TIRANE- Këshilltari juridik i presidentit deklaroi në një prononcim për median para pak minutash se komisioni hetimor është antikushtetues, dhe se duke thirrur presidentin për të dëshmuar po shkel ligjet. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit anulon pjesëmarrjen në komision. Pritet dëshmia e kryeprokurores Ina Rama. Berisha ne mbledhje qeverie: Hetimi per gazetaret, s’ka lidhje me profesionin e tyre. 3-4 gazetaret lidhje direkt me pucin kundra qeverise. Nuk gjykojmë gazetarë për shkrimet.
ANULOHET SEANCA E KOM. HETIMOR ME KREUN E SHIK
Burime zyrtare nga Kuvendi deklarojnë se Kreu i SHISH, Bahri Shaqiri nuk do të dëshmojë sot në komisionin hetimor parlamentar të mazhorancës.
Seanca dëgjimore e parashikuar të niste rreth orës 17:00, me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit është shtyrë “për arsye teknike dhe do të mbahet një ditë tjetër, e cila do të bëhet e ditur në ditët në vijim”,- thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.
Sot ishte thirrur te deshmonte edhe kryeprokurorja Ina Rama, por nuk dihet pjesëmarrja e saj.
PRESIDENCA: KOMISIONI HETIMOR ANTIKUSHTETUES
Presidenti Topi konfirmon zyrtarisht se nuk do të paraqitet nesër në komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca për veprimtarinë e institucioneve të tyre para, gjatë dhe pas trazirave të 21 janarit. Këshilltari juridik i presidentit deklaroi në një prononcim për median para pak minutash se komisioni hetimor është antikushtetues, dhe se duke thirrur presidentin për të dëshmuar komisioni po shkel ligjet.
“Presidenti i Republikës ushtron kompetencat e tij në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në mbështetje të nenit 92, germës “h” të Kushtetutës, Presidenti është autoriteti që kërkon të dhëna me shkrim, pra informacione nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë bëjnë me veprimtarinë e tyre. Pra, Presidenti ka të drejtën e informimit, por jo detyrimin për të informuar.”- nënvizoi zoti Peci.
Komisioni kërkoi nga Presidenti i Republikës që brenda datës 2 shkurt të dërgojë një informacion për të gjithë veprimtarinë e tij gjatë dhe pas datës 21 janar 2011.
Sipas këshillitarit juridik të presidentit kërkesa e komisionit është hartuar “pa përmendur objektin e saj që në vetvete përmban elementë, që realisht pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa po ky Komision me shkresën e datës 31 janar 2011, thërret Presidentin e Republikës për t’u paraqitur në Komision në orën 17.30 të datës 3 shkurt, me qëllim realizimin e një seance pyetjesh lidhur me objektin e hetimit të këtij Komisioni Hetimor.
Peci nënvizon se Komisioni Hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në “kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin”.
Duke iu referuar 162 të Kodit të Procedurës Penale që titullohet “Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të shtetit” Peci tha se “Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon Komisioni Hetimor, por jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para Komisionit, Gjykatës apo dhe Prokurorisë.”
Këshilltari juridik gjithashtu e ka cilësuar të paligjshme kërkesen e komisionit për skedaret telefonike.Peçi tha se "komisioni është në shkelje të hapur me ligjet e vendit." dhe se "Në asnjë rast ai nuk mund të ndërmarrë atributet e prokurorit apo gjykatës” nënvizoi ai.
BERISHA: GAZETARËT PUC QEVERISË, DO HETOHEN
Berisha garanton se do të cojë deri në fund hetimin e tabulateve ndaj 4 gazetarëve në vend, pasi sipas kryeministrit ata kanë drejtuar një puc për rrëzimin e qeverisë më 21 Janar.
Duke folur për kërkesën e komisionit hetimor të mazhorancës për tabulatet e telefonatave të 4 gazetarëve të njohur, kryeministri Sali Berisha siguroi sot në mbledhjen e qeverisë se liria e shtypit nuk do të cenohet porse, ajo që gazetarët bënë nuk kishte lidhje aspak me median.
“Kjo nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e lirë, por unë ju garantoj se tre-katër gazetarët që nuk kanë lidhje aspak me profesionin e tyre janë të implikuar direkt në dhunën dhe puçin ndaj shtetit. Sa te jemi ne në këtë pushtet, një gazetar nuk do të dënohet kurrë për shkrimet dhe publikimet e tij. Por, këto s’kanë lidhje me gazetarinë”, vijoi ai.
Më pas, kryeministri foli shkurtimisht edhe për demonstratën e 21 janarit. “Buxheti afatmesëm parashikon mbështetjen financiare për të gjitha reformat e mëdha të shndërrimit të vendit në Shqipëri evropiane. Një puç dëmton në mënyrë thelbësore imazhin e këtij vendi, por ky puç nuk do të mund të ngadalësojë reformat e kësaj qeverie për ndërtimin e Shqipërisë evropiane”, theksoi Kryeministri.
