ata që ishin më pranë, nga radhët e para të sallës, dhe i kërkoi prokurorit në mund ta vazhdonin gjyqin.
- Po, – u vrenjt ai. “E ç’mund të presësh tjetër nga armiku”, – u duk se shtoi mes përtypjeve të tij të acarta.
Nga radhët e para të sallës u ngrit rrëmbimthi, duke i kthyer krahët gjithçkaje, kryetari i kooperativës së fshatit ku kisha punuar. S’kishte si t’i pëlqente akuza, as sabotim, as atentat, as vjedhje e madhe a arratisje, por punë poezish. Me një fjalë, pesë me hiç….
- Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi. – Të futen një nga një, pa e dëgjuar njëri-tjetrin. Fillojmë me të parin, me drejtorin e shkollës.
- Emri? – duhej të kishte pyetur gjykatësi.
- Bajram, – tha. Jo shumë fort, ndoshta për të mos e dëgjuar salla pas kurrizit të tij.
- Mbiemri? – po, po, gjykatësi po pyeste.
- Tota.
- E njeh të pandehurin?
U kthye nga unë, më pa me druajtjen e mëparshme të ballafaqimit, dyshim katundari dhe mënjanësi, të përftuara nga nëpunësia në shtet. Pastaj tha:
- Po.
- Si i kishit marrëdhëniet?
- Të mira.
M’u duk më i hequr dhe i lodhur. Gjithë ajo rrugë më këmbë mes malesh dhe mjegullave mbi përrenj për të ardhur deri këtu, që të dëshmonte:
- E kemi kapur duke dëgjuar lajmet në Radio-Prishtina dhe në stacione të tjera të huaja në dhomën e tij, në shkollë. I mbante flokët të gjatë, ndiqte modën dhe në një mbledhje të këshillit pedagogjik për gjuhësinë na ka ngatërruar me Hitlerin. Tha rroftë. Duhet të edukojë vetë lënda e jo veç shembulli gjuhësor, fjalitë e saj propagandistike, kështu tha. Gabim. Ishte i çoroditur. Dhe s’dihej ç’shkruante. Nuk na i tregonte.
Më pas u thirr dëshmitari i dytë, kushëriri i tij i zbërdhulët, si me borë të pashkundur, Mersin Tota. S’i kishte dalë frika. Si të ishte ai i pandehuri. Megjithatë s’donte të më akuzonte për asgjë.
- Një herë, – e nisi ai dëshminë e vet, – kishte rënë zilja e mësimit në shkollë dhe ne, arsimtarët, si zakonisht, po rrinim në dhomën e jabanxhinjve…
- Kush janë jabanxhinjtë? – e ndërpreu gjykatësi.
- Mësuesit e ardhur nga rrethe të tjera, – u kruspullos dëshmitari aq sa ç’mundet një njeri më këmbë.
- I pandehuri aty ishte?
- Po.
- Vazhdo.
- Te dhoma e tyre ne mbanim regjistrat e shkollës, shkumësat, hartat, aty mblidheshim në pushimet mes orëve të mësimit dhe, kur binte zilja, shkonim te pasqyra në mur për t’u parë, a ishim në rregull, se do të dilnim përpara nxënësve. Unë po krihesha dhe erdhi pas meje ai… Mënjanova kokën, që të shiheshim të dy në pasqyrë, për të mos humbur kohë, por ai më tha: “S’ka gjë, jo, pasqyrohem edhe duke qenë pas, je i tejdukshëm”. Pra nuk kisha tru, ngaqë jam nga Veriu, jemi të trashë ne, kurse jugorët jo. Lexonte libra, ka mundësi edhe të ndaluar. Kaq. – Fjalitë e fundit i tha shpejt, si për të shpëtuar prej tyre ose ngaqë i kishte mësuar përmendsh.
Erdhi dëshmitari i tretë, mësuesi i fillores, Shaban Jata, i zeshkët si ata që punojnë me qymyr dhe më i gjatë se dëshmitarët pararendës. Tha se unë i kisha thënë që s’jetohet në këtë fshat, varfëri e skajshme ekonomike, po, po “e skajshme”, nga ai e dëgjova të përdorur kështu këtë fjalë, e pastaj varfëria ekonomike të çon dhe në varfëri shpirtërore. Këtu njerëzit të përshëndetin në mëngjes: “a fjete?”, sepse është e pamundur të flesh prej shqetësimeve dhe anktheve se mos të bëjnë keq o do që t’i bësh keq dikujt. 24 lekë të vjetër dita e punës. Sa për të blerë një paketë cigaresh “Partizani” e një shkrepëse. E theksonte “Partizani”, jo si paketë, që kushton fare lirë, se te ne çmimet janë të ulëta, por për tjetër gjë. Ishte i hidhët.
