Fragment i shkëputur nga libri Geraldina e shqiptarëve i autores angleze Gwen Robyns në proces botimi nga MAPO EDITIONS. Përpëlitjet e mbretit Zog në një dhomë të spitalit Foch në Francë. Kërkesa e tij ndaj së shoqes e të birit që t’i sillnin një revole të mbushur që ta mbante nën jastëk: do t’ia shkrepte vetes nëse diagnostikohej me kancer. E motra i kish vdekur nën dhimbje të tmerrshme nga e njëjta sëmundje.
Vitet që do të pasonin, do të ishin një makth për mbretëreshën Geraldinë, makth që ajo, edhe sot e kësaj dite, nuk guxon ta kujtojë. Pas vitit 1950, shëndeti i bashkëshortit të saj përkeqësohej nga dita në ditë. Kishte momente shprese kur dukej se po e merrte veten, por këto shpresa shuheshin mizorisht nga përsëritja e vazhdueshme e sëmundjes. Gjatë atyre njëmbëdhjetë vjetëve, Mbretëresha ka ndenjur gjithmonë përkrah tij, duke e ruajtur me pikëllim, pasi, pavarësisht kurave që merrte, ai dobësohej gjithmonë e më tepër.
Jetuan për ca kohë në Kanë dhe Mbretëresha e mjekonte vazhdimisht të shoqin. Ajo ishte e sigurt që gjithë sëmundja e tij buronte prej ulçerës që nuk ishte mjekuar si duhej në Vjenë. Tani asgjë nuk mund ta shëronte.
Më 3 janar 1961, Familja Mbretërore dhe shoqëruesit e saj u shpërngulën nëParis. Udhëtimi u bë i mundur në saje të vullnetit të hekurt të Mbretit dhe shërbimit të devotshëm të mjekut francez, dr.Burgua Kavardin, i cili pranoi të udhëtonte me Mbretin që ishte nën dhimbje të vazhdueshme. Doktorët e kishin paralajmëruar Mbretëreshën që edhe troshitja më e lehtë e trenit mund të ishte fatale dhe gjatë gjithë udhëtimit ajo ishte aq shumë e merakosur, saqë, kur mbërritën nëParis, i filluan ngërçet në stomak, të shkaktuara prej angështisë. Kur mbërritën në Ablon, kishte aq shumë baltë, sa makina e pati të pamundur të ecte. Mbretit iu sos durimi dhe, megjithëse kishte vite që pothuajse nuk ecte, gjeti forca për ta ngjitur rruginën malore më këmbë.
Sapo mbërritën, princeshat u futën në dhomat e tyre dhe u shtrinë, duke e lënë vetëm Mbretëreshën Geraldinë të merrej me të sëmurin, me shtëpinë në nevojë të menjëhershme për pastrim, pasi nuk kishin shërbëtorë që ta ndihmonin. Për tri javë u përpoq e vetme derisa edhe ajo, u sëmur. Thjesht, i kishin shterur fuqitë dhe nuk ishte më në gjendje ta lante, ta ngrinte dhe të bënte gjithë përkujdesjet e tjera për të cilat një burrë i sëmurë kishte nevojë. Mjekët arritën në përfundimin që Mbreti Zog tani ishte aq i sëmurë sa duhej çuar në spitalin e Foçit në Suresnes, ku gjendej edhe laboratori më i mirë kërkimor nëParis.
Atëherë për mua filloi një kalvar, të cilin, edhe sot, nuk e kam idenë sesi gjeta forca ta përballoja. Duke qenë se ishte e diel pasdite, drejtori i spitalit nuk gjendej atje dhe gjithë ajo godinë aq e madhe dukej se nuk kishte personelin e duhur. Më kishin premtuar se do të kisha një dhomë ngjitur me dhomën e tim shoqi, kështu që kur ata e çuan Mbretin, me një karrige me rrota, në një dhomë të vogël me një shtrat, me një karrige dhe tavolinë, menjëherë kërkova dhomën time dhe banjën. Më treguan një studio të ndarë me perde, me banjë, legen për duart, një dush dhe kaq. Kur i pyeta se ku ishte dhoma ime, infermierja m’u përgjigj thartë: Asnjë familjar nuk lejohet të qëndrojë me pacientin. Këmbëngula që gjithçka ishte rregulluar me drejtorin dhe i kërkova një dhomë që të komunikonte me dhomën e Mbretit. Kjo është plotësisht e pamundur, – m’u përgjigj. Do të të shtrojmë një dyshek në dysheme pranë shtratit. Kjo do të jetë vetëm për një natë, nesër e zgjidhim me administratorin.