21 JANARI, KOMISIONI HETIMOR THËRRET INA RAMËN E SHAQIRIN
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit Bahri Shaqiri do të dëshmojnë sot para komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e institucioneve të tyre para, gjatë dhe pas trazirave të 21 janarit.
Komisioni hetimor, i ngritur vetëm me votat e mazhorancës, zhvilloi dje një seancë dëgjimore me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Gjatë fjalës së tij ministri konfirmoi se policia e shtetit nuk do të garantojë mbarëvajtjen e tubimeve të së premtes të paralajmëruar nga opozita në Tiranë, Korcë, Vlorë dhe Lezhë. Ministri Basha pretendoi se këto tubime rrezikojnë sigurinë kombëtare pasi sipas tij në rrugë operative ka të dhëna se ai do të shndërrohet në një zinxhir dhune. Basha tha se tentativa për të marrë pushtetin me dhunë më 21 janar u organizua nga PS e lideri i saj Rama, duke përdorur njerëz të paguar. Duke reaguar për urdhërndalimet e gardistëve tha se “ishin shkatërruese” dhe “do demoralizoheshin ata që mbrojtën shtetin ligjor.”
Në dëshminë e tij dhënë komisionit hetimor më 31 janar kryeministri Berisha deklaroi se organizatorët e grushtit të shtetit, Rama, Ruci e Gjinushi drejtonin “banditët që sulmuan për 5 orë kryeministrinë me anë të telefonit”, prandaj sic tha ai, “Kërkimi i tabulateve ka tronditur pucistët”. Gjithashtu ai sulmoi prokuroren e Përgjithshme dhe Presidentin e Republikës.
DESHMIA E BASHES: PS PAGOI KRIMINELE PER GRUSHT SHTETIN
ORA 18:14- Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka nisur dëshminë e tij në komisionin hetimor parlamentar të mazhorancës sot rreth orës 17:40. Ngjarjet e 21 Janarit Basha i cilësoi si grusht shteti dhe si tentativë për të marrë pushtetin me dhunë nga persona të paguar.
“Qëllimi parësor ishte marrja me forcë e selisë së këshillit të ministrave pas nxjerrjes jashtë loje të forcave të rendit dhe atyre të gardës. Si ministër i Brendshëm kam bërë thirrje për distancimin e PS nga kontigjenti kriminal, të gjithë kujtojmë situatën e krijaur me protestat e vazhdueshme në maj. Në kundërshtim me këtë thirrje ngjarjet duket se kanë ecur në krah të kundërt. Kontigjenti i përdorur nga PS ishte jo vetëm kriminal por edhe pa lidhje organike me PS. Pas ndalimit të personave nga policia i janë gjetur lekë në xhep, prerje ne euro. Grupi që sulmoi ishte i paguar”,- u shpreh Basha gjatë fjalës së tij.
Sipas ministrit të Brendshëm urdhër ndalimi i 6 gardistëve ishte i dëmshëm dhe demoralizonte të gjithë strukturat që në 21 Janar mbrojtën shtetin ligjor. Basha tha më tej se, ra dakort më kryeprokuroren që gardistët të pyetishin por jo të ndaloheshin.
“Urdhër-ndalimet ishin për komandantët e gardës për të gjithë zinxhirin komandues. Duke u ndodhur para një situate të tillë, ku policia kishte përballuar një sulm, nuk mund të mos shprehja habinë. Eleminimi i komandës së gardës do të thotë demoralizim i plotë i të gjitha efektivave. Ky ishte mesazh shkatërrimitar, jo vetëm për ata që na mbrojtën. Armët e përdorur nga garda ishin në dispozicion të prokurorisë. Rashë dakort me kryeprokuroren që gardistët të pyetishin po jo të ndaloheshin.
Basha deklaron më tej se për këtë cështje ka informuar edhe diplomatët, si dhe ka kërkuar një takim me presidentin Topi.
NESER SEANCA DEGJIMORE ME TOPIN
Në datën 3 shkurt ora 17:30 komisioni hetimor ka thirrur për të dëshmuar Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Nuk dihet ende nëse presidenti do të marrë pjesë në komision. "Gazeta Shqiptare", shkruante dje, duke iu referuar zyrtarisht burimeve nga presidenca, se presidenti “ka vendosur të refuzojë kërkesën për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore para komisionit.
Në datën 4 shkurt, 17:00 ora 17:00 me Drejtorin e Policisë, Hysni Burgaj. Më 4 shkurt, ora 18:00 me Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.
Seancat dëgjimore përfundojnë në datën 5 shkurt me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Komisioni Hetimor ka kërkuar që të administrohen tabulatet e telefonave për gazetarët Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli, Mero Baze si dhe për prokurorët Olsi Çela dhe Shkëlqim Hajdari”.
(s.g/m.a/BalkanWeb)
No comments:
Post a Comment