- Duhani? – ndërhyra unë.
- I pandehur, merr leje, – tha gjykatësi. – Përgjigju, dëshmitar.
- I hidhët ishte ai. Një ditë ia mbylla radion, e kishte hapur në stacionin revizionist titist të Prishtinës.
Kurse dëshmitari i fundit, Ejup Hoxha – në ballafaqimin në hetuesi nuk ma kishin sjellë – shok fakulteti, meqenëse kishte filluar punën e ëndërruar në kabinetin pedagogjik, mbante mend nga unë, me habi, se i paskësha thënë që qëllimin edukativ të një ore mësimi nuk e mendoja më parë, por e krijoja në çast, duke parë nga dritarja: nëse binte shi, kërkoja të donim shiun, dhe, po të shihja kuaj, të adhuronim kuajt, kështu shkruaja në ditarin tim mësimor. Dhe vërtet ashtu. Sepse jetonim mes natyrës dhe nuk e njihnim atë, nuk e donim dhe jo siç tha dëshmitari, me synimin për të qenë apolitik e se s’punoja që të ngjallja dashurinë e nxënësve për Partinë dhe socializmin në fshat.
Pyetjes së gjykatësit në kisha gjë për të thënë për dëshmitarët dhe vërtetësinë e dëshmive të tyre (poeti Frederik Rreshpja është në burg, tha ai, në Spaç, nuk e sollëm, po kemi dëshminë e tij me shkrim. Ta lexojmë, pa praninë e tij? – si të doni, thashë, m’u bë e njohur në hetuesi, dhe ata e lexuan… Jevtushenko… Gjergj Fishta… një kartolinë armiqësore etj.). Unë iu përgjigja se marrëdhëniet e mia me dëshmitarët i kam pasur normale, të mira, kështu besoja. Mbaj mend të kem ngrënë bukë nëpër shtëpitë e tyre. Të tjerat i kam harruar, thashë. U dëgjuan pëshpërima. Malësorët, kur të futin në shtëpi, të kanë bërë mik dhe miku është i shenjtë. Nuk pritet në besë. Doja të thosha “sipas Kanunit”, por nuk e thashë.
Prokurori u ngrit në këmbë me vrull dhe bërtiti:
- Politika në plan të parë. Të mos lejohet i pandehuri të bëjë propagandë dhe agjitacion edhe në gjyq.
Gjykatësi u kthye nga unë dhe me qetësi tha:
- Vazhdo, i pandehur.
Mora frymë thellë…
- Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.
- Ke qenë i cenuar, je prekur, i pandehur? – më pyeti gjykatësi.
- Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar. Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni, i çdo poezie qoftë, përkundrazi. Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit.
Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte.
- Vazhdo me dëshmitarët, i pandehur, – m’u drejtua mua, – nëse doni të sqaroni.
- Po, – dhe e kapa fillin tjetër të çështjes. – Edhe mund të ketë ndodhur të dëgjoj radion në stacione të huaja, pa pasur frikë as nga muzika e botës, as nga lajmet, duke besuar te forca jonë. E ç’do të më bënin ato? Edhe Radio-Prishtinën e dëgjoja, pa e marrë për stacion të huaj. Por dua të sqaroj, unë s’kam pasur radio, më mungonte mjeti që ta bëja atë krim. Ishte radioja e shkollës. Sa për incidentin, po jepej një informacion për agresionin kinez në Vietnam dhe, kur dikush deshi ta mbyllte radion, unë s’desha: “jo, ta dëgjojmë”, – thashë. Është stacioni i Prishtinës, – m’u kthye ai i mrrolur. Flitej një shqipe letrare, shumë herë më e saktë se ajo e dëshmitarit, si në Radio-Tirana, ndoshta kjo bëri që të mos e kuptoja siç e kuptoi ai. A ka ndonjë gjë të keqe këtu? – Gjykatësi përsëri e ndaloi prokurorin e xhindosur, le të më linte të flisja. – Kurse për sa i përket çështjes së pasqyrës, se ku janë më të zgjuarit, – vazhdova, – unë nuk dyshoj, se ata janë kudo, siç janë dhe jo të zgjuarit kudo, pra s’kemi bërë një debat të tillë, veçse atë shakanë, që të nesërmen dëshmitari, po ashtu, e përsëdyti me mua. S’kam komplekse jugore. Kanuni dhe Gjergj Fishta janë nga Veriu. A jam akuzuar se i adhuroj? Atëherë… Tjetër, në fshatin ku punoja, s’kishte kuptim dhe mundësi të ndiqja modën. Pata gjithmonë po ato rroba të 3-4 vjetëve më parë. Dhe në një vend ku s’ka berber, flokët edhe rriten, kjo është arsyeja e flokëve të mi të gjatë.