Mbreti Zog u nevrikos shumë dhe donte të largoheshim menjëherë, por ishte e pamundur për të lëvizur sërish, kështu që e zgjidha vetë situatën. I thashë: Nuk e kam për herë të parë që po fle në dysheme.
Të nesërmen u përpoqa të lidhem me ministrin e Shëndetësisë dhe një kushëriri im bisedoi me të. Sa për doktorin e spitalit, as unë dhe as im shoq nuk donim t’i flisnim dhe gjatë javës së parë ai dukej se qëndronte gjatë gjithë kohës në laborator. Askush nuk u kujdes për tim shoq dhe m’u desh të vazhdoja ta mjekoja vetë. Kur pashë që, për herë të parë në jetën e tij, po i hapeshin plagë nga të ndenjurit në shtrat, shkova në banjë dhe qava derisa m’u thanë lotët.
Çdo ditë e shikoja Mbretin teksa dobësohej e dobësohej dhe nuk e kuptoja përse. Dukej sikur personaliteti, shpirti, e gjithë qenia e tij po ikte pak e nga pak. U përpoqa të merrja disa mendime nga mjekë të jashtëm. Prisja ta vizitonte edhe profesori më i mirë në Paris, deri kur mjeku kujdestar erdhi të më njoftonte se atij po i vdiste e ëma, prandaj e kishte të pamundur të takonte tim shoq.
Kur pa që ishte zverdhur si meit, Mbreti i pëshpëriti Mbretëreshës Geraldinë: Nuk është nevoja të përdor revolverin, pasi tani e kuptoj përse jam kaq i pafuqishëm. Gjatë kohës që ishte sëmurë, ai e mbante pranë tij, në shtrat, revolverin prej ari, që i kishte shpëtuar jetën sa e sa herë, por tani qe aq i pafuqishëm, sa as nuk e ngrinte dot. Kështu që i kërkoi Mbretëreshës Geraldinë revolverin e saj të vogël të larë me flori që ia kishin dhënë në Shqipëri. Mbretëresha i kishte kërkuar fshehurazi Princit Leka t’ia hiqte plumbat, por kur ia vendosën mbi tavolinën pranë tij, Mbreti urdhëroi: Hape! Kur pa që në revolver nuk kishte plumba, e detyroi të birin t’i fuste përsëri. Arsyeja pse donte revolverin, nuk kishte të bënte me faktin që nuk e duronte dot dhimbjen, por pati thënë që më parë se, po ta dinte me siguri që kishte kancer, do t’ia shkrepte vetes. Frika ndaj kësaj sëmundje e tmerronte qysh kur vdiq Princesha Ruhije. Ky episod i futi tmerrin Mbretëreshës, e cila iu lut çdo mjeku që kalonte te dhoma e Mbretit, të hynte dhe t’i thoshte ndonjë fjalë shpresëdhënëse. Ishte e vështirë, pasi në spitalin Foch, Mbreti ishte i dënuar të vdiste. Ai ishte pacienti i dhomës në fund të korridorit.
Ditën kur ishte e dukshme që Mbretit Zog i kishte rënë të verdhët, një nga shenjat e para të kancerit të pashërueshëm, drejtori i spitalit thirri në zyrën e tij, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka, i cili s’i kishte mbushur ende të njëzetat, dhe u tha hapur se Mbreti po vdiste. Princi Leka u zbeh në fytyrë, por sapo doli nga dhoma telefonoi qendrat më me famë të trajtimit të kancerit në Amerikë dhe iu lut që ta pranonin Mbretin si pacientin e tyre. Një nga një, ata lidheshin me drejtorin e spitalit Foch dhe kështu e merrnin vesh të vërtetën e hidhur. Mbreti nuk mund të lëvizej. Mbretëresha Geraldinë e kujton këtë ditë si një nga më të dhimbshmet e jetës së vet. Jo vetëm që burri që ajo dashuronte po vdiste, por do t’i ngelej mbi supe përgjegjësia e stërmadhe e përkujdesjes për princeshat dhe për gjithë shpurën mbretërore.
Kur e morëm vesh përtej çdo dyshimi se ai kishte kancer, i telefonova zotit Ostier, në Nju Jork, ku kisha lënë pjesën e fundit të stolive të mia, dhe i kërkova të dërgonte në emrin e Lekës 10 mijë dollarë. E kisha plotësisht të qartë se, sado para të kishin mbetur në bankën franceze, ato do të ngrinin sapo im shoq të vdiste. Kishim bërë një kontratë në Nju Jork që stolitë nuk do të shiteshin poshtë një shume të caktuar, por për fat të keq nuk u shitën shumë sipër saj. Sot ato stoli do të vlenin shumë më tepër.
Pavarësisht brengës që kishte në shpirt, Mbretëresha shfaqte një qëndrim realist për jetën, që gjendet edhe sot në zemrën e asaj gruaje. Një nga njerëzit e fundit që foli me Mbretin ishte kunata e tij, Virxhinia. Ajo u ul pranë shtratit të tij dhe ai i mori dorën. Leibling, mos e lër vetëm motrën, – i tha Mbreti tani me një zë aq të dobët, saqë ajo mezi e dëgjoi. E di që ajo është njeriu i përsosur për gjithçka i duhet të bëjë në detyrat e saj si Mbretëreshë. Ka forcën dhe njohuritë për politikën, por do të të kërkoja që ta ndihmoje me djalin, për ta drejtuar që të ndërmarrë hapat e duhura në jetë. Virxhinia e puthi këtë burrë që e donte dhe adhuronte dhe i pëshpëriti: Të premtoj.
Kaluan edhe tri ditë para se Mbreti të binte në koma. Tri ditë agonie, shqetësimi dhe pikëllimi të pamatë për Mbretëreshën Geraldinë teksa shikonte njeriun të cilit i kishte përkushtuar jetën e vet, të shkonte. Ditën e tretë, Mbreti u përmend për një kohë të shkurtër, të mjaftueshme për të parë Princin Leka ulur pranë tij. Në këto çaste i rrëfeu ëndrrën: sesi e kishte parë Mbretëreshën Geraldinë, përsëri të bukur, por në moshë të thyer, teksa qëndronte në një anije që lundronte drejt portit të Durrësit. Këto fjalë Mbreti Leka i përsëriti për mua njëzet e katër vjet më vonë në sallonin e pritjes nëBelgravia.
Kur Mbretëresha Geraldinë e kuptoi se Mbreti po vdiste, i kërkoi spitalit t’i jepnin morfinë, pasi edhe kur nuk ishte i vetëdijshëm përpëlitej sa nga njëra anë tek tjetra, nga dhimbjet. Princeshat, që prisnin në klinikë çdo ditë, morën vesh kërkesën e Mbretëreshës dhe urdhëruan që morfina të mos i jepej, për shkak të besimit të tyre fetar. Në vend të morfinës, u vendosën në anët e shtratit të Mbretit dy roja shqiptare që të ishin pranë e të mos e linin mbretin të binte nga krevati, prej agonisë, dhe të mos dëmtohej. Iu mohua edhe dinjiteti i një vdekjeje të qetë.
Pasditen e së dielës së 9 prillit 1961, Princi Leka, që kishte qëndruar pa lëvizur pranë shtratit të të atit gjatë ditëve të fundit, shkoi te varrezat në Tie, pranë Orlit, për të marrë masat për funeralin e Mbretit, pasi të gjithë e kishin kuptuar se do të ndodhte në ditët e ardhshme. Mbretëresha Geraldinë po pushonte në dhomën ngjitur, që ishte boshatisur, në pritje të një pacienti. Njëri prej shqiptarëve e zgjoi dhe i tha: Hajde, shpejt! Kur ajo hyri në dhomën e Mbretit, ky hapi sytë, psherëtiu thellë dhe vdiq. Sikurse e kujton ajo këtë çast: Zoti më dha kurajë t’i mbyllja sytë e tij të bukur para se të gjunjëzohesha para shtratit për t’u lutur. Dhoma, papritur, u mbush me angullima vaji. Kjo vdekje u kishte marrë princeshave arsyen e vetme për të jetuar dhe tani nuk ishin në gjendje ta përmbanin veten. Mbreti i Shqiptarëve, Zogu i Parë, Mbreti i të gjithë bijve të shqipes, që u kishte mbijetuar pesëdhjetë e pesë atentateve, nuk jetonte më. Vajtimi i tyre dëgjohej në gjithë spitalin. Njëri prej miqve të vjetër të Mbretit shkoi menjëherë të thërriste kryeimamin e Komunitetit Islamik nëParis. Shumë shpejt katër imamë me veshjet e tyre të gjera erdhën në spital dhe vunë duart në kokë nga tmerri. E kthyen shtratin e Mbretit në drejtim të Mekës, bash kur hynë infermieret për ta çuar trupin në kishëzën e morgut, gjë që ishte e papranueshme për një Mbret mysliman.
Leka ishte kthyer nga varreza dhe, kur pa shqetësimin tonë, i nxori jashtë të gjithë zyrtarët, bashkë me infermieret dhe vendosi dy roja shqiptare me revolverët në gatishmëri, para derës së dhomës. Askush nuk guxoi të hynte.
Në atë çasti im bir u burrërua. Më çoi me përkujdesje në kishëzën e spitalit dhe më la atje të lutesha, teksa ai u mor me rregullimin e trupit të Mbretit dhe vendosjen e tij në hollin e vogël aty pranë. Qirinjtë digjeshin në këmbë të shtratit, teksa im bir me oficerët e shpurës qëndronin në ruajtje të Mbretit të tyre të vdekur.
Pikërisht atje, Mbretëresha Geraldinë i dha lamtumirën njeriut që kishte dashuruar me gjithë zemër qysh nga mbrëmja e parë në Tiranë.
Nga angështia e princeshave dhe nga dhimbja e saj, që nuk gjente ngushëllim, Mbretëreshës Geraldinë i ra të fikët. E motra, Virxhinia që kishte mbërritur në spital, e çoi për të pushuar në hotelin aty pranë. Thirri një mjek për t’i dhënë qetësues. Ky ishte fillimi i një tjetër sëmundjeje të gjatë.
Gjatë gjithë asaj nate dhe në ditët që pasuan, shqiptarët, nga gjithë Parisi dhe rrethinat, erdhën t’i bënin nderimet e fundit Mbretit të tyre. Lajmi ishte dhënë shkurt në televizion dhe në ekranet e kinemave, në radio dhe në faqet e para të gazetave të mbrëmjes, në të gjithë botën. Shqiptarët erdhën në kufirin midis Belgjikës dhe Francës me makina të mbushura dëng, pasi në Belgjikë kishte një koloni të madhe shqiptarësh. Nuk patën kohë të merrnin viza dhe xhandarmëria franceze qe ndier ligsht kur kishte parë fytyrat e tyre të përlotura dhe i lejoi të hynin në Francë për pak ditë. Edhe në Suedi, kur morën vesh se Mbreti i tyre ishte duke vdekur, shqiptarët e atjeshëm siguruan paratë për të shkuar nëParisme avion dhe për të ndarë së bashku ato çaste të fundit.
Që nga spitali ata u derdhën në rrugët e shkretuara drejt hotelit për t’i shprehur respektin Mbretëreshës. Bukuria e saj kishte humbur nga dhimbja dhe, madje, disa nuk e njohën dhe pyesnin se cila ishte ajo gruaja e hollë e veshur me të zeza. Të tjerë e përshëndetën në mënyrën shqiptare: Rroftë Mbreti! Kjo brohoritje jehoi në qytetin e qetë, nën dritën e hënës.
Teksa dëgjoja përshëndetjet e tyre dhe u shihja fytyrat plot krenari, ndjeva që tisi i kohës dhe i trishtimit ishin zhdukur. Shpirti po përjetonte ato kohët e mëparshme në Tiranë, në një Europë tjetër, në një tjetër botë. Ndjeva edhe një lloj krenarie që u kisha dhënë atyre një djalë të gjatë e të bukur, që qëndronte pranë meje dhe që do të bëhej Mbreti i tyre i ardhshëm.
Nga hoteli, Mbretëresha u dërgua në spital. Atje ishte një qendër për njerëzit e përvuajtur, me shtëpiza njëkatëshe për secilin pacient, të vendosura në një kopsht të bukur. Kur mbërriti, e ulën në një karrocë invalidësh dhe e çuan në një shtëpizë, ku një shërbyese e bukur, që, në të vërtetë, ishte infermiere, e shtriu në shtrat. I dhanë qetësues. Çdo tri orë, në dhomën e Mbretëreshës vinte një tabaka me ushqim të shijshëm, por ajo ishte dobësuar aq shumë nga të pangrënët, sa e kishte të pamundur të ngrinte edhe një gotë ujë.
Princi Leka e vizitonte të ëmën çdo ditë, por pas një jave trajtimi të vazhdueshëm, drejtori i spitalit i telefonoi dhe i tha: Mamaja jote po vdes. Princi njëzetvjeçar u trondit jashtë mase dhe i kërkoi sqarim. Nuk ka asnjë sëmundje të vërtetë, – i shpjegoi mjeku. Mbretëresha Geraldinë ishte konsumuar fizikisht dhe mendërisht. Princi shkoi menjëherë në spital dhe, kur u përball me drejtorin në zyrën e tij, i vuri revolverin në tavolinë dhe i tha: Im at vdiq për faj të një spitali francez dhe nuk do të lejoj që të vdesë edhe ime më. Duhet të bëni diçka!
Mjeku francez u mendua mirë para se të përgjigjej: Ne kemi përshtypjen se asaj i ka shteruar dëshira për të jetuar. Në qoftë se ju na lejoni, kryepsikiatri ynë do të përpiqet të nxjerrë nga pavetëdija e saj arsyen!
Dy herë në ditë një mjek dashamirës kalonte afërsisht një orë duke biseduar me Mbretëreshën. Ata flisnin për gjithçka, përfshirë edhe për jetën. Pas disa ditësh, ai i tha Princit Leka se e kishte zbuluar çfarë e shqetësonte Mbretëreshën Geraldinë. Ajo nuk do që të jetojë pas humbjes së të shoqit.
Një prej problemeve që, në mënyrë të pavetëdijshme, i shkaktonte shqetësim të vazhdueshëm Mbretëreshës, ishte se çfarë do të bënte me princeshat. I kishte premtuar Mbretit Zog se do të kujdesej për të motrat. Mbretëresha Geraldinë nuk i thyen lehtë premtimet, por tani kishte përshtypjen se nuk mund të merrte më përgjegjësi mbi veten. Princi Leka e dëgjoi të ëmën dhe i tha me rrëmbim: E rregulloj unë këtë punë menjëherë. Ti nuk do të qëndrosh gjatë këtu dhe besoj se, përderisa jam djali yt i vetëm, ne do të jetojmë bashkë. Për hallat do të kujdesem unë. Ato nuk na duan, as mua e as ty. Ne do të ndjekim rrugën tonë dhe do t’i ndihmojmë ato që të gjejnë rrugën e tyre.
Vetëm kur mjekët vendosën t’i jepnin Mbretëreshë Geraldinës ca hormone mashkullore, ajo filloi të përmirësohej dhe t’i vinte fuqia. Mëngjesin e parë që u çua nga shtrati, vuri re që dritaret ishin me hekura. Thirri shërbyesen, e cila menjëherë lajmëroi mjekun. Ai i shpjegoi me mirësjellje Mbretëreshës se përse e kishin futur në një spital psikiatrik. Ajo kishte arritur peshën 41 kilogramë, me një gjatësi prej 1.77 metra; dukej si një skelet. Mjekët më parë i druheshin qëndrueshmërisë së gjendjes së saj mendore, por tani e kishte marrë veten mjaftueshëm për t’u lejuar të dilte në kopsht.
Gjashtë javë pas shtrimit në spital, Mbretëresha Geraldinë mori fuqinë e duhur për të dalë. Pasi kaloi disa ditë nëParistek e motra, Virxhinia, Princi Leka e çoi me makinë në Madrid, ku mikesha e saj, Mbretëresha Xhovana, do të kujdesej për të në vilën e saj. Kur qëndrimit të Mbretëreshës shqiptare po i afrohej fundi, Mbretëresha Xhovana u kujdes që ajo të ishte sërish e ftuara zyrtare e Vatikanit, pasi vetëm kështu mund të lejohej të hynte në Itali. Mbretëreshës Geraldinë iu kërkua t’i jepte fjalën qeverisë italiane se nuk do të mbante asnjë konferencë për shtyp. Gjatë takimit me Papa Gjonin XXIII, ajo kërkoi sërish mbështetjen e tij për të paraqitur kërkesën për dëmshpërblimin e luftës. Si pasojë, Mbretëresha Geraldinë pati një takim me një ministër të lartë, i cili i premtoi: Po…Po…Po…, por sërish nuk bëri asgjë.
Shtypi italian bëri deklarata nga më absurdet për Mbretëreshën Geraldinë, duke shkruar se ajo e kishte ndryshuar fenë e saj në myslimane dhe se edhe Princi Leka tani donte të bëhej katolik. Mbretëresha u inatos aq shumë, saqë bindi një ish-ministër shqiptar t’i telefononte qeverisë dhe t’i thoshte se, nëse këto deklarata nuk do të përgënjeshtroheshin në shtyp, të nesërmen në faqe të parë, kishte për të dalë konferenca e saj për shtyp.
Kështu u bë, pasi siç dukej italianët nuk donin që unë të flisja: të tregoja sesi paratë e mia personale, të vëna në bankë në Tiranë, ishin konfiskuar dhe të gjitha dhuratat e dasmës ishin plaçkitur. Mund t’u tregoja sesi një mik kishte blerë pjesë të servisit tonë të praruar me argjend, të cilat kishin dalë në shitje në Rivierë dhe shumë gjëra të tjera.
Kur u ktheva nëParispërjetova një prej përvojave më të dhimbshme të jetës sime. Vendosa të lija peng unazën e fejesës me diamantin blu prej katërmbëdhjetë karatësh. Kisha nevojë për para për varrin e Mbretit. Në llogarinë bankare kishin mbetur vetëm treqind franga dhe doja të ngrija një monument mbi varrin e Mbretit, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë. Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet, teksa qëndroja ulur në zyrat e Mont de Pieté. Nuk ishte momenti për të derdhur lot. Me një shprehje dashamirësie në fytyrë, gruaja më këshilloi ta shisja unazën menjëherë dhe kështu bëra, madje, me një çmim të mirë. Im bir pati mundësinë ta mbante nën vëzhgim për disa vite, pasi shpresonte se një ditë do ishte në gjendje të ma riblinte. Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë.
Qiraja dhe ushqimi i shtëpisë në Avlon, ku jetonin princeshat dhe katër oficerë, ishin një faturë e lartë për t’u paguar. Duke qenë se gjatë gjithë jetës së tyre për to ishte kujdesur i vëllai, princeshat as nuk e kishin idenë e parave dhe nuk u shkoi kurrë në mendje të shisnin ndonjë prej stolive të tyre për të ndihmuar Mbretëreshën Geraldinë nga ana financiare. Ato ishin rritur në një botë krejtësisht ndryshe dhe nuk kishin mësuar asnjëherë të përshtateshin dhe të paguanin për shpenzimet e tyre. Duke kuptuar se kishte vetëm një mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë delikate, Mbretëresha Geraldinë vendosi t’i thërriste bashkë me Princin Leka, në mënyrë që të gjithë të diskutonin për të ardhmen. Ajo nuk i kishte parë kunatat qysh nga vdekja e Mbretit, pasi ato nuk e patën vizituar asnjëherë në spital gjatë lëngatës së saj. Kur mbërriti tevilanë Avlon, gjeti pothuaj dymbëdhjetë gra të tjera shqiptare, të cilat, kur panë Mbretëreshën, u gjunjëzuan dhe i puthën dorën, duke iu lutur që t’i merrte të jetonin me të. Si të dëshirojë Allahu, – u përgjigj Mbretëresha dhe hyri brenda të përshëndeste princeshat që ishin veshur nga koka te këmbët me të zeza dhe rrinin bashkë si kori i tragjedive greke. Të gjitha u ulën teksa shërbehej kafeja turke nga njëra prej grave, tamam siç ndodhte para ndonjë diskutimi formal në Shqipëri. Princeshat ishin ulur para, ndërsa pjesa tjetër e grave qëndronte në fund, pranë derës. Princi Leka dhe kolonel Martini ishin të vetmit burra të pranishëm. Me një zë të qetë, Mbretëresha Geraldinë filloi të fliste: Ju e dini se në datën një të muajit të ardhshëm duhet të largoheni nga kjo shtëpi. Siç e dini, Mbreti nuk mundi të na linte asgjë, kështu që Leka dhe unë do të donim t’ju pyesnim nëse ju do të pranonit të jetonit me ne në një apartament në Paris. Princ Leka, që nuk e kishte aspak idenë se çfarë do të thoshte e ëma, u bë i verdhë dyllë. Princesha Sanije, që gjithmonë kishte qenë zëdhënësja e tyre dhe më e afërta me Mbretin Zog, filloi të endej poshtë e lart nëpër sallon. Befas, me fytyrën e mbuluar nga inati, ajo këlthiti: Në asnjë mënyrë. Nuk do të jetojmë me ju! Mbretëresha hodhi vështrimin nga Princ Leka dhe ai e pa të ëmën në sy. U kuptuan fare mirë me njëri-tjetrin. Pastaj filloi të fliste Princ Leka dhe i pyeti princeshat nëse ato e kuptonin ndopak gjendjen financiare. Fytyrat e tyre ngrinë, teksa ai u shpjegonte se Mbretëresha kishte gjetur një apartament të bukur dhe kishte vend për një shërbëtor, një luks që Mbretëresha nuk e kishte as për veten në atë kohë. Princesha Sanije iu përgjigj se nuk kishin nevojë për shërbëtor, pasi Princesha Adelë do të merrej me mirëmbajtjen e shtëpisë. Atëherë, ato e morën vesh që Princesha Adelë, e cila nuk ishte e pranishme, do të shkonte te fëmijët e saj, të cilët edhe do të kujdeseshin për të. Ajo kishte dy vajza të martuara me burra të kamur.
Mbretëresha e kuptoi prej fytyrave të tyre të ngurosura se princeshat nuk donin të merrnin një vendim të menjëhershëm dhe u ngrit për t’u larguar. Kur arriti tek holli i jashtëm, gjithë burrat dhe gratë shqiptare, që kishin qëndruar në këmbë jashtë derës dhe dëgjonin, i thanë Mbretëreshës Geraldinë: I dëgjuam të gjitha. Mund të jemi dëshmitarë dhe ju falënderojmë që morët një vendim kaq të drejtë. Në makinë, Princ Leka ishte i ftohtë dhe i heshtur dhe, kur kolonel Selmani, i cili ishte ulur përkrah shoferit, filloi të fliste me nervozitet, ai e urdhëroi: Qetësi!
Tani që dukej se problemi i princeshave ishte kapërcyer, Mbretëresha Geraldinë duhej të përballej sërish me çështjen e shpurës së oficerëve dhe rojave. Megjithëse do të ishte i pranishëm, Princit Leka iu duk e drejtë që e ëma t’ua jepte lajmin e dhimbshëm, pasi deri tani ata kishin qenë si pjesëtarë të familjes. Dy prej oficerëve u kthyen në Angli dhe filluan punë, tre ishin pranuar në Francë si emigrantë politikë dhe u ishte lidhur një pension, ndërsa tre të tjerë shkuan në Amerikë, në vendet që u gjeti Mbretëresha. Të vetmit për të cilët ajo nuk mundi të gjente vend, ishin kolonel Selmani, administratori i Oborrit, për gjithë ato vite i cili, bashkë me një prej rojave, nuk pranoi të largohej prej saj, gjithsesi. Princeshave, më në fund, iu gjet një apartament në Kanë, me një shërbëtor që do të kujdesej për to. Mbretëresha, Princ Leka dhe dy burrat shqiptarë që kishin mbetur u shpërngulën në një apartament të vogël e jofortkomod, nëParis.
Njeriu që më shpëtoi nga çmendia në atë periudhë të potershme ishte kontesha hungareze Zhizelë Alvensleben de Shonborn, e pagëzuar Zhizhi, nga miqtë. Ajo më merrte me makinën e saj çdo të premte pasdite dhe qëndroja me të për fundjavë në vilën e saj të bukur pranë një fushe golfi në Shën Nom la Bretshë. Kontesha vdiq në fillim të vitit 1986 dhe nuk do ta harroj kurrë sesi ngrohtësia e miqësisë sonë erdhi duke u përsosur me kalimin e viteve, ashtu siç ndodh me verën.
Për herë të parë qëkurse ishte martuar dhe pavarësisht inatosjes së kolonel Selmanit, Mbretëresha Geraldinë tani dilte e vetme nëpër rrugët e Parisit. Ishte si një zog i dalë nga kafazi pas njëzet vjetëve robëri. Një përzierje e kënaqësisë dhe frikës.
Botuar për herë të parë në revistën Mapo/ Nëntor 2011
No comments:
Post a Comment