- Po të tjerët ku qetheshin? – m’u bë e njëjta pyetje banale si dikur, në një nga netët e hetuesisë.
- Te mullixhiu, – thashë thjesht. Gjëmoi biruca nën dhe nga e qeshura me të madhe e hetuesit. “Ti je i poshtër”, – gajasej ai. Nuk e kuptova në po qeshnin edhe tani në sallë. – Kam shfaqur pakënaqësi për varfërinë në fshat, kam thënë: s’jetohet kështu e jo këtu. Për varfërinë jam përgjegjës si të gjithë. Gjithmonë besoj për më mirë…
- Jo, – bërtiti prokurori. – Gënjen! Ne jemi mirë dhe shumë mirë. Ai është përgjegjës për armiqësinë e tij, – dhe tundi gishtin kërcënueshëm….
- Unë isha mësues, detyrë që e kam kryer mirë dhe me dinjit…
- Për të mbuluar armiqësitë e tua, – më ndërpreu prokurori duke përsëritur hetuesin.
- Kurse si poet, – ndërrova kahun e fjalës sime mbrojtëse për të dalë atje ku po sulmohesha, – unë nuk besoj se poezia përmbys shtete, kur nuk i pret dot yryshin një prokurori. Aq më tepër poezia e pabotuar… Aktekspertiza që kanë bërë… ç’rëndësi ka se kush, çudi si janë lejuar të vendosin më përpara se gjyqi në jam ose jo unë armik, me ç’të drejtë?!
Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan. Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:
- Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez. – Ju doni të më dënoni me supozime.
- I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.
- …kundër është ky gjyq! – Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli.
- …dhe ne kemi lënë pa çuar nëpër shkolla të larta bijtë tanë, – bërtiti prokurori. – Ja si ia shpërbleu Partisë dhe popullit. Shokë qytetarë, – vendosi të bëhej më i shtruar dhe më bindës, – armiqësia e tij vërtetohet katërcipërisht. I pandehuri bie vetë brenda. Poezitë e tij janë armiqësore me qëllim, jo pa dashje, as nga padituria, sepse ia dhamë shkollën e lartë. S’ka arsye tjetër, – dhe u ul. Si i zemëruar edhe me trupin gjykues.
Ma kishin thënë që në hetuesi, ishin penduar për shkollën time të lartë dhe po kërkonin të ma konvertonin në burg… Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura. “…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin dhe nxori nga dosja e tij një copë gazetë me ca shkarravina të miat mbi titujt e djegie me cigare anash dhe shkumëzoi:
- Shikoni si i ka fyer vajzat tona oficere ky armik këtu! – Vërtet kisha shkruar diçka kundër virgjërisë, por s’e kisha me profesionin, qoftë ky dhe i ushtarakeve. Asgjë s’ndryshoja dot e as zhbindja. – Ja, një poezi tjetër e tij e tmerrshme, ku kërkon të hedhë nga dritarja Profesorin. – Është e vërtetë? Vrasës! – Ç’t’u thosha, që ishte metaforë? Që jam kundër pedagogjisë vrastare? – Ja, dëgjoni…: Gjithmonë kam ëndërruar të hedh nga dritarja/ kufomën e gjallë të Profesorit… E kush është ky? Ai që të mëson me mësimet e partisë e ti kërkon ta flakësh. Profesor ka qenë dhe udhëheqësi ynë i ndritur… që… Por të flakim ne më parë… ti… jo… sepse… pushoni! Qetësi! Do t’ju nxjerr përjashta.
- Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt.
- Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta. (Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.) – Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq. – Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast.
Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Doli nga salla, ndoshta për të marrë vendimin, duke pirë kafe në një nga dhomat e brendshme, s’dihej në ç’kat të Dënimit, kurse mua m’i vunë prangat menjëherë.
Ripërsëriteshin me gjëmim ato që kishte bërtitur prokurori në fund: paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe kërkoj heqje lirie… sa vjet sa, 10, për mua? Duke marrë parasysh moshën  e tij të re, – shtoi, – edhe  heqjen e së drejtës elektorale… heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit, të botimit… po heqjen e kokës…?
…Gjithë salla po priste më këmbë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:
- Gjyqi do të vazhdojë nesër, – dhe trinia e tyre u kthye vrikthi për të dalë.
U hapën dyert, të gjitha dyert. Njerëzit, para se të iknin, kthenin kokët nga unë, ndalnin, vinin ata që kishin qenë në fund për të më parë, i shtynin. S’pata që s’pata nga familjarët e mi. Më mirë…
VISAR ZHITI

No comments: